ZGJEDHJA E PROFESIONIT

25/05/2011 20:40


“Të nderuar nxënës dhe studentë, bëni çmos që të regjistroheni në fakultet dhe shkollat përkatëse dhe në përputhshmëri me prirjet dhe aftësit tuaja”
Gjatë këtyre ditëve shohim shumë nxënës dhe studentë që ua kanë mësyrë për herë të parë dyerve të shkollave dhe fakulteteve për t`u regjistruar në to, për ta zgjedhur shkollën apo fakultetin i cili u pëlqen, apo në të cilin kanë prirje.
Pra, thanë ndryshe, për t`u përcaktuar se në cilin drejtim duan të orientohen e që më vonë edhe të specializohen. Kjo fillimisht është krejt në rregull dhe për këtë kujdes falënderohen të gjithë ata studentë, gjegjësisht nxënës së bashku me ata që kontribuojnë në këtë drejtim. Por ajo çka deshta ta prek me këta pak rreshta në këtë rast, janë dy gjëra: zbulimii aftësive, gjegjësisht prirjes që e ka nxënësi apo studenti dhe nën dy: mundësitë e ndjekjes apo regjistrimit në atë shkollë gjegjësisht fakultet në të cilin i përshtatet aftësive dhe prirjes së nxënësit apo studentit që e ka.

Për derisa po mendoja për pikën e parë m`u kujtua një hadith I Profetit a.s., i cili ka të bëjë drejtpërsëdrejti me të, ku thotë: “Secilit njeri nga ju i është lehtësuar ajo për çka është krijuar për të” . Çka do të thotë se secili nga ne është krijuar për diç, por duhet të përpiqemi të gjejmë atë për çka është krijuar për të, e që ajo në këtë rast quhet prirje. Pra, Allahu I Madhëruar secilit nga ne i ka dhënë aftësi për diç, çka si ka dhënë për diç tjetër, p.sh. dikush ka prirje për oratori, tjetri për matematikë, tjetri për letërsi, tjetri për biznes, tjetri për mjekësi, tjetri për politikë etj. Mirëpo, të gjithë këta, nëse u ndërrohet profesioni, dështojnë, ngase nuk kanë prirje, thënë ndryshe, nuk e gjejnë veten.


Për atë arsye populli këtë çështje e thotë ndryshe: “Dhana e Zotit”, e që në realitet është ajo prirje për të cilën i ka krijuar Allahu njerëzit. Mirëpo, mbetet teper me rëndësi zbulimi i asaj prirje, , gjegjësisht aftësive të individit. Ky është një problem psikologjik me të cilin merren shumë psikologë gjithandej botës, në veçanti me nxënësit e shkollave fillore për t`i zbuluar aftësitë e secilit nxënës, më pastaj për t`i orientuar në shkollat përkatëse. Këtë çështje shtetet e zhvilluara e kanë mjaft të zhvilluar, për atë arsye edhe ecin para sepse secili e gjen veten në vend të duhur, dhe lirisht mund të konstatojmë se një nga shkaqet e zhvillimit dhe përparimit të shteteve të tyre është kjo çështje.


Ndërsa në vendin tonë si dhe në shumë vende të tjera të varfra nuk nuk shtjellohet ky problem psikologjik, nuk punohet sa duhet që të zbulohen aftësitë dhe prirjet e nxënësve gjatë periudhës filloriste, gjë që nganjëherë plaket i shkreti dhe nuk mund ta gjejë veten askund, nga se nuk ka mundur t`i zbulojë prirjet e tij, në mungesë të ndihmësve, apo për ndonjë arsye tjetër dhe, gjithashtu, në mungesë të ndjekjes së shkollimit profesional që i përputhet me prirjet e tij. Mirëpo dëshira për shkollim dhe nevoja për të fituar aftësi profesionale e shtyn nxënësin t`i trokasë dyert e disa shkollave apo fakulteteve me radhë derisa t`i jepet mundësia të pranohet, ani pse pa dëshirën e tij, apo me papërputhshmërinë dhe përshtatshmërinë me aftësitë dhe prirjet e tij.


Një gjë e tillë shkakton mossukses në shkollim, profesionalizëm dhe më pas mosndikim të mjaftueshëm në ndërtimin e vendit. Për këtë arsye gjejmë jo pak studentë të cilët fillojnë studimet e i ndërpresin, ngase nuk kanë mundur ta gjejnë veten sepse, siç cekën hadithi, “nuk janë krijuar për to”, ose edhe më e keqja, ata disi me vështirësi i përfundojnë ato studime, mirëpo dalin shumë të dobët, të pasuksesshëm e të dështuar dhe më pas, në vend se ta çojnë shtetin dhe shoqërinë para, ata veçse e kthejnë pas, e më pas, vijmë te fjala e urtë e popullit “mjeku i keq ta prish shëndetin dhe mjeshtri i keq ta prish shtëpinë”.


Të nderuar lexues, qytetarë të ndershëm, më falni, por mua kjo çështje më shqetëson mjaft dhe mendoj se seriozisht duhet t`i qasemi të bijve dhe bijave tona t`ua zbulojmë prirjet që i kanë dhe më pas të punojnë, t`i orientojmë drejtë shkollave përkatëse, në mënyrë që t`i zhvillojmë ato prirje dhe aftësi, e, padyshim, se dobia dhe kontributi i tyre do të derdhen në vendin dhe shoqërinë tonë. Mendoj se kjo është një rrugë e rëndësishme që duhet ndjekur të gjithë së bashku për ndërtimin e vendit, e që veç e paska shtjelluar islami para 1400 vjetësh.


Prandaj, të nderuar nxënës dhe studentë, bëni çmos që të regjistroheni në fakultetet dhe shkollat përkatëse dhe në përputhshmëri me prirjet dhe aftësitë tuaja, pasi t`i keni zbuluar ato aftësi, se, përndryshe, keni për t`u munduar e lodhur gjatë dhe shumë, por pak keni për të vyer e kontribuar.


Allahu na ndihmoftë të gjithëve në çdo punë të hairit dhe të mbarë! Amin! Deri në javën e ardhshme me një temë tjetër. Selam alejkum ve rahmetullah!





Epoka e Re

Dr.Shefqet Krasniqi

 

Back