Kompleksi i inferioritetit

23/05/2011 20:48


Falënderimi i plotë i takon All-llahut, subhanehu ve teala. Paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi Muhammedin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, , mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij fisnik dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

 

Dobësimi i muslimanëve në aspektin e besimit, shtimi i injorancës dhe mëkateve në shoqëritë muslimane, lënja pas dore e Kuranit, Sunnetit dhe menhexhit të Selefit (metodologjisë fetare të muslimanëve të parë) kanë shkaktuar që në mesin e muslimanëve të sotëm të paraqitet një fenomen i cili nuk ka ekzistuar te muslimanët e parë. Ky fenomen është kompleksi i inferioritetit.

Kompleksi i inferioritetit është ndjenja se nuk ke vlerë, se je në një shkallë të ulët dhe status të palakmueshëm.

Ky është realiteti i shumë muslimanëve të sotëm. Ata kanë komplekse të tregojnë se janë musliman, kanë komplekse t’i shfaqin shenjat islame kur janë në publik, kanë komplekse t’i thërrasin njerëzit në fenë e All-llahut, kanë komplekse të urdhërojnë për të mirë dhe të ndalojnë nga e keqja.

Muslimani i tillë ndjehet fajtor para të tjerëve pse është musliman, mundohet që ta arsyeton veten para armiqëve të All-llahut dhe lëshon pe në principet islame.

Për një shoqëri e cila ka synim rizgjimin e islamit dhe kthimin e ligjit të All-llahut kjo dukuri është e papranueshme.

Pa dyshim krenaria i takon All-llahut, subhanehu ve teala, dhe të gjithë atyre që gjenden në anën e All-llahut. Kush është në anën e kundërt do të gjejë nënçmim, poshtërsim, frikësim, përfundim të keq, ringjallje me sy të verbër dhe dënim të dhembshëm.

Krenar është ai i cili e njeh All-llahun, ai i cili e adhuron All-llahun, ai i cili e pason njeriun më të zgjedhur, ai i cili jeton si halife i All-llahut në Tokë, ai i cili shpreson në Xhennet. Kurse i nënçmuar dhe i zhgënjyer është pasuesi i shejtanit, robi i epshit, ai i cili jeton në këtë botë si kafshët apo në mënyrë më të humbur, ai i cili është në rrugën e cila shpie në Xhehennem.

“A nuk e kuptoni se Ne ua shpallëm librin në të cilin gjendet krenaria juaj?” [Enbija: 10].

“Kush e dëshiron krenarinë, e tërë krenaria i takon All-llahut, te Ai ngrihet fjala e mirë (besimi) dhe veprimi i mirë, e Ai i pranon. E ata që përgatitin dredhira të këqija, për ata është një dënim i rëndë dhe dredhia e tyre është e zhdukur.” [Fatir: 10].

“...Ndërsa e tërë krenaria i takon All-llahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë.” [Munafikun: 8].

All-llahu, subhanehu ve teala, i përshkruan njerëzit krenar kështu: “Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh kah përulen (në rukuë), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej All-llahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin. (All-llahu i shumoi). Për t'ua shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. All-llahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.” [Fet’h: 29].

Këto janë cilësitë e atyre që ishin krenar me islamin, të cilët e udhëhoqën botën.

Shërimi i sëmundjes mundësohet me gjetjen e shkaktarit të saj. Nëse i dimë shkaqet e kësaj dukurie dhe i menjanojmë nga mesi ynë, atëherë do të përmirësohet gjendja dhe do të largohet kjo dukuri negative.

 

1. Padituria

 

Padituria shkakton që muslimani të ndjehet inferior, sepse nuk e di se All-llahu atë e ka bërë superior, nuk e di se përfundimi u takon të devotshmëve, nuk e di se muslimanët janë më të lartit, kurse pabesimtarët më të ultit, pa marrë parasysh numrin, pasurinë dhe fuqinë e tyre. Andaj ai që nuk i di këto, bëhet pre e shejtanit dhe bjen në ndikim e sulmeve të tij dhe pasuesve të tij, e krejt kjo shkakton që të ndjehet inferior.

 

2. Sprovat e mëdhaja

 

Shkak tjetër janë sprovat e mëdha, rrethi i keq, shoqëria e degjeneruar, numri i pakët i atyre që i përmbahen dinit të All-llahut, sharjet dhe shpifjet e mëdhaja që bëhen kundër muslimanëve, talljet e ndryshme që i bëjnë me besimtarët dhe propaganda e madhe kundër tyre.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë: “E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht) derisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë.” [Ali Imran: 139].

3. Besimi i dobët

Besimi i dobët është një ndër shkaqet kryesore të krejt kësaj. Besimi i dobët si rezultat i paditurisë dhe dështimit para sulmeve të ushtrisë së shejtanit. Prandaj besimtari duhet të kujdeset për besimin e vet, duhet ta shtojë diturinë dhe devotshmërinë, t’u largohet sa më shumë mëkateve dhe veprave të fëlliqura.

 

4. Shoqërimi me të devijuarit

 

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të vetë, andaj le të ketë kujdes me kë shoqërohet.” [transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu].

Një njeri i cili shoqërohet me të devijuarit, duke i lënë pas dore të udhëzuarit, së shpejti do të bëhet i kompleksuar para tyre. Do të kompleksohet t’u flas për fenë e All-llahut, t’i thërras në rrugën e drejtë, madje edhe t’u tregojë se e falë namazin. Një njeri i tillë do të kompleksohet të lëshojë mjekërr, e nëse është vajzë do të kompleksohet të mbulohet.

 

5. Shikimi i botës me sy materialist

 

Një njeri i cili ka besim të dobët dhe dituri të cekët kur ta sheh përparimin ekonomik dhe industrial të pabesimtarëve do të ndjehet i kompleksuar dhe në zemrën e tij do të lind madhërimi i armiqëve të All-llahut.

All-llahu, subhanehu ve teala, e cek rastin e Karunit në Kuran që ne të marrim mësim dhe mos ta shohim botën vetëm në aspektin material.

“Karuni ishte nga populli i Musait dhe ai e shtypte atë popull ngase Ne i patëm dhënë aq shumë pasuri saqë një grup i fuqishëm mezi bartnin çelësat e (pasurisë së) tij, e kur populli i vet i tha: “Mos u kreno aq fortë sepse All-llahu nuk i do të shfrenuarit!” [Kasas: 76].

Karuni kishte pasuri të madhe, e njerëzit kur e panë atë u ndanë në dy grupe:

a) Ata që e shihnin botën me sy materialist: “Ai (Karuni) doli para popullit të vet me stolinë e vet, e ata që kishin synim jetën e kësaj bote thanë: “Ah, të kishim pasur edhe ne si i është dhënë Karunit, vërtet ai është fatbardhë!” [Kasas: 79].

b) Besimtarët e vërtetë: “E ata që ishin të zotët e diturisë thanë: “Të mjerët ju, shpërblimi i All-llahut është shumë më i mirë për atë që besoi dhe bëri vepër të mirë, po atë nuk mund ta arrijë kush përveç të durueshmëve!” [Kasas: 80].

Ka edhe shkaqe tjera, mirëpo ne do të mjaftohemi me kaq.

 

Kompleksi i Inferioritet shfaqet në forma të ndryshme, prej tyre:

1. Mosshfaqja e shenjave fetare, si mjekrra dhe shamia.

2. Përngjasimi me mosbesimtarët në pamjen e tyre, në veshjen e tyre, në festat dhe manifestimet e tyre.

3. Frika prej mosbesimtarëve.

4. Dobësimi fizik dhe dëshprimi.

5. Pesimizmi.

6. Lënia e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, etj.

Kur t’i analizojmë mirë shkaqet dhe shfaqjet e kompleksit të inferioritetit, do ta shohim rrezikun e kësaj dukurie për shoqërinë muslimane në përgjithësi dhe për individin musliman në veçanti.

Lusim All-llahun me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta që të na bëjë prej muslimanëve të vërtetë, krenar me islamin, të kënaqur me All-llahun dhe të Dërguarin e Tij.

 

Omer Islami

 

 

Back