Qëllimi dhe objektivat e edukatës seksuale

27/05/2011 20:31

 

Gjatë leximit të këtyre rreshtave dhe të temës, tek secili mund të lindë pyetja: ”Përse Islami i kushton rëndësi edukatës seksuale? Çfarë synohet të arrihet me edukimin e individëve dhe fëmijëve seksualisht”?

Në fakt ekzistojnë disa synime dhe objektiva thelbësore, përsa i përket kësaj teme.

Këto objektiva mund t’i përmbledhim si më poshtë:

1 – Fëmijët tanë, djem dhe vajza, të krijojnë një koncept të qartë dhe të saktë mbi seksin. Në këtë mënyrë, tek fëmijët do të shtohet sensi i dashurisë dhe respektit të Krijuesit, i Cili e ka përsosur edhe mënyrën dhe format e shtimit të njerëzimit, ashtu siç ka përsosur gjithçka tjetër. Padyshim që vetë akti seksual dhe mënyra e shtimit të njerëzimit është një nga argumentet dhe faktet, që Zoti ka krijuar në gjithësi. Ajo duhet të jetë objekt i meditimit dhe studimit.

Shumë mirë, Zoti mund ta kishte caktuar shumimin mes njerëzve, si atë të bimëve, ose si ajo e kafshëve. Fakti që njerëzit shumohen në mënyrë krejt të ndryshme, e cila i përshtatet dhe i shkon natyrës së njeriut, a nuk përbën një nga faktet dhe mrekullitë e shumta të Zotit në univers?

Kështu, ne i edukojmë fëmijët tanë me edukatën dhe kulturën e saktë seksuale, me qëllim që edhe aktivitetin seksual ta shohin si mirësi të Zotit, të cilën nuk duhet ta shpërdorojnë.

Një fëmijë i edukuar në këtë formë, që fillon të rritet dhe mbush moshën e adoleshencës, padyshim që do të tërhiqet, nëse do të përballet me joshje dhe tundime seksuale, sado të fuqishme qofshin. Kjo ndodh, pasi ai është mësuar që në vegjëli mbi mënyrën sesi duhet ta trajtojnë çdo gjymtyrë të trupit të tij.

Që në vegjëli ne përpiqemi, që fëmijën ta sensibilizojmë mbi dëmet, që mund t’i shkaktojnë gërshërët, thika dhe mjetet e tjera të mprehta, nëse luan me to. Me këto mjete ai mund të nxjerrë sytë, të plagoset apo çfarëdo tjetër. Me këtë, ne i edukojmë dhe sensibilizojmë, se si duhet t’i përdorë këto mjete, si duhet t’i mbrojë sytë, gojën, veshët, hundën etj...

Nëse fëmija flet ndonjë fjalë banale, menjëherë prindërit ndërhyjnë duke ia bërë të qartë, që fjalë të tilla nuk duhen përdorur. Me këtë, prindërit përpiqen që ta kontrollojnë dhe menaxhojnë gjuhën e fëmijëve, sytë e tyre, veshët dhe hundën.

Të njëjtën gjë, duhet të bëjmë me fëmijët tanë, duke i edukuar ata me edukatën seksuale.

Në redaksinë e revistës “Djali im” erdhi një nënë, e cila kërkonte mendimin tonë mbi faktin se djali i saj luante me organet e tij seksuale. Raste të tilla janë të shumtë dhe që këtu lind nevoja për edukatën seksuale të fëmijëve tanë.

Në përgjithësi ne kemi një koncept të gabuar mbi edukatën seksuale. Sa herë që përmendet edukata seksuale, na shkon mendja vetëm tek akti dhe marrëdhëniet seksuale mes mashkullit dhe femrës.

Një herë, teksa po flisja gjatë një trajnimi dy ditor me prindër, i pyeta të pranishmit: ”Kur mendoni se duhet të fillojë edukata seksuale me fëmijët”?

Ata u përgjigjën:”Një vit para se të arrijë moshën e pubertetit, d.m.th në moshën trembëdhjetë-katërmbëdhjetë vjeçare”.

Unë ndërhyra dhe u thashë: ”Kurse sipas Islamit, edukata seksuale duhet të fillojë, që kur fëmija mbush dy vjeç”.

Një prej të pranishmëve më tha: ”Çfarë?! Që në moshën dy vjeçare?! E çfarë mund t’i them një fëmije dy vjeçar mbi edukatën seksuale”?!

Unë i thashë: ”Ti o vëlla, me të dëgjuar fjalën “edukatë seksuale” të shkon mendja menjëherë tek akti seksual, ndërkohë që unë nuk po flas mbi aktin seksual. Edukata seksuale është shumë më e gjerë se akti seksual”.

I hutuar ai më tha: ”Nuk po të kuptoj”.

Unë e pyeta: ”Sa vjeç është djali yt tani”?

“Trembëdhjetë vjeç” - u përgjigj.

E pyeta: ”A ka ndodhur, që t’i kesh folur ndonjëherë mbi çështje me tematikë seksuale”?

Ai mu përgjigj: ”Të jem i sinqertë, kurrë nuk kam biseduar me të rreth kësaj çështjeje”.

Unë i thashë: ”Duke qenë se ne jetojmë në një kohë dhe realitet kaq të hapur, a të ka shkuar ndonjëherë në mendje se cilat janë burimet, ku djali yt informohet mbi çështjet seksuale”?

Ai u përgjigj: ”Në fakt, djali im është shumë i mirë dhe nuk besoj se interesohet për gjëra të tilla. Por po pati nevojë, mua këtu më ka. Le të vijë të më pyesë”.

Unë i thashë: ”Por ai e ka të vështirë të pyesë, përveç rastit kur ti ke krijuar marrëdhënie të tilla, ku atij nuk i vjen zor dhe të hapet për gjithçka”.

Më pas i thashë: ”Unë të këshilloj, që sonte në darkë ta marrësh djalin, të shkoni në një restorant në bregdet, t’i ofrosh një darkë dhe të bisedosh me të. Pasi të kesh kaluar njëfarë kohe me të, i thuaj: ”O biri im, unë jam gati që të të përgjigjem mbi të gjithë pyetjet dhe paqartësitë që të lindin rreth seksit”.

Prindi më tha: ”Jo, jo, jo. Djali im nuk ka paqartësi mbi këtë fushë”.

Unë i thashë: ”Unë të këshilloj që ta provosh njëherë dhe të mos nxitohesh”!

Në fakt ashtu ndodhi. Po atë ditë në darkë, ai e mori djalin dhe të dy vajtën në një restorant në bregdet, porositën ushqimin dhe filluan të diskutojnë, të qeshin dhe të argëtohen me njëri-tjetrin. Në një moment të përshtatshëm, babai i thotë djalit: ”O biri im! Ti tashmë je në moshën e pubertetit dhe padyshim që mund të kesh paqartësi dhe pyetje mbi çështje seksuale. Unë jam babai yt dhe në moshën tënde kisha shumë paqartësi dhe kisha nevojë, që dikush të më tregonte. Prandaj, nëse ke paqartësi të tilla, unë jam gati të të përgjigjem”.

Përgjigja e djalit ishte shokuese për babanë. Ai i tha: ”O babai im! Nëse ti ke ndonjë paqartësi, unë jam në gjendje t’i përgjigjem çfarëdo lloj pyetjeje që do më bësh”.

Babai mbeti i shokuar nga kjo përgjigje. Ditën e dytë të trajnimit, ai erdhi dhe më rrëfeu gjithçka, që kishte ndodhur mes tyre.

Unë i kërkova që këtë ndodhi, t’ua rrëfejë dhe trajnuesve prindër, që ndodheshin në sallë, me qëllim që të sensibilizoheshin dhe ndërgjegjësoheshin.

Prandaj, Umer ibnul Hattabi (r.a) ka thënë: ”Edukojini fëmijët tuaj, për një kohë të ndryshme nga koha juaj”.

Nuk ka përse të kërkojmë nga fëmijët tanë, që të jenë fotokopje e jona. Padyshim që ata jetojnë një kohë të ndryshme nga e jona.

 

2 – Objektivi i dytë është, që fëmija të edukohet dhe t’i respektojë organet e tij seksuale. Ato kanë vlerë në jetë dhe nuk mund të keqpërdoren. Ashtu siç i kujdesemi dhe nuk i shpërdorojmë organet dhe gjymtyrët e tjera, ashtu duhet të kujdesemi dhe të mos i shpërdorojmë organet gjenitale. Këtu, një rëndësi të veçantë duhet t’i kushtojmë pastërtisë (taharet). Kështu, atij i mësohet se si duhet ta trajtojë urinën, jashtëqitjen, gazrat, sipas parimeve dhe normave të fesë. Të gjithë këto kanë lidhje me pastërtinë (taharetin).

Duke i mësuar fëmijët si ta ruajnë trupin dhe organet gjenitale të pastra, ne u mësojmë atyre edukatën seksuale.

 

3 – Objektivi i tretë i edukatës seksuale është, që ta përgatisë fëmijën për fazën e adoleshencës. Ne e dimë që fiziku i fëmijëve, djem qofshin ose vajza, pëson ndryshime të shumta gjatë adoleshencës. Me qëllim që fëmija të dijë, se çfarë po ndodh me trupin e tij dhe të mos hutohet, duhet informuar, sensibilizuar dhe parapërgatitur. Duke qenë i parapërgatitur, njeriu di si të sillet me ndryshimet e reja në të ardhmen. 

Më së shumti, kjo i ngjan udhëtimit me avion, ku sapo nis udhëtimi, kapiteni u flet pasagjerëve, që gjatë rrugës do të hasin në hapësira boshe ajri, gjë që do të shkaktojë tronditje të avionit. Këto hapësira dhe tronditje, do të kalohen pa problem për pasagjerët, nëse vendosin rripat e sigurimit. Gjysmë ore më pas, kapiteni tërheq vëmendjen, që hapësirat do të fillojnë nga çasti në çast, prandaj duhen vënë rripat e sigurimit. Kur të fillojnë hapësirat dhe tronditjet e avionit, padyshim që udhëtarët janë të parapërgatitur dhe nuk frikësohen nga tronditjet.

E kundërta ndodh, nëse kapiteni nuk i njofton dhe nuk i parapërgatit pasagjerët mbi hapësirat, lëkundjet dhe tronditjet që do të ndodhin.

Në rastin e parë, me të filluar lëkundjet dhe tronditjet e avionit, mund të ketë disa pasagjerë që frikësohen, por në përgjithësi situata është e qetë. Kjo, pasi pasagjerët janë parapërgatitur, janë të qetë shpirtërisht, psikologjikisht dhe fizikisht.

Ndërkohë që në rastin e dytë, pasojat nuk dihen. Disa pasagjerë mund të ulërijnë, disa të tjerë mund të qajnë, dikush mund të vjellë, dikujt mund t'i bie të fikët.

Kështu, parapërgatitja e fëmijëve për fazën e adoleshencës është shumë e rëndësishme, pasi ata janë të ndërgjegjshëm mbi atë, që po ndodh me fizikun dhe psikologjinë e tyre. Ata do të dinë si të reagojnë me situatat që krijohen, pa u befasuar dhe hutuar. Adoleshenti tashmë është i ndërgjegjshëm, që po kalon nga një moshë në një moshë tjetër dhe nga një fazë në një tjetër.

 

4 – Objektivi i katërt i edukatës seksuale është, që fëmija të sensibilizohet që seksi është pastërti. Seksi nuk është diçka e turpshme, e fëlliqtë, e ndotur, por është pastërti dhe mirësi nga mirësitë e shumta, që na ka dhënë Zoti i Madhëruar. Nëse nuk do të ishte seksi, njerëzimit do i vinte fundi. Sikur të mos ishte seksi, nuk do të kishim as profetë dhe njerëz të mirë. Madje, një nga profetët që ka dërguar Zoti, mrekullia me të cilën e dërgoi kishte të bëjë me seksin. Ky profet është Isai a.s, pasi ai lindi pa baba, gjë e cila bie në kundërshtim me ligjet e kontaktit seksual dhe lindjes. Ligjet dhe normat e seksit theksojnë, që për të lindur, duhet të arrihet kontakti seksual mes një mashkulli dhe femre. Me lindjen e tij pa baba, ai i theu këto ligje dhe norma.

Kështu, duke e sensibilizuar fëmijën mbi realitetin seksual, ai do ketë një këndvështrim dhe koncept tjetër mbi seksin dhe do e shohë atë me syzet e duhura islame.

 

5 – Objektivi i pestë, ka të bëjë me nevojën e fëmijës për të marrë informacione të rëndësishme, nga lindja deri në adoleshencën e tij. Informacionet e rëndësishme që ai duhet t’i përftojë në këtë moshë janë: Seksi, dashuria, marrëdhëniet seksuale, lindja. Prandaj po të vërejmë, fëmijët e moshës katër-pesë vjeçare, pyesin shumë, sidomos pyetjen “Përse”, saqë kjo moshë quhet ndryshe dhe “mosha e përse-së”. Për çdo gjë, ai do të pyesë përse. Përse do të shkojmë atje? Përse bimët kanë ngjyrë të gjelbër? Përse ndodh kjo....? e pyetje të tjera të këtij lloji. Kjo ndodh, pasi ai jeton në moshën, që kërkon të zbulojë gjithçka, të njohë ligjet e jetës, të informojë veten... Shpesh herë, fëmijët pyesin:”Si kam lindur unë?” dhe përgjigjet e prindërve janë nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet.

Një herë, një fëmijë tetëvjeçar, e pyeti të atin: ”Si kam lindur unë o baba?”

Babai, i zënë ngushtë i tha: ”Një ditë vajta në treg dhe bleva një bostan. Kur erdha në shtëpi, e ndava në dy pjesë, njërën e hëngra vetë dhe tjetrën ia dhashë nënës tënde. Dy-tre ditë më vonë, i bashkuam dy gjysmat e mbetura dhe kështu linde ti”.

I hutuar, fëmija tetëvjeçar i tha: ”Kështu paskam ardhur në këtë botë unë?! Domethënë që para tetë vitesh, nuk ekzistonin marrëdhëniet seksuale” ?!

Sot fëmijët kanë mundësi dhe burime informacioni të shumta dhe nuk mund të gënjehen kollaj, gjë e cila duhet të përjashtohet në edukimin e fëmijëve. Islami e ndalon gënjeshtrën, sidomos në marrëdhëniet me fëmijët.

Një herë, një nënë e thirri fëmijën e saj, duke i premtuar se do i japë diçka. Profeti a.s që u ndodh aty, e pyeti: ”Çfarë ke në dorë dhe çfarë dëshiron t’i japësh”?

Gruaja hapi dorën dhe Profeti (a.s) pa, që ajo kishte diçka në dorë dhe se nuk po e gënjente. Atëherë i tha:”Nëse nuk do të kishe gjë në dorë, do të ishte shkruar si gënjeshtër”.

Islami bën thirrje për sinqeritet dhe çiltërsi në marrëdhëniet tona me fëmijët. Me këtë, ne nuk duam të themi që një fëmije trevjeçar, t’ia shpjegojmë me imtësi mënyrën sesi lind dhe vjen në këtë botë njeriu. Diçka të tillë, ne duhet t’ia sqarojmë në atë formë, që i përshtatet nivelit të fëmijës. Duke u rritur, ne ia shtojmë njohuritë mbi kulturën seksuale, por kurrsesi ta gënjejmë. Fillimisht mund t’i flasim mbi mënyrën e pllenimit të bimëve, çiftëzimit dhe shtimit të kafshëve, por kurrsesi nuk duhet ta gënjejmë, sidomos në gjëra që kanë të bëjnë me edukatën seksuale. Nëse babai ose nëna e gënjejnë fëmijën përsa i përket edukatës seksuale, ata e humbasin kredibilitetin dhe besimin e fëmijës. Tashmë, fëmija i tyre do të fillojë të kërkojë burime informacioni të reja, për të plotësuar nevojat e tij.

Studimet e kryera në këtë fushë kanë zbuluar, se sa më shumë t’i shuhet etja mbi informacionet rreth seksit, aq më pak fëmija kërkon të flitet mbi seksin. Sa më shumë t’i shtohen informacionet rreth seksit, aq më pak do i prekë ose luajë me organet e tij gjenitale. Kjo, pasi ai ndihet i ngopur dhe kureshtjen e ka të shuar tashmë.

Ne të gjithë e dimë që, kur Profeti a.s binte në sexhde, dy nipat e tij, Hasani dhe Husejni, përfitonin nga rasti dhe hipnin mbi shpinën e tij. Në vend që t’i largojë nga shpina e tij, Profeti a.s e zgjaste sexhden derisa ata të ngopeshin dhe të largoheshin vetë.

E njëjtë është situata edhe përsa i përket edukimit seksual të fëmijëve. Nëse fëmija bën pyetje që kanë lidhje me seksin, kjo është shenjë e nevojës së tij për informacion në këtë fushë. Nëse unë nuk ia shuaj kureshtjen, kjo do të thotë, që ai do të përdorë burime të tjera informacioni.

Sot gjenden libra të posaçëm, të cilët me anë të rrëfenjave dhe fotove, i tregojnë fëmijës format e shumimit të bimëve, kafshëve, bletës, peshqve etj... Me anë të këtyre librave të ilustruar, fëmija mund të marrë edukatën e duhur seksuale, pa e ndjerë.

Kur ndodhesha për një vizitë në Britani, hyra në një librari dhe e pyeta librashitësin mbi këndin e edukatës seksuale të fëmijëve. Librashitësi më orientoi drejt këndit ku shiteshin këto libra. Aty më ra në sy një libër mbi edukatën seksuale tek fëmijët, libër që përmbante një histori për fëmijë pesëvjeçarë.  Unë fillova ta lexoj historinë, e cila më shokoi. Kjo, pasi me anë të saj, sikur i mësohej një njëqind vjeçari akti seksual dhe jo një fëmije pesëvjeçar. Me anë të saj, i mësohej fëmijës jo vetëm akti seksual, por edhe formimi i fëmijës në barkun e nënës dhe procesi i lindjes. Të gjitha këto, të ilustruara me foto reale.

Padyshim që diçka e tillë përbën skandal dhe një problem të madh. Një fëmijë pesëvjeçar, e ka shumë të vështirë ta kuptojë dhe perceptojë diçka të tillë. Një formë edukimi e tillë është shumë e dëmshme për fëmijën. Një formë e tillë edukimi mund ta nxisë kureshtjen e fëmijës më shumë. Ajo mund ta shtyjë fëmijën, që ato që sheh në libër, t’i provojë me motrën e tij ose me ndonjë fëmijë tjetër.

Në këto tema, ne do i shmangemi shfrenimit dhe degjenerimit. Ne duam të ndërtojmë një program sa më praktik, dhe këtë program e kemi të frymëzuar nga Kurani famëlartë, tradita profetike dhe librat e fikhut islam. 

Synimi ynë me edukatën seksuale është, që fëmija të edukohet dhe ndërgjegjësohet, që organet e tij gjenitale janë dhuratë nga Zoti dhe duhet t’i mirëmbajë ato.

 

6 – Objektivi i gjashtë, është që t’ia lehtësojmë fëmijës jetën bashkëshortore, pasi të martohet. Të shumta janë ato martesa, të cilat kanë dështuar, për shkak të mungesës së edukatës seksuale tek bashkëshortët. Të shumta janë ato martesa, që kanë përfunduar me divorc për arsye seksuale.

Ne kryem një studim tek njëmijë familje të divorcuara dhe gjetëm dymbëdhjetë shkaqe të përbashkëta mes këtyre familjeve të divorcuara, shkaqe që çuan në divorc. Shkaku i tretë në radhitje, nga shkaqet që çuan në divorc, ishin shkaqe, që kishin të bënin me jetën seksuale të prindërve. 

Nëse këta të martuar do të ishin edukuar seksualisht që në vegjëli dhe në rrugën e duhur, padyshim që martesa e tyre nuk do të kishte dështuar. Kështu çdo njeri do të korrë atë që ka mbjellë. Padyshim që një person, që nuk e ka kulturën e duhur seksuale, do të hasë probleme që në ditët e para të martesës.

Gjatë kohës që punoja gjykatës, më erdhi një burrë që kërkonte të divorcojë të shoqen, tre muaj pas martese.

Kur unë e pyeta mbi shkakun e divorcit, ai më tha: ”Sa herë që kërkoj të drejtën time në shtrat, ajo refuzon. U bënë tre muaj që përpiqem, por e shoh që është e pamundur, prandaj dua të divorcohem”.

Unë i kërkova të thërrasë dhe të shoqen dhe ajo erdhi. Fillova ta pyes dhe atë dhe i thashë: ”Ajo që kërkon yt shoq është e drejta e tij dhe është diçka, që e ka lejuar vetë Zoti i Madhëruar”.

Gjatë bisedës dhe pyetjeve të mia zbulova, se prindërit e saj e kishin frikësuar dhe kërcënuar kur ishte e vogël, që të mos i prekë organet e saj gjenitale. Madje, një herë e ëma ia kishte djegur gishtin si ndëshkim, pasi vajza e kishte pyetur mbi diçka, që kishte të bënte me seksin. Kjo e kishte bërë atë me komplekse dhe tashmë i  frikësohej edhe të shoqit dhe nuk e lejonte të bëjë seks me të. Edhe pse u përpoqa ta bind, ajo ngulmonte në të sajën, duke bërë që martesa të përfundojë me divorc.

Në një rast tjetër gruaja ankohej për të shoqin, se kishte kaluar një vit e gjysmë nga martesa e tyre dhe ai nuk kishte bërë seks me të. Kur e pyeta të shoqin mbi shkakun, zbulova se shkaku i kësaj gjendjeje, ishte edukata seksuale e gabuar, që kishte marrë në vegjëli. Histori të tilla janë të shumta.

Duke bërë thirrje, që fëmijët tanë t’i edukojmë seksualisht, unë nuk bëj thirrje për liri absolute dhe degjenerim. Zoti më ruajt nga diçka e tillë. Por njëkohësisht unë nuk mund ta pranoj, që fëmijët tanë t’i mbyllim dhe ta konsiderojmë si diçka të pamundur, të diskutojmë me ta rreth edukatës seksuale.

 

7 – Objektivi dhe qëllimi i shtatë i edukatës seksuale islame, është dhe forcimi i lidhjeve me fëmijët dhe të rinjtë. Këtë, e shohim më së miri në rastin, kur një i ri vajti tek i dërguari i Zotit dhe i kërkoi leje për imoralitet. Ishte një kërkese absurde dhe e papranueshme, gjë e cila shkaktoi zemërimin e shumë muslimanëve të pranishëm. Ky i ri kërkonte publikisht, që të kryejë imoralitet.

Edhe pse ishte një kërkese absurde, Profeti a.s pranoi të ulet dhe të bisedojë me të. Profeti a.s e afroi pranë vetes dhe i tha:”A do e pranojë një vepër të tillë për nënën tënde”?

Djaloshi i tha: ”Jo për Zotin”.

Profeti a.s e pyeti sërish: ”Po, a do e pranoje për hallën tënde”?

Djaloshi iu përgjigj: ”Jo, për Zotin”.

Profeti a.s e pyeti: ”A e pranon për motrën tënde”?

Djaloshi iu përgjigj: ”Jo, për Zotin”.

Atëherë Profeti a.s i tha: ”Po kështu dhe njerëzit nuk e pranojnë këtë vepër për nënat, vajzat, motrat dhe hallat e tyre.”

Pas kësaj, Profeti a.s e vendosi dorën e tij fisnike mbi kraharorin e djaloshit dhe u lut, që Zoti ta mbrojë nga veprat e ulëta dhe imoraliteti.

Vetë ky djalosh i ri, tregon më vonë: ”Për Zotin nuk kishte gjë që e urreja më shumë se imoraliteti, që pas asaj dite”.

Ajo që është e rëndësishme nga kjo ndodhi, është trajtimi i veçantë, që Profeti a.s i bëri këtij problemi që kishte të bëjë me seksin. Një problem të tillë, siç e pamë, Profeti a.s e zgjidhi me dialog, diskutim dhe bindje. Ai nuk ia mbylli derën këtij djaloshi dhe as nuk ia lejojë, të sillet si të dojë.

Profeti a.s, shumë mirë mund t’i kishte thënë: ”Imoraliteti është haram në islam” dhe gjithçka përfundonte me aq.

 

 

 

Back