Koncepti i edukates seksuale ne islam

27/05/2011 19:38


Edukata seksuale në islam

Falenderimet më të sinqerta i përkasin Zotit të madhëruar, paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi profetit Muhamed a.s, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.
Në këtë temë, do të fokusohemi mbi një çështje tejet të rëndësishme që i përket edukimit të fëmijëve, madje edhe edukimit të secilit prej nesh. Në këtë temë, do të flasim mbi kulturën dhe edukatën seksuale.
Unë jam i ndërgjegjshëm që një dosje e tillë, zakonisht rrethohet nga barriera të kuqe dhe vetëm rrallë herë ajo hapet nga mediat vizive dhe të shkruara.
Mendoj se kjo ndodh për shkak të edukatës që kemi marrë që në vegjëli, edukatë të cilën disa e etiketojnë si kultura e turpit. Gjë e cila të bën të kuptosh që çështjet seksuale nuk ka përse të hapen dhe të diskutohen në publik.
Por, në kohën që jetojmë, me zhvillimin teknologjik dhe përhapjen e mjeteve të telekomunikacionit, një çështje e tillë ka marrë përmasa të frikshme.
Duke qenë përballë një realiteti të tillë, ne menduam që t’a hapim një dosje të tillë dhe t’a shtjellojmë nën hijen e parimeve fetare dhe morale.
Përsa i përket çështjeve dhe edukatës seksuale, njerëzit kategorizohen në tre grupe:

1 – Në grupin e parë bëjnë pjesë konservatorët. Njerëzit që i përkasin këtij grupi, janë atë që në fakt dëshirojnë të trajtohen tema të tilla, madje të trajtohen në mënyrë të hollësishme, por duke përdorur shprehje jo të drejtpërdrejta. Ky grup, nuk e parapëlqejnë çiltërsinë dhe të shprehurit me terma të drejtpërdrejtë në këtë fushë.


2 – Në grupin e dytë bëjnë pjesë ata që i refuzojnë kategorikisht tema dhe çështje të tilla. Ata e konsiderojnë gabim trajtimin e këtyre çështjeve, sidomos nga mediat vizive, të cilat ndiqen nga një numër i madh teleshikuesish të moshave të ndryshme. Këta njerëz, mendojnë se temat mbi edukatën seksuale nuk duhen të bëhen objekt diskutimi dhe shtjellimi sidomos nga mediat vizive. Sipas tyre, njerëzit që kanë nevojë të pyesin ose t’i shtojnë njohuritë e tyre në këtë fushë, duhet t’a bëjnë duke u kontaktuar me ekspertë ose dijetarë. Një kulturë dhe edukatë e tillë, nuk ka përse të përhapet tek shtresat e gjera.


3 – Kurse në grupin e tretë bëjnë pjesë përkrahësit e sensibilizimit të masave me edukatën seksuale. Madje, këta e përkrahin edhe idenë e trajtimit të çështjeve seksuale në formë plotësisht të hapur me gjithë guximin dhe kurajon e duhur. Duke qenë se po përjetojmë fushata të shumta degjenerimi sidomos të rinisë, ne kemi nevojë që kulturën seksuale t’a përhapim në çdo shtëpi.


Duke qenë se unë po e hap një dosje të tillë, jam i ndërgjegjshëm që do të bëhem objekt sulmesh dhe kritikash nga të tre grupet e mësipërme. Konservatorët e grupit të parë do të vërejnë ndonjëherë çiltërisinë dhe shprehje të drejtpërdrejta, gjë e cila nuk do i pëlqejë.

Grupi i dytë e shohin këtë temë si si shkelje të vijave të kuqe. Ndërkohë që përkrahësit, do të vërejnë njëfarë ndrojtjeje dhe rezerve në disa pika, gjë që nuk i përshtatet formimit dhe aspiratave të tij. Ai do të dëshironte që trajtimi i temave të tilla të bëhej më me kurajë dhe më i drejtpërdrejtë.
Me qëllim që unë të ndjek një rrugë të mesme, unë do i përmbahem traditës së profetit Muhamed a.s.
Kushdo që lexon Kuranin, traditën profetike dhe çështjet e jurisprudencës islame, do të gjejë që edukata dhe kultura seksuale zënë një pjesë të rëndësishme. Profeti Muhamed a.s nuk e ka konsideruar të turpshme diskutimin dhe trajtimin e çështjeve të tilla, përderisa çështje të tilla shihen si mundësi e shtimit të njohurive dhe arsimimit.
Shpesh herë shoqëritë tona vuajnë nga sëmundja e turpit. Shumë njerëzve u vjen turp dhe zor që të pyesin mbi çështje që kanë të bëjnë me jetën e tyre seksuale. Unë nuk e quaj turp dhe ndrojtje diçka të tillë, por e konsideroj si sëmundje. Ajo që ma përforcon këtë ide, është se po të studiojmë tekstet e Kuranit dhe sidomos hadithet e Profetit a.s, do të gjejmë që Profeti a.s e konsideronte turpin si një vlerë, megjithatë ai fliste dhe i trajtonte problemet dhe çështjet seksuale.

Tregon Ebu Hurejre, se Profeti a.s kaloi pranë një banori të Medines, i cili ishte duke e këshilluar të vëllanë mbi ndjenjën e turpit, të cilën ai e kishte të theksuar.

Profeti a.s ndërhyri dhe i tha:”Lëre, pasi turpi është pjesë e besimit.”
Pyetja që lind është:”Nëse ne flasim mbi edukatën seksuale, mos vallë po bëjmë një veprim të pahijshëm dhe të turpshëm?”
Një pyetje të tillë i përgjigjet vetë i dërguari i Zotit a.s.
Tregon Thabit El-inanij:”Ndodhesha tek Enesi, përbri të cilit ishte ulur vajza e tij. Enesi më tregoi se një grua kishte vajtur tek i dërguari i Zotit a.s dhe i kishte propozuar për martesë. Ajo iu drejtua Profetit a.s me fjalët:”O i dërguar i Zotit, a ke nevojë për mua?” Me këtë shprehje, ajo i propozonte të martohej me të. Diçka e tillë, konsiderohet dhe hyn tek edukata seksuale.
Vajza e Enesit, që e dëgjonte këtë ndërhyri dhe tha:”Sa e paturshpshme paska qenë kjo grua! Ah çfarë paturpësie!”
Babai i saj, Enesi i tha:”Ajo grua është më e mirë se ti. Ajo deshi të martohej me Profetin a.s dhe i propozoi për këtë.”
Kështu, shohim që Enesi nuk e shikon si diçka të turpshme dhe të pahijshme, nëse një grua i propozon një burri për martesë. Kjo ishte edukata me të cilën ishin dukuar në shkollën e të dërguarit të Zotit a.s.
Tregon Ali ibnu Ebi Talibi:”Kam vuajtur nga sekrecionet e shumta (të penisit) dhe më vinte turp dhe zor që t’a pyes të dërguarin e Zotit a.s mbi këtë problem.”
Në këtë rast, Aliut nuk i vinte zor dhe turp se do të interesohej mbi diçka që ka të bëjë me seksin. Turpi këtu ka të bëjë me faktin se Profeti a.s ishte babai i bashkëshortes së tij.
Në një transmetim tjetër, Aliu thotë:” :”Kam vuajtur nga sekrecionet e shumta (të penisit) dhe më vinte turp dhe zor që t’a pyes të dërguarin e Zotit a.s mbi këtë problem, për shkak të lidhjeve që ai kishte me Fatimen. Kështu, e urdhërova Mikdad ibnul Esved (shokun e tij) që t’a pyesë Profetin a.s mbi këtë çështje. Profeti a.s iu përgjigj:”Në rast sekrecionesh të tilla, mjafton të merret abdes i ri.” Këtë e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
Kështu, ne duhet t’a ndajmë turpin si vlerë nga turpi i sëmurë dhe ndrojtja e tepruar.
Kryeredaktori i faqes elektronike të njohur www.islamonline.net, më ka treguar se me të hapur rubrikën e pyetjeve dhe përgjigjeve edukative, mbi 90 % e pyetjeve kishin të bëjnë me edukatën dhe problemet seksuale.
Të njëjtin problem konstaton dhe kryeredaktori i faqes zyrtare të universitetit të Ez-herit, i cili thotë:”Mbi 70 % të pyetjeve dhe konsulencave që na vijnë, kanë përmbajtje dhe tematikë seksuale.”
Kjo tregon dhe një herë nevojën tonë për kulturën dhe edukatën seksuale. Ne jetojmë në një botë të rrethuar nga faktorë joshës seksualë, jemi të rrethuar nga revista, faqe interneti, kanale satelitorë etj... të cilët përpiqen të përcjellin dhe përçojnë tek frekuentuesit edukatën dhe kulturën e tyre seksuale dhe degjeneruese.
Ndërkohë që ne muslimanët posedojmë një trashëgimi kulturore dhe edukatë seksuale shumë pozitive, por që nuk po ndërmarrim asnjë hap për t’a përhapur atë dhe për t’ua përçuar të tjerëve.
Të gjendur përballë një realiteti të tillë, ku mendoni se do të shkojnë të marrin informacionin e duhur të rinjtë dhe të rejat? Si do i shtojnë njohuritë e tyre në këtë fushë? Ku do e shuajnë kureshtjen, por dhe nevojën e tyre?
Nëse babai e shikon edukatën seksuale si edukatë të turpshme dhe të pahijshme, nëse nëna e sheh të pamundur të flasë mbi një temë të cilën e ka parë gjithmonë si tabu, nuk flasin dhe nuk i edukojnë fëmijët e tyre, vallë ku do të drejtohen për t’a marrë këtë edukatë fëmijët? A nuk është ky një problem i madh me të cilin përballen shoqëritë tona? Me këtë qëndrim tonin, ne i shtyjmë dhe nxisim të rinjtë dhe të rejat tona, që të informohen nga burime të dyshimta dhe denigruese. Kështu, të rinjtë e marrin informacionin e duhur nga shkolla, shoqëria ose mjetet e telekomunikacionit. Shpesh herë ndodh që informacionet që merr nga këto institucione të jenë të gabuara, ose përcillen në rrugë të gabuar, duke shkaktuar tek të rinjtë devijacione dhe bindje të gabuara.
Kështuqë kultura ose edukata seksuale është e domosdoshme për t’u diskutuar. Ajo është një dosje e cila patjetër që duhet hapur dhe të flasim hollësisht rreth saj, me qëllim që të rinjtë dhe të rejat të marrin informacionin e duhur dhe në mënyrën e duhur.
Padyshim që në këtë temë ne nuk do të merrem me detaje të hollësishme, por do të trajtojmë disa çështje në vija të përgjithshme. Këto çështje i kemi përzgjedhur duke u mbështetur në përvojën tonë si konsulent të problemeve edukative dhe shoqërore, të punës që kam bërë si gjykatës i çështjeve familjare, si kryeredaktor i revistës “Alfarha” e cila trajton kryesisht probleme bashkëshortore, si kryeredaktor i revistës “Fëmija im” dhe problemeve edukative që trajtohen aty, gjithashtu dhe të shumë programeve të shumta që kemi prezantuar në televizione.
Në një program që kam prezantuar në televizionin ART, ku tema ishte rreth edukatës seksuale, më kujtohet që numri i telefonatave i kaloi shtatëqind. Ndërkohë, që një program direkt (live) pret nga njëzet deri dyzet telefonata. Nëse tema që trajtohet është e rëndësishme, numri i telefonatave mund të arrijë deri në njëqind apo dyqind telefonata. Nëse tema është e një rëndësie të veçantë, telefonatat mund të arrijnë në katërqind telefonata brenda një programi. Kurse ne kemi pranuar mbi shtatëqind telefonata, brenda një emisioni të vetëm, me tematikë edukatën seksuale.
A nuk është ky fakt tregues i etjes së rinisë muslimane për të marrë informacionin e duhur në këtë fushë.

 

 

 

Back