Vetëvrasja – anomali që ka zgjidhje

23/05/2011 20:38


Duke qenë indiferent nuk do ta zbehim popullaritetin e kësaj dukurie.

Vetëvrasja! Pëshpëritje më e ftohtë se akulli dhe dramë që e tejkalon shumëfish fjalën vrasje. Këtu elementi i vrasjes merr përmasa aq trishtuese, ndjell aq shumë frikë nga jeta, sa të lë përshtypjen se ata që vrapojnë drejt kësaj vepre i kanë ngarkuar mendjet e tyre me të gjitha fatkeqësitë e botës. Toka e Allahut të Madhërishëm është shumë e gjerë, me mrekulli të panumërta, madje me rrugë të shumëllojshme njerëzore. Megjithatë aty ka ide të kundërta me krijimin e Zotit Mëshirues dhe kemi të tillë që zgjedhin formën më të vrazhdë të dhunës. Madje atë të dhunës ndaj vetvetes. Kjo dhunë reflekton “kujdesin” më të mbrapshtë që njeriu ka ndaj vetes. Duke mos qenë në gjendje për t’u përballur me jetën, rrethin social e kulturor, persona të caktuar dorëzohen dhe marrin vendimin më të keq, atë të vrasjes së jetës së tyre.

Litarë të shtrënguar në fyt, kimikate, hedhje nga katet e larta të ndërtesave etj., janë vetëm disa nga risitë që po ndodhin në Kosovën e pasluftës. Ndoshta, e përsëris ndoshta të tilla raste ka pasur edhe më herët, por besoj se prej të gjithëve është fakt i pranueshëm, se vetëm pas luftës shifrat e kësaj dukurie janë rritur aq shumë sa për të alarmuar shoqërinë. Gjatë gjashtëmujorit të vitit 2009, sipas raportit të policisë janë shënuar rreth 37 raste vetëvrasjesh. Mjafton kjo shifër për t’u zgjuar dhe të përpiqemi ta ndalim këtë makineri mendimesh, që sjell vendime fatale. Pak vite më parë i mbijetuam dhunës dhe barbarisë sllave, por edhe në një gjendje të tillë fenomeni i vetëvrasjes as që ishte temë diskutimi. E sot?! A është jeta kaq e zymtë sa ishte në kohën e pushtimit?! Sigurisht që jo.

Duke qenë indiferent nuk do ta zbehim popullaritetin e kësaj dukurie.

Fenomeni vetëvrasje është popullor në shumë vende të botës, madje edhe në ato me standarde mjaft të zhvilluara ekonomike dhe sociale. Përmes teknologjisë informative shohim se kjo dukuri nuk ka prekur vetëm të varfrit, të cilët duke shpresuar që të largohen nga jeta e vështirë marrin këtë vendim, por vetëvrasja ka prekur shumë njerëz të klasave të ndryshme shoqërore. Kështu, në këtë mes kemi të varfër, të pasur, intelektualë e analfabetë, politikanë e biznesmenë, madje, familjarë presidentësh dhe udhëheqës me peshë në sferën ndërkombëtare. Edhe tek ne në Kosovë kjo sëmundje e urryer për çdo vit po na rri aktive, si një njollë e turpshme që e ngarkon më tej barrën e rëndë të fenomeneve negative të shoqërisë sonë. Herë me vrull e herë me qetësi tinëzare, e paparashikueshme si gjithnjë, kjo dukuri po godet pa pyetur institucione dhe grupe shoqërore për ta gjykuar. Ende jemi indiferent ndaj saj dhe ende, si për shumëçka tjetër kemi vetëm fjalë boshe.

Le t’i pyesim një herë vetët tona: A mund ta ndalim këtë dukuri, apo duhet të mjaftohemi me dhënien e ngushëllimeve familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre nga kjo?! Në shkolla, medie dhe institucione të tjera publike ka pasur shumë iniciativa për t’ua mësuar nxënësve dhe qytetarëve të tjerë (kryesisht të moshës rinore) përdorimin e prezervativëve në emër të mbrojtjes nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, por për çudi mungon iniciativa për t’u mësuar atyre se cilat janë rrugët që çojnë në infektimin me mendimin për vetëvrasje dhe cilat janë metodat për t’i dhënë perspektivë jetës, edhe nëse përballemi me sprova të vështira. Si mësimdhënës i shkollës së mesme, ndoshta i shtyrë nga puna e përditshme me gjimnazistë, mendoj se pikërisht në shkollë mund të “injektohet” një ilaç shumë i suksesshëm i kësaj sëmundjeje. Unë dhe kolegët e mi, që të gjithë me shqetësim të madh kemi përjetuar lajme për vetëvrasjet nga mesi i nxënësve të shkollës ku jap mësim (nuk e shoh të arsyeshme të jap këtu detaje të hollësishme për hir të mirëkuptimit njerëzor), por asnjëri nga ne nuk dha ndonjë kontribut të veçantë që një gjë e tillë të mos përsëritet më. E sa për institucionet vështirë se edhe për disa vite mund të pritet që të bëjnë diçka.

 

Shërimi i vetëvrasjes ekziston në mesin e popullit tonë

 

Përderisa ky fenomen ka depërtuar në shumë shtresa shoqërore, si sëmundje e shumë vendeve dhe e shumë qytetërimeve, mendoj se është plotësisht e arsyeshme për të kërkuar ndonjë vend, ndonjë grup shoqëror në të cilin ky fenomen e ka lënë të painfektuar. Këtu shtroj pyetjen: A kemi ndonjë institucion rregullues që këtë fenomen shkatërrues e ka larguar nga frekuentuesit e vet? Dhe me plot përgjegjësi përgjigjem: PO. Dhe përgjigjes sime ia shtoj edhe ftesën e verifikimit se sa është e vërtetë kjo gjë. Me po-në time, natyrisht se nuk dua ta luaj rolin e një heroi zbulimesh. Jo, sepse një zbulim i tillë ekziston në mesin tonë, qëkurse populli ynë e ka përqafuar fenë e Allahut Fuqiplotë. Gjendet në mesin tonë dhe gjendet tek ne. Por jo të gjithë shërohen me të. I Dërguari i Allahut, Muhamedi duke na treguar qëllimin e mesazhit të tij ka thënë: “Në të vërtetë, jam dërguar që të plotësoj moralet e larta.” Ndërsa bashkëshortja e të Dërguarit, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me te), kur e pyeti dikush për moralin e Pejgamberit, ajo ishte përgjigjur: “Morali i Pejgamberit ishte Kurani”. Pas këtyre fjalëve vjen argumenti i përgjigjes sime. Në atë vend ku mësohen moralet e larta jetësore, të vjela nga Kurani Famëlartë dhe merret shembulli i njeriut më të mirë nga sipërfaqja e tokës, Pejgamberi Muhamed, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, pikërisht aty nuk ekziston fenomeni i vetëvrasjes. Për t’u bindur të gjithë mjafton që të bëhet një hulumtim i njerëzve që frekuentojnë xhamitë tona, këtu në Kosovë, atëherë do të bindemi se morali dhe mësimi që kanë marrë aty, pothuajse e ka çrrënjosur plotësisht fenomenin e vetëvrasjes për frekuentuesit e vet. Në anën tjetër, ata që e kanë bërë një akt të tillë (vetëvrasjen), vështirë se në mesin e tyre do të gjendet qoftë edhe vetëm një, që ka qenë frekuentues i rregullt i xhamive.

Tek ne, si popull me shumicë muslimane ende mbetet i habitshëm fakti se përse duhet të hezitojmë që Kurani Famëlartë të jetë ndikues në zemrat dhe sjelljet tona. Përse të mos e ftojmë që të na ndryshojë gjendjen tonë. Përse përderisa është diagnostikim perfekt dhe zgjidhje që të çon menjëherë në shërim. E megjithatë refuzohet. Edhe pse jemi muslimanë, ende nuk i përdorim parimet e fesë sonë për t’i larguar të këqijat, që vijnë nga tundimet e ndryshme jetësore. Me një fjalë, për ta përsosur moralin e sjelljeve tona dhe për të ndihmuar të gjithë ata që e kërkojnë këtë.

Derisa fenomeni vetëvrasje po përhapet edhe nëpër shkolla, unë mendoj se është nevojë urgjente që më së pari të kemi kurajën t’i pranojmë rezultatet e fesë sonë në këtë aspekt. Në xhami shohim shumë nxënës, studentë, të diplomuar dhe qytetarë të ndryshëm, që kur diskutojnë për fenomenin e vetëvrasjes, ata shprehin vetëm keqardhje për viktimat dhe asnjëherë nuk e pranojnë këtë akt si pjesë të tyre. Kjo vjen thjesht, sepse ata marrin njohuri të tjera për moralin e sjelljes dhe respektit ndaj jetës. Marrin njohuri mbi sprovat dhe vështirësitë e ndryshme që paraqiten në jetën e një njeriu dhe po ashtu mësojnë edhe për mekanizmat e përballimit të tyre, duke e mohuar plotësisht ikjen nga sprova me anë të vetëvrasjes. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: "E çuditshme është çështja e besimtarit. Çështja e tij është krejt mirë për të dhe nuk është e tillë për askënd tjetër. Nëse besimtarin e godet gëzimi, ai falënderon (Allahun), e kjo i sjell dobi, kurse nëse e godet e keqja, ai bën durim (sabër), por edhe kjo i sjell dobi (shpërblim)". Nga ky shembull, që na e ka dhënë njeriu më i mirë, marrim një model të mrekullueshëm jetese, se si duhet t’i kthejmë sprovat dhe fatkeqësitë në përfitime dhe privilegje. Duke u pajtuar me situatën momentale, që mund të jetë e pafavorshme dhe duke shpresuar me durim në mëshirën e Zotit, Mëshiruesit, besimtari i sinqertë thjesht e gjen paqen, edhe në varfëri, edhe në mungesën e perspektivës momentale, sepse ai e di që të gjitha mirësitë dhe fatkeqësitë e kësaj bote janë momentale dhe janë sprovë e vazhdueshme ndaj tij. Përpjekja për t’i zgjidhur problemet përmes vetëvrasjes, natyrisht është gjithmonë e dështuar. E, në këtë dështim, besimtari fetarisht e ka të ndaluar të ecë, sepse ai përveç të tjerash ndien frikërespekt ndaj Krijuesit të jetës.

Gjithashtu nxënësit që falin namazin, që edukohen me disiplinë fetare, u bëjnë ballë edhe sfidave të propaganduesve të prezervativëve, të cilët mjerisht e kanë gjetur terrenin edhe në shkolla. Këta nxënës e dinë që kjo propagandë, që bëhet në emër të shëndetit dhe shtatzënisë së padëshirueshme, hap varrin tjetër – atë të marrëdhënieve jolegjitime seksuale. Pra, të jetës së shfrenuar në liri të plotë me intimitete me këdo. Akoma injorohet fakti se seksi jomartesor është njëri nga burimet që shumë njerëz i ka çuar në vetëvrasje, alkoolizim dhe drogë (edhe këto dy të fundit, fenomene po ashtu të dëmshme për shëndetin). Këshilla për prezervativët, nëse do të ishte e nevojshme do të duhej të vlente vetëm për të martuarit dhe jo të përhapen informacione se kjo e mbron shëndetin. Në bazë të këtij konteksti, atëherë pyes: Çfarë shëndeti mund të ketë një nxënës, nëse ne e zhveshim nga shëndeti shpirtëror dhe i mësojmë jetën e shfrenuar të marrëdhënieve jashtëmartesore me prezervativë?!... Ku është mbrojtja e nderit dhe e dinjitetit, që jo rrallë herë humbja e tyre të drejton në rrugën e vetëvrasjes.

 

Lënda fetare në shkolla domosdo jep dituri për ta ndërtuar jetën

 

Mësim-besimi fetar në shkolla, lëndë kjo që padrejtësisht pengohet të funksionalizohet nga politika, do të ishte një mundësi e mirë për nxënësit, që në të ardhmen do të jenë edukues të brezave të rinj, të merrnin disa nga njohuritë që sot për sot ata i marrin në rrugë të ndryshme, përmes literaturës, miqve, xhamive etj. Mungesa e kësaj lënde çdo ditë e më shumë po kthehet në një lloj dëmtimi kolektiv shoqëror. Kjo neglizhencë e bërë qëllimisht për ta zbehur mësimin dhe vlerën e madhe që bart Feja Islame, po na i dëmton vlerat themelore të së drejtës për t’i dhënë fëmijëve tanë dituritë bashkëkohore dhe njohuritë mbi religjionin. Sot, nuk mund të gjejmë shoqëri demokratike, që në shkollat e tyre nuk e kanë mësimin fetar. Feja është mjeti më i thjeshtë për ta ndaluar dukurinë e vetëvrasjes, pa mohuar këtu edhe shkencat e tjera psikologjike –shëndetësore. Kushdo që e ka të vështirë të bindet për suksesin e fesë në këtë drejtim mund t’i hulumtojë shumë lehtë dhe t’i pyesë besimtarët, të cilët kanë përvetësuar dije fetare, se përse ata nuk blejnë litar apo kimikate për ta vrarë veten!? Përgjigja do të jetë kjo: Aty ku është Feja Islame, aty është edhe modeli i mrekullueshëm që përsos sjelljen. Natyrshëm që në sjelljen e përsosur vetëvrasja del jashtë protokollit. Në të kundërtën, nëse e lëmë jashtë jetëve tona fenë, atëherë, debatet televizive, seminaret, konferencat shkencore do të prodhojnë vetëm fjalë mbi këtë temë.

 

Imer Pantina

revista Albislam nr. 74

 

Back