Përkujtimi i Allahut është jetë

24/05/2011 21:26

 

Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim

 

 

Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut, paqja dhe lavdërimi qoftë mbi Muhamedin, salallahu alejhi ve selem, familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.

Njerëzit e mëdhenj e përmendnin Allahun dhe e madhëronin Atë, pasi diçka të tillë e shihnin si furnizim shpirtëror, lumturi, kënaqësi të syve tyre, pastrim të zemrës, shpirtin e luftëtarëve. Kjo, pasi vetëm me përkujtimin e Allahut qetësohen zemrat, qetësohen nga zhgënjimi i jetës së kësaj bote, qetësohen nga frika dhe jeta e stresuar. Me përkujtimin e Allahut qetësohen zemrat, është një realitet të cilin e përjetuan njerëzit e mëdhenj.

Imam Muslimi, transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, kaloi me shokët e tij pranë një mali të veçuar nga malet e tjerë dhe u tha shokëve: “Ecni, ky është Xhemedani (për malin).”

Shokët u ndalën duke vështruar se çfarë të veçantë kishte ai mal. Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, u tha: “Janë dalluar njësuesit.” Të habitur, shokët e pyetën: “Kush janë njësuesit o i Dërguar i Allahut?” Ai tha: “Janë ata burra dhe gra që e përmendin Allahun shpesh.”

Një ditë Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, u tha shokëve: “A t`iu tregoj se çfarë është më e mira nga veprat tuaja, që është më e pastër dhe që ka shpërblimin më të madh, që është më e mirë se të japësh flori apo argjend sadaka, që është më e mirë se të luftosh me armiqtë në rrugë të Zotit?” Sahabët i thanë: “Cila është ajo vepër, o i Dërguar i Allahut?” Ai u tha: “Përkujtimi i Allahut.”

Thotë Allahu në Kuran: “Më kujtoni (me adhurime) që t`iu kujtoj (me shpërblim), më falënderoni dhe mos më mohoni.” (Bekare 152)

Nëse përkujtimi i Allahut nuk do të kishte dobi tjetër, do të mjaftonte që të përmend vetë Zoti. Nëse ti e përmend në veten tënde, Ai të përmend me veten e Tij, nëse ti e përmend mes njerëzve, Ai të përmend mes melekëve, banorëve të qiellit.

Kur një njeriu të mirë dhe adhurues me përkushtim ndaj Zotit të tij, i thanë: “Përse nuk e cakton kohën kur përkujton Allahun, në mëngjes, drekë dhe darkë?” Ai u përgjigj: “Si më kërkoni të caktoj një kohë specifike për të përkujtuar Allahun, në një kohë që unë këtë e bëj gjatë gjithë kohës, natën dhe ditën?!”

Thotë Allahu në Kuran: “Ata që e përkujtojnë Allahun në këmbë, të ulur dhe të mbështetur dhe meditojnë rreth krijimit të qiejve dhe të tokës.”

Imam Ahmedi transmeton një hadith ku thotë: “Përmendeni Allahun as shpesh, sa të tjerët t`ju konsiderojnë të çmendur.”

Disa njerëz panë një nga dijetarët muslimanë, i cili gjatë gjithë kohës i lëvizte buzët duke përmendur Allahun. Të habitur ata i thanë: “Mos je i çmendur?” Ai u përgjigj: “Unë kam ilaçin që shëron të çmendurit.”

Kush kërkon zemër të mbushur me qetësi, jetë plot lumturi dhe një arsyetim të drejtë, e këshillojmë të përmendë sa më shumë Allahun. Tregon Shejhul Islam Ibnën Tejmije, që Ebu Hurejra kishte ludhur një mijë nyja në një pe dhe me të përkujtonte Zotin duke thënë çdo ditë 12.000 herë subhanallah. Siç thoshte vetë ai, këtë e bëj pasi aq është shpagimi i gjakut dhe thoshte se e bën për të liruar veten.

Tregon Ibën Rexhebi: “Halid ibën Midani, adhuruesi i përkushtuar, thoshte çdo ditë njëqin mijë herë subhanallah. Kur vdiq dhe njerëzit u afruan ta varrosin, papritur melekët e morën kufomën e tij dhe e vendosën në varr.”

Një burrë i shtyrë në moshë, duke u mbështetur në bastunin e tij, vajti tek Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, dhe e pyeti: “O i Dërguar i Allahut! Ligjet dhe obligimet fetare janë shtuar, prandaj më trego diçka më të lehtë që të kapem për të!” Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, iu përgjigj: “Ta mbash gjuhën gjithmonë të freskët me përkujtimin e Allahut.”

Musai, alejhi selam, i kërkoi Allahut t`i mësojë diçka të re, me të cilën ta përkujtonte duke u dalluar nga njerëzit e tjerë. Allahu i tha: “Më përkujto me fjalën: La ilahe il-lAllah” Musai, alejhi selem, i tha: “O Allah! Të gjithë njerëzit e thonë këtë, unë dua diçka specifike”. Allahu iu përgjigj: “O Musa! Nëse do të vendoseshin shtatë qiejt bashkë me tokën në njërën anë të peshores dhe fjala: “La ilah il-lAllah në anën tjetër, padyshim që fjala “La ilahe il-lAllah” do të rëndonte më shumë.”

Ndodhte që Shejhul Islam Ibën Tejmije ulej në xhami pas namazit të sabahut dhe qëndronte ulur duke përmendur Allahun derisa të lindte dielli. Më pas çohej dhe u thoshte nxënësve: “Ky është ushqimi im për sot.”

Tregon Shejhul Islam Ibën Tejmije: “Sa herë që hasja vështirësi në çështjet e fikhut, thoja njëmijë herë subhanallah dhe më vinte zgjidhja menjëherë.”

Shokët dhe nxënësit e tij e shihnin gjatë gjithë kohës duke lëvizur buzët. Dikush i tha një ditë: “O mësuesi ynë! Të shohim që gjatë gjithë kohës lëviz buzët!” Ai u tha: “Zemra ime është si puna e peshkut, që po e nxorre nga uji ngordh. Zemra ime vdes nëse nuk e ushqej me përkujtimin e Allahut.”

Ai vazhdonte ta lexojë suren Fatiha që pas namazit të sabahut derisa të ngrihej dielli. Kur e pyetën mbi këtë shkak, ai u tha: “Zoti ka shpallur 104 libra qiellorë, të cilët i ka përmbledhur në katër prej tyre (Zeburi, Teurati, Ungjilli dhe Kur`ani). Këta të katër, i ka përmbledhur në një libër, Kur`anin. Vetë Kur`anin e ka përmbledhur në suren Fatiha. Kurse këtë sure, e ka përmbledhur në dy fjalitë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”

Imam Buhariu e përfundon librin e tij të haditheve me hadithin e bukur: “Dy fjalë të lehta për t`u shqiptuar, të rënda në peshore, të dashura tek Zoti, ato janë: “subhanallahi ve bi hamdihi, subhanalla-il adhim.”

Këta njerëz të mëdhenj si imam Buhariu, Muslimi dhe dijetarë të tjerë të hadithit, porosisin dhe këshillojnë umetin që të përsërisin sa më shpesh fjalët: “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul hamdu ve huve ala kul-li shejjin kadir.” Kush i përsërit këto fjalë njëqind herë në ditë, i shkruhen njëqind të mira, i fshihen njëqind të këqija, i quhet sikur u ka falur lirinë dhjetë skllevërve dhe askush nuk mund të ketë bërë një vepër më të mirë, përveçse dikush që ka thënë më shumë se ai.”

Junusi, alejhi selam, u gëlltit nga balena dhe ndodhej në tre erësira: në errësirën e barkut të balenës, errësirën e oqeanit dhe errësirën e natës, i shkëputur nga të gjithë të afërmit, të dashurit, fëmijët dhe gruaja. I gjendur në këtë situatë, ai kujtoi Krijuesin e vetëm dhe të pashoq dhe thirri me forcën e besimit: “Nuk ka zot tjetër përveç Teje o Zot”. I pa të meta je Ti, unë i bëra padrejtësi vetes time”. Thotë Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem: “Çdo i brengosur që i përsërit këto fjalë, do t`i largohen brengat.”

Fillimisht, lutjen e tij ai e filloi me fjalët: “Nuk ka zot tjetër përveç Teje o Zot”. Fjalë me të cilat ai shprehte njëshmërinë dhe ekzistencën e një Zoti të vetëm, duke mohuar çdo lloj mundësie për ekzistencën e rivalëve të Allahut të Madhëruar.

Me fjalët: “I pa të meta je Ti” ai përforcon idenë dhe bindjen e tij se Zoti është larg çdo të mete, Ai është larg çdo lloj padrejtësie. Më pas, Junusi, alejhi selam, pranon mëkatin e bërë: “Unë i bëra padrejtësi vetes time”.

“(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: “S`ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (Enbija: 87)

Kurse Jusufi, alejhi selam, u burgos në burg, duke u ndarë nga njerëzit e dashur dhe duke qëndruar i vetëm në qelinë e tij të rrethuar me hekura. Edhe pse në qeli dhe në vuajtje, ai gjente kohën e duhur dhe ftonte të burgosurit e tjerë në besim dhe adhurim të një Zotit të vetëm.

“O ju shokët e mi të burgut, a është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm apo Zoti, i vetmi ngjadhnjimtar?” (Jusuf:39)

Me këtë, ai u thoshte që para se të shpjegojmë ëndërrat tuaja dhe të flasim mbi çështje të tjera, le të biem dakort që nuk ka zot tjetër përveç Atij që na ka krijuar dhe që e meriton adhurimin tonë.

Edhe gjatë luftës, Zoti na nxit që ta përkujtojmë Atë më shpesh. Thotë Zoti në Kuran: “O ju që keni besuar! Kur të takoheni me kundërshtarin tuaj, rezistoni dhe përkujtojeni Zotin me shpresë që të shpëtoni.”

Kur dikush e pyeti Shejhul Islam Ibën Tejmijen se ç`lidhje kishte përkujtimi i Zotit në luftë me armikun, ndërkohë që gjithsecili është i zënë me luftën, ai tha: “Është zakon që në kohën dhe çastet më të vështira, njeri të përkujtojë dhe t`i shkojë mendja tek më i dashuri i tyre. A ka më të dashur se Zoti për besimtarët?” Ndërkohë që armiqtë e muslimanëve kujtonin fëmijët, gratë dhe pasuritë e tyre që kishin lënë dhe me këto merrnin forcë dhe zemër për të luftuar, muslimanët përkujtonin Zotin e tyre për t`i inkurajuar dhe dhënë zemër.

Shembulli dhe modelin më të mirë në përkujtimin e Zotit ne kemi profetin Muhamedin, salallahu alejhi ve selem. Rrugën e tij e ndoqën dhe dijetarë dhe njerëzit e mëdhenj që erdhën pas tij. Kishte prej tyre që lexonin çdo ditë suren Ihlas një mijë herë. Një tjetër thoshte një mijë herë në ditë: “La ilahe il-lallahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul hamdu ve huve ala kul-li shejjin kadir”. Dikush tjetër e thoshte njëzet mijë herë, dikush tjetër e përfundonte leximin e Kur`anit çdo javë…

Zemra është organi që vështrohet dhe kontrollohet nga Allahu i Madhëruar. Nëse atë e mbush me lexim Kur`ani, përkujtim të Allahut, lutje, madhështi të Allahut dhe shenjtërim, ajo do i ngjajë një kopshti të mbushur me lule të ndryshme dhe do të të nxisë për punë të mira, moral, sinqeritet, mall dhe besim të fortë.

Por nëse ti e mbush me përgojime, epshe, dëshira për argëtime dhe dëfrime, dyshime etj.. ajo i ngjan një ndërtese të vjetër dhe pothuaj të shembur, e cila nuk ka gjë brenda përveç minjve, akrepave, merimangave etj… Kjo zemër është mbushur me urrejtje, zili dhe smirë, devijim nga rruga e drejtë, mendjemadhësi dhe epshe.

Tani le të përmendim disa forma me të cilat e kujtonte Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, Allahun dhe të përmendim edhe shpërblimin e tyre.

Thotë Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem: “Fjalët: Subhanallah, vel hamdu lil-lah, ve la ilahe il-lallah, vallahu ekber, janë fjalët më të mira që mund të thuhen në një ditë dhe janë veprat më të mira me të cilat mund të fshihen gjunahet.”

Thotë Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem: “Kush thotë çdo ditë “subhanallah ve bi hamdihi” një qind herë, i falen gjunahet edhe sikur të jenë si shkuma e detit”.

Përkujtimi i Allahut kënaq Allahun, dëbon shejtanin, shton veprat e mira në peshore, qetëson zemrën, mbush shpirtin me freski, është mbrojtës, shton të mirat dhe fshin të këqijat, të bën të dashur tek Zoti, largon brengat dhe shqetësimet, të ndihmon dhe të jep forcë për të kryer obligimet ndaj Zotit, të largon nga gjunahet dhe të jep bereqet në verat dhe punët e tua.

Është e dobishme që ne muslimanët të studijojmë jetëshkrimet e këtyre njerëzve të mëdhenj dhe të mësojmë se si ata e madhëronin dhe përkujtonin Zotin e tyre. Thotë Zoti në Kur`an: “Namazi ndalon veprat e ulëta dhe të këqia”.

Kurse Shejhul Islam Ibën Tejmije, lidhur me namazin thotë: “Namazi ka dy dobi: njëra është se ndalon nga veprat e ulëta dhe e dyta është se me anë të tij përkujtohet Allahu i Madhëruar. Dhe përkujtimi i Allahut në namaz, është dobia më e madhe edhe se vetë ndalimi i veprave të ulëta dhe të këqia.

Kurse dijetarë të tjerë, reth ajetit: “dhe përkujtimi i Zotit është më i madh” kanë thënë: “Ky veprim është më i madh dhe më i dobishëm se çfarëdo lloj vepre tjetër të mirë”.

Shumë dijetarë thonë se puna më e mirë dhe më e vlefshme, është përkujtimi i Allahut, gjë e cila njëkohësisht është dhe puna më e lehtë.

Sa njerëz të mirë janë ata që kohën e mbushin me përkujtim të Allahut! Sa të mirë janë ata që zemrat e tyre janë plot fjalë përkujtuese dhe madhëruese për Zotin e tyre! Sa të mirë janë ata që gjuha e tyre është gjithmonë në kontakt me fjalët e Zotit të tyre.

Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, vajti një natë tek shtëpia e Ubej ibën Kabit. Kur Ubeji vajti të hapë derën dhe gjeti Pejgamberin, salallahu alejhi ve selem, tek pragu, u gëzua dhe tha: “Nuk ka mik më të mirë që ka hyrë në këtë derë, se ky që po vjen sonte”. Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, hyri dhe i tha: “O Ubej, Allahu më ka dërguar që të të lexoj suren Bejjine”. Ubeji i shtangur dhe i gëzuar njëkohësisht, i tha: O i dërguar i Allahut! A e përmendi Allahu emrin tim?!” “Po” iu kthye Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem. Atëherë, Ubeji shpërtheu në të qarë nga gëzimi, që Zoti e kishte përmendur emrin e tij mes banorëve të qiellit.

Nëse ti o vëlla dhe o motër e përkujton Allahun në vetmi, Ai të përkujton në vetmi. Nëse e përkujtoni mes banorëve të tokës, Ai u kujton mes banorëve të qiellit.

E lustim Zotin që të na bëjë nga ata që e përkujtojnë, falenderojnë Atë dhe që ndjekin rrugën e Profetit të Tij të nderuar.

 

 

Nga: Aid El-Karni

 

 

 

Back