Dashuria dhe fejesa

25/05/2011 21:14

Falenderimet më të sinqerta i përkasin Zotit të madhëruar, paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi profetit Muhamed a.s, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.

Duke trajtuar një temë të tillë, ne besojmë se do i shërbejmë një shtrese të gjerë të shoqërisë sonë islame.
Studiuesit e demografisë, sa herë që përmndin botën arabe dhe atë islame, e etiketojnë atë me termin “Bota e rinisë”. Ndërkohë që me termin “Bota e të moshuarve” etiketohet perëndimi në përgjithësi. Në perëndim, përqindja që zënë të rinjtë është vetëm 40 %. Ndërkohë që rinia në botën arabe dhe atë islame zë mbi 60 % të popullsisë.
Kur flasim mbi moshën e re, kemi si synim moshat nën tridhjetë vjeç. Dhe tema mbi të cilën do të diskutojmë, prek pikërisht këtë grupmoshë, në veçanti ata që janë në prag të martesës.
Shumë të rinj dhe të reja, kanë nevojë të njihen dhe informohen mbi çështje të tilla si vendimi për martesë, fejesa, martesa etj... Sa herë që më jepet rasti të kontaktoj me të rinj dhe të reja, pyetjet mbi një jetë bashkëshortore dhe familjare të lumtur janë të shumta.
Para se një çift të bashkohen në një strehë të vetme, duke u martuar, islami ka caktuar disa faza dhe etapa, me qëllim që këtij çifti t’i garantohet një jetë sa më normale dhe e lumtur. Gjatë fejesës, si djali dhe vajza informohen mbi njëri-tjetrin, u jepet rasti të njihen më mirë, shihen, bisedojnë dhe në fund, merret vendimi për t’u martuar ose jo.

Teoritë mbi të cilat realizohet një lidhje martesore.


Nëse një djalë, njihet me një vajzë, takohet me të dhe të dy vendosin të martohen, cilat janë ato kritere dhe standarte që e bëjnë këtë djalë t’a pranojë vajzën për bashkëshorten e ardhshme dhe anasjelltas?

Teoria e parë, është teoria e standarteve. Secili prej nesh, është rritur në një familje, ambjent dhe atmosferë të caktuar, ku ai ka përftuar disa vlera, tradita, sjellje dhe edukatë të caktuar. P.sh, në këtë ambjent ku është rritur, ai ka mësuar se feja është diçka themeltare. Në këtë ambjent, ai ka mësuar se morali dhe ndershmëria, ia shtojnë dinjitetin dhe personalitetin njeriut. Gjatë fazës së njohjes mes djalit dhe vajzës, secili prej tyre përpiqet të zbulojë vlerat, edukatën dhe zakonet e palës tjetër, dhe sa janë ato të ngjashme dhe të përshtatshme me të tijat. Nëse ata ndajnë vlera, tradita dhe morale të përbashkëta, të dy e pranojnë njëri-tjetrin.

Teoria e dytë, është teoria e ngjashmërive. Kjo teori, është për ata të rinj, që janë të moralshëm, të ndershëm, të suksesshëm, bujarë etj... por nga ana tjetër janë nevrikë. Nëse këta gjejnë një vajzë të moralshme, të ndershme, të suksesshme, bujare por dhe nevrike, një vajzë e tillë bëhet tërheqëse. Ndonjëherë, një i ri që është bujar, me të gjetur një vajzë me këtë veti, e pranon atë. Herë të tjera, një djalë me natyrë të qetë, me të zbuluar një vajzë me të njëjtën natyrë, e kërkon dhe e pranon për bashkëshorte. Një zemërgjerë, kërkon një vajzë të tillë. Një koprac, kërkon një vajzë koprace. Një fjalë e urtë arabe thotë:”Çdo shpend, jeton mes llojit të tij.”

Thotë Zoti në Kuran rreth këtij fakti:”Gratë e ndershme janë për burra të ndershëm dhe burrat e ndershëm janë për gra të ndershme.” (Nur: 26)
Në këtë teori, nuk bëjnë përjashtim dhe njerëzit e ligj. Thotë Zoti rreth këtyre:”Gratë e pandershme janë për burrat e pandershëm dhe burrat e pandershëm janë për gratë e pandershme. “(Nur: 26)

Teoria e tretë, është ajo e vetive plotësuese. Këtu bëjnë pjesë ata të rinj, të cilët kërkojnë tek pala tjetër atë që i mungon atij vetë. Këta plotësojnë veten, me anë të palës tjetër. Kështu, ka të rinj që janë të shkurtër, por që bashkëshorten e duan të gjatë. Mund të jetë djalë i shëndoshë, por që bashkëshorten e kërkon të jetë e dobët. Mund të jetë një vajzë serioze dhe pa shumë fjalë, por që kërkon për bashkëshort një djalë gazmor dhe shakaxhi.


Teoria e katërt, është ajo e analizës. Kjo teori, është kur një vajzë është shumë e lidhur me babanë e saj dhe personalitetin e tij. Kur një i ri, kërkon dorën e dhe të dy ulen së bashku që të prezanohen, vajza zbulon se personaliteti i këtij djali, është i përafërt me atë të babait të saj. Kështu, ajo jepet dhe lidhet me këtë djalë, për shkak të dashurisë dhe lidhjeve të forta që ajo ka me babanë e saj.

Kjo mund të ndodhë dhe me djalin, i cili zbulon se vajza të cilës i ka kërkuar dorën, ka shumë tipare dhe veti të përafërta me nënën e tij, me të cilën është shumë i lidhur. Kështu, ai e don vajzën, për shkak të lidhjes dhe dashurisë që ka për nënën.

Teoria e pestë, është ajo e të qënit pranë njëri-tjetrit. Shpesh herë, një djalë njihet me një vajzë dhe më vonë martohen, për shkak se ata banojnë pranë njëri-tjetrit, në një lagje, rrugë apo pallat. Ata mund të jenë edhe kolegë në punë, ose në shkollë.

Sot, me zhvillimet teknologjike, ka ndryshuar plotësisht koncepti i të qënit afër me dikë. Sot, e ke pranë dikë, e shikon dhe bisedon me të, edhe pse distanca mes jush është me mijëra kilometra. Me anë të internetit është bërë e mundur që personat që jetojnë në anën tjetër të globit, t’i shohësh dhe të bisedosh me ta sikur i ke para vetes.

Teoria e gjashtë, është ajo e joshjes dhe tërheqjes fizike. Sipas statistikave, shumica e djemve dhe e vajzave në mbarë botën, lidhen, dashurohen, fejohen dhe martohen, në bazë të kësaj teorie. Sot është bërë zakon që një djalë të fejohet ose martohet me një vajzë, për shkak të fizikut të saj plot hire. Kjo ndodh edhe me vajzat, të cilat fejohen dhe lidhen me djem, thjesht duke gjykuar hijeshinë e fizikut të tyre. Një teori dhe kriter i tillë, ka përfshirë të gjithë botën. Ashtu siç bota është e përfshirë nga globalizmi politik, kulturor, ekonomik etj... është e përfshirë dhe nga globalizmi fizik. Të shumtë janë kanalet televizive, gazetat, librat dhe revistat të cilët i bëjnë reklamë trupit dhe fizikut të përsosur. Të rinjtë dhe të rejat, kanë filluar t’i kushtojnë më shumë rëndësi trupit dhe fizikut të tyre, seç i kushtojnë anës shpirtërore, besimit, kulturës, arsimimit etj... Kjo ka ndodhur për shkak të ndikimit të fuqishëm të kulturës perëndimore, e cila po importohet nga brezat e rinj.

Grekët e lashtë kishin një perëndi që e adhuronin, e cila ishte perëndia e bukurisë, Venusi.
Ne si muslimanë, nuk është se e refuzojmë një lidhje dhe martesë me bazë tërheqjen dhe joshjen fizike. Madje ne e përkrahim, por ajo nuk duhet të bëhet në kurriz të fesë, moraleve dhe vlerave njerëzore.

Pasi përmendëm teoritë kryesore mbi të cilat bazohen lidhjet, fejesat dhe martesat, pyetja që lind është: Cila nga teoritë e mësipërme është më e sakta dhe e duhura? Cilën prej tyre duhet të zgjedhë një i ri dhe e re për të zgjedhur shokun e jetës?

Për asnjërën nga këto teori, nuk mund të themi se kjo është më e mira apo më e pavolitshmja. Për të thënë se cila është më e mirë dhe e volitshme, duhet që të shtojmë disa kritere të tjera, kritere të cilat i përmend vetë i dërguari i Zotit a.s.
Në dy hadithe, ai përmend dy teori, njërën për të rinjtë dhe njërën për të rejat.
Përsa i përket kritereve që duhet të ekzistojnë tek një vajzë, thotë Profeti a.s:”Një grua merret për katër gjëra: Bukurinë e saj, pasurinë, farefisin dhe përkushtimin e saj fetar. Kërko atë të përkushtuarën fetarisht, t’u mbushshin duart me dhe!”
Kurse përsa i përket kritereve që duhet të plotësojë një djalë, për të qenë bashkëshort i një vajze, thotë Profeti a.s:”Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një fetar dhe njeri i moralshëm, atëherë pranojeni këtë lidhje. Në të kundërt do të ndodhë fitne në tokë dhe degjenerim i madh.”
Kështu, një i ri mund t’a zgjedhë shoqen e jetës sipas cilitdo nga teoritë e mësipërme, nëse ka parasysh dhe respekton kriterin që përmend i dërguari i Zotit në hadithin e mësipërm për djemtë: Një grua merret për katër gjëra: Bukurinë e saj, pasurinë, farefisin dhe përkushtimin e saj fetar. Kërko atë të përkushtuarën fetarisht, t’u mbushshin duart me dhe!”
Në këtë hadith, Profeti a.s nuk e ka neglizhuar dhe shpërfillur joshjen dhe tërheqjen fizike. Ai nuk e ka shpërfillur as teorinë e analizës, të qënit pranë, vlerave dhe vetive plotësuese dhe ngjashmërive.
Kështu, kurdo që i përmbahemi kriterit të caktuar nga Profeti Muhamed a.s, mund t’a zgjedhim shokun e jetës sipas shijeve dhe teorive të mësipërme.
Një herë, ndodhesha në Kairo për një ligjëratë. Pasi përfundova ligjëratën, më erdhi një vajzë dhe më tha:”Jam në një hall të madh. Unë jam tridhjetë e dy vjeçe dhe sa herë që prindërit e mi më propozojnë një djalë për t’u fejuar, madje ndërmarrin dhe hapa konkretë, unë refuzoj. Unë jam shumë e lëkundur përsa i përket vendimit të fejesës dhe martesës, pasi kam frikë se do të dështoj. Çfarë më këshillon të bëj?”
Unë i thashë:”Kur prindërit e tu të kanë propozuar një djalë, përse nuk pranon të paktën që të njihesh dhe prezantohesh me të?”
Ajo u përgjigj:”Unë nuk kam asnjë problem mbi këtë çështje, por i frikësohem dështimit që mund të pasojë më vonë.”
Unë i thashë:”Me qëllim që si fejesa ashtu dhe martesa më vonë të mos dështojë, duhen respektuar disa rregulla dhe parime. Dhe fillova t’i flas mbi disa parime dhe pyetje, me të cilat mund të zbulohet personaliteti i personit që ka kërkuar dorën e vajzës dhe anasjelltas. Me anë të këtyre pyetjeve, garantohet suksesi i fejesës dhe më pas i martesës.
Vajza më tha:”Por unë kam një problem tjetër!”
“Çfarë problemi?” e pyeta unë.
Ajo më tha:”Në fakt, unë nuk jam muslimane, por jam e krishterë. Dhe problemi më i madh në fenë tonë, është se po u martova, nuk mund të divorcohem sido të jenë kushtet dhe rrethanat. Unë duhet të jetoj me atë burrë, sido qoftë dhe për gjithë jetën.”
Nga ana ime, unë fillova t’i ofroj disa zgjidhje, por ajo e refuzonte secilën prej tyre. Në fund i thashë:”Tani do të propozoj zgjidhjen e vetme që ka mbetur.”
Ajo pyeti:”E çfarë do më propozosh?”
Unë i thashë:”Të propozoj të konvertohesh në muslimane.”
Ajo pyeti:”Çfarë?! E përse duhet t’a bëj këtë?! Çfarë do të ndryshojë nëse bëhem muslimane?!”
Unë i thashë:”Në islam, nëse njihesh me një djalë, fejohesh, martohesh, jeton me të për disa vite dhe e shikon se e ke të vështirë të vazhdosh, ti si femër ke të drejtë të kërkosh divorcin.”
Ajo pyeti e habitur:”Çfarë duhet të bëj që të jem muslimane?”
Unë i thashë:”Është shumë e thjeshtë. Duhet të dëshmosh që nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij.” dhe ajo e pranoi këtë zgjidhje.

Kriteret e një bashkëshorteje të denjë, të përcaktuara në hadithin e mësipërm të Profetit a.s, janë me qëllim që të garantohet një martesë e suksesshme dhe jetë famljare e lumtur. Nga programet e shumta televizive, konsulencat që më vijnë, trajnimet etj... kam zbuluar se martesat më të suksesshme janë ato që janë realizuar duke zbatuar kritetret dhe porositë e profetit Muhamed a.s.

Nëse një i ri martohet me një vajzë, vetëm se ajo është fetare, edhe pse ajo nuk është e bukur, e fisshme dhe nga një familje e pasur, a mund të jetë një martesë e tillë suksesshme?
Përgjigja është “Po” mund të jetë martesë e suksesshme, nëse ky i ri ka aftësitë dhe gatishmërinë e duhur që të përshtatet me këtë vajzë me të cilën është martuar vetëm për faktin që ajo është fetare. Padyshim që kjo ka të bëjë me psikologjinë e këtij të riu, edukimin dhe durimin e tij.
Edhe pse Profeti a.s i ka kushtuar më shumë rëndësi përkushtimit fetar të pretendentes për martesë, ai nuk i ka shpërfilluar dhe neglizhuar kriteret e tjera, si pasuria, bukuria dhe niveli shoqëror. “Një grua merret për katër gjëra: Bukurinë e saj, pasurinë, farefisin dhe përkushtimin e saj fetar. Kërko atë të përkushtuarën fetarisht, t’u mbushshin duart me dhe!”
Kështu, Profeti a.s ka përmendur katër kritere të rëndësishëm, ku përkushtimi fetar duhet të zërë vendim më të madh. Në vend që secilin nga këto katër kritere t’a vlerësojmë me 25 pikë, le t’a vlerësojmë përkushtimin fetar me dyzet pikë, kurse të tjerët me pesëmbëdhjetë.
Nëse ka të rinj të cilët janë shumë të dhënë pas bukurisë, elegancës dhe hijeshisë fizike, le t’i shtojë pikët e pamjes dhe bukurisë së vajzës. Kështu, nëse i jep fesë dyzet pikë, le t’i japë kriterit të hijeshisë tridhjetë pikë.
Nëse një i ri është i dhënë pas pasurisë, le t’i shtojë pikët e këtij kriteri tek vajza me të cilën kërkon të martohet. Nëse dikush tjetër është i dhënë pas kriterit të nivelit shoqëror dhe e kërkon bashkëshorten e tij të jetë nga një familje e fisshme, le t’i shtojë pikët e këtij kriteri dhe të zbresë pikët e bukurisë dhe pasurisë.
Çdo i ri, le t’i vlerësojë kriteret e përcaktuara nga Profeti a.s, sipas karakterit, prirjeve dhe pikës së tij të dobët. Çdo i ri është i lirë që marrëdhëniet e tij shoqërore dhe familjare, t’i ndërtojë sipas prirjeve dhe parimeve të tij, por duke respektuar fillimisht kriterin e përkushtimit fetar.
Një herë ndodhesha në Aman, kryeqytetin e Jordanisë për një ligjëratë. Pas ligjëratës, një i ri mu afrua dhe më tha:”Unë dhe gruaja ime kur u martuam nuk ishim të përkushtuar në fe, megjithatë ndiheshim të lumtur dhe të gëzuar. Pas pesë vitesh martesë, unë fillova të përkushtohem në fe dhe i kërkova bashkëshortes që të falej dhe të vishte hixhabin. Ajo filloi të falej, por gjithësesi nuk pranon të veshë hixhabin. Unë nuk e di çfarë të veproj, mos duhet t’a divorcoj?!”
Unë i thashë:”Nëse secili që ndryshon fenë apo ideologjitë e tij, divorcohet nga bashkëshortja dhe braktis fëmijët, do të ndodhte katastrofë në shoqëri.”
Ashtu siç lëkundet pasuria dhe bukuria, ashtu lëkundet edhe besimi, i cili herë forcohet dhe herë të tjera dobësohet. Secilit prej nesh i ndodh që të ndjejë se besimin e ka shumë të fortë disa kohë, ndërkohë që pas disa kohësh ai e ndjen që besimi i është dobësuar.
Për këtë, Profeti a.s thotë:”Një besimtar, nuk quhet i tillë në çastin kur kryen imoralitet...”
Pra, në momentin kur një besimtar vepron një gjynah të rëndë, besimi i tij është në nivelet më të ulëta, gjë e cila ia mundësoi këtë vepër të ligë. Me t’a përfunduar këtë vepër, ai pendohet, kërkon falje dhe i lutet Zotit.
Kur ti u martove me bashkëshorten tënde, e zgjodhe sipas modelit tënd dhe sipas teorisë së ngjashmërive. Të dy ju nuk faleshit dhe besimin e kishit të dobët. Ty, Zoti të nderoi me përkushtimin në fe, gjë e cila i mungon bashkëshortes tënde. Me qëllim që edhe ajo të përkushtohet dhe të përfitojë nga udhëzimi i Zotit, kjo kërkon kohë dhe përpjekje. Zemra nuk është një kyç që hapet dhe mbyllet me çelës dhe sipas dëshirës. Zemrat e njerëzve janë mes dy gishtave të Zotit dhe Ai i ndryshon sipas dëshirës.

 

Back