Shembuj të edukatës seksuale në legjislacionin islam

27/05/2011 20:32


Çdo baba dhe nënë, duhet që edukatën seksuale të fëmijëve të tyre, ta bëjnë me nijetin e veprave të mira. Nëse një baba ose nënë dëshiron dhe merr hapa konkretë për t’u mësuar fëmijëve të tyre edukatën seksuale, patjetër që kjo hyn në urdhërimin për mirë dhe ndalimin nga e keqja.

Një ditë po mbaja një ligjëratë mbi rëndësinë e edukatës dhe kulturës seksuale, sidomos për brezin e ri, të rinjtë dhe të rejat. Në fund të ligjëratës, një nga prindërit e pranishëm, u ngrit dhe mu drejtua me fjalët: ”Profesor i nderuar! Unë jam rritur dhe edukuar në një familje, ku as babai, as gjyshi dhe askush tjetër nuk më kanë folur mbi edukatën seksuale. Megjithatë, të gjithë ne e kemi marrë informacionin e duhur të kësaj fushe, pa pasur nevojë që dikush të na mësojë”.

Unë i thashë: ”Kjo që po thua ti është shumë e vërtetë. Unë e pranoj këtë prej teje dhe bashkëmoshatarëve të tu, që keni kaluar një rini para dyzet apo pesëdhjetë viteve. Por këtë unë nuk mundem ta pranoj për realitetin që jetojmë. Asokohe ju e keni pasur të pamundur të shihni fragmente erotike apo pornografike, përveç ndonjë rasti të rrallë. Kjo ka ndodhur, pasi shoqëria ishte konservatore dhe shumë fanatike. Ndërkohë që sot, edhe fëmijët katër apo pesë vjeçarë kanë mësuar të ndezin dhe të punojnë në kompjuter. Madje, një herë kam takuar një fëmijë, i cili dinte të hyjë në internet, ku luante me lojërat e ndryshme.

Nëse në të kaluarën e prindërve tanë, çështjet seksuale ishin mbyllur në një sënduk të zi, sot e kemi detyrë që ta hapim këtë sënduk dhe nëse nuk hapet, ai duhet thyer. Ne duhet të përpiqemi, që t’i përgatisim fëmijët që në moshë të hershme, mbi ato që do u themi më vonë rreth edukatës seksuale”.

Nëse do të hapim çfarëdo lloj libri të legjislacioni islam (fikhut), do të gjejmë kapituj dhe nënkapituj të shumtë, që flasin pikërisht mbi edukatën seksuale. P.sh, aty do të gjejmë kapituj të tillë:

“Kapitulli i marrëdhënieve seksuale gjatë të përmuajshmeve”. Në këtë kapitull, jepet përgjigje nëse marrëdhëniet seksuale mes bashkëshortëve, lejohen ose jo, nëse bashkëshortja është me të përmuajshmet. A nuk është diçka e tillë edukatë seksuale?

“Kapitulli i marrëdhënieve seksuale gjatë shtatzënisë”.

“Kapitulli i marrëdhënieve seksuale gjatë Haxhit”.

“Kapitulli i marrëdhënieve seksuale gjatë agjërimit”.

“Kapitulli i puthjes së gruas gjatë agjërimit”.

“Çfarë i lejohet haxhiut gjatë Haxhit ose Umres, në lidhje me gruan e tij”?

“A është e lejueshme zhveshja dhe heqja e të gjithë rrobave gjatë kontaktit seksual”?

“A lejohet që bashkëshortët të shohin organet gjenitale të njëri-tjetrit”?

“Edukata e shtratit  dhe marrëdhënieve seksuale”.

Këto dhe shumë kapituj të tjerë, gjenden në fikhun islam dhe të gjithë bëjnë fjalë për edukatën seksuale.

Të gjithë këto çështje dhe mesele, që fikhu islam i përmban mbi edukatën seksuale, më shtynë që t’i numëroj dhe gjeta se ato arrinin në 2.774 çështje. Një numër i tillë tregon, se ne posedojmë një trashëgimi shumë të pasur të edukatës seksuale. Por ku ndodhet ajo?

Edukata më e mirë dhe më e përshtatshme për fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm, është edukata fetare. Edukatën seksuale ne mund t’ua japim fëmijëve tanë, duke u mësuar Islamin, besimin dhe librat e fikhut. Vetë Kurani famëlartë prek në mënyrë indirekte probleme, që kanë të bëjnë me edukatën seksuale. Gjithashtu edhe tradita profetike ka informacion shumë të gjerë mbi këtë fushë. Po kështu edhe librat e jurisprudencës islame, janë të mbushur me çështje të tilla.

E gjithë kjo vëmendje mbi seksin, është pasi në Islam ai shihet si adhurim. Marrëdhëniet seksuale në Islam, shihen dhe trajtohen, ashtu siç trajtohen të gjithë adhurimet e tjera, namazi, agjërimi, haxhi etj... pa dallim mes tyre.

Një herë ndodhesha në një konferencë mbi problemet dhe edukatën seksuale në perëndim. Kur më erdhi radha për të folur, u thashë: ”Dallimi mes Islamit dhe perëndimit në mënyrën si e konceptojnë seksin, është se në Islam seksi shihet si adhurim (ibadet). Ndërkohë që ju e konceptoni thjesht si kënaqësi çasti...”

Prandaj është sunet (traditë), që dy bashkëshortët të marrin abdes para aktit seksual. Profeti Muhamed a.s, kur dëshironte të kishte një marrëdhënie të dytë, merrte abdes më parë.

Veç kësaj, para aktit seksual, ne myslimanët duhet të themi disa lutje. Kështu, kur ne myslimanët flasim mbi seksin, nuk e konsiderojmë atë thjesht si një lojë, dëfrim dhe kënaqësi, por në radhë të parë si adhurim.

Një koncept dhe këndvështrim të tillë për seksin e ka forcuar vetë i dërguari i Allahut. Ai ka thënë:”Edhe për marrëdhëniet tuaja seksuale, ju shpërbleheni”.

Të habitur nga kjo, të pranishmit e pyetën: ”O i dërguar i Zotit! Edhe kur kryejmë marrëdhënie seksuale me gratë tona shpërblehemi”?!

Profeti a.s iu përgjigj: ”Po. Nëse dikush do e bënte të njëjtën gjë në rrugë haram, ai do të ndëshkohej. Kështu, kur e bën në rrugë hallall, ai shpërblehet”.

Kështu, Islami nuk e shikon seksin thjesht si një shfryrje epshi dhe kënaqësi. Alergjia, që shkakton fjala seks tek ne, ndodh për shkak të kaluarës tonë, ambjentit ku jemi rritur dhe edukatës së përftuar rreth fjalës seks. Vetë fjala seks shkakton alergji, rrudhje buzësh dhe habi në shumë ambjente. Të tjerë mund të kundërshtojnë. Ka të tjerë që menjëherë fillojnë të qeshin, qoftë dhe nën buzë.

Këto reagime janë të tilla, pasi termin “seks” ne e kemi dëgjuar dhe përftuar në mënyrë të gabuar, madje dhe vetë edukata që kemi përftuar mbi seksin, është edukatë e gabuar. Ne nuk kemi përse të ndihemi ngushtë, në siklet dhe të tensionuar kur përmendet fjala seks. Ashtu siç flasim pa komplekse mbi namazin, agjërimin dhe haxhin, le të flasim edhe për seksin. Ku qëndron ndryshimi mes këtyre adhurimeve? Përse duhen bërë dallime mes tyre?

Alergjia që krijohet me të dëgjuar fjalën seks, vjen për shkak se ne jemi edukuar me edukatën e turpit dhe të vijave të kuqe.

Një herë po debatoja me një perëndimor, i cili e kritikonte Islamin në disa çështje. Gjatë debatit unë e pyeta: ”Cila është ajo gjë, e cila e dallon kulturën perëndimore nga Islami?”

Ai u përgjigj: ”Është kultura dhe edukata seksuale. Ne e kemi ngritur në këmbë atë, e kemi forcuar dhe kemi krijuar një literaturë të bollshme, që e shtjellon në detaje.”

Unë i thashë: ”Ti ke të drejtë mbi këtë, por a e di, se Islami i ka shtjelluar çështjet, që kanë të bëjnë me seksin, më shumë se ç’i keni shtjelluar ju në perëndim” ?

Ai më tha: ”Kjo është e pabesueshme.”

Unë i thashë: ”Dakort, atëherë më thuaj cili është koncepti i seksit sipas teje”?

Fillimisht ai heshti dhe kur unë i kërkova sërish të ma përkufizonte seksin, me qëllim që të jemi më të qartë mbi konceptin që ka secili mbi seksin, ai tha:”Me fjalën seks, unë kuptoj aktin seksual”.

Unë i thashë: ”Kurse në Islam, përkufizimi i seksit është shumë më gjithëpërfshirës. Ti e koncepton dhe përkufizon seksin, vetëm tek akti seksual dhe penetrimi, duke përjashtuar përkëdheljet para dhe pas penetrimit”.

Vetë profeti Muhamed a.s na këshillon dhe na mëson, se si të kemi marrëdhënie seksuale sa më romantike. I gjithë kontakti seksual, përbëhet nga hyrja, thelbi dhe përfundimi, ndërkohë që në perëndim njihet vetëm kontakti seksual, penetrimi.

Një herë, ndodhesha në Amerikë dhe hyra në një librari. Atje, vajta tek këndi i librave shoqërorë dhe sytë më zunë një libër me titull: ”Seksi tek mbi pesëdhjetë vjeçarët”.

E bleva librin dhe vajta në hotel, ku u ula të lexoj pë të kuptuar këndvështrimin perëndimor mbi seksin tek të moshuarit. Fillova të shfletoj librin, por çdo faqe ishte e bardhë, boshe. Mendova se mund të jetë gabim gjatë shtypjes së librit, pasi të gjithë faqet e librit ishin boshe. Vetëm në fund, hasa një faqe të shkruar, të cilën fillova ta lexoj me kureshtje.

Autori i librit, në atë faqe të vetme shkruante: ”O ti që ke blerë këtë libër! Mos mendoje se pas të pesëdhjetave ka aktivitet seksual?! Prandaj unë i botova të gjithë faqet të bardha...”

Në perëndim, aktiviteti seksual pasi njeriu i kalon të pesëdhjetat, fillon të dobësohet, pasi ata e fillojnë aktivitetin seksual që në moshë të re dhe të hershme. Jo vetëm kaq, por e ushtrojnë aktivitetin seksual në mënyrë të devijuar dhe perverse. Që në moshat tetë apo nëntë vjeçare, të rinjtë dhe të rejat fillojnë të mendojnë mbi seksin, madje ndërmarrin dhe hapa në këtë drejtim. Ata gëzojnë liri të plotë përsa i përket kulturës seksuale, gjë të cilën e mësojnë që në moshë të vogël.

Disa miq të mi që jetojnë në Itali, më treguan se fëmijët e tyre katërvjeçarë marrin mësime mbi seksin në kopshte. Kur mbushin moshën tetëvjeçare këta fëmijë, i dërgojnë për shëtitje në ferma dhe kopshte të caktuara, ku i trajnojnë seksualisht.

Kështu, nëse aktiviteti seksual fillon që në moshën tetëvjeçare, si mund të pritet që ky aktivitet të vazhdojë edhe pasi ata të mbushin pesëdhjetë vjeç?!

 Me ardhjen e Islamit, çështjet e seksit u disiplinuan dhe sistemuan. Islami përdori dhe termin e pastërtisë morale, nderin (iffe). E habitshme është, se po të kërkosh në fjalorët e anglishtes apo çdo gjuhe tjetër, nuk gjen fjalë ekuivalente për fjalën iffe (i ndershëm moralisht). Kjo fjalë në vetvete është edukatë dhe moral, me të cilin i edukojmë fëmijët tanë.

 

 

 

 

Back