Histori të ndryshme

27/05/2011 20:26

 

 

 

Gjithçka sa përmendëm më sipër, tregon që koncepti i edukatës seksuale në islam, është më gjithëpërfshirës se koncepti perëndimor i saj. Sot, edukata seksuale shihet vetëm kontekstin e aktit dhe marrëdhënieve seksuale mes dy gjinive.

Unë do të dëshiroja që ne si muslimanë të përpilonim dhe të kishim metoda të mirëfillta të edukatës seksuale, sidomos nëse janë të pasuruara me tekste nga Kurani dhe tradita profetike. Ndodhitë që kanë ndodhur gjatë jetës së Profetit a.s mbi këtë fushë, nuk janë të pakta. Një ndër to, është dhe ajo që u bë shkak që të shpallet dhe ajeti:”Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” (Hud 114)

Një grua nga banoët e Medines, shkoi në dyqanin ku shiteshin hurmat dhe i kërkoi shitësit të blejë një sasi të caktuar.

Shitësi i tha:”Hyr dhe zgjidhi brenda, pasi hurmat që ndodhen aty, janë më cilësore.”

Me të hyrë brenda, shitësi e pythi këtë grua dhe e ngacmoi seksualisht.

Më vonë, pasi gruaja u largua, shitësi filloi të reflektojë mbi atë që kishte vepruar. Si vallë e kishte bërë një vepër të tillë?

I prekur nga ajo që kishte vepruar, shitësi vajti tek Umer ibnul Hattabi dhe i tregoi gjithçka kishte ndodhur.

Umeri i tha:”Mos i trego askujt tjetër për këtë që ke vepruar! Mos e zbulo, atë që t’a mbuloi Zoti!”

Edhe pse Umeri e qetësoi, gjynahi që kishte vepruar nuk e linte të qetë. Ai nuk dëshironte që diçka e tillë të kalonte kaq kollaj. Kështu, vajti tek Ebu Bekri dhe i rrëfeu gjithçka kishte ndodhur. Edhe Ebu Bekri, i tha të njëjtat fjalë si Umeri.

Edhe përgjigja e Ebu Bekrit nuk e qetësoi. Menjëherë, ai filloi të kërkojë të dërguarin e Zotit, të cilin e gjeti të ulur në xhami. Kur hyri në xhami, akoma nuk ishte thirrur ikameti i iqindisë.

Para të gjithë muslimanëve që ndodheshin në xhami, shitësi iu drejtua Profetit a.s dhe i tha:”O i dërguar i Zotit! Unë kam puthur një grua të huaj! Çfarë duhet të bëj tani?”

Profeti a.s uli kokën në shenjë mospëlqimi dhe nuk i foli.

Përsëri shitësi i tha:” O i dërguar i Zotit! Unë kam puthur një grua të huaj! Çfarë duhet të bëj tani?”

Profeti a.s u drejtua nga Bilali dhe i tha:”Thirre ikametin o Bilal!”

Kështu, të gjithë falën namazin e iqindisë. Pasi përfundoi namazi, Profeti a.s u kthye nga njerëzit dhe i pyeti:”Kush ishte ai që më pyeti para namazit?”

Shitësi ngriti dorën dhe tha:”Jam unë o i dërguari i Zotit.”

Profeti a.s e pyeti:”A ke marrë abdes siç morrëm të gjithë ne?”

Burri iu përgjigj:”Po.”

Profeti a.s e pyeti:”A u fale bashkë me ne?”

Burri iu përgjigj:”Po.”

Atëherë Profeti a.s i tha:”Zoti t’a ka falur atë gjynah dhe më ka shpallur këtë ajet:” Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” (Hud 114)

Kur e dëgjuan këtë, muslimanët që ishin prezentë pyetën:”A vetëm për këtë njeri është ky nder o i dërguar i Zotit?!”

Profeti a.s u tha:”Për atë dhe për të gjithë umetin tim.”

Edhe pse ishte një gjynah, madje i rëndë, Profeti a.s na mëson si duhet t’i trajtojmë dhe t’i zgjidhim.

Sot, shumë vajza bien pre e fjalëve të bukura të djemve dhe pranojnë të kenë lidhje me ta. Kur prindërit e kuptojnë këtë, disa prej tyre mund dhe t’a vrasin vajzën. Disa të tjerë e kyçin dhe e mbyllin atë në shtëpi. Ndërkohë, që prindër të tjerë zgjedhin rrugën e dialogut dhe e zgjidhin me qetësi këtë problem.

Edhe pse shitësi kishte puthur një grua të huaj, e kishte prekur dhe ngacmuar atë seksualisht, Profeti a.s e zgjidhi këtë problem me urtësi.

T’i ekzagjerosh problemet që kanë të bëjnë me nderin, është gabim. Ashtu siç është gabim t’i injorojmë dhe shpërfillim. Çdo problem seksual, ne duhet t’a trajtojmë sipas përmasave të tij.

Gabimi që bëri shitësi, i cili ishte një nga shokët dhe bashkëkohësit e Profetit a.s, është një gabim të cilin mund t’a veprojë kushdo. Prandaj, Profeti a.s dhe dijetarët tanë të nderuar, na mësojnë dhe edukojnë si t’a ruajmë veten në raste të tilla. Por edhe në se shkasim, si të veprojmë që t’a korrigjojmë gabimin.

 

Një me një.

Një me një, është një ndodhi tjetër, me përmbajtje erotike dhe seksuale. Ajo është një ndodhi, prej të cilës prindërit përfitojnë shumë, sidomos në edukatën seksuale që duan t’ju përçojnë fëmijëve.

Një prind, kishte dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Kur djali mbushi moshën e pjekurisë, i kërkoi leje të atit për të vajtur në gurbet. Duke qenë se e gjithë familja ishte familje e ndershme, e fisshme dhe e përkushtuar në fe, babai e këshilloi të birin para se të niset, me fjalët:”O biri im! Mbështetju Zotit në çdo gjë! Këshilla e vetme që kam dhe që dua t’a kesh gjithmonë parasysh është që të mos i shkelësh urdhërat e Zotit gjatë qëndrimit tënd në gurbet dhe sidomos në lidhje me gjininë tjetër.”

Duke qenë se banonin në një vend ku uji ishte i pakët, ata kishin punësuar dikë që u sillte ujë kundrejt një shpërblimi. Çdo ditë, furnizuesi i ujit vinte dhe ajo që ia hapte derën ishte vajza. Gjatë gjithë atyre viteve, asgjë e keqe nuk kishte ndodhur. Por një ditë, kur furnizuesi i ujit do të dilte, e puthi papritur vajzën në faqe dhe doli. Pasi kaluan disa kohë, djali i shtëpisë u kthye nga gurbeti.

Pasi u kthye, u përshëndet me familjen dhe të afërmit, u ul të bisedojë dhe t’i rrëfejë babait mbi udhëtimin dhe eksperiencën e tij në gurbet. Gjatë bisedës, babai e pyeti:”O biri im! A ke bërë ndonjë gjynah gjatë qëndrimit tënd në gurbet?”

Djali uli kokën dhe nuk foli.

Babai e pyeti sërish?”A ke bërë ndonjë gjynah atje?”

Djali sërish heshti dhe nuk foli.

Kur e pyeti për të tretën herë, djali i tha:”Të them të drejtën o baba, ka ndodhur diçka e papëlqyeshme. Gjatë qëndrimit tim në gurbet, më pëlqeu një vajzë dhe ajo që ndodhi është se e kam puthur vetëm një herë. Asgjë më shumë.”

Atëherë babai tha:”Një me një, nëse do e kishe shtuar, do e kishte shtuar dhe furnizuesi i ujit.”

Morali i kësaj ndodhie është shumë domethënës dhe është shumë i vlefshëm për edukimin e fëmijëve dhe brezit të ri. Është shumë e dobishme që fëmijëve dhe brezit të ri, t’u thuhet që do të korrin atë që kanë mbjellë. 

Sot është bërë zakon që si djali ashtu dhe vajza të lëvizin dhe udhëtojnë në vende të ndryshme. Ajo që do i mbrojë nga çdo gjë e keqe dhe e ligë, është besimi dhe devotshmëria e tyre.

Thotë imam Shafiu në disa vargje:

Jini të ndershëm, të jenë të tilla dhe gratë tuaja

Distancohuni nga gjërat e pahijshme për muslimanin

Imoraliteti ështën një borxh që po e more

E shlyen familje jote o njeri

 

Nëse i edukojmë fëmijët tanë me këto vlera, i ofrojmë modelin e Jusufit a.s dhe të gjithë atyre të rinjve që e kanë refuzuar imoralitetin, i rrëfejmë ndodhinë e mësipërme “Një me një”, i mësojmë vjershat e lartpërmendura të imam Shafiut etj... padyshim që kjo do i frenojë para degjenerimit që shohim çdo orë dhe çast.

Me këtë ne nuk duam t’u kallim datën nga seksi dhe nuk duam që seksin t’a shohin si lugat të frikshëm. Jo, jo. Seksi është një nga mirësitë e Zotit të madhëruar, të cilin duhet t’a shfrytëzojmë në dobinë tonë.

Nëse ne dhe fëmijët tanë gabojmë, modeli ynë në raste të tilla janë shokët e Profetit a.s dhe të gjithë ata njerëz të cilët kanë gabuar, por pas gabimit janë penduar dhe distancuar nga vepra e keqe. Secili prej nesh jemi të ekspozuar ndaj gabimeve dhe shkarjeve.

 

Teksa po kthehej bashkë me ushtrinë nga një betejë, Profeti a.s ishte afruar pranë njërit prej shokëve të tij, Xhabir ibnu Abdulah. Ai ishte i ri në moshë dhe Profeti a.s e pyeti:”A je martuar o Xhabir?”

 “Po, o i dërguar i Zotit” i tha Xhabir.

Profeti a.s e pyeti:”A me një vajzë (të pamartuar më parë) o Xhabir?”

Xhabir ia ktheu:”Jo o i dërguar i Zotit (pasi ishte martuar me një grua të ve).

Profeti a.s e pyeti:”Po përse nuk u martove me një vajzë o Xhabir, që të luash me të dhe të luajë ajo me ty?”

Xhabir ia ktheu:”Babai më vdiq dhe më la nëntë motra në shtëpi. Prandaj desha të martohem me një grua që t’ju shërbejë.”

Më pas profeti a.s i tha:”O Xhabir, ne nuk do të hyjmë në Medine, derisa gruaja jote ta marrë vesh që po vjen dhe të pregatisë jastëkët dhe shtratin për ty.”

E gjithë kjo, nuk është gjë tjetër përveçse edukatë seksuale. Edhe pse Profet, ai nuk shihte gjë të keqe që t’a informojë një të sapomartuar të ri mbi gjëra që kanë të bëjnë me aktivitetin seksual të një mashkulli. Gjëra të tilla, hyjnë në abc-në e edukatës seksuale dhe vetë edukata seksuale na orienton mbi mënyrën e trajtimit të seksit tjetër, qoftë bashkëshorte, vajzë, nënë, e huaj etj... dhe anasjelltas.

Ne nuk themi siç thotë Frojdi, i cili pohon se njeriu që ditët e para të lindjes ndjen dhe provon kënaqësi seksuale dhe se duke thithur gjirin e nënës, ai nuk bën gjë tjetër veçse plotëson kënaqësitë e tij seksuale.

Dëshirat dhe epshet seksuale, gjenden tek çdo njeri dhe është vetë Zoti i madhëruar ai që na ka pajiusur me to. Megjithatë, Zoti na mëson dhe udhëzon si t’i kontrollojmë këto dëshira dhe t’i shfrytëzojmë ato vetëm në rrugë të ndershme.

Kështu, nuk kemi përse t’ua paraqesim fëmijëve tanë seksin si diçka të fëlliqtë, të pistë dhe që nuk duhet biseduar rreth tij. Seksi është një nga mirësitë e shumta të Zotit dhe nëpërmjet tij, realizohet lindja e fëmijëve, të cilët janë shtrirje e prindërve të tyre.

Fëmijëve u duhet folur dhe mbi mirësitë e fëmijëve, dhe se kur vdes prindi, fëmijët e tij luten dhe kontribojnë në vepra të mira, shpërblimi i të cilave i arrin dhe prindit në varr.

Ne duhet të jemi të hapur me fëmijët tanë përsa i përket edukatës seksuale, sidomos në këto kohë ku stuhitë degjeneruese dhe shthurrëse kanë depërtuar në çdo shtëpi dhe familje.

 

 

Back