Goditja e gruas (rrahja)

23/05/2011 21:27


Disa persona të keqinformuar, gjatë debateve dhe diskutimeve rreth fesë thonë:"Islami e dhunon gruan dhe i bën asaj padrejtësi duke e lejuar atë shoqin që t'a godasë dhe t'a rrahë."

Këtë e mbështesin në ajetin që thotë:"Sa i përket grave që ju i druheni mosbindjes dhe sjelljes së keqe nga ana e tyre, këshillojini, (e, nëse kjo s’bën dobi) mos i pranoni në shtrat dhe (në fund) i rrihni ato." (Nisa, 34)

A nuk është dhunë dhe padrejtësi që burri të rrahë gruan e tij? Përse të mos i lejohet dhe gruas t'a rrahë burrin, i cili sillet keq me të? Përse të mos gëzojë dhe gruaja të njëjtën të drejtë si edhe burri?

Gjatë një ligjërata, një nga gratë që dëgjonin u ngrit dhe më tha:"O profesor Xhasim! Islami i ka dhënë të drejtën burrit t'a rrahë gruan e tij! Apo nuk është kështu?"

Unë i thashë:"O motra ime! Kjo nuk është për të gjithë gratë. E dyta, është për një kategori të caktuar. E treta duhet të dimë se rrahja e përmendur në ajet, interpretohet dhe përmban shumë detaje që ti dhe shumë të tjera nuk i dini. Ne duhet t'a kuptojmë mirë ajetin dhe shkakun e shpalljes së tij."

Por ajo më ndërpreu dhe më tha:"Jo, jo, jo. Më lër të shfryhem një herë dhe t'a nxjerr mllefin që kam."

Unë i thashë:"Mirë, shfryhu!"

Ajo tha:"Ashtu siç ka të drejtë burri të më godasë dhe të më rrahë mua, edhe unë dua t'a rrah atë."

Unë e pyeta:"Po kush të ka privuar ty nga kjo e drejtë? Rrihe sa herë të duash burrin tënd! Por a e din çfarë pasojash mund të ketë kjo?"

Ajo u përgjigj:"Për Zotin po e qëllova, më thyen në mes."

Unë i thashë:"O motër! Le t'a ndërtojmë diskutimin tonë duke u bazuar në llogjikë dhe arsye. Nuk ka përse të shfryhemi dhe të nxjerrim mllefin e akumuluar nga problemet dhe hallet tona. Ne po flasim për sistemin islam, i cili ka burim hyjnor. Nuk e kam vendosur unë këtë sistem dhe askush tjetër nga njerëzit. Është vetë Zoti i madhëruar, Krijuesi dhe Mirëmbajtësi i gjithësisë, ai që e ka përligjur diçka të tillë."

Statusin e gruas në islam, ne duhet t'a shohim të plotë dhe jo të pjesshëm. Ajo në të cilën besojmë, është se islami e ka nderuar dhe fisnikëruar gruan. Personi i parë të cilit Profeti a.s i foli për mesazhin islam, ishte gruaja e tij, Hadixheja. Pra, ishte një grua dhe jo burrë. Gjithashtu, ai e përfundoi dhe e mbylli mesazhin e tij, u largua nga kjo botë, me kokën të mbështetur në kraharorin e gruas së tij, Aishes. A nuk është vlerësim diçka e tillë?

Tani, le t'i kthehemi ajetit që përmendëm në fillim. Fillimisht, duhet të dimë që islami dhe Kurani nuk e porosisin burrin që t'a rrahë gruan. Është vetëm një rast, ku lejohet rrahja. Ky rast në arabisht quhet "nushuz" dhe që interpretohet si sjellja më ekstreme e keqe e gruas.

"Sa i përket grave që ju i druheni mosbindjes dhe sjelljes së keqe nga ana e tyre, këshillojini, (e, nëse kjo s’bën dobi) mos i pranoni në shtrat dhe (në fund) i rrihni ato."

Siç e shohim dhe nga vetë ajeti, është një rast përjashtues. Në origjinë, gruaja është dhe duhet të jetë e llogjishme, e arsyeshme dhe e dashur. Një grua e tillë nuk ka të bëjë aspak me ajetin e mësipërm. Ajeti i mësipërm, nuk përfshin as një grua e cila ka kërkesa të shumta dhe është grindavece.

Burrit i lejohet t'a qëllojë gruan vetëm në një rast, kur gruaja e trajton të shoqin me mendjemadhësi dhe arrogancë. Është mendjemadhësia dhe arroganca, kuptimi i vërtetë i fjalës "nushuz" që përmendet në ajetin e mësipërm. Nëse gruaja e kundërshton dhe e refuzon kërkesën e të shoqit për një arsye të caktuar, gruaja nuk quhet "nashiz" që meriton të edukohet, qoftë dhe me një dackë.

Nëse burri e rreh të shoqen pa shkak dhe arsye, ai konsiderohet gjynahqar dhe do japë llogari para Zotit.

Veç kësaj, goditja si mjet edukimi vjen pas disa etapash dhe përpjekjesh. E para është këshilla. Në këtë rast, bashkëshorti ulet me të shoqen dhe e këshillon mbi sjelljet e saj të papranueshme dhe arrogante. Ky lloj dialogu dhe bashkëbisedimi mes dy bashkëshortëve, duhet të zhvillohet disa herë.

Nëse arsyeja dhe llogjika nuk zgjidhin gjë, atëherë burri përdor marifetin emocional, me shpresë se problemi do të zgjidhet. Ky marifet konsiston në braktisjen e shtratit bashkëshortor. Braktisja bëhet duke fjetur në të njëjtën dhomë gjumi, në të njëjtin krevat bashkëshortor, por duke i kthyer asaj shpinën. Disa gra vuajnë shumë psikologjikisht nga një sjellje e tillë dhe reflektojnë.

Kjo metodë mund të përdoret për një javë dhe mund të vazhdojë dhe me muaj të tërë. Nëse edhe kjo formë nuk ka dobi, burrit i lejohet që të përdorë dajakun. Por, nëse mendon se kjo është e dobishme dhe normalizon marrëdhëniet.

Edhe në këtë rast, dijetarët e kanë shtjelluar dhe detajuar çështjen. Sipas tyre, nëse burri mendon se vetëm dajaku e zgjidh çështjen, atëherë ai nuk duhet të jetë si hakmarrje dhe për të shfryrë mllefin. Goditja në këtë rast bëhet me një qëllim madhor dhe ai është që gruas t'i përçohet mesazhi se i shoqi është lodhur me të dhe sjelljet e saj. Me këtë sjellje, sikur i shoqi i thotë: Unë tashmë kam filluar t'a humbas ndjesinë se jam bashkëshorti yt dhe se je bashkëshortja ime.

Dijetarët muslimanë e quajnë këtë lloj dajaku, si edukues.

Abdullah ibnu Abasi e përshkruan këtë formë edukimi me fjalët:"Rrahja në këtë rast nuk duhet të jetë e fortë. Burri e qëllon të shoqen me shkopin e misvakut (sa një furçë dhëmbësh)."

Pra, nuk është rrahja dhe dajaku që na shkon ne në mendje. Madje, disa dijetarë thonë se burri e rreh të shoqen me shami, duke shmangur fytyrën dhe duke mos i lënë shenja në trup."

Kushdo që lexon hadithet e Profetit a.s, do të gjejë se ai – edhe pse ajeti është i qartë – i këshillon dhe i porosit burrat që të sillen mirë dhe gratë dhe të mos i dhunojnë.

 

A është i obliguar burri të veprojë sipas ajetit të mësipërm?

Nëse një grua, sillet me arrogancë dhe mendjemadhësi me të shoqin, a e ka obligim dhe detyrë i shoqi që të ndjekë hapat e lartpërmendur në ajet? A e ka obligim që fillimisht t'a këshillojë, pastaj t'a braktisë në shtrat dhe në fund t'a godasë? Apo është i lirë të zgjdhë një formë tjetër? Si duhet të veprojë ai, nëse e din që po t'i ndjekë të gjithë hapat e lartpërmendur, sjellja e të shoqes nuk përmirësohet?

Dijetarët muslimanë, thonë se nëse burri e din se edhe pas rrahjes e shoqja nuk do të reflektojë, nuk i lejohet t'a rrahë. Nëse e rreh, ai konsiderohet gjynahqar. Kjo, pasi ai e dinte se ky ilaç nuk do e zgjidhë problemin, prandaj nuk ka përse t'a qëllojë. Kjo e bën këtë çështje shumë delikate dhe të ndjeshme.

Për këtë, Profeti a.s ka thënë:"A nuk i vjen turp ndonjërit prej jush t'a rrahë të shoqen ashtu siç rreh skllavin e tij? Si mund t'a rrahë në mbrëmje dhe në mëngjes të kryejë marrëdhënie bashkëshortore me të?!"

Kur dikush e pyeti Profetin a.s se cilat ishin detyrat e burrit nga gruas së tij, ai tha:"T'a ushqesh kur ushqehesh vetë, t'i sigurosh veshjen siç e siguron për vete, të mos e godasësh në fytyrë, të mos e shëmtosh dhe të mos e braktisësh veçse në dhomën e gjumit."

Pas këtyre haditheve dhe shumë të tjerëve, është e pallogjikshme dhe e papranueshme që të marrim një pasazh Kurani dhe të themi që ky është islami.

Nëse dikush prej nesh, do shkëpuste një copë nga Australia, në një hartë letre dhe do të pyesnim dikë se kujt i përkiste ajo copë, vështirë se do e dallojë. Por nëse këtë copë e bashkojmë bashkë me pjesën tjetër, do të kuptohet që ajo është e Australisë. Një shembull i tillë vlen dhe për Kuranin. Nëse marrim një ajet të vetëm, nga më shumë se gjashtë mijë ajete të Kuranit dhe t'a gjykojmë gjithë islamin nga ky ajet, padyshim që është diçka e gabuar.

Kështu, ajetin e mësipërm, e vendosim në harmoni dhe përputhje të plotë bashkë me ajetet e tjerë, ku Zoti urdhëron që të sillemi mirë me gratë. Nga këto ajete janë dhe:

"Jetoni e silluni mirë me to!" (Nisa, 19)

"Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato." (Nisa, 187)

"Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë." (Rum, 21)

Duke e studiuar ajetin nën hijen e këtyre ajeteve që sapo përmendëm dhe nën hijen e shumë haditheve profetikë, vetëm atëherë do të kemi një tablo më të qartë mbi statusin dhe pozitën e gruas në islam.

Një herë, isha ftuar të marr pjesë në një konferencë, ku do të trajtohej një temë e fushës së psikologjisë. Gjatë punimeve, u diskutua mbi mazokizmin dhe mbi sadizmin. Personi që vuan nga mazokizmi, kulmin e kënaqësisë e ka kur trajtohet në mënyrë të dhunshme dhe i shkaktohet dhimbje, si fizikisht ashtu dhe psikologjikisht. Nëse një grua vuan nga kjo sëmundje, ajo kënaqet kur rrihet dhe trajtohet egërsisht.

Kurse përsoni që vuan nga sadizmi, kulmin e kënaqësisë e ka kur i bën të tjerët të vuajnë.

Kur më erdhi radha mua të flas, unë hodha idenë e zbatimit të ajetit, në raste të tillë.

 

Dikush mund të shtrojë pyetjen: Përse të mos ketë të drejtë gruaja t'a rrahë burrin për të njëjtat arsye?

Këtij i themi: Nëse gruaja e rreh dhe e qëllon të shoqin, çfarë mund të ndodhë? Padyshim që do reagojë dhe do e rrahë më keq. Ai është më i fuqishëm fizikisht.

Nëse gruas i mohohen të drejtat e saj, ajo mund t'i drejtohet gjykatës. Është gjykatësi ai që e ndëshkon të shoqin e kësaj gruaje sipas shkeljeve.

Edhe pse islami ka vendosur proçedura të tilla, thelbi gjithmonë mbetet në sjelljen e mirë dhe zgjidhjen e problemeve me mirëkuptim. Thotë Profeti a.s:"Sjellja e butë sa herë që është pjesë e diçkaje, e zbukuron atë dhe kurdo që hiqet prej saj e shëmton."

Sot, perëndimi na akuzon neve si muslimanë, se lejojmë rrahjen dhe dhunën ndaj gruas. Por a e dini sa janë rastet kur një burrë ka dhunuar ose qëlluar të shoqen në vendet muslimane?

Unë kam një studim të bërë në Amerikë mbi këtë çështje. Në çdo 12 sekonda, atje rrihet dhe dhunohet një grua nga i shoqi. Vallë a ekziston një përqindje kaq e lartë tek familjet muslimane?

Si është e mundur që akuzohemi ne për dhunë, ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – simboli i demokracisë dhe të drejtave njerëzore – në çdo dymbëdhjetë sekonda rrihet një grua nga i shoqi? Rastet kur gratë vdesin nga goditjet nuk janë të pakta.

Siç thamë dhe më lart, kurrë Profeti a.s nuk ka vënë dorë mbi një grua. Po ashtu nuk transmetohet se ndonjë nga shokët e tij e ka qëlluar të shoqen e tij. Kjo vlen dhe për brezin që erdhën pas shokëve të Profetit a.s, tabi'inët.

Raste kur burri ka rrahur gruan, janë shënuar vetëm tek shtresa më e ulët e shoqërisë muslimane, siç ndodh në çdo vend dhe kohë. Një burrë që rreh të shoqen, është një xhahil dhe meskin. Kurrë problemet nuk zgjidhen me të rrahura.

Një thënie e urtë italiane thotë:"Shkopi vlen si për gruan e mirë ashtu dhe për të keqen."

Në islam nuk e kemi këtë. Madje, Profeti a.s thotë:"Nuk i nderon gratë veçse një fisnik dhe nuk i keqtrajton veçse një i lig."

 

Ne si muslimanë e kemi obligim që t'a njohim mirë fenë dhe Sheriatin tonë. Zoti dhe Profeti nuk bëjnë dallime mes burrit dhe gruas, veçse në ato raste kur çështja ka të bëjë me statusin e secilit.

 

 

Back