Ndikimi psikofizik i lutjes Kuranore në shëndetin e njeriut

07/06/2011 21:36


 

Allahu i madhërishëm në Kuranin famëmadh urdhëron e thotë:
“E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.”
(El - Bekare, 186)

Si dhe:
“Zoti juaj ka thënë: "Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në xhehennem.”
(Gafir, 60)
Duke shpalosur Kuranin fisnik do të hasim në shumë lutje madhështore të cilat na i mëson Allahu i madhërishëm. Secila prej këtyre lutjeve paraqet një burim të bukurisë, elokuencës, madhështisë, e mbi të gjitha qetësisë, harmonisë si dhe ndikim të thellë në psikën, zemrën dhe organizmin e njeriut në përgjithësi.
Allahu i madhërishëm na mëson se edhe profetët e nderuar në momentet më të vështira i drejtoheshin Allahut me lutje të sinqertë që buronte nga zemra.
Përkujtojmë lutjen e Zekeriasë a.s.:
“Tha: "Zoti im! Vërtet, mua më janë dobësuar eshtrat, më janë përhapur thinjat në kokën time, e me lutjen time ndaj Teje o Zoti im, asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar.”
(Merjem, 4)
Pra, në momentet kur çdo gjë dukej e humbur, larg dhe pashpresë, pejgamberi i moshuar me shpirt e me zemër në vetmi i drejtohet Allahut të Gjithëmëshirshëm për t’i falë djalë:
“(Përkujto) Edhe Zekirijain kur e luti Zotin e vet: "Zoti im, mos më lë të vetmuar se Ti je më i miri trashëgues (pas çdokujt).”
(El - Enbija, 89)

Poashtu, Ejjubi a.s. siç tregon Kurani fisnik:
“(Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: "Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit!"
Ne iu përgjigjëm atij nga mëshira Jonë, ia hoqëm ato vështirësi që i kishte, i dhamë familjen e tij dhe aq sa ishin ata, dhe e bëmë përkujtim për të devotshmit.”
(El - Enbija, 83-84)
Në thellësitë e detit në errësirën e barkut të peshkut, u dëgjua zëri i sinqertë dhe plot dhembshuri i Junusit a.s.:
“(Përkujto) Edhe atë të peshkut (Junusin) kur doli i hidhëruar (prej popullit) dhe mendoi se nuk do t'i vijë më puna ngushtë, po në errësira ai tha se: "Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejt vetes!"
Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.”
(El - Enbija, 87-88)
Ja, para nesh shpaloset tregimi i Musait a.s. kur nuk kishte asgjë pos shkopit të tij në momentet më të vështira i drejtuar kah tirani më i madh i kohës, Faraoni, me lutje që buron nga zemra, plot bindje e sinqeritet:
“Ai (Musai) tha: "Ma zgjero (më ndihmo) gjoksin tim!
Dhe më lehtëso në këtë punë timen!
Ma zgjidh nyjen e gjuhës sime!
Që ta kuptojnë fjalën time!
Më cakto një ndihmëtar nga familja ime,
Harunin, vëllain tim,
Që me të të ma forcosh fuqinë time,
Bëma shok atë në punën time,
Në mënyrë që të madhërojmë Ty më shumë,
Dhe të përkujtojmë Ty shpesh.
Vërtet, Ti je Ai që na sheh dhe na i di punët.”
(Ta Ha, 25-35)

Gjatë lutjes personi përjeton shpresën, dashurinë dhe qetësinë shpirtërore. Kjo forcon funksionet e tij fizike dhe psikike, freskon zemrën, dhe në këtë mënyrë mënjanon sëmundjen.
Brenga është një gjendje e rëndë shpirtërore e cila formohet te njeriu në momentin kur ndodhet para një problemi të madh, të cilin mendon se nuk mund t’a zgjidhë. Kjo njëherësh është faza e parë e tronditjes psiqike që ndikon në strukturën e personalitetit.
Borxhi shkakton një gjendje të tendosur psikofizike tek njeriu. Nuk ka brengosje më të madhe për njeriun se borxhi, sepse nuk e lë të qetë as ditë as natë.
Tregohet se një herë Muhammedi, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, në xhami kishte takuar një njeri të quajtur Ebu Umame.
- Prej nga ti në xhami, pasi ende nuk është koha e namazit? - e pyeti Muhammedi, a.s.
- Më kanë kapluar brengat dhe borxhet, – u përgjigj Ebu Umame.
- A dëshiron të t’i mësojë disa fjalë, të cilat, kur t’i shqiptosh, do të të shpëtojnë nga brenga dhe t’i paguash borxhet tua? - e pyeti Muhammedi, a.s.
- Dëshiroj, o i Dërguari i Zotit, - tha Ebu Umame.
- Kur të zgjohesh dhe kur të biesh, thuaj:
“O Zot, po të lutem (të më mbrosh) nga brenga dhe pikëllimi, nga pamundësia dhe përtacia, nga koprracia dhe frika, nga ajo që të më pushtojë borxhi dhe të më mbisundojnë njerëzit!”

Ebu Umame më tutje rrëfen:
“Unë e thoja këtë dhe Zoti më shpëtoi nga brenga dhe lava borxhin.”
Nga rrëfimi i lartpërmendur kuptohet se Muhammedi, a.s., e udhëzoi Ebu Umamen t’i thotë fjalët e përmendura si lutje të sinqertë drejtuar Zotit të Madhërishëm, për ta lehtësuar dhe liruar nga brenga dhe borxhi. Duhet theksuar se lutjet e Muhammedit, a.s., nuk janë vetëm lutje të rëndomta, por në to shprehet realiteti, thelbi i jetës dhe rruga e përkryerjes njerëzore.
Andaj, lutjet e të Dërguarit të Zotit duhet kuptuar, analizuar me themel, duke medituar rreth përmbajtjes së tyre dhe njëherit duke vepruar dhe jetuar sipas tyre.
Konkretisht, nëse analizojmë me vëmendje, Muhammedi, a.s., nuk e ka mësuar kot njeriun e zhytur në borxhe që t’i lutet Zotit të Gjithëfuqishëm për ta ruajtur nga përtacia dhe pasiviteti. Me këtë Muhammedi, a.s., tërheq vërejtjen se njeriu shpëton prej borxheve, brengave dhe peripetive jetësore me punë të vrullshme, të ndershme e të palodhshme dhe duke iu drejtuar Zotit të Gjithëmëshirshëm për ndihmë të vijueshme.
Nga thënia e cituar e Muhammedit, a.s., e cila është tejet aktuale në kohën tonë, kur shumica e njerëzve janë të zhytur në brenga dhe borxhe, kuptohet se në radhë të parë duhet t’i drejtohemi Zotit të Madhërishëm me lutje të sinqertë, që buron nga zemra dhe shpirti, për të na shpëtuar nga brenga dhe dëshpërimi.
Dëshpërimi apo mërzia është faza e dytë e brengës. Është gjendje më e rëndë shpirtërore, me efekte të dukshme në sferën psiqike.
Dëshpërimi, nëse nuk parandalohet, mund ta kaplojë tërësisht njeriun, duke shkaktuar tek ai depresion të thellë psiqik dhe duke paralizuar tërë aktivitetin e tij.
Shkenca bashkëkohore vërteton se depresionet e rënda psiqike shkaktojnë lirimin e substancave kancerogjene në sistemin nervor qendror dhe favorizojnë sëmundjet kancerogjene si dhe rënien e proceseve imunobiologjike.
Ilaçi më efikas kundër dëshpërimit, sipas religjionit, është durimi.
Besimtari në momentet më të vështira të jetës,kur vihet në sprovë, duhet të gjejë forcë për të bërë durim. Ai duhet ta bëjë durimin si shokun më të ngushtë, sepse Zoti është me durimtarët, siç bën aluzion verseti vijues i Kur’anit famëmadh:
“Ne do t'ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve, të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme, thonë: "Ne jemi të All-llahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi!”
Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë.”
(El - Bekare, 155-157)
Dy veti të tjera negative, për të cilat duhet kërkuar mbrojtje nga Zoti, janë pasiviteti dhe përtacia.
Pasivitet do të thotë t’ia kthesh shpinën problemeve. Kjo është veti e dëmshme si për individin ashtu edhe për shoqërinë njerëzore. Në mjerimin tonë të tanishëm nuk kemi të drejtë të lavdërohemi me formën e dikurshme të Islamit, por ne duhet të kuptojmë se pikërisht pasiviteti dhe koprracia e ka shkaktuar dekadencën tonë të tanishme, sepse Islami nuk ka qenë kurrë pengesë e përparimit, e punës dhe e shkencës.
Ai i çmon aktivitetet intelektuale të njeriut deri në atë shkallë, sa që ato i vë mbi engjëjt.
Përtacia dhe pasiviteti janë pengesë e përparimit njerëzor.
Çdo besimtar në zemrën e tij bart të gjitha mundësitë e suksesit apo të dështimit. Për këtë Zoti i Madhërishëm thotë:
“Atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi”.
(El - Bekare, 286)
“Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar.”
(En - Nexhm, 39)
Fjala e Profetit, a.s., e shpreh shumë bukur besimin e punës kur thotë:
“Pranë Muhammedit, a.s. kaloi një njeri me nxitim. Shokët e Muhammedit, a.s., thanë:
“O i Dërguar i Zotit, sa mirë do të ishte sikur ky njeri të nxitonte me këtë energji në rrugën e Zotit”
Muhammedi, a.s., u përgjigj:
“Në qoftë se nxiton për të fituar kafshatën për fëmijët e tij, ai është në rrugën e Zotit; në qoftë se nxiton për të siguruar kafshatën për prindërit e tij të moshuar, ai është në rrugën e Zotit; në qoftë se nxiton në punë për të siguruar veten me nder, ai është në rrugën e Zotit. Por, në qoftë se është duke nxituar që të mburret dhe të lavdërohet, ai është në rrugën e djallit”
Më tej Muhammedi, a.s., na këshillon t’i lutemi Zotit të Madhërishëm të na ruajë nga frika dhe koprracia.
Edhe frika si fenomen psikologjik ndikon në paraqitjen e sëmundjeve nervore dhe kardiovaskulare.
Situata të cilën e përjetuam nga lufta dhe që po e përjetojmë tani është e mbushur me ankth dhe frikë të pandërprerë.
Muhammedi, a.s., ka thënë se lutja:
“Neve na mjafton Zoti, Ai është mbrojtësi më i mirë” është siguria më e mirë për çdo frikë.
Sëmundje tjetër e rëndë është koprracia. Për këtë na e tërheq vërejtjen Kur’ani famëmadh:
“Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha All-llahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre.”
(Ali Imran, 180)

Njeriu koprrac nuk e shpenzon pasurinë e vet as për vete, as për të tjerët. Ai mendon se lumturia më e madhe është grumbullimi i pasurisë, prandaj nuk ua shpërndan të varfërve dhe nevojtarëve. Koprraci është gjithnjë në gjendje frike dhe stresi, nga shkaku të mos e humbë apo mos do t’i pakësohet pasuria. Ai gjithnjë ankohet se “nuk ka”, se “jeta është e shtrenjtë” se po “vijnë ditë të vështira” se “skamja po troket në dyert tona”,etj.
Për këtë Muhammedi, a.s., ka thënë:
“Te besimtari nuk mund të gjinden dy veti: koprracia dhe morali i keq”
Më tej Muhammedi, a.s., na këshillon t’i lutemi Zotit të madhërishëm të na ruajë nga borxhi, ngase të huazosh prej dikujt diçka është një gjë e rëndë. Këtë e vërtetojnë shumë thënie të Muhammedit, a.s.:
“I lutem Zotit të më ruajë nga mosbesimi dhe borxhi.”
“Ruajuni nga borxhi, ngase ky është natën brengë e ditën turp.”
“Borxhi shkon në dëm të fesë, dinjitetit njerëzor dhe nderit.”
“Kush e merr pasurinë e huaj me qëllim që t’ia kthejë, Zoti do t’ia mundësojë që ta kthejë me të vërtetë, e kush merr pasurinë e huaj me qëllim që ta keqpërdorë, Zoti do ta shkatërrojë atë.”
“Shehidit do t’i falet çdo mëkat e lëshim, përveç borxhit.”
Dhe nga pjesa e fundit e thënies së Muhammedit, a.s.: “Në fillim i lutemi Zotit të Plotfuqishëm të na mbrojë nga çdo armik dhe mbisundim i Tij.”
Transmetohet nga Pejgamberi s.a.v.s. që në dhembjet e stomakut është mirë të pihet mjalti me ujë të vakët, duke lexuar shtatë herë kaptinën El-Fatiha. Kaptina
El-Fatiha e çliron personin nga shqetësimet, frika, stresi, pikëllimi dhe melankolia.
Për shërimin e të enjturave pas namazit të rregullt duke medituar lexohen këto versete të Kuranit fisnik:
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit
“Sikur Ne ta zbritnim këtë Kur'an mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga All-llahu. Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë.
Ai është All-llahu që nuk ka zot tjetër; vetëm Ai, që e di të fshehtën dhe të dukshmen, Ai është Mëshiruesi, Mëshirëbërësi!
Ai është All-llahu që nuk ka zot tjetër përveç Tij, sundues i përgjithshëm, i pastër (prej të metave që i mvishen), shpëtimtar (që i shpëton njerëzit prej ndëshkimit të padrejtë), sigurues (që i siguroi njerëzit me premtimin e vet dhe pejgamberët me mrekulli) mbikëqyrës (që mbikëqyr dhe përcjell çdo send), i plotfuqishëm, mbizotërues, i madhërishëm. I lartësuar është All-llahu nga çka i shoqërojnë!
Ai është All-llahu, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi. Të tij janë emrat më të bukur. Atë (All-llahun) e madhëron çka ka në qiej e në tokë dhe Ai është ngadhënjyesi, i urti!”
(El - Hashr, 21-24)

Lutja për shërim dhe mbrojtje nga syri i ligë:
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit
“Ai është që krijoi shtatë qiej palë mbi palë. Në krijimin e Mëshiruesit nuk mund të shohësh ndonjë kontrast, andaj drejto shikimin se a sheh ndonjë çarje?
Mandej, herë pas here drejto shikimin, e shikimi do të kthehet te ti i përulur dhe i molisur.”
(El - Mulk, 3-4)
Dhe verseti i fundit i kaptinës El-Kalem.
Lutja për shërimin e të parit të dobët dhe verbimit të natës:
Për këtë qëllim nevojitet që në enën e qelqit të shkruhet ky verset kuranor:
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit
“All-llahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i gjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërus e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lidjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. All-llahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. All-llahu sjell shembuj për njerëzit. All-llahu çdo gjë di shumë mirë.”
(En - Nurë, 35)
Pasi të shkruhet e të shpërlahet me ujë, uji të vendoset në një gotë dhe me të të lyhen kapakët e syve. Gjithashtu, leximi i rregullt i Kuranit duke e parë dhe mësuar përmirëson të parët.
Kjo është fuqia magjike dhe mahnitëse e fjalëve të Kuranit fisnik që ndikojnë në organizmin e njeriut. Mesazhi i tij është i qartë:
“Ne të shpallim Kur'anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim.”
(El - Israë, 82)

Gjatë lutjeve një prej emrave të Allahut të madhërishëm është Rabb. Përveç kuptimit Zot, ka edhe kuptimin “Edukues”, dhe nga kjo rrjedh fjala “terbije”, të cilën e njohim nëpërmes sintagmës “terbijetun-nefs” - “edukim i egos”. Ndërsa fjala “Allah” arrin barazpeshën e sistemit kardiorespirator.
Mund të themi se njeriu sot vuan nga varfëria shpirtërore. Për këtë profesor Nasr thotë se njeriu duhet të jetë përherë në lutje, sepse në këtë mënyrë vendos harmoninë në mes njeriut dhe tokës. Në realitet, njeriut të sotëm të depersonalizuar, lutja ia kthen integritetin që ia ka rrënuar kultura dhe civilizimi modern.
Lutja e përmbledh njeriun në bindje kozmike ndaj Allahut të madhërishëm.

Kështu Kurani fisnik thotë:
“A nuk e di për All-llahun se Atij i lutet kush është në qiej e në tokë, madje edhe shpezët krahhapura. Të gjithë e dinë dhe janë të udhëzuar për lutje ndaj Tij dhe për madhërimin ndaj Tij. All-llahu e di ç'punojnë ata.”
(En - Nurë, 41)

Lutja vendos një ekuilibër të përkohshëm mes trupit dhe shpirtit që ata të përjetojnë së bashku një ekzistencë të harmonizuar paqësore.
Gjatë lutjes dhe përvojave të ndryshme transhendentale, substanca të caktuara endogjene nëpërmes trurit lirohen në organizëm. Këto substanca quhen opoide. Këto përfshijnë enkefalinën dhe endorfinën që janë përgjegjës për eufori, qetësi dhe çiltërsi.
Beta-lipotropina ndahet duke formuar tri produkte aktive kryesore që quhen meta-enkefalina, gama-endorfina dhe beta-endorfina.
Beta-endorfina është më aktivja. Ajo është njëzet herë më e fuqishme se morfina.
Përveç që eliminojnë dhimbjen, këta analgjetikë narkotikë shkaktojnë një ndjenjë të fuqishme të euforisë.
Atmosfera gjatë lutjes është një ilaç i fuqishëm anti-stres. Stresi ndikon në cilësinë e jetës dhe është shkak potencial për shumë sëmundje.
Lutjet e Kuranit normalizojnë sistemin nervor dhe qetësojnë gjendjen e ankthit. Rregullojnë bioritmin e lutësit, stabilizojnë sistemin kardiovaskular, endokrin, ritmin e zemrës dhe likuorin cerebrospinal.
Lutjet në Islam janë të veçanta, të kombinuara me lëvizje të trupit dhe meditimin e koncentruar, japin një model të veçantë të relaksimit dhe qetësisë psikofiziologjike.
Pra, lutjet kuranore kanë karakter multidimensional. Kështu duke u lutur besimtari krijon marrëdhënien e devocionit me Zotin, mes individit dhe anëtarëve të shoqërisë dhe mes njeriut dhe natyrës së tij të brendshme shpirtërore.
Në fund i bashkangjitemi lutjes që Allahu i madhërishëm ia mësoi Muhammedit a.s.:
“Thuaj: "Zoti im, më shto dituri!”
(Ta Ha, 114)

 

 

Dr.sc. Ali F. Iljazi

Back