Edukimi fetar në shkolla si domosdoshmëri

25/05/2011 21:02

 

Përderisa në vendet më demokratike të botës, të cilat janë të përcaktuara me aktet më të larta si shtete laike, si dhe në vendet e rajonit është duke u bërë përpjekje e vazhdueshme për t'i eliminuar dukuritë negative në shkolla, edhe pse këto dukuri në këto vende janë më pak të shprehura se në vendin tonë, prapëseprapë këto shtete përdorin çdo mundësi dhe alternativë me qëllim që të kenë një shoqëri sa më të shëndoshë, duke inkorporuar edhe mësimin fetar në shkolla.
Në vendin tonë ndodh saktësisht e kundërta, askush nuk merakoset për gjëra të tilla, as institucionet të cilat janë kompetente për këtë, thuajse ato janë të zakonshme dhe jo vetëm kaq, por cilësohen edhe si zotësi.
Cilat janë këto dukuri pos huliganizmit, narkomanisë dhe dhunës, të cilat janë kanceri i një shoqërie, që e shkatërron të ardhmen dhe rininë e një vendi?
Dikush mund të pyesë: Pse të shqetësohemi për këto dukuri, kur ato kanë qenë gjithmonë të pranishme dhe nuk duket sikur ne mund të bëjmë gjë për ta ndryshuar ketë?
Përgjigjja është e dyanshme.
E para, efektet e këtyre dukurive janë të tmerrshme dhe nuk është diçka që shoqëria mund ta durojë e ta tolerojë.
E dyta, edhe pse mund të ekzistojnë kudo, edhe më keq në disa vende se në disa të tjera, nëse nuk luftohen, këto dukuri negative do të na luftojnë ne duke na kapërdirë deri në fund si shoqëri dhe individë.
Lufta kundër këtyre dukurive mund të ketë dy përmasa themelore: përmasën preventive dhe përmasën represive.
Përmes përmasës preventive mund të parandalohen. Por shtrohet pyetja: Si mund të parandalohen? Edukimi fetar duhet t'i paraprijë arsimimit. Në shumicën e vendeve të Evropës, edhe pse ato vende janë laike, edukimi fetar është futur nëpër shkolla si domosdoshmëri për t'i ndaluar dukuritë negative të lartpërmendura. Po ashtu, edhe komuniteti serb në Kosove e ka futur edukimin fetar në institucionet arsimore, ku priftërinjtë që japin mësim në shkolla paguhen nga buxheti i Kosovës.
Përmes përmasës represive duhet të ndëshkohen ata të cilët e prishin rendin dhe qetësinë publike në shkolla, përdorin drogën, përdorin armë të ftohta etj.
Jetojmë në kohën demokratike, praktikojeni o ju qeveritarë këtë demokraci të pretenduar edhe në çështje fetare e të mos jetojmë në kohë demokratike duke pasur në zemër e shpirt komunizmin dhe diktaturën!

Pra, në mënyrë që të shpëtojmë rininë tonë dhe të kemi një rini sa më të shëndoshë, ta futim edukimin fetar në shkolla tona sepse është e domosdoshme.

 

Dhe në fund, e përfundoj me një aforizëm të akademik Esat Stavilecit, se një qytetar nuk jeton për t'i shërbyer demokracisë, por demokracia ekziston për t'i shërbyer qytetarit..

 

Kushtrim Gashi

 

 

Back