Psikologjia e lutjes

22/05/2011 21:32

Çdo qytetar i ndershëm i botës sot ndien dhembje e dëshpërim për ato fatkeqësi që vijnë prej dukurive natyrore, si: përmbytje, tërmet etj. që çdokush nuk e kupton se përse dhe nga i vijnë.

Akoma më të mëdha janë fatkeqësitë që i vijnë njeriut nga luftërat, nga sëmundjet, nga SIDA e kanceri, nga alkooli. Me miliona jetë njerëzish të humbura, të gjymtuara, të sakatuara, të llogaritura në vite, muaj, ditë apo orë, për çdo sekondë. Për çdo ditë mediat sensibilizojnë opinionin me ngjarje makabre, tronditëse, në botë dhe në vendin tonë, ku njeriu vret njeriun, qytetari, bashkëfshatari vret homologun e vet, burri gruan dhe anasjellas, fëmija prindin dhe anasjellas, e derisa njeriu vret vetveten. Të gjithë këto krime monstruoze shpeshherë pa asnjë shkak apo për arsye shumë ordinere, siç jemi mësuar të dëgjojmë shpeshherë për këto dukuri të interpretohen, rrjedhojë e situatave depresive apo momenteve kur njeriu del jashtë kontrollit të vetvetes dhe përngjan me një makine që i këputen frenat dhe rrezikon jo vetëm jetën e drejtuesit të saj, por edhe të kujtdo që i del përpara.
Urtësia dhe mençuria popullore këtë kategori shoqërore i quan njerëz që kanë dalë nga rruga e Zotit dhe padyshim janë të tillë. Nuk sjell dobi interpretimi dhe shpjegimi i këtyre dukurive, por kuptimi se ato pasojnë një situatë psikologjike të çekuilibruar dhe që e tronditin, çorodisin dhe e traumatizojnë më tej këtë situatë. Rëndësi merr fakti se vetë njerëzimi është në gjendje të gjejë ilaçin jo të plagëve trupore, por të plagëve shpirtërore që kurohen me vështirësi.
Fajin njerëzimi i ka ndierë që në zanafillë, që tek Hazreti Ademi dhe Havaja kur guxuan të bënin atë që Zoti vet ua kishte ndaluar. Fatkeqësitë kanë qenë bashkudhëtare me njeriun, i cili ka reaguar për të shpëtuar prej tyre. I pafuqishëm apo fajtor, njeriu ka ndier nevojën për t’iu lutur dikujt për mbrojtje e shpëtim. Njeriu primitiv, gabimisht, i lutej drurëve, gurëve, diellit, yllit, hënës, pyllit, idhujve e më vonë shumë zotave. Që do të thotë se që brenda vetes , prej subkoshiencës, vinte thirrja për t’u falur, që lutja është pjesë e shpirtit njerëzor, është cilësi me të cilin vetë Zoti e ka zbukuruar shpirtin e njeriut. Çdo njeri duhet të kuptojnë se lutja është porosi dhe këshillë e ardhur prej Zotit, e deklaruar në Kuran: “Prandaj, Më kujtomi Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblimet) dhe falënderomëni Mua (duke m’u bindur) e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje).” El-Bekare: 152.
Prej këtij ajeti buron kuptimi i vërtetë dhe i drejtë për lutjen si pjesë e ndërgjegjes, si një moment i jetës ku njeriu merr kontakte direkte me Zotin me bindjen e palëkundur në qenien më supreme të pagabueshme e të përsosur.
Ky besim ndikon fuqishëm në psikologjinë e njeriut në kuptimin e një veprimi të pëlqyer prej Zotit, e mandej të vetvetes, të familjarëve, të të afërmve, miqve e shokëve dhe të çdokujt që të vëzhgon, të studion dhe të vlerëson si një njeri i devotshëm.
Nëpërmjet shqisave e proceseve komplekse psikike njeriu njeh botën konkrete dhe abstrakte, percepton, sheh së jashtmi sendet e gjykon për aparencën e tyre, nëpërmjet interceptimit dhe mendimit sheh në brendësi, në thellësi, në cilësitë e vetë sendeve, por në momentin e lutjes njeriu shkëputet prej botës së sendeve, prej dëshirave dhe interesave trupore dhe shndërrohesh në një tjetër që përkon me qëllimin, për të cilin je krijuar. Ky pikërisht është njeriu i vërtetë që edhe pse nuk mund të jemi plotësisht si ai, të paktën ta kemi si model a si shembull dhe të përpiqemi të qasemi e të përngjajmë. Pikërisht ky model është vetja jonë, në atë moment që lutemi. Ky është një moment kur jo ndjenjat, jo interesat trupore, jo shqisat, jo arsyetimi, por shpirti udhëheq e qeveris qenien njerëzore. Njohja shqisore dhe racionale e pasurojnë mendjen dhe prej tyre rezulton një njeri i shkolluar, një dijetar, një intelektual, por gjithsesi këta nuk mund të konsiderohen më të devotshmit. Njeriu ideal është ai që jetën e tij e vë në shërbim të idealeve të larta që zbresin së larti dhe që janë shpallur prej qenies më supreme: njerëzimi ka nevojë për njerëz me shpirt të artë, që të gjithë qenien e tyre e vënë në shërbim të providencës hyjnore dhe të shoqërisë njerëzore. Në këtë Eldorado hyjnore mund të shkojë vetëm shpirti si pjesë e psikikës që arrin aq larg vijës kufitare të vetëdijes sa vetë vetëdija mund të konsiderohet një ishull i vogël në krahasim me oqeanin e paanë në të cilin ndodhet.
Në momentin e lutjes si provë e pestë e besimit islam njeriu shpirtërisht tërhiqet në vetmi dhe kërkon kohë të mjaftueshme për ibadet, studim-lutje dhe shërbim. Në vigjilje të shpalljes Profeti Muhamed (a.s.) veçohej në shpellën e Hirës dhe shpirtërisht shkonte përtej botës së sendeve dhe rrokte botën transshendentale. Dikush nga filozofët deklaron se në vetmi apo pak çaste vetmie apo shkëputje prej botës së sendeve vjen frymëzimi për vepra të mëdha, dikush po prej tyre, këshillon metaforikisht se për të njohur botën e vërtetë dhe jo kopjen e botës, njeriu duhet të mbyll fort sytë, veshët, të harrojë gjithçka që ndodhet rreth tij, pikërisht në këtë moment ndodh reminishenca apo e thënë ndryshe njohja e botës së vërtetë, e cila vjen prej njohjes së Krijuesin e saj . Pikërisht lutja është një moment abstragimi shpirtëror, ka sekte e rryma fetare që këtë moment e çojnë deri në ekzaltim shpirtëror, në drithërim, në zbehje komplete të arsyes e të vetëdijes. Një pretendim të tillë e rrëzon Kurani kur thotë: “ Kush kërkon fe tjetër përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur”(Al Imran: 85)
Që do të thotë se lutja nuk është gjendje transi, por superioritet, triumf i pjesës më të bukur, më të ndershme të qenies njeri, i asaj pjese , të cilën ta ka dhuruar e me të cilën të ka gatuar Zoti i vërtetë. Njëherazi, është mposhtje e asaj që të ka fry në vesh dhe ta ka montuar pabesisht e djallëzisht në shpirtin tënd shejtani i mallkuar. Është mish i huaj në zemrën tënde dhe lutja të ndihmon për ta shkulur këtë copë mishi. Lutja është veprim që njeriu e bën me kënaqësi, dëshirë të plotë dhe në dispozicion për këtë adhurim ka 24 perla shumë të çmuara që janë 24 orët e ditës, gjatë së cilës njeriu me apo pa dashje davaritet midis ndjenjave, perceptimit, instinkteve dhe arsyetimit. Lutja të pozicionon shpirtërisht në shkallët më të larta të ndërgjegjes, të arsyetimit, adhurimit, angazhimit dhe të përkushtimit në çështje të dobishme e të larta.
Njëherazi të largon e distancon prej shkallëve më të ulëta të ndërgjegjes, prej epsheve, veseve, egoizmit, perversitetve prej shumë cilësive që degradojnë, e ç’formojnë, shpërfytyrojnë dhe të afrojmë me qeniet e shkallëve më të ulëta të, privuara prej misionit e qëllimeve të krijimit të qenies njerëzore. Lutja kështu bëhet udhëheqëse , por krijon rezonancë dhe modelon sjelljen në të gjithë pjesën tjetër të jetës së individit.
Psikologjikisht lutja nuk e shndërron njeriun në një qenie pasive, ëndërrimtare dhe indiferente, që qëndron në pritje të të mirave që bien nga qielli. Përkundrazi, e vendos njeriun në pozita aktive si subjekt vetëveprues në kërkim dhe meritim të të mirave që kërkon dhe që meriton si shpërblim prej Zotit, me bindjen dhe besimin e plotë për ndihmën dhe pranimin lutjes së tij. Në përjetimin e kësaj situate njeriu është qenie optimiste dhe e motivuar në kërkim të vlerave shpirtërore që në tërësi karakterizojnë besimtarin mysliman. Lutja kthjellon mendjen, e pastron zemrën dhe krijon tërësinë e premisave të lartësimit shpirtëror të besimtarit. Pa lutje, njeriu mbetet qenie me ideale të vogla, meskine.
Lutja nuk fashit, nuk margjinalizon anët e tjera të personalitete të besimtarëve jashtë kornizës së besimit. Nuk të kufizon, përkundrazi nxit dhe i jep formë e drejtim ndjenjave të pastra, trupore apo shpirtërore, disiplinon shqisat në shijimin e atyre të mirave të krijuara për të, organizon gjykimin dhe arsyetimin në harmoni me inteligjencën e Krijuesit, përsos mendimin në njohjen e botës, konkrete dhe abstrakte, të natyrës dhe gjithësisë të krijuara dhe jo të vetëkrijuar. I jep krahë imagjinatës, intuitës, forcon dhe kalit vullnetin, nxit pasionin. E gjithë psikika njerëzore në unison rrjedh si lumë në oqeanin e devotshmërisë së besimit.

Lutja si perceptimi më i përkryer për vetveten

Zoti e krijoi njeriun në Tokë si mëkëmbësin e Tij për ta adhuruar Atë. Për këtë qëllim e përsosi dhe kompletoi fenë islame dhe me Kuranin Fisnik ndriçon udhën e ecjes drejt këtij qëllimi.
Që njeriu të kuptojë përse është krijuar, cili është misioni i tij dhe të ketë respekt ndaj vetvetes si qenie e mjeshtërisë Hyjnore. Njeriu me ndërgjegjen e vet duhet të kuptojë se kjo jetë është fragment i jetës së përhershme. Nga çdo njeri lipset kuptimi dhe perceptimi më i drejt i vetvetes si qenie e dobët, e pambrojtur dhe çdo ditë e kërcënuar. E në radhë të parë rreziku dhe të gjitha të këqijat vijnë prej vetes. Për këtë arsye shumë filozofë që nga lashtësia duke filluar me Platonin apo Aristotelin deri tek filozofët bashkëkohorë njeriun e quajnë pjesërisht kafshë apo shumë kafshë. Filozofët e lashtë pretendonin se rreziku më i madh i njerëzimit i vjen nga vet njeriu ndërsa ata modernë këtë pjesë të ndërgjegjes shoqërore e quajnë ego apo superego që shfaqet nëpërmjet dëshirës së njeriut për pushtet , për pasuri, për luks, për lavdi për dëfrim. Prirje të cilat i ndeshim thekshëm tek njeriu i sotëm madje në çdo moment të jetës sonë të përditshme.
Sot në botë e në Shqipëri janë të shumtë e të zakonshëm rastet që njeriu në gjendje depresive kryen akte barbare në radhe të parë ndaj vetes, me qindra raste njerëz e veçanërisht të moshave të reja që vetëvaren, vetëhelmohen, vetmbyten, vetëvriten, me qindra raste që nën efektin e egos për t’u pasuruar çdo ditë e ndeshim krimin në gjirin e shoqërisë sonë deri brenda në familje. Pa dyshim këto dukuri tragjike e kanë origjinën tek gjendja e tronditur, e çoroditur psikike. Me gjithë angazhimin shoqëror sot, të institucioneve të specializuara të sociologëve , psikologëve, psikoterapistëve, dukuria tragjike shkon në rritje, me përmasa më të mëdha dhe çdo ditë më kërcënuese. Me të drejtë psikologu G. Jung thekson se ajo që kuron neurozën duhet të jetë po aq bindëse sa vetë neuroza. Duhet pranuar se shoqëria sot ndihet e pafuqishme dhe e kapitulluar për të shëruar pikërisht këtë sëmundje kërcënuese që i vjen njerëzimit prej vet njeriut. Pa dyshim brenda shoqërisë sonë gjendet pjesa e shëndetshme, gjenden individë, familje e grupe shoqërore që ngrihen mbi neurozat, mbi kontuzionet psikike sepse si fill orientues i jetës së tyre është besimi tek Zoti, ritual i përditshëm dhe angazhim shpirtëror është lutja e sinqertë para Zotit, nga e cila njeriu merr forca shpirtërore, angazhohet për gjëra të larta hyjnore, në adhurim , gjen forca për të vështruar vetveten për të korrigjuar gabimet në radhë të parë tek vetja. Shëndoshja e një shoqërie e një familjeje kështu vjen nga shëndoshja e një individi e cila është e kushtëzuar nga gjendja, pozicioni shpirtëror i tij, nga modeli si ai pozicionohet në jetë, nga detyrat dhe qëllimet para të cilave e vendos veten. Në një hadith të profetit Muhamed a.s gjejmë porosinë se “Qëllimi i mirë në jetë të çon drejt suksesit.”
Ndërmjet lutjes njeriu çdo ditë, çdo minutë, çdo sekondë pa ndërprerje përsos qenien e tij, psikologjikisht merr mesazhe dhe ngarkesa pozitive që padyshim ndikojnë në gjendjen e tij shëndetësore por prioriteti dhe faktor vendimtar përcaktues mbetet gjendja shpirtërore.
Me të drejtë sot shoqëritë e emancipuara e vënë theksin tek rritja e interesit, për zhvillimin intelektual dhe në funksion të këtij zhvillimi ngrihen ekipe specialistësh dhe ndërtohen lloj – lloj programesh para të cilave qëndron ideja që individi të jetë një qenie e shkathtë konkurruese për të përballuar sfidat, mbizotëruese në këto programe është ideja që njeriu të fitojë sa më tepër , kuptohet të mira materiale dhe thuajse lihen mënjanë tërësisht resurset shpirtërore. Në besimin islam , pa shumë lodhje por vetëm me përkushtim nëpërmjet përmendjes së disa ajeteve Kuranore besimtari kryen udhëtimin drejt vetvetes . Zhvillimin apo përsosjen individuale nuk e vështron dhe nuk e percepton si ndryshim në formë si zbukurim i pamjes së jashtme por si përpjekje e predispozicion dhe inkursion për të shkuar në thelb të vetvetes. Lutja në aspektin psikologjik është moment i njohjes së vetvetes; nëse je i mirë apo i keq , i sinqertë apo hipokrit , është në një farë kuptimi një pasqyrë ku njeriu sheh fytyrën e tij të bukur apo të shëmtuar , por njëkohësisht gjatë lutjes njeriu reflekton dhe i bën apel vetes; kujton hadithin:
“O Allah im, m’i fal mëkatet e mia, të vogla e të mëdha, të paqëllimshme dhe të qëllimshme, të fshehta dhe publike, të parët dhe të fundit.”
Nëpërmjet lutjes njeriu analizon gjithë proceset psikologjike të vetvetes; Çfarë dhe si ndien, si gjykon, si arsyeton, si kupton, si mendon, si vepron, si sillet si krahasim dhe ballafaqim i vetvetes, në bashkëbisedim direkt me Zotin xh.sh. Në vënien e vetvetes në peshoren hyjnore, lutja nuk të lejon të neglizhosh të shkujdesesh ndaj botës tënde shpirtërore as edhe të lësh në harresë gabimet e tua, të mundëson të vështrosh të mirat për t’i kthyer ato në vlera të vetvetes por edhe të vështrosh në gabimet e tua për t’i korrigjuar e merituar faljen e Allahut. Në këtë proces konfliktesh të brendshëm, në këtë dualitet botkuptimor bëhet udhëtimi i njeriut drejt përsosjes së qenies njerëzore dhe që një ditë do të ndodhet para gjykimit suprem. Dallimi i atij që lutet me atë që nuk lutet është si dallimi midis ditës dhe natës. Lutja të largon nga vesi nga imoraliteti, nga egoizmi, nga shpirtëligësia, nga mendjemadhësia, nga përtacia, alkooli, që janë rreziqe dhe të këqija që nuk vijnë nga askush përveçse nga vetja. Lutja të zbut zemrën dhe të drejton kah dashamirësia, humanizmi, sinqeriteti virtyte dhe të bën të kuptosh se je qenie e ndershme, e bukur e në përputhje me qëllimin për të cilin të ka krijuar Zoti. Për rrjedhojë e ndien veten të fuqishëm e të sigurt. Lutja është receptura më mirë ku njeriu gjen ilaçet më të sigurta për shërimin e shpirtit të tij, dhe kupton se nga qenie e dobët, e pambrojtur dhe e rrezikuar shndërrohet në një qenie e strehuar në omrellon e të Plotfuqishmit.
Psikologët sot kanë arritur në konkluzionin se e keqja e njeriut vjen nga ndrydhja në vetvete dhe fshehja e një gabimi dhe një faji. I cili nuk mund të mbahet gjatë i fshehur. Kjo fshehje në radhë të parë dëmton vetveten të kafshon ndërgjegjen, të humbet qetësinë, të huton të çorodit, të shqetëson e ngacmon në çdo moment e madje të prish edhe gjumin; e madje të çon në një situatë depresive si dukuri e momentit psikikisht i çoroditur kur njeriu nuk gjen rrugëdalje apo gjen zgjidhje të gabuara fatale. Gabimin dhe fajin e vetvetes këta njerëz nuk gjejnë kurajon e guximin t’ia u bëjnë dikujt të ditur për t’u këshilluar. Sot në çdo shoqëri, madje edhe në Shqipëri rekomandohet roli i psikologut si subjekt kur njeriu me ngarkesa psikike duhet drejtuar për t’u konsultuar e këshilluar me të: Hapi i parë drejt shërimit, rekomandojnë psikologët është shpëtimi nga ndrydhja, hapja e zemrës, zbulimi i sekreteve, i gjërave që i mban të fshehura; ndryshe nuk ke shërim. Pa mohuar rolin e psikologëve në këto raste nuk duhet harruar se edhe psikologu është njeri si ty, me gjithë kompleksitetin që mbart qenia njerëzore. Vërtetë, vështirë është për njeriun që ndaj vetvetes të vihet në rolin e gjykatësit, përkundrazi ndaj vetes njeriu më shumë pozicionohet në funksionin e avokatit edhe pse më mirë se kushdo tjetër ai njeh dhe kupton peshën e fajit. Prej Muslimit vjen një hadith; ...O Zoti im , më fal atë që kam bërë edhe atë që do të bëj, atë që kam mbajtur të fshehtë dhe atë që kam bërë haptazi teksa Ti e di më mirë se unë. Ti je Zoti im, përveç Teje nuk ka Zot tjetër.
Gjatë lutjes njeriu hap zemrën, çlirohet, lehtësohet prej peshës së fajit sepse i është rrëfyer dhe kërkon falje prej një qenie supreme të pagabueshme dhe mëshiruese. Në një farë mënyre lutja është rrufepritëse në një qiell me re të ngjeshura e me ngarkesa të mëdha elektrike dhe në çdo moment pritet goditje prej rrufeve. Bota ku jetojmë është e mbushur me rreziqe e fatkeqësi për njeriun, është sprovë dhe askush nuk është i imunizuar.
Fatkeqësitë janë bashkudhëtarë të njerëzimit, ngjarje e pashmangshme për jetën shoqërore familjare dhe individuale. Ato padyshim shkaktojnë dhimbje njeriut dhe shpesh herë njeriu bie në gjendje të thellë dëshpërimi dhe tronditjesh psikike me pasoja për shëndetin dhe jetën e tij. Lutja në këto raste të bën të fortë , për të përballuar këto tronditje, të bën të kuptosh se Zoti, shpesh herë, njeriun e vë në sprovë. Lutja të ndihmon të lidhesh me Krijuesin e shkaqeve dhe jo të bëhesh lodër e shkaqeve.
Profeti Muhamed (s.a.) porosiste se lutjen duhet të bëjmë edhe në ditë qetësie dhe rehatie, ta bëjmë vazhdimisht dhe të jetë ushqim i përhershëm i shpirtit të njeriut. Prej kësaj porosie kuptohet se në ndërgjegjen njerëzore nuk ka boshllëk , ku nuk zë vend e mira zë vend e keqja, lutja të mëson që në çdo hap të jetës tënde të jesh i kujdesshëm i vëmendshëm, për çdo moment të jetës tënde Zoti nga lart të shikon dhe të gjykon. Psikologët këtë fakt e quajnë situata e përhershme e vëzhgimit të vetvetes nga vetvetja, e quajnë subkoshjencë që do të thotë njeriu duhet të kujdeset për veten, sepse me sjelljen e veprën e tij njeriu i bën mirë ose keq në radhë të parë vetes. Jashtë një kontrolli suprem tek njeriu marrin zhvillim ato prirje që përfaqësojnë elementin antisocial në strukturën psikike njerëzore ose i quajtur ndryshe „kriminalitet statistikor në ndërgjegjen e gjithësecilit„ Realisht ky element antisocial sot është në rritje dhe shfaqjet dhe rrjedhojat e tij çdo ditë e më shumë po bëhen më të pranishme dhe më kërcënuese. Shkatërrimi i individit është njëherazi edhe shkatërrimi i familjes dhe i shoqërisë sepse si shoqëria dhe familja janë akumulime individuale shndërrimet shoqërore nisin me shndërrimet individuale, shëndoshja e shoqërisë dhe familjes vijnë prej shëndoshjes shpirtërore të individit. E mira apo e keqja para se të jenë shoqërore janë individuale.
Besimi islam në tërësinë e parimeve e normave të tij Kurani i madhërishëm me tërësinë e këshillave dhe porosive të tij, lutja para Zotit me tërësinë e qëllimeve, përmbajtjes mënyrave , rregullave, kuptimeve dhe performancës së saj, në unitet synojnë përsosjen e njeriut në tokë në përmbushje të misionit për të cilin është krijuar. Lutja nuk është privilegj vetëm i disave siç mund të jetë p.sh. pasuria, pozita, dituria, paraqitja por pronë e të gjithë pasurive e bukurive shpirtërore mbi të gjitha pasuritë dhe bukuritë materiale të përkohshme. Asgjë nuk të kushton më pak se lutja por asgjë nuk të kënaq , nuk të përsos nuk të lartëson nuk të çlodh fizikisht e shpirtërisht sesa LUTJA.



Bedri Telegrafi
Drita Islame

Islam gjakova

 

 

Back