Martohu, zhvillohesh!

25/05/2011 21:13


“Thuaj: S’ka dyshim se Zoti im është Ai që i jep furnizim të begatshëm atij që do nga robërit e vet dhe Ai ia pakëson atij që do.” – [Kur’an, 34:39]
Martesa është strehë, ku mbrohen të devotshmit. Nuk është varfëri, pakësim, mangësi, por pasurim, shtim e plotësim! E, mburojë për njerëzit që kanë frikë nga rënia në mëkat!
Po, martesa për dikë është edhe plotësim. Me të ai ruan njerëzinë, ruan gjendjen e tij shpirtërore, psikike e mendore. Burri, ashtu si edhe gruaja, janë të krijuar që të martohen mes vete dhe të jetojnë nën një kulm! E, kur burri e gruaja jetojnë të ndarë është sikur gjithnjë të ishte dritë, apo gjithnjë errësirë. Ata të dy bashkë, arrijnë nivel e harmoni[1].
Rinia e Ummetit e ka problem, më tepër se kurrë, martesën. Pasi koncepti për martesën ka ndryshuar shumë. Jo, nuk ka ndryshuar, por është prishur thuajse fare! Sot, që një çift i ri musliman të martohet, i duhet të punojë ndoshta gjysmën e jetës!
Që të martohesh nuk do të thotë të jesh pasanik, e as të kesh shtëpi të madhe, e as të arrish moshën e pleqërisë. Jo, martesa nuk ka të bëjë me pasurinë, e as me shtëpinë, e as me moshën e shtyrë. Nuk ka: të bëj këtë e atë, pastaj martohem! Se, kur të martohesh ti, shumë urtësi të martesës veçse kanë ikur.
Për shumëkënd, shkaku i mosmartesës është se nuk është shkolluar, disa të tjerë i kanë shtyrë të mendojnë se janë të paaftë shpirtërisht për të ndërtuar familje, disa të tjerë kanë rënë në vetizolim, ndërsa disa të tjerë kanë devijuar nga rruga e drejtë dhe e paqes. Po, disa të tjerë kanë rënë edhe në imoralitet. Për çfarë? Sepse “njerëz të caktuar” ndonjëherë i detyrojnë fëmijët e tyre të vënë kushte!
Jo, tani ato rregulla që i vutë ju, po ua paguajnë çmimin bijtë tuaj!
Besimtari me besimtaren, i ndershmi me të ndershmen, i pastri me të pastrën. Këto njëmend do të ishin rregulla me vend!
Koncepti i martesës në Islam është ndryshe. Jo ashtu si thuhet e interpretohet se, kinse, që të martohesh, duhet të kesh mundësi financiare[2]. E kush nuk e ka këtë mundësi, le të agjërojë.
Ndërsa, disa e konsiderojnë këtë, “agjërimin”, si zgjidhje afatgjate, apo, si të jetuarit në murgëri. Jo, Islami s’ka konsideratë për murgërinë[3].
Jo nuk është ashtu si interpretohet! Sepse do t’i binte që të varfrit të mos kenë të drejtë martese. Jo, Muhammedi (alejhi selam) nuk ka thënë ashtu. Vetë i Dërguari i Allahut ka lidhur kurorë vetëm me një unazë të hekurt (mehër).
E kush nuk e ka sot një strehë modeste e një hekurishte, sa të bëjë një unazë? Gjithkush! Po s’i pati edhe këto, atëherë le ta dijë se Muhammedi (alejhi selam) ka lidhur kurorë edhe me tri kaptinat e fundit të Kur’anit: el-ihlas, el-felek dhe en-nas. E, kush nuk i ka as këto tri kaptina, atëherë le ta dijë se tema rreth martesës islame s’është për të.
Shoqëria nuk mund të zhvillohet pa martesa të hershme. Koha, kur çiftet e reja mund t’i sjellin shoqërisë kapacitetin e tyre shpirtëror e mendor, nuk bën të jetohet e trazuar! Po, madje kjo vetëdije për martesën, bën që në shoqëri të përhapet varfëria. Sipas udhëzimit hyjnor, martesa sjell furnizim, e jo mangësi.
Pra, të martohesh o bir i Islamit, do të thotë se nëse je i varfër, bëhesh i pasur; nëse je i dobët, bëhesh i fortë; nëse je i izoluar, integrohesh!
Atyre prindërve që kërkojnë shtëpi, pishina, vetura e salltanete të tjera për bijtë e tyre të martuar, ju themi: ju jeni martuar, bëni ç’të doni me veten tuaj, por, nuk kini të drejtë që t’i kushtëzoni bijtë tuaj se çfarë e si të realizohet lidhja e tyre martesore, përderisa ata i plotësojnë kushtet islame: pjekurinë fizike, mendore, shpirtërore dhe pëlqimin e çiftit ndërmjet vete.
T’ia mbysësh të ardhmen një të riu, është njëlloj sikur të mbytësh fëmijën tënd! Pse ia shtyn martesën fëmijës tënd? A vetëm nga frika se do të të pakësohet pasuria, apo nga dëshira për shtimin e pasurisë nëpërmjet robërve të Furnizuesit[4]? A nuk e di se Furnizues i Vetëm është Allahu?!
“Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh.” – [Kur’an, 17:31].
Po, ky citat kur’anor flet edhe për ata prindër, që, me të padrejtë, abortojnë fëmijën, por edhe për ata njerëz, që nga frika e pakësimit të pasurisë, nuk bëjnë fëmijë. Allahu e di më së miri!
Jo, o njerëz muslimanë! Burimi hyjnor parasheh të tjera kushte për rininë që të martohet. Ato nuk janë kushte, por aspekte të natyrshme, që gjithsecili nuk do të dëshironte të kundërtën as për veten, e as për palën tjetër. E ato janë: pjekuria fizike, mendore, shpirtërore dhe në fund: përshtatshmëria dhe pëlqimi i dyanshëm. Me prindër e dy dëshmitarë martesa shpallet!
E, të tjerat, kushte a sido që quhen, janë luks e salltanet! Me një fjalë: teprim – israf! Gjëra që jo që nuk të çojnë në Xhennet, po që të pengojnë ta kalosh urën e Siratit!
Martesa është natyrshmëri. Kush martohet, mbrohet, e kush s’martohet, agjëron, por jo përgjithmonë!
Mos i shtyni martesat, se përndryshe do t’u shtohet edhe bagazhi i problemeve. Martesa çliron gjysmën e komplekseve, të çfarëdo lloj natyre qofshin. Mos e rëndoni gjendjen, lehtësojeni atë, sepse Allahu e do lehtësinë, dhe janë të urryer ata që e teprojnë.
“Ai nuk i do ata që e teprojnë.” – [Kur’an, 7:55]


________________________________________

[1] “Ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato.” – [Kur’an, 2:187]
[2] Muhammedi (alejhi selam) ka thënë: “O ju të rinj! Nëse keni mundësi martohuni, sepse martesa të largon nga shikimi në haram dhe është mbrojtja më e mirë për nderin. Ai i cili nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse për të agjërimi është mbrojtje.” - Hadith:Buhariu.
[3] “...Ndërsa murgërinë ata vetë e shpikën...” - Kur’an, 57:27
[4] Citati kur’anor (en-Nur, 33) nuk flet për “varfanjakët” e sotshëm, por të dikurshmit, që nuk kishin as edhe një hurmë ta ndanin, që e shtrëngonin barkun me gurë, e i zinte gjumi ku i zinte errësira. Allahu i Madhërishëm thotë: “E ata që nuk kanë mundësi martese, le të përmbahen derisa Allahu t’i begatojë me të mirat e veta.” Megjithatë, pra, duroni, por prapë, do të martoheni – derisa Allahu t’i begatojë me të mirat e veta.

Avni TAFILI

 

 

 

Back