Kultura seksuale në Kuran

27/05/2011 20:31

 

Vetë Zoti i Madhëruar ka përmendur në Kuran dy raste, që kanë të bëjnë me kulturën seksuale. Ne të gjithë e dimë historinë e Jusufit a.s. Historia e tij është e  gjatë, por ne do të shkëpusim një fragment prej saj, i cili ka lidhje të drejtpërdrejtë me çështje seksuale.

Ky fragment konsiston në faktin, që gruaja e padronit të Jusufit a.s, u veçua me të, i mbylli të gjithë dyert dhe e ftoi në shtrat. Këto çaste i përshkruan Zoti në Kuran:

” Por ajo, në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi ta joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe tha: “Jam e gatshme për ty”! (Jusuf 23)

Duke qenë se ajo ishte gruaja e ministrit të Egjyptit dhe i përkiste shtresës aristokrate, shtëpia e saj dhe bashkë me të dhe dhoma e gjumit, duhet të ketë qenë e madhe dhe e zbukuruar me dekoracione të ndryshme. Dhoma e gjumit duhej të paraprihej nga dyer, sallone dhe korridore, për të cilat ajo vetë u sigurua, që të ishin të mbyllur dhe të kyçura. Ajo vrapoi dhe i kyçi të gjithë dyert me më shumë se një kyç. Duke qenë se vrapoi dhe nxitoi për ta bërë këtë, normalisht iu mor dhe fryma. Në një rast të tillë, shkronja “h” është shkronja më e kollajtë për t’u shqiptuar. Kështu, ajo gjeti një fjalë, që fillon me këtë shkronjë:”hejte lek” “Jam e gatshme për ty”!

Me këtë shprehje ajo e ftonte Jusufin a.s për në shtrat.  Ky është një fragment, që ka të bëjë me seksin.

Zakonisht, kur dikush prej nesh ndjek një film, ai simpatizon personazhin kryesor të filmit dhe gjatë gjithë kohës ai qëndron në krahun e tij dhe uron më të mirën për të.

Ndërkohë që në historinë e Jusufit a.s, secili prej nesh uron, që Jusufi të mos tundohet. Kjo, edhe pse çështjet me përmbajtje erotike dhe seksuale janë të dashura për të gjithë.

Kjo tregon mrekullinë në ilustrimin e ngjarjeve në Kuranin famëlartë. Edhe pse është diçka e dashur për nefsin, Zoti e ka ilustruar në atë formë, që secili prej nesh uron të mos ndodhë.

Këto ajete, që flasin mbi joshjen dhe provokimin e gruas së ministrit të Egjyptit dhe qëndresës së Jusufit a.s, janë të përmendura në Kuranin famëlartë. Këto ajete i lexon fëmija i vogël, burri dhe gruaja, i martuari dhe beqari. Megjithatë, këto ajete nuk shihen si diçka e turpshme, madje ato lexohen në Qabe edhe gjatë namazit të natës në Ramazan. Kjo, edhe pse ato përmbajnë fragmente erotike. Suksesi dhe qëndrueshmëria që tregoi Jusufi a.s para kësaj sprove, i dedikohet besimit të tij. Ishte besimi ai, që e bëri të qëndrueshëm.

Një ngjarje e përafërt ka ndodhur dhe në kohën e Kalifatit të Umer ibnul Hattabit (r.a). Një vajze në Medine, i pëlqente një djalë dhe një ditë i del para dhe i thotë: ”Kam një dele dhe dua të më ndihmosh për ta mjelë”.

Duke dashur që t’i ofrojë ndihmë, djaloshi pranoi. Vajza e udhëhoqi drejt shtëpisë. Me të hyrë brenda, vajza hyri në një dhomë, veshi rroba të tjera joshëse dhe kur doli sërish, i tha djaloshit: ”Tani jam e gatëshme për ty”.

Djaloshi u hutua nga kjo sjellje, ngaqë nuk e priste. Menjëherë ai mbylli sytë, u drejtua nga Qabeja dhe filloi të falet.

E gjendur para një fakti të tillë, vajza filloi të ulërijë me të madhe dhe të kërkojë ndihmë nga komshinjtë. Menjëherë, komshinjtë ia behën në vend dhe ajo u tha, se djali që ndodhej në shtëpinë e saj, tentoi ta çnderojë.

Komshinjtë e lidhën të riun dhe e dërguan para Umer ibnul Hattabit, Halifes. Menjëherë Umeri kërkoi t’i shpjegojë se ç’kishte ngjarë.

Djali ia rrëfeu gjithçka, sipas mënyrës që në të vërtetë kishte ngjarë.

Umeri e pyeti nëse e kujtonte atë vajzë po ta shihte sërish dhe djali ia pohoi këtë. Umeri urdhëroi që të gjithë gratë e asaj zone të silleshin në gjykatë. Me të ardhur, ai e mori të riun dhe i tha: ”Tani më trego kush ishte vajza, që të provokoi”!

Menjëherë djali e njohu vajzën dhe ia tregoi Umerit. Ai, e thirri pranë tij dhe i tha: ”Tani do të më tregosh të vërtetën mbi atë që ka ngjarë”! dhe vajza ia rrëfeu gjithçka që kishte ngjarë, ashtu siç ia kishte rrëfyer vetë djali dhe se ishte ajo, që e kishte provokuar dhe joshur.

Kur e dëgjoi këtë, Umeri tha: ”Të falënderoj o Zot, që mes umetit të Muhamedit ke bërë të rinj, që i përngjajnë Jusufit a.s.”

Kështu, ndërkohë që flasim mbi rëndësinë e edukatës seksuale, do e pasurojmë atë me shembuj dhe histori të ndryshme me tematikë besimi, pasi është besimi ai që e frenon të rinjtë nga punët e ulëta.

Në Kuranin famëlartë përmendet dhe një fragment tjetër me tematikë seksuale. Ne të gjithë e dimë historinë e Musait a.s me dy vajzat e Shuajbit a.s. Pasi Musai a.s i ndihmoi tek pusi për t’u dhënë ujë bagëtisë, ata vajtën tek babai i tyre dhe i treguan gjithçka që kishte ndodhur. Shuajbi a.s u kërkoi, që të shkonin dhe ta sillnin Musanë a.s në shtëpi. Kur Musai a.s erdhi në shtëpinë e Shuajbit a.s dhe të dy biseduan gjerë e gjatë, një nga vajzat i tha babait: “O babai im, - tha njëra nga ato të dyja - merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”, (Kasas: 26)

Shuajbi, menjëherë e kuptoi mesazhin e këtyre fjalëve. Ai e kuptoi, që vajza e tij e donte këtë të ri, që u kishte shkelur në derë. Pa u vonuar, ai i respektoi ndjenjat e vajzës së tij dhe reagoi. Kështu i propozoi Musait a.s: ”Plaku tha: “Unë dua të të jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua tetë vjet; por, nëse dëshiron, mund të qëndrosh dhjetë vjet. Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë”. (Kasas 27)

Këto dy ajete kanë përmbajtje të lartë edukative dhe shoqërore. Babai i vajzës, Shuajbi a.s, i kuptoi shikimet plot dashuri dhe pasion të vajzës së tij. Kështu, sapo vajza i propozoi, që këtë të ri (pra Musanë a.s) ta punësojë pasi është besnik dhe i fuqishëm, ai i propozoi Musait a.s që të martohej me vajzën e tij.

Për sa  i përket edukatës seksuale, ne myslimanët posedojmë një trashëgimi shumë të pasur dhe të dobishme në të njëjtën kohë.

 

 

 

 

Back