Udhërrëfyes për jetë të lumtur

25/05/2011 20:42


A je i lumtur?

Këtë pyetje duhet t'ia parashtrosh vetvetes.

Mund të jesh njeri që posedon pasuri shumë të madhe, mirëpo të mos jesh i lumtur…domethënë se lumturia nuk qëndron në pasuri.

Mund të kesh famë të madhe, e të mos jesh i lumtur, domethënë se lumturia nuk qëndron te fama.

Mund të kesh raporte të shkëlqyeshme shoqërore, e të mos jesh i lumtur, domethënë se lumturia nuk qëndron në raportet shoqërore.

Mund të kesh familje, të cilët i do dhe të duan, e të mos jesh i lumtur, domethënë se lumturia nuk qëndron te familja.

Mund të shëtitësh gjerë e gjatë dhe në vende të ndryshme, e të mos jesh i lumtur, domethënë se lumturia nuk qëndron në udhëtimet e ndryshme avanturiste.

Mund të kesh pozitë të lartë apo status të rëndësishëm shoqëror e të mos jesh i lumtur, domethënë se lumturia nuk qëndron në pozitë e as status.

Mund të qeshesh dhe bësh shaka shumë, e të mos jesh i lumtur, domethënë se lumturia nuk qëndron në këto veprime…

Pra, çka na qenka lumturia dhe sit a arrijë atë?

Lumturia është ndjenjë shpirtërore kur të bëjmë një vepër fisnike…

Lumturia është fuqi e brendshme që rrezaton në shpirt qetësinë dhe stabilitetin.

Lumturia është përkrahje hyjnore që shpirtit i jep ngazëllim dhe zemërgjerësi.

Lumturia është dëlirësi shpirtërore, pastërti e ndërgjegjes dhe bukuri shpirtërore.

Lumturia është dhuratë dhe begati hyjnore, të cilën ia jep All-llahu atij që Do Ai, si shpërblim për veprat e tyre madhore që i kanë bërë…

Lumturia është ndjenjë e thellë për kënaqësi dhe maturi (kanatë).

Lumturia nuk është mall që ekspozohet në treg, i cili blihet dhe shitet, e blejnë të pasurit dhe privohen nga ai të varfrit, por është mall hyjnor, për të cilin njerëzit flijojnë shpirtin dhe çdo gjë të shtrenjtë për ta fituar atë.

Lumturia është rehati shpirtërore.

Lumturi është të futsh gëzimin në zemrat e tjerëve, të vizatosh buzëqeshjen në fytyrën e tyre, të ndiesh qetësinë kur u ofron ndihmë njerëzve dhe të kënaqesh me lezetin kur je bamirës.

Lumturia qëndron në përmirësimin e mendimit negativ dhe shndërrimin e tij në mendim pozitiv dhe frytdhënës.

Lumturia qëndron në qasjen realiste ndaj gjërave dhe ikja nga shikimi idealist i gjërave.

Lumturia është aftësi për tu ballafaquar me presionet dhe ambientimi me to duke i kontrolluar reaksionet, nervozën dhe ndjenjat.

Lumturia është dija e dobishme dhe veprat e mira.

Lumturia është braktisja e mërisë, zilisë dhe lakmisë së asaj që posedojnë njerëzit.

Lumturia qëndron në përmendjen e All-llahut, falënderimin e tij dhe adhurimin e mirë ndaj Tij.

Lumturia është fitimi i xhennetit dhe shpëtimi nga zjarri, kënaqja me shikimin në fytyrën e ndershme të All-llahut. All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

﴿ وَأَمَّا الَّذِينَ سُعِدُوا فَفِي الْجَنَّةِ خَالِدِينَ فِيهَا مَا دَامَتِ السَّمَاوَاتُ وَالْأَرْضُ إِلَّا مَا شَاءَ رَبُّكَ عَطَاءً غَيْرَ مَجْذُوذٍ ﴾ [هود:108 ].

"E për sa u përket atyre fatmirëve, ata jan në xhennet përgjithmonë, sa të jenë qiejt dhe toka, përveç atë çka do Zoti yt (All-llahu ju dhuron) shpërblim të pakëputur". (Hud: 108). (shiko: "Dugutul-Hajat", fq. 151).

Disa fjalë mbi lumturinë

I lumtur është ai që merr këshilla prej ndodhive të tjerëve, kurse fatzi është ai që të tjerët nga ndodhitë e tij marrin këshillë.

Shtylla e lumturisë është nderi.

Lumturia është të duash atë që punon e jo të punosh atë që do.

I lumtur është ai që merr mësim nga e djeshmja dhe përfiton nga ajo, kurse fatzi është ai që grumbullon për tjerët dhe është koprrac me të mira ndaj vetvetes.

I lumtur është ai që përfiton nga e kaluara, entuzijast në kohën e tashme dhe optimist në për të ardhmen.

Lumturia e njeriut është në ruajtjen e gjuhës.

Nuk mund të arrihet lumturia në jetë përpos se nëse jeton njeriu jetën i lirë dhe i çliruar nga çdo prang e epsheve dhe robëria e pasioneve.

Lumturi është dashuria e flaktë për adhurime, animi i zemrës kah Krijuesi yt dhe prania e zemrës dhe mendjes në adhurime.

Lumturia nuk blihet me pasuri, mirëpo mund ta shesësh me te.

Drejtimi kah All-llahu, kthimi tek Ai, kënaqja me Te, mbushja e zemrës me dashuri ndaj Tij, përmendja e Tij e vazhdueshme, gëzimi dhe lumturia me njohjen e Tij janë shpërblime të shpejta, xhennet dhe jetesë që ase mbretërit nuk mund ta jetojnë.

Shumë njerëz e mendojnë lumturinë në gjëra që ua sjellë vuajtjet.

Mes fatzisisë dhe lumturisë është përkujtimi i fundit të gjërave.

Titulli i lumturisë

Imam Ibën Kajimi, rahimehull-llah, ka përmendur se lumturia mbështete në tre gjëra:

1- Kur ti vijnë begatitë falënderon;

2- Kur ti vijnë sprovat duron;

3- Kur të bëjë mëkat kërkon falje.

Pastaj thotë:

"Këto tre gjëra janë titulli i lumturisë së njeriut, shenja e shpëtimit të tij në dynja dhe ahiret dhe nga këto gjëra asnjëherë nuk largohet njeriu".

Dobitë e lumturisë

1- Lumturia i ofron njeriut rehati shpirtërore dhe dakordim me gjendjen e tij.

2- Lumturia i ofron familjes gëzim, qetësi dhe jetë të këndshme.

3- Lumturia i edukon fëmijët në natyrën pozitive të jetës.

4- Lumturia i ndihmon njeriut që të preokupohet me qëllimet fisnike në vend se të merret me vetveten dhe trupin e tij.

5- Lumturia i ofron trupit homogjenitet të shkëlqyeshëm, kurse kjo shkakton që organet e ndryshme trupit të punojnë si duhet.

6- Lumturia i jep njeriut mundësi që të jetë inovator dhe kreator.

7- Lumturia bëhet shkak që shoqërinë ta përshkon gëzimi, përputhja dhe rezultatet. (shiko: "100 Ide për të arritur lumturinë e vërtetë", dr. Salah Rashid, fq. 21).

(Vazhdon…)

Pjesa e dytë është me titull: " Hapat praktike për arritjen e lumturisë".

 

Përgatiti: Sektori shkencor pran Medarul-Vatan

Përshtati: Bekir Halimi

 


 

Back