Vërtet pas vështirësisë vjen lehtësimi

24/05/2011 21:22

 

 O njeri, dije se pas urisë vjen ngopja, pas etjes ke ujin freskues, pas lodhjes së tepërt të kaplon gjumi, pas sëmundjes vjen shërimi, i humburi do të triumfojë, robi do të lirohet nga prangat e robërisë, i devijuari do të udhëzohet, dhe pëlhura e territ do të ngjitet lart e do të zhduket. 

“Ke shpresë tek Allahu, se ndoshta Allahu ta sjell fitoren e t’i çel dyert e çështjeve të vështira nga ana e Tij” (Kur’an 5:52).
Nata të përgëzon me një mëngjes të vërtetë duke humbur pas majave të kodrave të larta. Përgëzoje të kapluarin me goditje për zgjidhjen e nyjave të tij, e cila arrin me shpejtësinë e dritës, sa çel e mbyll sytë; tregoji shpresëhumburit për dorën përkëdhelëse që e pret dhe për butësinë e lehtë që do ta prekë.
Kur të ecësh në shkretëtirë dhe të shohësh se gjatësia e saj veç po zgjatet e zgjatet, dije se pas asaj të pret kopshti i gjelbër me drunjë të shpeshtë që të sigurojnë hije të holla e të freskëta. E kur të shohësh se litari i trashë veç po hiqet e hiqet, dije se në fund ai këputet.
Vërtet pas lotit ke buzëqeshjen, pas frikës ke paqen dhe sigurinë, e pas drejtimit tënd nga Krijuesi të vjen qetësimi.
Zjarri i tmerrshëm nuk e dogji Ibrahimin (alejhis selam), ngase Allahu (subhanehu ve teala) ia çeli dritaren e mbrojtjes e që ishte: “Iftohtë dhe shpëtues ” (Kur’an 21:69).
Po ashtu, deti i tmerrshëm nuk e mbyti Musain (alejhis selam), sepse zëri i tij i fuqishëm dhe i sinqertë pëshpëriti: “Kurrsesi, me mua është Zoti im, Ai do të më udhëzojë." (Kur’an 26:62).
Me të vërtetë njerëzit të cilët bëhen rob të së keqes dhe që ushqejnë atë me lot dhe pikëllime vrasëse nuk shikojnë tjetër pos mureve të dhomës së tyre dhe derës së shtëpisë së tyre. Sa dritëshkurtër që janë, e kështu pa mëshirë e vrasin shpresën që duhet të mbetet e gjallë.
Thuaju: ‘O njeri, ti që më kupton, hidhe shikimin pak më larg, atje… pas perdeve, dhe çliroje trurin deri atje pas mureve! Ndaj, mos e humb veten, bëhu vigjilent dhe qëndro guximshëm se çdo fillim ka edhe mbarimin e vet. Adhurim më të preferuar ke pritjen e fitimit dhe daljen nga ngushtësia, ditët rrotullohen, ca për ty e ca kundër teje, dhe koha ka rrotullimin e vet, netët janë si shtatzënat, lirohen një ditë nga barrët e tyre. E panjohura është e mbuluar, e Allahu i Madhëruar në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja, fal mëkate, largon brengosje, jep jetë, jep vdekje, krijon gjendje, zhduk të tjera… Ti nuk e di, Allahu (subhanehu ve teala) pas asaj mund të japë diçka rishtazi, dhe me të vërtetë pas vështirësisë ka lehtësim.

Aid El Karni

(Mos u Trishto)

 

 

 

 

Back