Të distancuarit nga Kurani dhe Syneti

24/05/2011 21:07


 

          - Kur njerëzit u distancuan nga të gjykuarit me Kuran e me Synet dhe menduan (besuan) se këta nuk mjaftojnë dhe i modifikuan me logjikë, me analogji dhe me mendimet e njerëzve, atëherë u shfaq degjenerimi në natyrën e tyre, errësira në zemrat e tyre, turbullimi në kuptimin e tyre dhe asgjësimi në mendjet e tyre.

 

Negacionet e veprave

 

          - Nuk është vështirë të kryhet vepra, por vështirë është të ruhet vepra nga prishësit e veprës.

 

Frika prej Allahut dhe sjellja e mirë

 

          - Frika prej Allahut i rregullon çështjet në mes robit dhe Krijuesit të Tij, kurse sjellja e mirë i rregullon çështjet në mes njeriut dhe krijesave. Andaj, frika prej Allahut e obligon dhe e bën të domosdoshme dashurinë e Allahut, kurse sjellja e mirë i thërret njerëzit që ta preferojnë dhe ta duan atë person.

 

Shkalla më e përsosur e adhurimit

 

          - Allahu ua bëri obligim njerëzve pesë kohët e namazit për të kujtuar, për të përmendur dhe për t’i futur në funksion zemrën, gjuhën dhe gjymtyrët gjatë këtij adhurimi dhe për t’u dhënë pjesë çdonjërës prej këtyre adhurimeve, gjë për të cilën edhe janë krijuar njerëzit. Andaj, m’u për këtë namazi llogaritet si shkalla më e përsosur e adhurimeve.

 

Fëmija e ndjek nënën e tij

 

          - Bëhu prej bijve të botës tjetër (Xhenetit) e mos u bën prej bijve të kësaj bote, sepse fëmija e ndjek nënën e tij.

 

Të preokupuarit me vetveten

 

          - Kush e njeh vetën e tij preokupohet me përmirësimin e saj, kurse kush e njeh Krijuesin e vet preokupohet me urdhrat e Tij para pasioneve personale.

 

Dy hapat (etapat)

 

          - Mes robit dhe Xhenetit qëndron një urë e cila kalohet me dy hapa (etapa): e para, për vetën e tij dhe e dyta, për krijesat. Pra, e harron vetën e tij në çështjet që kanë të bëjnë mes tij dhe njerëzve, dhe i harron njerëzit në çështjet që kanë të bëjnë mes tij dhe Allahut.

 

Dyert e zjarrit

 

          - Njerëzit janë futur në zjarr nëpërmjet tri dyerve: 1. Dera e dyshimit e cila rezultoi me dyshim në fenë e Allahut; 2. Dera e epsheve e cila rezultoi me dhënien përparësi epshit para urdhrit të Allahut, dhe 3. dera e hidhërimit e cila rezultoi me armiqësi dhe dhunë ndaj krijesave të Allahut.

 

Vepra më e dobishme

 

          - Vepra më e dobishme është që ta fshehësh prej njerëzve me sinqeritet, kurse ta fshehësh prej vetvetes me të krenuar.

 

Pengesat dhe epidemitë që e godasin zemrën

 

          - Zemra sëmuret ashtu siç sëmuret trupi, kurse shërimi i zemrës është pendimi. Zemra njolloset ashtu siç njolloset pasqyra, kurse pastrimi i saj është përmendja e Zotit. Zemra zhvishet ashtu siç zhvishet trupi, kurse mbulesa e saj është frika prej Allahut. Zemrën e godet uria dhe etja ashtu siç e godet trupin e njeriu ushqimi dhe pija, kurse ilaçi i kësaj është njohja, dashuria dhe mbështetja në Allahun.

 

Çështjet janë sipas përfundimit

 

          - Njeriu më i paditur është ai që humb në fund të udhëtimit edhe pse është afruar për të arritur te caku.

 

Vjedhja e epshit

 

          - Futet tek njeriu vjedhësi epsh, kurse ti je në adhurim dhe në sinqeritet, e vazhdon ky vjedhës të të ngacmojë deri sa të të largojë prej adhurimit dhe prej udhëzimit.

 

Metodologjia e thirrjes

 

          - I mençuri nuk i urdhëron njerëzit që të distancohen nga të mirat e kësaj bote, ngase njerëzit nuk munden të distancohen dhe t’i lënë pas shpine, por i urdhëron të largohen nga mëkatet edhe pse janë të dhënë pas të mirave të kësaj bote. Të larguarit prej të mirave të kësaj bote është përsosmëri, kurse distancomi prej mëkateve është obligim. Andaj, si të urdhërohet në përsosmëri, kurse ai nuk i ka vepruar obligimet.

 

Tri kështjellat

 

          - Ibën Ebu Halad Misri ka thënë: “Ai i cili futet në islam është futur në një kështjellë. Ai i cili futet në xhami është futur në dy kështjella. Kurse ai i cili futet në tubimet ku përmendet Zoti është futur në tri kështjella.

 

Pema e jetës

 

          - Pema e jetës është: Vitet janë trungu, muajt janë pjesët e saj, ditët janë degët e saj, orët janë gjethet e saj, frymëmarrjet janë fryti i saj. Ai që i ka frymëmarrjet në adhurim, fryti i pemës së tij është i mirë, e kush i ka në mëkat – fryti i tij është pemë e ithët. Klasifikimi i këtyre dëmeve do të bëhet në Ditën e Gjykimit, e atëherë do të shihet kush i ka frytet e ëmbla e kush të ithët.

 

Origjina e mëkateve

 

          - Burimet e mëkateve janë tri: E para: Kryelartësia (kjo e futi Iblisin në Xhehenem), e dyta: Lakmia (kjo e nxori Ademin prej Xheneti), dhe e treta: Zilia (kjo e nxiti birin e Ademit ta mbys vëllain e vet). Ai që mbrohet prej këtyre tre gjërave është mbrojtur prej të gjitha të këqijave, sepse kufri (mosbesimi) bëhet nga kryelartësia, mëkati bëhet nga lakmia dhe padrejtësia bëhet nga zilia.

 

Sinqeriteti

 

          - Sinqeriteti është ajo vepër që nuk e din i afërmi për ta shkruar, as armiku për ta prishur dhe as vetvetja jote që ta pëlqej me të cilën e asgjëson veprën.

 

Besimi dhe dituria

 

          - Gjënë më të mirë që e kanë fituar njerëzit, më të mirën me të cilën janë stolisur zemrat dhe më të mirën me të cilën njeriu arrin autoritet në këtë botë dhe në Ditën e Gjykimit është besimi dhe dituria.

 

Si të shpëtojë?

 

          - Si të shpëton njeriu kur ka: gruaje e cila nuk e mëshiron, fëmijë që nuk e arsyetojnë, fqinj që nuk i besojnë, mik që nuk e këshillon dhe ortak që është i padrejtë ndaj tij.

 

Thelbi i çdo çoroditjeje

 

          - Thelbi i çdo çoroditjeje është pasimi i epshit dhe shpresa e gjatë, sepse pasimi i epshit t’i errëson sytë për ta kuptuar të vërtetën, kurse shpresa e gjatë të bën ta harrosh botën tjetër.  

 

Efektet e brengës dhe pikëllimit

 

-         Brenga dhe pikëllimi i sjellin vetëm dëm birit të Ademit, sepse e dobësojnë vendosmërinë, e molisin zemrën, e largojnë njeriun prej zellshmërisë, ia ndërpresin rrugën për te Allahu dhe e pengojnë për të nxënë dituri, pra këto janë barrë e rëndë dhe e madhe në rrugën e të udhëzuarit. 

 

 

Fjalë të urta nga Ibën Kajimi

 

 

 

Back