Statistika dhe të dhëna

27/05/2011 20:34


Në një statistikë gjeta, që vetëm në internet ekzistojnë mbi tetë miliardë faqe elektronike me përmbajtje pornografike. Këto tetë miliardë faqe me përmbajtje pornografike, në krahasim me numrin tjetër të faqeve të internetit zënë vetëm 2.5 %.

Kështu, 97.5 % e faqeve të internetit kanë përmbajtje të zakonshme dhe vetëm 2.5 % e tyre kanë përmbajtje pornografike dhe degjeneruese.

Sipas statistikave, nga 18 % e atyre që frekuentojnë faqet pornografike, vetëm 5 % e tyre janë frekuentues të përhershëm.

Në një studim të bërë në Angli, u gjet se një numër i madh fëmijësh ngacmoheshin seksualisht nga më të rriturit gjatë bisedave nëpërmjet internetit, chat.

Sot ne jetojmë në një botë ku e keqja nuk kontrollohet dot. Më parë, nëse dikush dëshironte të kryente një vepër të ligë, duhej të shkonte në një vend të caktuar. Ndërkohë që sot e liga dhe gjynahu të vjen dhe të shoqëron, kudo që ndodhesh.

Më parë, shtëpitë publike ishin të njohura dhe kishin klientët e tyre. Ndërkohë që sot shtëpitë publike të shoqërojnë kudo.

Sot janë ngritur kompani të veçanta, të cilat i trajnojnë dhe ndihmojnë bashkëshortët dhe bashkëshortet, se si ta tradhtojnë njëri-tjetrin pa u kuptuar.

Ka kompani, të cilat merren vetëm me prodhimin e veshjeve epshndjellëse. Ka të tjera, që merren vetëm me ndriçimin, që e shton epshin, ka të tjera që merren me prodhimin e parfumeve të tillë etj... Sikur bota jeton vetëm për seksin dhe kënaqësitë seksuale. Seksi është kthyer në një idhull ose zot, që adhurohet dhe çdo gjë vihet në shërbim të tij, ashtu si grekët që kishin zotin e seksit në kohët e lashta.

Duke qenë se fëmijët tanë jetojnë në një botë, ku programet televizive, faqet e internetit, gazetat, librat, ambienti etj... propagandojnë dhe reklamojnë të keqen, ne duhet që fëmijët t’i edukojmë siç duhet dhe t’i imunizojmë ndaj dukurive negative të përhapura. Ne nuk duhet të pranojmë, që fëmijët tanë të bien pre e filmave degjenerues, apo fotove të tilla.

Sëmundjet që shkaktohen për shkak të reklamimit dhe përhapjes së filmave me përmbajtje pornografike, janë të shumta. Këto sëmundje prekin kryesisht të rinjtë. Nga këto sëmundje, mund të përmendim:

1 – Kongjestion në prostatë.

2 – Pagjumësi, stres dhe depresion.

3 – Dëmtim të testikujve, gjë që mund të çojë në impotencë të plotë.

4 – Ç`rregullime psikologjike.

5 – Dobësi e kujtesës.

6 – Dëshira për më shumë gjumë, lodhje e përgjithshme dhe përtaci.

7 – Ndjenja se ka vepruar diçka të pahijshme.

8 – Dhimbje të shpinës.

9 – Ftohje seksuale.

 

Nëse këto informacione i përdorim dhe i shfrytëzojmë siç duhet gjatë edukimit të fëmijëve tanë, padyshim që ata do të distancohen nga veprat e turpshme, ose si pasojë e frikës nga Zoti i Madhëruar, nga ndëshkimi ose nga frika mbi shëndetin. Janë të shumtë ata njerëz, të cilët u ruhen veprave të turpshme edhe pse nuk janë muslimanë. Këtë e bëjnë për të ruajtur shëndetin nga sëmundjet e ndryshme.

Vizioni perëndimor mbi seksin, ndryshon nga vizioni islam. Në perëndim gjen liri të plotë përsa i përket aspektit seksual. Ndërkohë që ne në Islam bëjmë dallim mes fshehtësisë së informacionit dhe fshehtësisë së veprimit.

Profeti Muhamed a.s ka thënë:”Njeriu më i lig Ditën e Kiametit, do të jetë ai burrë, që është kënaqur me të shoqen dhe ajo është kënaqur me të, në fund ai shkon dhe u tregon të tjerëve”.

Ky hadith, flet për një burrë, i cili pas kontaktit seksual me të shoqen, u tregon të gjithëve atë që ka vepruar. E njëjta gjë ndodh dhe me gruan, nëse u tregon shoqeve të saj mbi aktivitetin seksual me të shoqin. Profeti Muhamed a.s e ndalon diçka të tillë.

Kështu, në Islam marrëdhëniet seksuale duhet ruajtur të fshehta, ndërkohë që informacioni i duhur jepet dhe transmetohet tek të tjerët. E kundërta ndodh në perëndim, si informacioni ashtu edhe marrëdhëniet intime dhe seksuale, u ofrohen të gjithë grupmoshave pa dallim. Kjo ka çuar në rrënimin dhe degjenerimin e familjes në veçanti dhe të shoqërisë në tërësi.

Një herë ndodhesha në Angli për të mbajtur një ligjëratë me titull “Si ta bësh të lumtur jetën tënde familjare”. Pas ligjëratës disa të rinj që ishin dhe organizatorët e ligjëratës, më pyetën nëse dëshiroja të shkoj në një vend të caktuar.

Unë u thashë: ”Mua më pëlqen të ecim dhe të vizitojmë ndonjë institucion social”.

Njëri prej tyre më tha: ”Unë do të të çoj në një vend, të cilin nuk do e harrosh kurrë.” dhe në fakt unë nuk e harroj dot këtë vend.

Më pas të gjithë morëm metronë dhe vazhduam të udhëtojmë. Në fund zbritën nga metroja dhe hymë një rrugë të tejmbushur me njerëz.

I çuditur nga ky fakt, e pyeta të riun: ”Kjo nuk duket ndonjë rrugë e veçantë, atëherë përse gjithë këto turma njerëzish”?!

Pasi hymë dhe në një rrugë tjetër, ku turmat ishin akoma më të shumta, i riu më tha: ”Kjo rrugë ku ndodhemi tani, është rruga e imoralitetit në këtë shtet, është rruga e degjenerimit. Ditën e shtunë dhe të diel, të gjithë të rinjtë dhe të rejat, vijnë në këtë rrugë për të plotësuar nevojat e tyre seksuale”.

Duke parë atë që ndodhte përreth dhe fjalët që sapo më tha, unë ndërhyra dhe i thashë: ”Më nxirr prej këtu se nuk duroj dot më”!

I riu më tha: ”Bëj pak durim, se do të shohësh diçka, që nuk do e harrosh gjithë jetën”.

Kështu, vazhduam të ecim drejt fundit të rrugës dhe me të arritur fundin, i riu më tha: ”Tani shiko nga e djathta jote!”

Unë ktheva kokën dhe ç’të shoh, një xhami! I shokuar pyeta:”Xhami është kjo”?!

I riu më tha: ”Kjo është një qendër islame dhe njëkohësisht xhami”.

I hutuar e pyeta: ”Qendër islame?! Në këtë vend?!”

“Po - më tha – dhe ti nuk e imagjinon dot numrin e të rinjve, të cilët konsultohen, pendohen dhe pranojnë Islamin në këtë qendër”.

 

Gjatë qëndrimit tim në një vend perëndimor, vajta të vizitoj një mikun tim, i cili ka mbi pesëmbëdhjetë vjet që ka pranuar Islamin. Ai është intelektual dhe lexon shumë. Gjatë vizitës, ai më tha: ”Kur isha pesëmbëdhjetë dhe njëzet vjeç, çdo ditë të shtunë dhe të diel më gjeje në pube dhe disko. Çdo të shtunë dhe të diel dilja me shoqe të ndryshme dhe argëtohesha. Por pas katër pesë vitesh nga një jetë e tillë, fillova të mërzitem. Gjithçka filloi të më mërzitej, jeta seksuale, qejfet dhe dëfrimet etj...

Gjatë kësaj kohe, fillova të lexoj mbi Islamin dhe fetë e tjera, derisa në fund përqafova Islamin. Kur u bëra musliman, ishte vetëm njëzet e dy vjeç”.

Unë e pyeta: ”E çfarë është ajo gjë, që të tërhoqi në Islam”?

Ai më tha: ”Unë lexova dhe i studiova të gjithë fetë. Pashë që të krishterët mendonin, se vetëm ata do të shkojnë në parajsë, ndërkohë që gjithë të tjerët në ferr. Kështu mendonin dhe hebrenjtë. Kurse muslimanët kishin një mendim krejtësisht tjetër”.

Unë e pyeta: ”Pse si mendojnë muslimanët lidhur me këtë çështje”?

Ai u përgjigj: ”Myslimanët thonë, që ne do të jemi në xhenet, kurse përsa i përket feve të tjera pyesim: ”A u ka arritur atyre mesazhi islam apo jo?” Nëse nuk u ka arritur, ata janë në dorë të Zotit, nëse dëshiron i fal ose jo. Por nëse u ka arritur mesazhi i të vërtetës dhe e kanë pranuar, atëherë ata janë në xhenet. Në të kundërt, ata janë në zjarr. Ajo që më bëri të pranoj Islamin, është se kjo fe është feja e vetme, që ka këtë klasifikim mahnitës dhe të logjikshëm”.

 

Perëndimi sot e ka lartësuar seksin, saqë është kthyer në një idhull dhe zot. Ndërkohë që në Islam, seksi zë vendin e tij të duhur në hapësirat e duhura. Në islam, fëmija duhet të edukohet edhe seksualisht, të formohet kulturalisht dhe të imunizohet me besim, me qëllim që të mbrohet nga devijimet.

Një miku im rrjedh dhe është edukuar nga një familje e fisshme dhe e pasur njëkohësisht. Duke qenë se merret me biznes, ai udhëton shumë.

Ai vetë tregon: ”Një herë udhëtova drejt një shteti të Azisë lindore. Atje zgjodha një hotel pesë yjesh dhe kur shkova të rezervoj dhomën dhe të marr çelësat, sportelisti më pyeti: ”A e dëshiron dhomën me të gjithë shërbimet”?

I rraskapitur nga lodhja unë i thashë: ”Po.”, por pa ditur se çfarë synonte me shërbime të plota. Mora çelësin dhe çantat e mia dhe menjëherë u ngjita sipër. Hyra në dhomë dhe vajta të marr abdes që të falem dhe më pas të shtrihem të pushoj, pasi ndihesha i këputur nga lodhja. Me të marrë abdes, dikush trokiti në derë. Vajta dhe hapa derën dhe ç’të shoh: Një vajzë jo më shumë se njëzet vjeçe, e bukur sa më nuk ka dhe e veshur me rroba epshndjellëse. Kur pa që nuk po i flisja, ajo më tha: ”A mund të hyj”?

I hutuar nga kjo që po më shihnin sytë dhe po dëgjoja unë e pyeta: ”Të hysh?! Po përse”?!

Ajo më pyeti: ”A nuk ke kërkuar shërbim të plotë”?

Unë i thashë: ”Po”.

Ajo tha: ”Atëherë unë jam pjesë e shërbimit. Profesioni im është që klientëve t’u bëj masash në dhomë dhe nëse ai dëshiron diçka tjetër, unë jam e gatshme”.

Në atë çast, filluan të më trazojnë mendime nga më të ndryshmet. Një nga këto mendime, që ishte i shejtanit më thoshte: ”Një natë e vetme është dhe askush nuk di gjë”. Një mendim tjetër ishte: ”Ti duhet të rezistosh dhe ta ruash nderin. Kije frikë Zotin dhe ruaju nga veprat e liga...” Ishte një luftë dhe betejë mes ushtrisë së shejtanit dhe ushtrisë së Rahmanit (Zotit).

Në atë çast, mu kujtua një histori e ndodhur mes një të dituri dhe një gruaje të ligë.

Ajo vajti tek njeriu i ditur dhe i urtë dhe u përpoq ta joshë dhe ta tërheqë drejt haramit.  Ai e kuptoi qëllimin e saj dhe i tha: “Nëse dëshiron të bëj atë që do, dua të bëj disa pyetje dhe dua të më përgjigjesh drejt”.

Mirë!” - i tha gruaja.

I dituri i tha: “Nëse pasi të veprojmë atë që do dhe direkt pas këtij veprimi vjen meleku i vdekjes e na e merr shpirtin, a do të dëshiroje që ta kishim bërë diçka të tillë”?

“Jo, për Zotin!” - ia ktheu gruaja.

I dituri: “Nëse ditën e Kijametit do të dilnim para Zotit unë dhe ti, a do të doje ta kishim bërë këtë”?

“Jo, për Zotin!” - ia ktheu përsëri.

I dituri e pyeti sërish: “Nëse do na çonin të dyve për në zjarr për këtë veprim, a do të doje që ta kishim bërë”? 

“Jo, për Zotin dhe mjaft se u pendova tek Zoti për këtë”! - ia ktheu për herë të fundit gruaja dhe u largua”.

Kur mu kujtua kjo histori, i thashë kësaj vajze që qëndronte para meje: ”O motra ime! Unë kam tre pyetje dhe dua të më përgjigjesh.

Pyetja e parë: ”Nëse vjen meleku i vdekjes të më marrë shpirtin, a do më dilje në mbrojtje ti”?

Ajo heshti dhe nuk foli asnjë fjalë.

Pyetja e dytë: ”Kur të dal para Zotit Ditën e Kijametit për të dhënë llogari për veprat e liga, a do të vish të më mbrosh”?

Ajo sërish heshti dhe nuk nxori asnjë fjalë.

Pyetja e tretë: ”Kur të gjithë të kalojmë urën e Siratit, që ndodhet mes zjarrit dhe xhenetit, a do të vish të kalosh në vendin tim”?

Atëherë pashë pika loti, që lagën sytë dhe faqet e saj. Pas kësaj, fillova ta këshilloj që të largohet nga vepra të tilla.

Kështu, kultura seksuale është kthyer në një art, me anë të të cilit përhapet degjenerimi dhe e liga”.

Padyshim personazhin e mësipërm e mbrojti Zoti nga e keqja, por edhe edukata e mirë me të cilën e kanë edukuar prindërit e tij që në vegjëli. Edukata e duhur seksuale që ka marrë nga prindërit, shfaqet fuqishëm në raste të tilla.

 

 

 

 

Back