Tregimi i fatit

27/05/2011 21:13

 


Shpesh dëgjojmë se ka njerëz që deklarojnë se kanë dije nga bota e padukshme ose për të ardhmen. Këta njihen me emra të ndryshëm, si p.sh.: fallxhor, astrolog, magjistar, palmit (ata që lexojnë fatin e dikujt nga shenjat mbi pëllëmbë) etj. Fallxhorët ose njerëzit që pretendojnë se lidhen me shpirtrat e vdekur përdorin metoda të ndryshme nga të cilat ata thonë se marrin (nxjerrin) informacion, p.sh.: leximi i gjetheve të çajit, vizatimi i vijave, shkruarja e numrave, leximi i pëllëmbës, horoskopi, vështrimi i topave prej kristali, falli me letra, shikimi i filxhanit, hedhja e shkopave etj. Në këtë material do të trajtojmë forma të ndryshme fallesh duke përjashtuar magjinë.

Praktikantët e metodave të fshehta, të cilët thonë se zbulojnë të padukshmen dhe parathonë të ardhmen, mund të ndahen në dy kategori kryesore:

 1. Ata që nuk kanë ndonjë dije ose sekret por që u thonë klientëve të tyre incidente të përgjithshme që ndodhin te shumica e njerëzve. Këta shpesh bëjnë një numër ritualesh pa kuptim dhe pastaj thonë hamendje të përgjithshme (të menduara më parë). Disa prej hamendjeve të tyre, për shkak se janë të përgjithshme, dalin të vërteta. Shumica e njerëzve priren për të kujtuar ato pak thënie që dalin të vërteta dhe shpejt harrojnë shumicën që nuk del e vërtetë. Kjo tendencë është rezultat i faktit se pas ca kohe të gjitha thëniet bëhen mendime gjysmë të harruara në subkoshiencë derisa diçka ndodh dhe i rikujton ato. P.sh. është bërë gjë e zakonshme në Amerikën e Veriut që të publikohen në çdo fillim viti thënie të ndryshme të fallxhorëve të famshëm. Kur u bë një shqyrtim i thënieve të ndryshme për vitin 1980 u zbulua se vetëm 24% e thënieve ishin të sakta.

 2. Grupi i dytë janë ata që kanë kontakte me xhindë. Ky grup është më i rëndësishëm, sepse ai zakonisht përmban mëkatin e rëndë të shirkut dhe ata që përzihen me të priren të jenë shumë të saktë në informacionin e tyre dhe kështu paraqesin një fitne (sprovë) të vërtetë si për muslimanët ashtu dhe për jo muslimanët.

 

Bota e xhinëve

Disa njerëz janë përpjekur të mohojnë realitetin e xhinëve, të cilëve All-llahu ne Kur'an u ka kushtuar një sure të tërë, suren El Xhin. Duke u mbështetur në aspektin gjuhësor të fjalës xhin, e cila vjen nga folja xhane (جَانَّ), jexhunu: “të mbulosh, fsheh”, ata thonë se fjala xhin i referohet (i drejtohet) “të huajve të zgjuar”. Të tjerë bile thonë se një xhin është një njeri që s’ka mendje të vërtetë në kokën e tij, por ai ka natyrë zjarri.

E vërteta është se xhinët paraqesin një tjetër krijesë të All-llahut e cila bashkëekziston me njeriun në Tokë. Allahu i krijoi xhinët para se Ai të krijonte njerëzimin dhe i krijoi këto dy krijesa (xhinët dhe njerëzit) nga elemente jo të njëjta.

All-llahu thotë: “Ne e krijuam njeriun nga balta e argjilit, të zi e të prishur (me erë të keqe).E xhinët i krijuam më parë nga zjarri, nga flaka e fortë.” (15:26-27)

Ata u quajtën xhin sepse nuk mund të shikohen nga syri i njeriut.   

Aishja trasmeton se i Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) tha: “Melekët u krijuan nga drita dhe xhinët nga zjarri pa  tym.” Transmeton Muslimi. 

 

Xhinët mund ti ndajmë në tre kategori të gjëra sipas mënyrës së ekzistencës së tyre. I Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) ka thënë: “Ka tre lloje xhinësh: Një lloj fluturon në ajër gjithë kohën, një tjetër lloj ekziston si gjarpërinj dhe qen dhe lloji i kufizuar në tokë, i cili banon në një vend ose endet rreth tij.”  (Tebarani dhe Hakimi).

Xhinët mund të ndahen gjithashtu në dy kategori sipas besimit të tyre: besimtarë dhe jobesimtarë. All-llahu na tregon për xhinët besimtarë në suren El Xhin: “Është e vërtetë se prej nesh ka besimtarë (muslimanë) dhe prej nesh ka që janë jashtë rrugës (jobesimtarë), e kush e pranoi Islamin, të tillët mësynë rrugën e shpëtimit. Ndërsa ata që lëshuan rrugën, ata u bënë lëndë e Xhehennemit.” (S.Xhin:14-15)

Çdo njeri ka një xhin që e shoqëron atë dhe ky xhin quhet Karin (shok, bashkudhëtar). Ai është pjesë e testimit të njeriut në këtë jetë. Xhini inkurajon dëshirat më të ulëta të njeriut dhe përpiqet në mënyrë të vazhdueshme për ta mënjanuar atë nga rruga e drejtë. I Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) duke komentuar këtë gjë ka thënë: “Secilit prej jush i është shoqëruar një shok prej xhinëve.” Sahabët pyetën: “Edhe ty o i Dërguari i Allahut?!” Dhe i Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) u përgjigj: “Edhe mua, vetëm se All-llahu më ka ndihmuar mua kundër tij dhe ai është nënshtruar. Tani ai vetëm më nxit të bëj të mira.” ( Muslimi).

Njeriu nuk mund të arrijë kontrollin mbi xhinët, pasi kjo ishte një mrekulli e veçantë e dhënë të Dërguarit Sulejman as. Në fakt, kontakti me xhinët, në rrethana të tjera veç zotërimit ose rasteve aksidentale, shumë shpesh bëhet nga kryerja e veprimeve ofenduese ndaj Zotit, të cilat janë të përbuzura dhe të ndaluara në fe, (Ibn Tejmijeh “Ese mbi xhinët”) Qëllimi i xhinëve të këqinj (shejtanë) është që të tërheqë sa më shumë të tjerë në mëkatin më të rëndë, adhurimin e të tjerëve veç All-llahut ose bashkë me Të.

Kontakti dhe kontrata me xhinët bëhet nga fallxhorët, të cilëve xhinët mund tu japin informacion për të ardhmen. I Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) ka përshkruar se si xhinët marrin informacion për të ardhmen. Ai ka treguar se xhinët ishin të aftë të udhëtonin në drejtim të kufijve më të ulët të qiellit dhe të dëgjonin ca informacione për të ardhmen që engjëjt i transmetonin midis tyre. Pastaj ktheheshin në tokë dhe ushqenin me informacione njerëzit me të cilët kishin lidhje. (Buhariu dhe Muslimi).

 Kjo ndodhte shpesh para profetësisë së Muhammedit (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) dhe fallxhorët në atë kohë ishin shumë të saktë në informacionin e tyre. Kështu që ata ishin të aftë të fitonin pozitë në oborret mbretërore dhe gëzonin shumë popullaritet, bile edhe adhuroheshin në disa vende. Pasi i Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) filloi misionin e tij, situata ndryshoi. All-llahu i urdhëroi engjëjt që të ruanin me shumë kujdes kufinjtë më të ulët të qiellit dhe shumica e xhinëve u gjuajtën me meteorë dhe yje goditës. All-llahu e ka përshkruar këtë fenomen në Kur'an:

“Dhe vërtetë ne (xhinët) kemi hulumtuar të arrijmë qiellin po atë e gjetëm përplot roje të forta dhe me shkëndija (zjarri që djeg). Dhe më parë hulumtonim në vend vështrimin për të dëgjuar, e kush përpiqet të dëgjojë tashmë, ai has në pusinë e shkëndijës së zjarrtë.” (72:8-9) . 

“Dhe atë (qiellin) e kemi ruajtur prej çdo djalli të mallkuar. Përveç atij që vjedh (përgjon) çka dëgjohet, po edhe atë e ndjek ylli i zjarrtë (e djeg).” (15:17-18)

Ibn Abbasi ka thënë: “Kur i Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) dhe një grup prej shokëve të tij u nis për në Tregun Ukaadh, shejtanët u bllokuan nga dëgjimi i informacionit në qiell. Meteorët u lëshuan mbi ta, kështu ata u kthyen te populli i tyre. Populli i tyre i pyeti çfarë kishte ndodhur dhe ata ia treguan. Disa sugjeruan se diçka do kishte ndodhur kështu që ata u shpërndanë nëpër Tokë për të gjetur shkakun. Disa prej tyre ndeshën të Dërguarin (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) dhe shokët e tij kur ata ishin në namaz dhe dëgjuan Kur'anin. Ata thanë me veten e tyre se ky duhet të ishte shkaku që i bllokoi ata nga dëgjimi. Pastaj ata u kthyen te populli i tyre dhe i thanë: “… Ne kemi dëgjuar një Kur'an që të mahnit, ai udhëzon në të vërtetën, prandaj ne i besuam atij, Zotit tonë kurrsesi nuk do t’ia shoqërojmë më askënd.”(72:1-2). (Buhariu dhe Muslimi).

Kështu që xhinët nuk mund të mbledhin më informacion për të ardhmen aq lehtë sa ç’e merrnin para misionit të të Dërguarit (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të). Për shkak të kësaj ata tani e përziejnë informacionin me shumë gënjeshtra. I Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) ka thënë: “Ata (xhinët) do ta kalonin informacionin poshtë derisa ai arrin buzët e magjistarit ose fallxhorit. Shumë herë një meteor i arrin ata përpara se ata t’ua transmetojnë informacionin. Nëse ata e kalojnë atë para se të goditen, ata do t’i shtojnë  atij 100  gënjeshtra.” (Buhariu).

 

  Aishja  trasmeton se kur ajo e pyeti të Dërguarin, (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) për fallxhorët ai u përgjigj se ata nuk ishin asgjë. Ajo pastaj përmendi se fallxhorët ndonjëherë u thoshin gjëra që ishin të vërteta. I Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) tha: “Kjo është një pjesë e të vërtetës të cilën xhini e vjedh dhe e llomotit në veshin e shokut të tij, por ai e  përzien atë  me 100  gënjeshtra.” (Buhariu dhe Muslimi).  

 Xhinët janë në gjendje të informojnë njerëzit me të cilët lidhen për të ardhmen relative. P.sh. kur dikush shkon te një fallxhor, xhini i fallxhorit merr të dhëna nga xhini i personit (sqaruam më parë se çdo person ka një xhin) për planet që ky njeri ka bërë para se të shkojë atje. Kështu që fallxhori është i aftë ti thotë personit se ai do këtë ose atë, apo shko këtu ose atje. Me anën e kësaj metode fallxhori i vërtetë është në gjendje të mësojë për të kaluarën e të huajit në detaje të hollësishme. Ai është në gjendje ti tregojë një personi krejtësisht të huaj për të emrat e prindërve të tij (të personit), ku ka lindur ai, çfarë ka bërë në fëmijëri (ky person) etj. Aftësia për të përshkruar shumë saktë të kaluarën është një prej shenjave të fallxhorit të vërtetë që ka kontakt me xhinët. Kjo për shkak se xhinët janë në gjendje të përshkojnë distanca të mëdha menjëherë, të mbledhin sasi gjigande informacioni rreth gjërave të fshehta, sendeve të humbura dhe ngjarjeve të pavëzhguara. Provë për këtë aftësi është historia e përmendur në Kur'an për të Dërguarin Sulejman a.s.dhe Belkisën. “Njëri prej xhinëve të vrazhdë (Ifrit) tha: “Unë do ta sjell atë ty, para se të ngrihesh nga vendi yt, unë për të kam fuqi dhe jam i sigurtë!”” (27:39)

 

     Ligji islam për tregimin e fatit

Për shkak të mëkatit të mohimit që përfshihet në tregimin e fatit, Islami mban një qëndrim shumë të ashpër ndaj tij. Islami kundërshton çdo lloj shoqërimi me ata që praktikojnë tregimin e fatit duke përjashtuar rastin e këshillimit (nga ana e atyre që kanë dije të mjaftueshme) të tyre për të hequr dorë nga këto praktika të ndaluara.

 

Shkuarja te fallxhorët

I Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) ka vendosur rregulla të qarta të cilat ndalojnë çdo shkuarje te fallxhorët. Ai ka thënë se: “Namazi i kujtdo që i afrohet ndonjë fallxhori dhe e pyet atë për ndonjë gjë nuk pranohet për 40 ditë dhe netë.”  (Muslimi).

Ndëshkimi në këtë hadith është thjesht për afrimin te një fallxhor dhe pyetja e tij për kureshtje. Ky ndalim mbështetet gjithashtu edhe nga hadithi i Muaui ibn Hakem es-Sulemit, në të cilin ai thotë: “O i Dërguari i All-llahut, ka disa njerëz prej nesh që shkojnë te fallxhorët.” I Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) iu përgjigj: “Mos shkoni tek ata.”  (Muslimi).

 Ky ndëshkim i ashpër është caktuar për shkuarjen tek fallxhorët pasi është hapi i parë në drejtim të besimit te fallxhorët. Në qoftë se dikush shkon atje duke dyshuar se a është i vërtetë tregimi i fatit apo jo, dhe nëqoftëse disa prej thënieve të fallxhorit dalin të vërteta (siç e treguam se bashkëpunojnë me xhin për të kaluarën, ndërsa për të ardhmen vetëm 1/100 mund të dinë), ai me siguri do të bëhet një besimtar i zjarrtë dhe i zellshëm i fallxhorëve. 

 

Besimi te fallxhorët

Islami e cilëson mosbesimtar çdokë që shkon te fallxhori dhe beson se ai di të padukshmen dhe të ardhmen. Ebu Hurejra dhe Hasani trasmetojnë nga i Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) se ai  ka thënë: “Kushdo që i afrohet një fallxhori dhe beson çfarë ai thotë, ka mohuar atë që iu shpall Muhammedit.”  (Ahmedi dhe Ebu Daudi).

 Një besim i tillë i jep krijesave disa prej cilësive të All-llahut në lidhje me dijen e të padukshmes dhe të ardhmes. Pra, ai rrëzon Teuhidin Esma ue Sifat (Njëshmërinë në Emrat dhe Cilësitë e All-llahut) dhe paraqet shirk në këtë aspekt teuhidi. Për analogji, në kufër përfshihet edhe leximi i librave ose shkrimeve të fallxhorëve, dëgjimi i tyre në radio ose shikimi në televizion, sepse këto janë mjetet më të zakonshme me anën e të cilave sot fallxhorët përhapin thëniet e tyre. All-llahu thotë qartë në Kur'an se askush veç Tij nuk e njeh të padukshmen, madje as i Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) All-llahu thotë: “Çelësat e fshehtësisë janë vetëm tek Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di askush veç Tij …” (6:59) .

All-llahu i ka thënë të Dërguarit Muhammed, 'alejhi selam.:“Thuaj: “Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, veç çfarë do All-llahu. Sikur ta dija të fshehtën, do të shumoja për vete të dobishmet e nuk do më prekte gjë e keqe….”” (7:188).

Prandaj të gjitha metodat e ndryshme që përdoren nëpër botë nga fallxhorët ose treguesit e fatit janë të ndaluara (p.sh. parja e filxhanit të kafesë, hedhja e fallit me letra, horoskopi, orakulli etj.sh.p.). All-llahu thotë në Kur’an: “S’ka dyshim se vetëm  All-llahu e di kur do të ndodhë kijameti, Ai e di kur e lëshon shiun. Ai e di se ç’ka në mitra, e veç Tij nuk e di kush çfarë do t’i ndodhë nesër, dhe askush nuk e di, veç Tij, se në ç’vend (ose kohë) do të vdesë. All-llahu është më i Dijshmi, më i Njohuri.” (31:34).

Ne duhet të kemi kujdes me librat, revistat, gazetat apo dhe individët të cilët, në një mënyrë ose në një tjetër, thonë se e dinë të ardhmen ose të padukshmen. P.sh. kur një musliman që merret me parashikimin e motit parashikon shi, borë ose kushte të tjera klimatike për të nesërmen, ai duhet të shtojë shprehjen “Insha All-llah” (në dashtë All-llahu). Gjithashtu, kur mjekja muslimane e informon pacienten e saj se do të lindë një fëmijë në këtë apo atë ditë, ajo duhet të shtojë “Insha All-llah”, sepse këto parashikime janë vetëm vlerësime të bazuara mbi informacion statistikor.

Ebu Emineh Bilal Philips 

 

 

Back