Pyetësor matës për të parë, nëse i edukojmë fëmijët tanë seksualisht dhe siç duhet

27/05/2011 20:34

 

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, kemi përgatitur një ushtrim, me anë të të cilit mund të vlerësojmë veten si prind, nëse i edukojmë siç duhet fëmijët tanë. Ky ushtrim, është i frymëzuar nga fikhu dhe jurisprudenca islame. Ushtrimi përbëhet nga disa pyetje të rëndësishme dhe që kanë lidhje me mosha të ndryshme të fëmijës. Siç e cekëm dhe më lart, edukata seksuale fillon që në moshën dy vjeçare dhe këto pyetje kanë të bëjnë vetëm me moshën foshnjore.

 

 

 

Pyetja e parë: Gjatë aktit seksual me bashkëshorten tënde, a e keni nxjerrë jashtë dhome foshnjën tuaj?

Padyshim që kjo është një pyetje e rëndësishme. Nëse përgjigja e kësaj pyetje është “Po”, ky është tregues që këta prindër, kanë kulturën dhe edukatën seksuale të duhur.

Nëse përgjigja është “Jo”, ky veprim është i gabuar, pasi fëmija edhe pse është i vogël dhe foshnje, ndjen dhe kupton shumë gjëra.

Rrëfehet se Ibnu Abasi (r.a), kur dëshironte të kryejë marrëdhënie seksuale me të shoqen, e nxirrte jashtë foshnjen e tij edhe pse ajo ishte vetëm tre muajsh.

Kurrë mos mendo, se fëmija është i vogël dhe nuk kupton, ose është duke fjetur. Nëse fëmija është i zgjuar dhe e ndjen atë që po ndodh, kjo mund të ndikojë negativisht në të ardhmen e tij.

 

Pyetja e dytë: Gjatë ndërrimit të rrobave, a përpiqeni që t’ia mbuloni pjesët e turpshme dhe organet gjenitale? A kujdesemi që gjatë larjes, pastrimit, ndërrimit të bebalinave etj... të mos ketë njerëz të tjerë përreth?

Nëse përgjigja është “Po”, ky është tregues i edukatës seksuale të duhur tek prindërit. Nëse ne nuk i kushtojmë rëndësi faktit, se ka njerëz përreth dhe e shikojnë fëmijën pa rroba, ky është tregues i edukatës së dobët seksuale të prindërve.

Fakti që të tjerët e shohin fëmijën pa rroba, gjatë larjes ose ndërrimit të veshjes, është i dëmshëm si për shikuesit, si për fëmijën. Një fëmijë që është mësuar të dalë para njerëzve i zhveshur dhe pa rroba edhe kur të rritet nuk e ka problem të dalë i tillë. Kjo ndodh, pasi kështu është edukuar dhe mësuar që në vegjëli. Këtë e shohim dhe dallojmë më mirë tek fëmijët dhe të rinjtë në perëndim. Edhe pse janë të rritur tashmë, ata sillen në mënyrë të pahijshme. Kjo ndodh, pasi që në vegjëli janë mësuar me këtë mënyrë jetese, i ndërrojnë rrobat kudo dhe kurdo.

Kur kam qenë në moshën e adoleshencës dhe gjatë pushimeve verore, m`u dha rasti të shkoj në një vend evropian, për të mësuar gjuhën angleze. Pasi zhvillonim aktivitetin sportiv të përditshëm, shkonim në ambjentet e shkollës për të bërë dush. Atje ishte normale, që dushi të bëhej në banjo të hapura, pa dyer. Ishte hera e parë që shihja diçka të  tillë dhe fakti që shihja të rinj, që lëviznin lakuriqnë banjë, më shokoi. Që herën e parë që u përballa me një fakt të tillë, unë mbylla sytë dhe u ktheva në dhomë. Kur u kthyen shokët e dhomës, filluan të qeshin dhe të tallen me mua. Më vonë unë u ankova në drejtorinë e shkollës dhe u thashë, që nuk mundem të bëj dush në këtë formë. Pasi e bëra problematike çështjen, ata më caktuan një banjë të veçantë, vetëm për mua.

Të gjitha këto hyjnë në edukatën seksuale. Edhe pse fëmija është disa muajsh, nuk ka përse ta injorojmë prezencën e  tij në dhomë dhe të sillemi sikur nuk ekziston.

 

Pyetja e tretë: A i kushton vëmendje ndjeshmërisë së fëmijës ndaj pjesëve të turpshme, të tijat ose të dikujt tjetër?

Nëse jemi të vëmendshëm ndaj diçkaje të tillë, atëherë ky është tregues i lartë i edukatës seksuale. Në të kundërt, nëse i injorojmë sjelljet e tij mbi ndjeshmërinë dhe kuriozitetin ndaj organeve gjenitale, duke e konsideruar atë si të vogël në moshë, ky është tregues i dobët i edukatës seksuale.

 

Pyetja e katërt: A e lë fëmijën tënd të vetëm në shtëpi, me shërbëtoren, shoferin apo njerëz të huaj?

Nëse përgjigja është “Po” atëherë ky është tregues i edukatës së dobët seksuale të përftuar. Janë të shumta ndodhitë e padëshiruara, që ndodhin mes fëmijëve dhe shërbëtoreve, apo njerëzve të huaj. Rastet, kur shërbëtorët ose shoferët kanë përdhunuar fëmijët e vegjël, nuk janë të pakta. Rastet e sjelljeve perverse nga ana e fëmijëve, të cilët lihen me orë të tëra vetëm ose në banjo, janë të shumta.

Kështu, sa më shumë të jemi të edukuar seksualisht dhe brenda kufijve islamë, aq më shumë tregojmë kujdes dhe vëmendje në edukimin e duhur të fëmijës.

 

Mosha mbi pesëvjeçare

Me këtë moshë kemi synim ato fëmijë, që janë mbi pesë vjeç. Edhe për edukimin e kësaj moshe, do të përmendim disa pyetje të cilat vlerësojnë nivelin e prindërve Për sa  i përket edukatës seksuale.

 

Pyetja e parë: A i lëmë fëmijët tanë të kësaj moshe, të vetëm dhe për orë të tëra, në pushimin e drekës dhe në mbrëmje?

Nëse i përgjigjemi me “Po” kësaj pyetjeje, ky është tregues i dobësisë së edukatës tonë seksuale. Nëse përgjigja është “Jo”, ky është tregues, që kontrolli ynë mbi fëmijët është i fortë dhe i hollësishëm.

Mosha mbi pesëvjeçare, është moshë kur fëmijët kanë filluar t’i zbulojnë organet e tyre gjenitale, dhe nuk e dinë se çfarë mund të bëjnë me to. Ka fëmijë që i kanë prerë me thikë organet e tyre gjenitale. Ka vajza që i kanë dëmtuar rëndë organet e tyre gjenitale. Para disa kohësh një nënë më dërgoi një e-mail, ku më tregonte, se vajza e saj shtatëvjeçare, e kishte dëmtuar rëndë organin e saj femëror.

Kështu sa më shumë të edukohemi seksualisht, aq më shumë do të kujdesemi për fëmijët tanë.

 

Pyetja e dytë: A zhvillojmë biseda dhe debate me tematikë seksuale me fëmijët tanë të kësaj moshe?

Me këtë synojmë, që prindërit ta udhëzojnë fëmijën, vajzë qoftë apo djalë, drejt pastërtisë së duhur të organeve gjenitale, t’i shpjegojë rregullat e pastërtisë (taharet), çfarë duhet të bëjë pasi përfundon nga nevojat personale në banjë, si duhet të pastrohet etj...

Nëse ti o prind i përgjigjesh kësaj pyetjeje me “Po”, ky është tregues që niveli i edukatës tënde seksuale është i lartë.

 

Pyetja e tretë: Në rast të ndërrimit të veshjes së fëmijës, a e bën këtë me derën hapur apo të mbyllur?

Nëse ia ndërrojmë veshjet me derën mbyllur, ne e edukojmë djalin ose vajzën me ndjenjën e turpit. Kështu fëmija e kupton, që gjatë ndërrimit të veshjes dhe rrobave, nuk duhet ta shohë askush.

Nëse përgjigja është “Po”, atëherë niveli i edukatës seksuale tek prindërit është i lartë. Në të kundërt, këta prindër kanë nevojë t’i shtojnë njohuritë mbi edukatën seksuale.

 

Pyetja e katërt: Nëse fëmijët dalin jashtë shtëpisë, a tregohemi të kujdesshëm që ata – sidomos vajzat – të mos i heqin rrobat e tyre?

Është detyrë e prindërve, që t’i edukojnë fëmijët – sidomos vajzat – që të mos i heqin rrobat kur ndodhen jashtë shtëpisë, sido qofshin rrethanat. Kjo është një edukatë dhe normë morali, me të cilën duhet të edukohen vajzat dhe djemtë e moshës gjashtë-shtatë vjeçare.

Nëse fëmija juaj merr pjesë në aktivitete të ndryshme sportive, karate, not etj... prindi duhet t`i japë porosi dhe këshilla të forta, mbi mënyrën si, kur dhe ku duhet t’i ndërrojë rrobat.

 

Pyetja e pestë: Nëse ju si familje keni punësuar një shofer, a e lejoni vajzën tuaj gjashtë-shtatë vjeçare, të dalë me makinë në shoqërinë e shoferit?

Nëse përgjigja është “Po”, padyshim që ky është një problem në edukatën seksuale. Nëse përgjigja është “Jo”, atëherë ky është tregues i nivelit të lartë të edukatës seksuale tek prindërit.

E njëjta gjë vlen dhe për një djalë gjashtë-shtatë vjeçar, nëse lihet i vetëm për orë të tëra me shërbëtoren.

 

Pyetja e gjashtë: ”Në këtë moshë mes fëmijëve janë të përhapura lojëra të tilla si: Doktori dhe pacienti, nusja dhe dhëndrri etj...  Lojëra të tilla kërkojnë njëfarë intimiteti, mund të hiqen rrobat, bashkim fiziku etj... Këto lojëra, mund të zhvillohen dhe brenda shtëpisë, me kushërinjtë dhe fëmijët e të afërmve dhe nuk është kusht që ato të zhvillohen jashtë, me fëmijët e lagjes apo të rrugës.

A i pranon lojëra të tilla për fëmijët e tu o prind?

Nëse përgjigja është “Po”, ky është një gabim në edukimin e fëmijës. Nëse përgjigja është “Jo”, ky është tregues i nivelit të lartë të edukatës seksuale.

Shpeshherë fëmijët e moshës gjashtë-shtatë vjeçare, luajnë me fëmijë më të mëdhenj në moshë, të moshës dhjetë vjeçare apo më të mëdhenj. Në raste të tilla, prindërit duhet të kenë kujdes më shumë, pasi këto lojëra mund të përdoren për qëllime seksuale, gjë që do të ndikojë negativisht në të ardhmen e fëmijës.

 

Pyetja e shtatë: A përpiqesh ti o prind, që vajzën tënde ta veshësh me veshje të brendshme të gjata, sidomos kur ajo vesh fustan ose fund?

Vajzat e kësaj moshe e kanë në natyrë, që të luajnë, vrapojnë etj... Kështu ne si prindër e kemi detyrë, që t’ju veshim atyre veshje të brendshme dhe të gjata, të cilat ua mbulojnë këmbët. Pjesët e saj të trupit, nuk ka përse të zbulohen para të gjithë njerëzve.

Veç kësaj, a e mëson atë si të ulet, sidomos në prezencën e të tjerëve?

Nëse do të vërenim si ulen vajzat e jomuslimanëve në perëndim dhe vajzat myslimane, do të shohim se dallimi është plotësisht rrënjësor. Kur një vajzë muslimane ulet, ndihet ndjeshmëria e saj për të mbuluar çdo pjesë delikate të trupit të saj. Ndërkohë që vajzat perëndimore nuk e kanë fare problem mënyrën e uljes.

Nëse dy pyetjeve të mësipërme u përgjigjesh me “Po”, kjo tregon se kultura dhe edukata seksuale e prindërve është e një niveli të lartë. Në të kundërt, unë të këshilloj o prind, që të reflektosh dhe të përpiqesh ta edukosh vajzën tënde siç duhet seksualisht.

 

Pyetja e tetë: Duke qenë se disa shtëpi janë të mëdha dhe të pasura, ato punësojnë shërbëtore dhe shoferë, të cilëve u caktojnë dhe dhoma të veçanta. Nëse ti si prind i edukon fëmijët e tu, që të mos hyjnë në dhomat e punëtorëve, shërbëtore qofshin ose shoferë, kjo tregon se niveli i edukatës seksuale është i kënaqshëm dhe i mirë.

 

Pyetja e nëntë: A i edukon fëmijët e tu ta kontrollojnë veten? P.sh, nëse televizori për një çast jep një fragment të pahijshëm, a e ul kokën djali ose vajza jote? Ne duhet ta kultivojmë diçka të tillë tek fëmijët tanë. Nëse ne si prindër i edukojmë dhe ua kultivojmë që në vegjëli, që ta ulin shikimin para fragmenteve të pahijshme, padyshim që kjo është një edukatë seksuale pozitive dhe e duhur.

Nëse pyetjes së mësipërme i përgjigjeni me “Po” , kjo është tregues i mirë i edukatës tuaj seksuale.

 

Pyetja e dhjetë: Ti si prind a i ndan djemtë nga vajzat në gjumë?

Diçka e tillë është në traditën dhe nga udhëzimet e profetit Muhamed a.s, sidomos nëse fëmijët janë në moshën që fillojnë t’i dallojnë gjërat, pra në moshën gjashtë-shtatë vjeçare. Në këtë moshë është mirë, që dhoma e vajzave të ndahet nga ajo e djemve. Nëse në këtë moshë, e ndani dhomën e gjumit të vajzave nga të djemve, kjo është tregues i mirë i edukatës seksuale.

 

Pyetja e njëmbëdhjetë: A i mësoni fëmijët tuaj, të kërkojnë leje para se të hyjnë në dhomën e gjumit të prindërve?

Në Kuran, Zoti na mëson edhe mënyrën se si dhe kur mund të hyjë fëmija në dhomën e gjumit të prindërve. Aty përmenden kohët, kur fëmija mund të hyjë pa leje dhe kohën kur ai duhet të kërkojë leje. Koha, kur ata duhet të kërkojnë leje për të hyrë në dhomën e gjumit të prindërve, është koha e pushimi të drekës, pasi të kenë rënë gjumë natën dhe para mëngjesit.

Nëse përgjigja e pyetjes së mësipërme është “Po”, atëherë edukata seksuale është në nivelin e duhur. Në të kundërt, të këshillojmë që si prind të zhvillosh dhe shtosh njohuritë mbi edukatën seksuale.

 

Pyetja e dymbëdhjetë: Ne e dimë që është në traditën e Profetit a.s, që kur të shtrihemi për të fjetur, të shtrihemi në krahun e djathtë. Kjo është mirë të bëhet e shoqëruar me lutjet e duhura. Veç kësaj, Profeti a.s e shihte si diçka të papëlqyeshme, që njeriu të flerë i shtrirë përmbys, sidomos për djemtë. Pasi kjo formë e të fjeturit, shkakton një ndjesi dhe fërkim të organeve seksuale me shtratin.

Pyetja është: ”A i mësojmë dhe edukojmë fëmijët tanë – sidomos djemtë – të flenë në krahun e djathtë?

Nëse përgjigja është “Po”, kjo tregon se niveli i edukatës seksuale tek prindërit është i lartë. Në të kundërt, ke nevojë t’i shtosh njohuritë mbi edukatën seksuale të duhur.

Gjithçka sa përmendëm, hyjnë në edukatën dhe kulturën seksuale dhe nuk është diçka e re dhe risi.

 

Mosha dhjetë vjeçare

Edhe për moshën dhjetëvjeçare e lart, do të përdorim pyetësorin për të zbuluar nivelin e eduktës seksuale të prindërve.

 

Pyetja e parë: Kjo pyetje ka të bëjë vetëm me vajzat, që kanë mbushur dhjetë vjeç. A ia sqaron ti o nënë një vajze në këtë moshë, kuptimin e pubertetit dhe të menstruacioneve?

Nëse është nëna ajo, që i flet vajzës mbi të përmuajshmet dhe moshën e pubertetit, kjo është shumë më e dobishme, sesa vajza t’i marrë këto informacione nga burime të jashtme dhe të pasigurta.

A e dini se sa është shpenzuar për industrinë e seksit vetëm në vitin 2001, sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara? Vetëm gjatë këtij viti janë shpenzuar 250 trilionë dollarë për të reklamuar seksin dhe prostitucionin.

A e dini se sot tregtia e seksit është tregtia e tretë më e madhe dhe e fuqishme? Vendin e parë e zënë drogat dhe lojërat e fatit.

Sot ekzistojnë kompani, organizata dhe institucione të panumërta, të specializuara për degjenerimin e të rinjve dhe të rejave. Normalisht ata nuk e konsiderojnë degjenerim diçka të tillë, ata e shohin si një fushë, ku mund të ushtrojnë aktivitetin tregtar dhe fitimprurës. Tregtinë e seksit ata e shohin si çdo tregti dhe biznes tjetër. Ndërkohë që ne si myslimanë dhe kulturë islame e shohim si degjenerim, shkatërrim dhe rrënim të vlerave njerëzore.

Nëse të rinjtë dhe të rejat tona nuk janë të imunizuar, ata do të joshen dhe do të jepen pas globalizmit kulturor, i cili nuk është veçse globalizëm i imoralitetit dhe i degjenerimit.

 

Pyetja e dytë: A ke biseduar me vajzën tënde mbi ngacmimet dhe dhunën seksuale? A i ke rrëfyer vajzës tënde histori dhe ngjarje të përjetuara mbi dhunën seksuale?

Nëse i përgjigjesh me “Po”, kësaj pyetjeje, ky është tregues që vajza jote ka përftuar një edukatë seksuale të nevojshme. Në të kundërt, një edukatë e tillë ka mangësi dhe kërkon të korrigjohet sa më shpejt.

 

Pyetja e tretë: Nëse vajza kërkon të dalë dhe babai i saj e ndalon, a ia sqaron nëna vajzës arsyet dhe shkaqet, që e bëjnë babanë të refuzojë?

La ta konkretizojmë këtë me një shembull. Nëse vajza kërkon të shkojë të vizitojë shoqen e saj, por nuk ka dikë që ta shoqërojë përveç shoferit të punësuar. Ajo i kërkon leje babait dhe i thotë, se është shoferi ai që do e shoqërojë deri në shtëpinë e shoqes. Normalisht, babai e refuzon diçka të tillë, gjë që e mërzit vajzën, madje e bën të qajë.

Në një rast të tillë, ti si nënë e ke detyrë që të ndërhysh dhe t’ia bësh të qartë vajzës arsyet, përse babai i saj refuzoi. Ti duhet t’i thuash, që një vajzë në moshën e saj, nuk duhet të udhëtojë e vetme në makinë me shoferin, i cili është njeri i huaj dhe vjen nga një vend të huaj. Ajo mund t’i tregojë dhe ngjarje të ndodhura mbi sulme dhe dhunë seksuale të ushtruar ndaj vajzave të asaj moshe, pikërisht nga njerëz të tillë.

Kështu e ëma duhet t’ia sqarojë vajzës shkaqet dhe arsyet, që e detyrojnë babanë të refuzojë kërkesa të tilla. E gjitha kjo hyn dhe konsiderohet edukatë seksuale.

Kjo nuk do të thotë, që nëna t’i paraqesë rreziqet seksuale dhe se shoferi mund ta sulmojë dhe përdhunojë. Jo jo. diçka e tillë nuk është e këshillueshme. Nëna duhet t’i flasë vajzës mbi këto rreziqe në mënyrë indirekte dhe që i përshtaten nivelit të vajzës.

Këtu mund të hyjnë dhe marrëdhëniet e saj me kushërinjtë (djem) dhe kushdo tjetër i afërt apo i largët.

Nëse përgjigja e pyetjes së mësipërme është “Po”, ky është tregues i kulturës dhe nivelit të lartë të edukatës seksuale tek nëna.

 

Pyetja e katërt: Morali i turpit sot është nga moralet më të rrallë që hasim, sidomos tek të rinjtë. Ajo që e zbukuron dhe hijeshon më së shumti një vajzë, është morali i turpit. Morali i turpit është pjesë e edukatës seksuale.

Prandaj, kur Zoti i madhëruar e përshkruan vajzën e Shuajbit duke vajtur ta ftojë Musanë në shtëpinë e saj, thotë: ”Më vonë, njëra nga ato dyja erdhi me ndrojtje...” (Kasas 25)

Pyetja është: Vallë a i kemi edukuar vajzat tona me ndjenjën dhe moralin e turpit? A i edukojmë ato, që të mos shohin veçse gjëra të hijshme dhe hallall?

Nëse përgjigja është “Po” atëherë edukata seksuale është në nivelet e saj më të larta.

 

Pyetja e pestë: A ke filluar ta mësosh dhe ushtrosh vajzën tënde, që të mos vishet me rroba të shkurtra? Pas moshës dhjetëvjeçare, vajza duhet të parapërgatitet për periudhën e pubertetit dhe ndryshimet që e shoqërojnë atë.

Dikush mund ta fillojë këtë parapërgatitje që në moshë më të hershme, sipas ambientit dhe vendit ku jeton.

Kështu, që në këtë moshë ne duhet ta mësojmë vajzën tonë, që të mos vishet me të shkurtra dhe të tejdukshme, qoftë edhe brenda në familje.

 

Pyetja e gjashtë: Në këtë moshë dhe sidomos me shoqet e shkollës, fillojnë të shtohen përqafimet, prekjet, ledhatimet etj... mes shoqeve, prandaj është mirë, që vajzës t’i thuhet në mënyrë indirekte dhe të pranueshme, që të tregohet e kujdesshme, pasi nuk dihet qëllimi i shoqeve dhe kolegeve.

 

Këto ishin pyetjet përsa i përket vajzave të moshës dhjetë vjeçare e sipër. Kurse përsa i përket djemve, pyetjet janë:

 

Pyetja e parë: A i ke folur djalit tënd o baba, mbi pubertetin, ejakulimin gjatë gjumit, si ndodh, dallimin mes një djali që nuk e ka mbushur moshën e pubertetit dhe atij që e ka mbushur këtë moshë etj... ? A ia shpjegon këto gjëra djalit tënd o baba?

Nëse përgjigja është “Po”, kjo është tregues i nivelit të lartë të edukatës seksuale tek babai.

 

Pyetja e dytë: A i flet djalit tënd dhjetëvjeçar mbi sulmet dhe dhunën seksuale të ushtruar ndaj fëmijëve? A i rrëfen ndodhi të përjetuara?

Nëse përgjigja është “po”, kjo është tregues i nivelit të lartë të edukatës seksuale.

 

Pyetja e tretë: A i flet djalit mbi kujdesin që duhet të bëjë në lidhje me marrëdhëniet, që ndërton me shokët dhe kolegët, sidomos nëse djali ka pamje të hijshme dhe tërheqëse?

Fëmijët e kësaj moshe duhet t’i imunizojmë dhe ndërgjegjësojmë mbi disa dukuri negative, por në formë jo të drejtpërdrejtë.

 

Pyetja e katërt: A e edukon djalin tënde me moralin e turpit? Turpi nuk është një moral, me të cilin duhet të karakterizohen vetëm vajzat, por dhe djemtë.

 

Mosha e pubertetit dhe pyetësori rreth kësaj moshe

Vallë si duhet ta trajtojnë dhe edukojnë prindërit një vajzë ose një djalë, të cilët kanë hyrë në moshën e pubertetit? Cili është roli i tyre në këtë moshë delikate?

Mosha e pubertetit shoqërohet me disa ndryshime si tek djali ashtu tek vajza, ndryshime të cilat i ndihmojnë prindërit të zbulojnë, nëse fëmija i tyre ka hyrë në këtë moshë apo jo. Këto ndryshime konsistojnë në ndryshimin ose trashjen e zërit tek djemtë, daljen e qimeve në fytyrë, sqetulla dhe rreth organeve gjenitale etj...

Pyetësori që ndihmon në vlerësimin e edukatës seksuale në këtë moshë, është:

 

Pyetja e parë: A ia shpjegojnë prindërit (babai djalit dhe nëna vajzës) mënyrën si formohet embrioni në barkun e nënës? A i mësojnë se mënyra e vetme dhe e lejuar në Islam për formimin embrionit në barkun e nënës, është martesa? A e bën diçka të tillë me djalin tënd o baba dhe me vajzën tënde o nënë?

Nëse dikush ua ka mësuar dhe sqaruar diçka të tillë, që kur fëmijët ishin në moshën dhjetë vjeçare, kjo është akoma më mirë. Sidomos nëse fëmija shquhet për pjekuri dhe ky informacion i përshtatet nivelit të tij.

Përsa i përket edukatës dhe kulturës seksuale, ekzistojnë forma, shkolla dhe opinione të ndryshme. Ka prej tyre, që edukatën seksuale e konceptojnë si lirinë për të dëgjuar, parë dhe vepruar çdo gjë.

Me këtë rast, më kujtohet një program që transmetohej në kanalin satelitor A.R.T, ku tema e emisionit ishte “Mosha e pjekurisë”. Të ftuar ishin një grup profesorësh dhe doktorësh, që i përkasin kësaj fushe. Mes tyre ishte dhe një grua, e cila kishte mbrojtur doktoraturën në psikologji. Ajo e konceptonte edukatën seksuale si liri absolute për të vepruar ç’të duash. Ajo nuk shihte asnjë problem nga degjenerimi, shthurja, sjelljet perverse etj... Madje ajo mendonte, se nuk ka asgjë të keqe, të shfaqen filma dhe programe me përmbajtje pornografike në çdo kohë.

Debatet dhe diskutimet vazhduan për një kohë të gjatë, derisa në fund e pyeta: ”Atëherë ju e përkrahni lirinë absolute”?!

“Po - u përgjigj ajo – ç`të keqe ka, nëse TV-të shfaqin atë që ndodh realisht, edhe pse bëhet fjalë për programe me përmbajtje seksuale dhe pornografike”?!

Unë e pyeta: ”A keni fëmijë të seksit femër”?

“Po” - u përgjigj ajo.

Unë i thashë: ”Zakonisht në filmat me përmbajtje skemash seksi ose dhune, shkruhet që një film të tillë duhet ta shohin fëmijë mbi tetëmbëdhjetë vjeç.

Ta zëmë se ti je e ulur dhe bashkë me vajzën tënde nëntëmbëdhjetë vjeçare dhe po ndiqni programet e televizionit. Në një çast fillon një film i ri dhe para se filmi të fillojë, televizioni tërheq vëmendjen që këtë film duhet ta shohin vetëm fëmijë, që janë mbi tetëmbëdhjetë vjeç, pasi përmban skena seksuale.

Në një rast të tillë a do e lejonit vajzën tënde nëntëmbëdhjetë vjeçare, ta shohë këtë film bashkë me ty”?

Ajo u përgjigj: ”Sigurisht, nuk ka asgjë të keqe në këtë mes. Ajo është nëntëmbëdhjetë vjeçare tashmë”.

Unë i thashë: ”Nëse vajza jote do të ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe, e njëmbëdhjetë muaj e njëzet e nëntë ditë, a do e lejoje ta shohë atë film? Apo do i kërkoje të ngrihet dhe vetëm pasi të ketë kaluar edhe ajo ditë, ajo është e lirë ta shohë atë film dhe çdo film tjetër”?

Doktoresha heshti dhe nuk u përgjigj fare.

Unë ndërhyra përsëri dhe i thashë: ”Përgjigju doktoreshë e nderuar, do e lejoje apo jo”?

Ajo përsëri heshti dhe nuk u përgjigj.

Unë i thashë: ”Atëherë a e shkon të logjikshëm kriterin e moshës tetëmbëdhjetë vjeç dhe pas kësaj moshe e lejon vajzën të shohë filma me skena seksi? Fakti që shoqëritë perëndimore kanë vendosur kritere për të ndjekur programe dhe filma me përmbajtje seksuale, do të thotë që ne si shoqëri kemi të drejtën tonë, që të caktojmë kriteret tona, sipas traditës dhe fesë që i përkasim".

Ajo sërish heshti dhe nuk foli, pasi nuk dinte ç’të thoshte. Ajo nuk dinte ç’të thoshte, pasi një edukatë dhe kulturë e tillë është e gabuar. Si është e mundur t’i lejojmë fëmijët tanë, të shohin fragmente me përmbajtje seksi dhe të mos shqetësohemi?!

Kështu roli i prindërve është, që t’i edukojnë fëmijët, se mënyra e vetme pë të lindur, është nëpërmjet martesës. Atyre u duhet folur edhe mbi llojet e martesave të sotme, ku kemi martesa edhe mes meshkujve dhe femrave. Ndërkohë që ne si muslimanë, jemi për martesa mes dy sekseve dhe jo për lidhje jashtëmartesore. Zoti e krijoi femrën (Havanë) për burrin (Ademin). Diçka e tillë është një nga ligjet e Zotit në gjithësi. Nëse ky ligj shkelet dhe nuk respektohet, atëherë bëhemi dëshmitarë të degjenerimit, perversitetit dhe sëmundjeve të rënda që janë përhapur.

 

Pyetja e dytë: A e sqarojmë vajzën mbi rëndësinë dhe vendin që zë hixhabi, sidomos pas pubertetit? A përpiqemi që t’ia bëjmë hixhabin të dashur? Padyshim që edhe kjo hyn tek edukata seksuale. Duke e edukuar vajzën me mbulesën islame, e edukojmë atë të jetë e ndershme dhe e moralshme, gjë e cila është koncept seksual.

 

Pyetja e tretë: A u flasim vajzave tona, që përzierja, lojrat dhe qëndrimi me djem, nuk është i lejueshëm në Islam? Po djalit, ai ia përçojmë të njëjtën ide?

 

Pyetja e katërt: A u flasim djemve dhe vajzave të kësaj moshe mbi rëndësinë e larjes (gusul) sidomos në rast ejakulimi të spermës? A ua mësoni mënyrën e pastrimit dhe të guslit?

 

Pyetja e pestë: A u mëson si të sillen dhe të reagojnë ndaj atyre, që u shpërndajnë filma, dokumentarë apo materiale me përmbajtje pornografike? Në disa shkolla dhe ambjente arsimi ndodh, që të rinjtë të shpërndajnë materiale me përmbajtje pornografike, faqe interneti me foto të pahijshme etj... Nëse ne i mësojmë dhe edukojnë si të reagojnë në një rast të tillë, atëherë ky është tregues i nivelit të lartë të edukatës seksuale.

 

Pyetja e gjashtë: Gjatë kësaj moshe, të rinjtë mund të përjetojnë lidhje dashurie, sidomos me bashkëmoshataret e tyre. A i kshillojmë vajzat dhe djemtë tanë, se si të reagojnë dhe të sillen, nëse përballen me ndjenja dhe lidhje të tilla? Padyshim që edhe kjo hyn në edukatën seksuale.

Një herë, më erdhi një prind dhe më tha: ”O Xhasim! Më ka ndodhur një hall dhe gjëmë e madhe”!

“Po çfarë të ka ndodhur?” - e pyeta unë.

Ai më tha: ”Kam një vajzë katërmbëdhjetë vjeçare. Ajo është shumë e mirë, fal pesë kohët e namazit, është e mbuluar me hixhab, me rezultate të larta në shkollë, e respektueshme dhe mëson Kuran përmendësh. Një ditë, kur hyra në shtëpi, u shokova pasi e dëgjova të flasë në telefon me një djalë”.

Unë e pyeta: ”Po ti, si reagove”?

Ai më tha: ”Hyra në dhomën e saj, theva aparatin e telefonit, e humba toruan dhe nuk dija çfarë thoja dhe veproja. Madje e qëllova dhe ka tre ditë që e kam mbyllur në dhomën e saj”.

Unë e pyeta: ”Me këtë që ke bërë, dëshiroje të ndëshkoje veten tënde apo vajzën?! A kështu e edukon vajzën?! Me këtë, ti i ke tejkaluar të gjithë kompetencat. Padyshim që ajo që ka bërë vajza jote është gabim. Por dua të di prej teje vetëm diçka: “A e ke parapërgatitur dhe edukuar vajzën tënde seksualisht”?

Ai pyeti: ”Çfarë?! E çfarë duhet t’i mësoja?!”

Unë fillova t’i shpjegoj gjërat, që një prind duhet t’ia mësojë fëmijëve, mbi marrëdhëniet dhe kufijtë mes dy gjinive dhe pashë, që ai nuk i kishte folur fare mbi këtë çështje.

Në fund ai më pyeti: ”Mirë, po tani si t’ia bëjmë”?

Unë i thashë: ”Nëse do të ndodhesha në pozicionin tënd, unë do të ulesha me vajzën dhe do i thosha: ”O bija ime! Dëshira ime është që të të shoh të martuar. Nëse ti ke marrëdhënie me këtë djalë dhe e do atë, unë dua që këto marrëdhënie t’i kurorëzoj me martesë. Besoj se ti nuk je kundër kësaj! Prandaj ma jep numrin e tij të telefonit, ta ftoj të vijë në shtëpi, të bisedojmë dhe ta njohim fillimisht. Nëse ai është djalë i mirë, i ndershëm, i respektueshëm etj... le ta kurorëzojmë këtë lidhje me fejesë dhe më pas me martesë. Në të kundërt, nëse ai nuk të përshtatet, unë të ndihmoj që ta heqësh qafe”.

Ai më pyeti: ”Të flas me vajzën në këtë mënyrë”?!

Unë i thashë: ”Ky është propozimi im. Nëse e ke të vështirë, atëherë vazhdo sipas mënyrës tënde duke e mbajtur vajzën të mbyllur në dhomë”.

Ai më tha: ”Unë po e provoj njëherë”.

Unë i thashë: ”Kur të flasësh me vajzën, përpiqu ta bindësh dhe ta bësh të ndjejë, se ti po i ofron ndihmë. Nëse fëmijët tanë bien në një gropë, ne duhet t’u zgjasim dorën t’i nxjerrim nga gropa dhe jo t’i shtyjmë më poshtë”.

Ky prind vajti në shtëpi, u ul me vajzën dhe i tha: ”O bija ime! Kjo që ke bërë, padyshim që është një gabim i madh. Unë dua të të ndihmoj dhe dua që të gjejmë një zgjidhje të duhur. Tashmë ti je e rritur dhe nëse e do atë djalë, përse të mos martohesh me të”?!

Vajza i thotë: ”Unë e dua atë dhe ai më do”.

Tregon babai: ”Këto fjalë të vajzës më çmendën fare. Megjithatë e mbajta veten dhe i thashë: ”Dakord! Merre tani në telefon dhe ftoje të vijë në shtëpi. Nëse ai është djalë i mirë, i ndershëm dhe i përshtatshëm, unë jam dakord që ju të martoheni”.

Këto fjalë e gëzuan pa masë vajzën. Kështu ajo vajti tek telefoni, e aktivizoi atë me zë të lartë dhe foli me të dashurin e saj, të cilit i tregoi, që babai priste që ai të vijë në shtëpi, të njihej me të dhe më vonë të mendonin në çështjen e martesës.

Nga ana e tij, djali i tha: ”Çfarë të bëj?! Të vij t’ju vizitoj në shtëpi dhe të bisedoj me babanë tënd”?!

Vajza: ”Ti vetë më ke thënë se më do dhe dëshiron të fejohesh dhe martohesh me mua”!

Djali: ”Jo, jo, jo! Ti e paske besuar këtë?! Unë thjesht kam dashur të kemi lidhje dhe të dëfrehemi, por nuk më ka shkuar në mendje të martohemi”.

Tregon babai i vajzës: ”Të gjithë këto fjalë unë i dëgjova. Në ato çaste, vajza ime nuk e deshi më veten. Ajo e mbylli telefonin dhe duke qarë me ngashërime u përplas në kraharorin tim dhe më tha: ”Ai qenka vetëm një mashtrues dhe i poshtër...”

Kështu gjithë ky problem i madh, u mbyll pa telashe. Unë kam qenë dhe jam, për t’i trajtuar probleme të tilla me dialog, me të butë dhe urtësi.

 

 

 

Back