Përshkrimi i faqes

Manual i vërtet i lumturisë

22/05/2011 21:05

Duke pas parasysh interesimin e komunitetit për një përceptim real mbi konceptin "psikologji" dhe "islam" ndërmorra këtë hap që të paraqes një pasqyrë reale që reflekton një shpjegim të shkurtër por të mjaftueshëm në esencë, në mënyrë që opinioni të thellohet më tej në kuptimin sa më përmbajtësor të tyre. Si rrjedhojë në këtë kontekst pason edhe shpjegimi shkoqitës, konkret për faqen tonë dhe konceptin e saj, njëkohësisht duke i ndërlidh nocionet e lartpërmendura dhe duke specifikuar ndikimin e Islamit mbi psikologjinë e individit në rrafshin individual dhe social. 

 

 

 

Ç'është psikologjia?

Psikologjia është një shkencë magjepëse që prek çdo aspekt të jetës sonë.


Definicioni i vjetër që psikologjia është shkenca mbi shpirtin është i pamjaftueshëm. Sepse ai në fakt vetëm shpjegon prejardhjën e fjalës „psikologji“. Pra sipas domethënies së fjalëve të përngjitura greqishte „psyhe = shpirt“ dhe „logos = shkencë“. Por psikologjia është më shumë se vetëm një shkencë mbi shpirtin, mbi jetën e brendshme të njeriut. Jeta shpirtërore e njeriut ka edhe anën e jashtme.


Psikologjia është shkenca e sjelljes dhe e kognicionit. Sjellja përgjithësisht përkufizohet si gjithëçka që ne bëjmë, sidomos nëse kjo mund të vëzhgohet prej të tjerëve. Kognicioni, përfshin proceset mendore, si p.sh. të menduarit, të perceptuarit, të ëndërruarit, kujtesën etj. Këto procese njohëse zakonisht nuk mund të vëzhgohen për se dhe shpesh hulumtohen përmes eksperimenteve (vetëraportimeve, pyetësorëve etj.


Kësisoj, objekti i interesimit të psikologëve përfshin sistemin nervor, ndjenjat dhe percepcionin, të mësuarit dhe kujtesën, intelegjencinë, gjuhën dhe të folurit, mendimin, rritën dhe zhvillimin, personalitetin, stresin dhe shëndetin, çrregullimet psikologjike, mënyrat e zbutjes dhe të mënjanimit të çrregullimeve psikologjike, sjelljen seksuale, si dhe sjelljen e njerëzve në rrethana sociale, d.m.th. në grupe të ndryshme dhe në organizata shoqërore.


Mbi këto pika mund t’i gjejmë elementet psikologjike në çdo aspekt të jetës.Fjala është për atë që individi përjeton dhe bën. Pra, me një fjalë psikologji është gjithqka që përjetojmë dhe bëjmë.



Psikologjia e Religjionit dhe Feja Islame


“Psikologjia e religjionit” nuk merret me religjion, por më tepër mbi ndikimin e religjionit ose fesë te individi, që shfaqet nëpërmes sjelljes, ritualit,lutjeve, dëshmive publike, gjithashtu religjioni ja jep individit ose grupit stilin e jetës, veshjes si dhe të sjelljes sipas parimeve apo bindjeve e tija etike dhe morale.
Religjioni ndikon shumë në psikën e individit ose grupit duke ia dhënë individit apo grupit ngjyrën si dhe qëllimin e jetës.
Por Islami nuk është vetëm religjion.Islami pretendon të jetë praktikë jetësore e njeriut dhe metodologji e të menduarit të tij. Islami është fe e cila përfshin në përgjithësi çdo çështje jetësore. Me termin "Islam" nënkuptojmë-nënshtrim, dorëzim, ndërsa me termin "mysliman" nënkuptojmë atë që i është nënshtruar (dorëzuar) urdhrave të Allahut dhe njëkohësisht zbaton ligjet e Tij.
Për të sqaruar lidhshmërinë mes fesë dhe psikologjisë, pikësëpari duhet bërë përkufizimin e fesë.
Në Kur’anin Famëlartë me termin "fe" nënkuptohet jeta e cila kalon me rregullsi dhe plan jetësor siç është të përkulurit ndaj një autoriteti, përshtatja dhe respektimi i urdhrave dhe ndalesave të atij autoriteti; në qoftë se këtyre urdhrave dhe ndalesave u përmbahet ka shpërblim, e në të kundërtën, të besohet se do të ketë
dënim”.
William James-i termin “fe” e percepton nga tre aspekte siç janë “ndjenjë, sjellje dhe përvojë”.
Duhet cekur se: “Në përjetimet psikike që kalojnë në jetësimin fetar marrin pjesë ndjenjat, mendimet, gjendjet dhe të gjitha qëndrimet fetare”. Jeta fetare, është ajo e cila në individ apo në shoqëri na bie në sy si një tërësi e disa lëvizjeve. Ajo përbëhet prej dy komponentëve: asaj që ka të bëjë me besimin dhe asaj që ka të bëjë me sjelljet (adhurimet). Në këtë kontekst besimi dhe adhurimet janë thelbi i jetës fetare dhe këta dy komponentë janë në lidhshmëri të ngushtë dhe të fortë
midis vete. Besimi si pjesë përbërëse e jetës fetare në aspektin shpirtëror, është ngjarje psikologjike. Meqenëse adhurimet janë rezultat apo sjellje të cilave përjetësimi u vjen nga rrënja e besimit (imanit), edhe ato i kanë themelet e tyre psikologjike.

Faqja jonë


Psikologjia Islame,në këtë rast kjo faqe bazohet në mësimet e Kur'anit(fjalët e Zotit të Madhëruar) dhe hadithit(fjalët e Muhammedit salallahu alejhi ue selem të frymëzuara nga Zoti), dhe mësime tjera psikologjike që nuk konfrontojnë leksionet islame, mësime këto që padyshim ndikojnë në psikën e individit, në aspektin pozitiv të saj.
Zoti i Madhëruar njeriun e ka krijuar prej dy elementeve: Ana materiale (trupi) dhe ajo shpirtërore (shpirti). Ne jemi të njoftuar nga Allahu i Madhëruarse si Ai e ka krijuar njeriun: 15:26. Ne krijuam njeriun nga balta e argjilit, të zi e të prishur (me erë të keqe)? (të formuar-të trajtuar-mesnun). 22:5. “...Ne u krijuam ju prej dheu, pastaj prej uji, pastaj prej një gjaku të ngjizur, pastaj prej një sa kafshatë mishi, që është krijesë e formuluar ose e paformuluar, në mënyrë që t'ju sqarojmë. Ndërsa atë që e dëshirojmë Ne, e përqëndrojmë në mitër deri në një afat të caktuar, e mandej u nxjerrim foshnje dhe ashtu të arrini pjekurinë tuaj...” (vazhdon). Por Allahu i Madhëruar nuk ka dhënë detaje në lidhje me krijimin e shpirtit. Ja siq thotë Allahu i Madhëruar në Kur’an: 17:85. Të pyesin ty për shpirtin; Thuaj: "Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije".

Ky ajet tregon se ne nuk jemi të njoftuar në lidhje me krijimin e shpirtit andaj Allahu i Madhëruar thotë se kjo çështje është çështje e Tij.


Sa i përket shpirtit ne as që do të flasim për krijimin e tij por ne do të hulumtojmë dhe t’iu tregojmë juve se çfarë nevoja ka shpirti ose se me çfarë ushqimi duhet të mbahet shpirti dhe çfarë roli ka shpirti i mirë (në jetë-në shoqëri) në trup. Shpirti është ai i cili komandon trupin. (varet a e komandon në mënyren siq thotë Allahu xh.sh apo siq thotë shejtani i mallkuar).

Ushqimi i trupit vjen nga toka sepse toka është themeli i njeriut, se nga toka është krijuar edhe prej tokës ushqehet dhe në tokë do të kthehet për t’u takuar me Zotin e vet.
Ndërkaq,ushqimi i shpirtit vjen nga qielli,prej nga edhe zbriti. Pra,ushqim i shpirtit është Kur’ani, në të gjenden të gjitha nevojat që e ushqejnë shpirtin (butësi, respekt, dituri, namaz, e shumë të tjera).
Kur’ani është ilaq dhe shërim i shumë sëmundjeve të ndryshme.
Sëmundja është dy llojesh: sëmundje e shpirtit dhe sëmundje e trupit, sepse edhe njeriu është i përbërë nga këto dy elemente, nga shpirti dhe nga materia. Nuk e mohon askush që ka logjikë, se sëmundja e shpirtit është më e rendë se sëmundja e trupit, më e rrezikshme se ajo dhe shkak për shumë sëmundje të trupit.

Çfarë është sëmundja shpirtërore?


Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: "Në trup gjendet një copë mishi e cila kur është në rregull, i gjithë trupi është në rregull dhe me prishjen e saj, prishet i gjithë trupi. Ajo është zemra!" [Muslimi]. Nuk është për qëllim këtu "zemra" si organ i trupit të njeriut, por ato gjëra që lidhen me zemrën prej besimit dhe punëve të zemrës, si dashuria e urrejtja, shpresa e frika, gëzimi e mërzitja, pëlqimi e nxehja, mahnitja e neveritja. d.m.th. emocionet e njeriut në përgjithësi dhe ndjenjat e tij. Prej këtu, sëmundja shpirtërore është çrregullim në zemër dhe në punët e zemrës, dhe prej tij shkaktohen çrregullime në sistemin nervor të dhembshmerisë, i cili komandon një sërë procesesh të disa organeve të trupit të njeriut, si rrahjet e zemrës, tensionin e gjakut dhe tretjen, procese shumë të rendësishme në jetën e njeriut. Po kështu, gjëndrat adrenale mbi veshka kanë lidhje direkte me sistemin nervor të ndjeshmërisë (i cili hyn në ato sisteme që quhen vetëvendosëse, të cilat njeriu nuk mund t'i komandojë me dëshirën e tij), dhe këto gjëndra, ashtu si edhe sistemi nervor i dhembshmërisë, reagojne menjëherë ndaj ndjenjave dhe emocioneve të njeriut, duke prodhuar hormonet e stresit adrenalinë, noradrenalinë dhe kortizol.

Këtë ndarje dytësore të natyrës së njeriut Gazaliu e shpjegon më tej duke definuar me katër terme: Kalb
(zemër), Nefs (uni), Ruh ( shpirti) dhe Akl (mendja-intelekti).



Si i kuron Islami sëmundjet shpirtërore?


Kurani është shërim për besimtarët. Allahu i Madhëruar thotë: "Thuaj: “Ai (Kurani) është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët”. Por ata që nuk besojnë, janë të shurdhër dhe të verbër, njësoj si të thirreshin prej vendeve të largëta." [Fussilet, 44] Dhe thotë: "Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje." [El Isra, 82]. Allahu nuk ka zbritur nga qielli ndonjë shërim më të dobishëm, më gjithëpërfshirës, me madhështor dhe me efektiv për heqjen e sëmundjes se sa Kurani, i cili është shërim për zemrat nga sëmundja e injorancës, e dyshimit, e pasigurisë, etj. Do të mjaftonte vetëm surja "El Fatiha" për t'u kuruar me të nga çdo sëmundje e shpirtit dhe e trupit, nëse njeriu do ta praktikonte ashtu si duhet kurimin me të. Si bëhët kjo? Dije se të gjitha ajetet që lexohen për shërim, lutjet dhe rukjet e ndryshme që kanë ardhur në Kuran dhe Sunet, janë të dobishme dhe shëruese në vetvete, por megjithëkëtë ato kërkojnë pranim nga zemra dhe vendosmëri të fortë nga i sëmuri. Me fjalë të tjera, njeriu duhet ta lidh zemrën e tij me Krijuesin e saj, t'i lutet vetëm Atij që ta shërojë atë, dhe të jetë i bindur se shërimi është në Dorë të Allahut, dhe nga ilaçet më të mira për shërim është Libri i Allahut. Duke qenë se zemra i nënshtrohet Allahut dhe e pranon kuren me Librin e Tij, dhe njeriu ka vendosmëri të fortë në kurimin me Librin e Allahut dhe me lutjet pejgamberike, atëherë njeriu shërohet me shërim të plotë nga Allahu i Madhëruar, sepse në këtë rast ka ndodhur ajo që ka thenë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem): "Për çdo sëmundje ka ilaç, dhe nëse qëllohet ilaçi i sëmundjes, njeriu shërohet me lejen e Allahut." [Muslimi, 2204]. Muslimani duhet të lexojë sa më shumë Kuran, ose të degjojë sa më shumë Kuran nëse nuk mund të lexojë, dhe të përpiqet sa më shumë që të mësojë të lexojë Kuranin arabisht, sepse kështu ai ruan veten dhe shtëpinë tij nga çdo e keqe dhe e lidh atë me Allahun e Madhëruar, dhe kështu nuk mbet më vend për të keqen, as për stres e as për sëmundje, as për magji e as per xhin, por vetëm për engjej e për hajër, e Allahu është Ai i cili e ka në dorë suksesin, prandaj lutjuni Allahut sa më shumë.




Përse kjo faqe?


Gazaliu para shumë shekujve kuptoi se debati rreth problemit të natyrës së njeriut automatikisht detyron individin që të merret me çështjet metafizike. Nëpër të gjitha veprat e tij ai insiston në kufizimin e mendjes teorike, ndërsa vërteton rolin e dëshirës, përvojave shpirtërore dhe morale në përpjekjet e arritjes së diturisë. Sipas tij, cilado paraqitje e natyrës së njerëzore, formën në të cilën njerëzit janë të krijuar, nuk mundet tërësisht të kuptohet pa kuptuar qëllimin e krijimit dhe rëndësinë e jetës së kësaj bote.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë.”

Është e habitshme që me çështjen e qëllimit të krijimit psikologët sekular me personalitetin asnjëherë nuk janë marr, ndërsa secili individ duhet të dijë se kuptimi më i mirë i çdo gjëje kërkon njohjen e qëllimit të ekzistencës së tij.


Njeriu i sodit në kuptimin thelbësor të fjalës është në një gjendje shqetësuese psikike dhe shpirtërore. Ai dita ditës më tepër është duke e tëhuajsuar dhe tjetërsuar vetveten.

Globalizimi si dhe mënyra e konsumimit kapitalist të cilin e ka para vetes, individin është duke e shndërruar në një mjet të sistemit konsumues kapitalist.
E tërë kjo përjetohet në një kohë kur nga njeriu pritet një përparim dhe rehati ekonomike, me anë të së cilës, sipas mendimësisë bashkëkohore, do t’u shmangeshim të gjitha shqetësimeve në lidhje me të ardhmen.
Që kriza të jetë edhe më e thellë, shpëtimi kërkohet në terapitë medikamentoze. Për pasojë kompani të ndryshme barnash tentojnë të jenë zgjidhje e çdo një shqetësimi apo gjendjeje të padëshiruar; përpjekja është që për çdo anomali senzuale të njeriut të prodhojë ilaç. Përkundrazi, me këtë bëhet kolonizimi më i madh i ndjenjave në përgjithësi, gjë që rezulton me mekanizimin e plotë të njeriut.
Është fakt se është bërë goxha një përparim në aspekt të zbulimeve në lidhje me proceset biologjike te njeriu, por duke lënë anash botën shpirtërore apo psikike të tij.
Kështu që u paraqit një situate ku feja dhe shkenca, që në thelb janë plotësuese të njëra-tjetrës, ta përjashtojnë njëra-tjetrën.
P.sh. pse sot kur pozita socio-ekonomike e njerëzve është shumë më e mirë, gjendja psikologjike është shumë më e pakënaqshme?! Pse numri i vetëvrasjeve ose
sëmundjeve psikike është në rritje proporcionale me rritjen e nivelit të të ardhurave dhe arsimimit?! Ose pse ka humanizëm më tepër në fillim e sa në fund të
njerëzimit?!

Arsyet që një i ri nuk i pranon të ofruarat nga jashtë janë paraqitja e dukurive vijuese: të qenët i lirë, të qenët kritik, zënia e një vendi domethënës në shoqëri, krijimi i një identiteti të shëndoshë dhe veçimi i tij nga të tjerët. Njëkohësisht me paraqitjen e nevojave të këtilla në periudhën rinore me mungesë të edukatës fetare e morale paraqiten probleme psikologjike të atilla ku i riu fillon të mendojë kinse jeta nuk ka kurrfarë domethënie, se jetesa e tij është e palogjikshme; ndaj këtyre në mungesë të edukatës dhe arsimimit të përshtatshëm paraqiten edhe probleme psikologjike me karakter shoqëror, duke e trajtuar veten të padobishëm për shoqërinë ose si individ që nuk mund ta zërë vendin e duhur në rrethin ku jeton.

Automatikisht gjendjet psikike të këtilla tek i riu bëhen shkas i streseve të ndryshme, ankthit, izolimit, konsumimit të mjeteve narkotike ose dhënies pas prostitucionit, alkoolizmit, bile edhe dukurive siç është vetëvrasja etj.

Gjithashtu, periudha e luftës shkaktoi pasoja të shumta të cilat ende po manifestohen me simptoma ankthi, stres postraumatik, depresion, vetvrasje etj, dhe rrjedhimisht në periudhën e pasluftës këto pasoja po vazhdojnë, duke marr përmasa të rritjes, mjerisht. Ne synojmë që me këtë faqe t'i shërbejmë komunitetit t'i zbusin këto ndjenja pasigurie, mungesë besimi e shprese, pesimizëm, e dëshpërim , që përjetojnë në mënyrë permanente apo të përkohshme dhe duke u munduar të rigjallërojmë optimizmin te ta, me ndihmën e Zotit të Madhëruar, njëkohësisht duke ua mundësuar atyre të kuptojnë qëllimin e tyre në rrafshin individual, dhe qëllimin e jetës në përgjithësi, se kush jemi dhe pse jemi?!


Objektivat kryesorë të faqes Psikologjia Islame


Kjo faqe, ka për objektiv të paraqes faktorët kryesorë që na mëson Islami për të arrit deri te një shëndet,lumturi shpirtërore,edukim shpirtëror dhe mirëqenie psikologjike.Në këtë kontekst ne do të bëjmë një ndërlidhje apo gërshetim të këtyre faktorëve dhe pikave kryesore që do t’i trajtojmë.


1. Teuhidi


Ndër këta faktorë në radhë të parë është Teuhidi (Njëshmëria e Allahut), përkatësisht sinqeriteti. Teuhidi është i përmbajtur në shehadet - dëshminë se nuk ka zot

tjetër, përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i All-llahut.
Kjo don të thotë: nuk ekziston hyjni e vërtetë (që adhurohet me të drejtë),
përveç All-llahut xh.sh.
Imam Ahmedi El-Makdesi r.a thotë:”Sinqeriteti është e kundërta e shirkut. Kush nuk është i sinqertë është mushrik. Mirëpo, shirku është shumë lloje”

Shirku është dy llojesh:


1. Shirku i madh, i cili e nxjerr njeriun nga feja.

2. Shirku i vogël, i cili e nxjerr njeriun nga teuhidi i plotë (por nuk e nxjerr nga feja).

Shirku i madh është që t`i dedikosh (përkushtosh) ndonjë nga ibadetet dikujt tjetër përveç Allahut, ose t`i shoqërosh Atij dikë në adhurim (të adhurosh dikë së bashku me Allahun).

Allahu i Lartësuar thotë: “S'ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin), që i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do.” (Nisa, 48)
Gjithashtu thotë: “…Thuaj! Unë jam urdhëruar që të adhuroj Allahun dhe të mos i bëj shirk Atij…” (Rra`d, 36)
Shirku i vogël: Është rrugë për të arritur te shirku i madh, si syefaqësia, thënia e ndonjërit tjetrit: “Ka ndodhur ajo që dëshiroi Allahu dhe ti”. Ky lloj shirku nuk të nxjerr jashtë Islamit, megjithatë të shpie tek shirku i madh. Allahu i Lartësuar thotë: “...Kushdo që shpreson për takimin me Zotin e tij, le të bëjë vepra të drejta dhe të mos bëjë shirk në to.” (Kehf, 110)

Lumturia shpirtërore e njeriut do të jetë në varësi të përsosjes,fuqisë dhe shtimit të teuhidit(sinqeritetit).Sa më të përsosur e të fuqishëm, që njeriu ta ketë Teuhidin, aq më të hapur do ta ketë gjoksin dhe aq më shumë do të ndjejë kënaqësi shpirtërore.All-llahu thotë në kur’an:

“Atij që All-llahu ia ka zgjeruar kraharorin për besimin islam, ai është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet. Të mjerë janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk përmendin All-llahun, të tillët janë në humbje të qartë” (Zumer:22).
Kësisoj,udhëzimi dhe teuhidi janë ndër faktorët më të mëdhenj të hapjes se kraharorit,ndërsa shirku(vënia shok All-llahut) dhe devijimi nga rruga e drejtë janë ndër faktorët më të mëdhenj të shtrëngimit dhe ngushtimit të kraharorit.
Çdo gjë bëje vetëm për hir të Zotit të Madhëruar dhe për asnjë interes tjetër.
Lidhur me këtë Ibn Tejjmije r.a thotë:“Sinqeriteti ne fe është nijeti i pastër për Allahun”.
Kështu që, adhuroje Allahun ashtu siç kërkon prej teje dhe mbështetu vetëm tek Ai.
Rregulloje nijetin(qëllimin) dhe mbikëqyre atë.
Ata që frekuentojnë më tepër ordinancat psikiatrike për t’u shëruar nga depresioni, stresi dhe ankthi kanë probleme me nijetin e tyre. Ata kriter kryesor të arritjes së lumturisë kanë bërë kënaqësinë e njerëzve dhe tërheqjen e vëmendjes së tyre. Kjo ndodh posaçërisht në kohët e sotme, kur rivaliteti dhe garat mes njerëzve kanë arritur kulmin, qoftë edhe në gjëra të vogla dhe të pavlera.

2.Imani (Besimi)


Pejgamberi alejhis-selam ka thënë se imani është:

“Të besosh All-llahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, Pejgamberët e Tij, botën e ardhsh-me dhe se çdo gjë që ndodh (e mirë a e keqe), ndodh sipas përcaktimit të All-llahut.”
Besimi është një përjetim psikik dhe si i tillë përbën anën subjektive të fesë. Ai nuk është vetëm një besim i zakonshëm. Aty vërehet një lidhje e fortë e vullnetit për një fuqi absolute, ku individi gjen të vërtetën dhe rehatinë e kënaqësinë shpirtërore. Me këtë besim njeriu vjen deri te ndjenjat me të cilat arrin ta kuptojë rehatinë e brendshme të tij. Njeriu që beson është i lumtur, është ai i cili ballafaqimin e tij me ngjarjet e përditshme e bën me pjekuri dhe mbështetje të vërtetë në Zotin
Drita e imanit e hap dhe e zgjeron gjoksin dhe e mbush me gëzim zemrën.

3. Kërkimi i dijes


Gazaliu e shikon njeriun si qenie që i janë dhënë dy gjëra karakteristike për njeriun, e këto janë: dituria dhe dëshira. Kjo është për arsye se njeriu e ka natyrën duale: fizike dhe shpirtërore.

Trupi shërben si mjet, i cili bart shpirtin, ndërsa shpirti është shtëpi e diturisë. Pra, shpirti është ai që njeriun e afron te Allahu xh.sh. ose e largon nga Ai.
Në një hadith kudsi, Allahu i Madhëruar thotë:
“Ai i cili më afrohet një pëllëmbë, Unë i afrohem një llanë”
Prandaj, kualiteti i diturisë e ngritë njeriun deri të bota qiellore ose e degradon në nivelin shtazarak.

Dituria e hap zemrën dhe e zgjeron atë, duke e bërë ndoshta shpirtërisht edhe më të gjërë sesa dunjaja, ndërsa padituria shkakton ngushtim, kufizim dhe izolim ne zemër. Megjithatë këtu nuk është fjala për çdo dije, por për dijen e trashëguar nga i Dërguari i All-llahut,pra për dijen e dobishme.


4. Pendimi dhe vepra e mirë


Faktori tjetër për lumturi shpirtërore është pendimi dhe vepra e mirë.Të kthehesh tek All-llahu me pendim dhe duke bërë punë të mira,ta duash All-llahun me gjithë zemër,t’i kushtohesh Atij dhe të prehesh duke adhuruar Atë.Nuk ka gjë që mund ta hapë gjoksin e t’i japë kënaqësi zemrës më shumë sesa kjo.Përmendja pandërprerë e Allahut të Lartësuar në çdo gjendje dhe në çdo vend. Dhikri ka një ndikim të çuditshëm në hapjen shpirtërore të gjoksit dhe në lumturinë e zemrës, por nga ana tjetër edhe shkujdesja ndaj dhikrit ka ndikim të çuditshëm në ngushtimin, izolimin dhe mundimin shpirtëror të gjoksit. Pasi çështja është mjaft me rëndësi dhe me pe­shë të madhe, patjetër duhet të ketë kushte. Dijetarët islamë kanë cekur disa kushte të teubes, të mbësh­te­tura në ajete dhe hadithe. Ato janë:

I pari: Braktisja e gjynahut menjëherë.
I dyti: Pendimi për gabimin e bërë.
I treti: Zotimi se nuk e përsërit më.
I katërti: Kthimi i hakut atyre që dëmtoi ose kërkimi i faljes.

5.Largimi nga mëkatet dhe veprat e këqia


Largimi nga gjynahet dhe veprat e këqia, dëmi i të cilave për zemrën (shpirtin) është njësoj si helmi për trupin. A ka në botë të keqe dhe sëmundje shkaku i të cilës të mos jenë gjynahet dhe veprat e këqia?! Çfarë i nxori dy prindërit e njerëzimit nga xheneti, banesa e lumturisë dhe kënaqësisë, në banesën e dhimbjeve, vuajtjeve e mërzitjeve? Çfarë e nxori Iblisin nga lartësitë e qiejve dhe bëri që ai të mallkohej e të dilte nga mëshira e Allahut? Çfarë bëri që të mbyteshin të gjithë njerëzit në kohën e Nuhut (alejhi selam)? Çfarë bëri që mbi popullin e Adit të lëshohej erë e fortë e cila i shtriu të gjithë ata për tokë si të ishin trungje palmash të kalbura? Çfarë bëri që të dënoheshin popujt e mëparshëm, historitë e të cilëve janë përmendur në Kuran? A nuk kanë qenë gjynahet dhe mosbesimi shkak për këtë? Gjynahet kanë shumë pasoja të këqija dhe të dëmshme për zemrën dhe trupin, në dynja dhe në ahiret. Prej këtyre pasojave përmendim: Humbja e dijes, sepse dija është dritë të cilën Allahu e fut në zemër, ndërsa gjynahu e fik atë dritë. Humbja e rrizkut, trishtimi që ndjen mëkatari në zemrën e tij, trishtimi në sjelljen me njerëzit sidomos me ata që njihen për devotshmëri, vështirësimi i çështjeve sa që i gjen rrugët të mbyllura para fytyrës apo shumë të vështira, errësira që ndjen mëkatari në zemrën e tij, një errësirë e vërtetë të cilën ai e ndjen ashtu si ndjen errësiren e natës së errët. Gjynahet e dobësojnë zemrën dhe trupin, sepse fuqia e besimtarit qëndron në fuqinë e zemrës së tij, dhe sa më shumë të forcohet zemra, aq më shumë forcohet trupi i tij. Ndërsa mëkatari, sado të fortë ta ketë trupin, por ai është më i dobët se çdo gjë në rast nevoje, sepse atë e tradhëtojnë fuqitë e tij pikërisht atëherë kur ka më shumë nevojë për to. Gjynahet pengojne kryerjen e bindjeve ndaj Allahut dhe të veprave të mira, sepse ndëshkimi për bërjen e një gjynahu është pengimi nga kryerja e një të mire në vend të tij, gjë e cila i pret rrugën edhe një të mire tjetër, edhe një të tretë, e kështu, nga një gjynah pengohen shumë vepra të mira në llogari të mëkatarit, ku secila e mirë me vete është më e vlefshme se dynjaja dhe ç'ka në te. Nëse njeriu largohet nga Allahu dhe preokupohet me gjynahe, ai humb ditët e jetës së vet të vërtetë, pasojat e të cilave ai do t'i gjejë atë ditë kur do të thotë: "Ah, sikur të kisha përgatitur diçka të mire për jetën time." [El Fexhr, 24]. Gjynahet dobësojnë vullnetin e zemrës dhe forcojnë dëshirën për gjynahe. Ato dobësojnë vullnetin për pendim pak nga pak, deri sa ta nxjerrin nga zemra plotësisht atë. Gjynahet e nxjerrin nga zemra dritën e shikimit të realitetit, duke e parë të shëmtuarën si të bukur dhe duke u mësuar me të shëmtuarën. Gjynahet janë shkak për përçmimin e robit tek Zoti i tij dhe për poshtërimin e tij. Nëse njeriu vazhdon në gjynahe, ato i duken të vogla dhe i bëhen të zakonshme, gjë e cila tregon për humbjen e tij, sepse sa më i vogel të duket gjynahu në syrin e njeriut, aq më i madh bëhet ai tek Allahu. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thenë: "Besimtari i sheh gjynahet e tij sikur të ishte në rrezen e një mali dhe ka frikë se i bie mbi krye, ndërsa i prishuri i sheh gjynahet e tij si të ishin një mize që i qëndron mbi hundë, ndërsa ai i bën me dorë dhe ajo fluturon." [Buhariu, 5833]. Gjynahet mbjellin përçmim dhe poshtërim, dhe prishin logjikën dhe arsyen. Gjynahet largojnë të mirat që të ka dhënë Allahu dhe të sjellin të këqija. Gjynahet shkaktojnë frikë dhe tmerr ne zemrën e mëkatarit, ndërsa bindjet ndaj Allahut janë mburoja më madhështore, dhe ai që futet në të është i siguruar nga ndëshkimi i kësaj bote dhe i botës tjetër, ndërsa kushdo që del prej saj, rrethohet nga frika e stresi nga çdo anë. Ai që i bindet Allahut, frika e tij kthehet në siguri, dhe ai që e kundërshton Allahun, siguria e tij i kthehet në frikë. Gjynahet janë sëmundjet e zemrës dhe të shpirtit, dhe nuk ka ilaç për to, veçse me lënien e tyre dhe pendimin prej tyre.


6. Durimi


Çdo sëmundje apo fatkeqësi që e kap besimtarin, ajo është një sprovë e vogël për të, të cilën ai duhet ta kalojë me durim dhe mbështetje tek Allahu i Madhëruar, duke marrë shkaqet e ngritjes së fatkeqësise dhe duke ju lutur Allahut, i Cili ka në dorë gjithçka, si dhe duke qenë i bindur se me ketë fatkeqësi atij i fshihen gjynahet dhe i ngrihen gradet tek Allahu i Madhëruar, nëse e kalon me sukses atë. Allahu i Madhëruar thotë: "Patjetër që Ne do t’ju sprovojmë me diçka prej frikës, urisë, pakësimit të pasurisë, humbjes së jetës dhe pakësimit të të lashtave. Dhe përgëzoji të duruarit. Ata të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!” Të tillët kanë bekime dhe mëshirë nga Zoti i tyre, dhe të tillët janë të udhëzuarit drejtë." [El Bekare, 255-257]. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thenë: "Nuk ka njeri të cilin e kap një fatkeqësi dhe ai thotë: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!” "O Zot! Më shpërble për fatkeqësinë time dhe ma zëvendëso atë me më të mirë se më parë!", veçse Allahu e shpërblen atë për fatkeqësinë e tij dhe ia zëvendëson atij me më të mirë se ajo që ka pasur." [Muslimi, 1526]. Kur njeriun e zë një fatkeqësi, ai duhet ta shuajë zjarrin e saj me disa gjëra: Të jetë i bindur se ajo që e zuri nuk mund të mos e zinte, sepse Allahu thotë: "S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë. Allahu nuk i do kryelartët mburravecë." [El Hadid, 22-23]. -Humbja e shpërblimit të durimit dhe dorëzimit tek Allahu, në të vërtetë janë shumë herë më të mëdha se fatkëqësia. Dije, se sado që të zgjasë fatkeqësia apo sëmundja, pas saj do të vijë lehtësimi dhe shërimi, prandaj mos e humb durimin dhe mos u shpreh keq, sepse në çdo rast ti je i detyruar të durosh, por le të jetë durimi yt duke qenë i kënaqur nga caktimi i Allahut dhe duke shpresuar shpërblimin Tij. Ai që e ka dërguar fatkeqësinë tek ti është më i Urti i të urtëve dhe më Mëshiruesi i mëshiruesve, dhe Ai (I Lartëmadhëruari) nuk e ka dërguar atë fatkeqësi tek ti për të shkatërruar, apo për të dënuar e asgjësuar, por për të të kujtuar me qëllim që të sprovojë durimin tënd, të kënaqurit me caktimin e Tij dhe besimin tënd. Ta ka dërguar atë me qëllim që të dëgjojë përgjërimin tënd ndaj Tij, të shohë të trokasesh derën e Tij, të qëndrosh para Tij me zemër të përulur dhe të ngresh ankesat e tua tek Ai.

Andaj, pajtohu dhe kënaqu me caktimin hyjnor të Allahut të Madhërishëm.
Nxito për t’i zbutur fatkeqësitë dhe sprovat që të godasin dhe dobësoje ndikimin e tyre në shpirtin tënd.
Paramendoje fatkeqësinë si të ishte me pasoja më fatale.
Shikoji para vetes begatitë e shumta që ke, ndërsa shumica e njerëzve janë të privuar prej tyre.
Mos u dëshpëro dhe mos u dorëzo para fatkeqësisë që të ka kapluar dhe dije se pas çdo vështirësie pason lehtësimi.

7.Lutja(duaja)


Lutja - duaja drejtuar Allahut është nga shkaqet më të forta për largimin e çdo të keqe dhe për realizimin e asaj që kërkohet. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: "Nuk e kthen caktimin veçse lutja..." [Tirmidhiu, 2139]. Caktimi që përmendet në hadith është për qëllim ajo që do të ndodhte nëse nuk do të bëhej lutja; kur njeriu, duke u nisur nga shkaqet dhe rrethanat aktuale mendon se do ta gjejë diçka e keqe dhe i lutet Allahut t'ia largojë atë, Allahu ia largon atij dhe kështu, vetë ai që bën lutjen beson se Allahu i ka larguar diçka të keqe që mund ta kapte nëse nuk do t'i lutej Allahut që ta ruante prej saj. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) gjithashtu ka thenë: "Lutjuni Allahut të bindur se do t'ju përgjigjet dhe dijeni se Allahu nuk e pranon lutjen e një zemre të pavemendshme." [Hadith Sahih. E ka nxjerrë Tirmidhiu, 3479] Pra, lutja është ilaç i dobishem për çdo të keqe dhe për çdo semundje, por pavemëndësia e zemrës ndaj Allahut të Madhëruar e humb fuqinë e saj, ashtu si edhe ngrënia e haramit i humb fuqinë lutjes dhe e dobëson atë. Duaja është ilaçi më i mirë, armiku i sëmundjes, larguesi dhe shëruesi i saj, penguesi i prekjes nga ajo dhe ngritësi i saj nëse zbret. Duaja e ka efektin më të fortë nëse përsëritet sa më shpesh dhe sa më shumë, pa e humbur shpresën nga përgjigja e saj, por duke vazhduar gjithnjë me dua, sepse Allahu nuk e kthen bosh atë. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thenë: "Lutja e Dhenunit, me të cilën ai iu lut Allahut kur ishte ne barkun e balenës, ishte: "La ilahe il-la ente subhaneke inni kuntu mine dhalimin" - "Nuk ka Zot të adhuruar tjetër përveç Teje, i Lartësuar je Ti! Unë isha prej të padrejtëve." [El Enbija, 87]. Nuk ka musliman që lutet me këtë lutje për çdo gjë që të ketë, veçse Allahu i përgjigjet lutjes së tij." [Hadith Sahih. Tirmidhiu 3505, etj]. Duaja duhet gjithashtu që të përkrahet dhe të ndihmohet nga veprat e mira, si namazi farz e nafile, agjërimi farz e nafile, sadakaja (lëmosha), leximi i Kuranit, përmendja e Allahut sa më shumë gjatë ditës e natës, në mëngjes e në mbrëmje, respektimi i prindërve, mbajtja e lidhjeve farefisnore, moralet e mira, etj. Dije, se kujt i inspirohet bërja sa më shumë lutje Allahut, Allahu ka dashur t'i përgjigjet lutjes së tij, sepse Allahu thotë: "Lutmuni Mua, që t'i pergjigjem lutjes suaj!" [Gafir, 60] "E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, (thuaju se) Unë jam afër! I përgjigjem lutjes së lutësit kur më lutet. Ndaj, të më përgjigjen Mua dhe të besojnë tek Unë, që të udhëzohen drejt!" [El Bekare, 186].



8. Ballafaqimi me brengat dhe streset


Natyra e jetës është e atillë që individi ballafaqohet me sfida dhe sprova të ndryshme, mirëpo Islami na mëson se si duhet të ballafaqohemi me këto vështirësi, duke u bazuar në Kur'an dhe hadith gjejmë metoda të ndryshme për t'i trajuar brengat dhe streset siç i përmbledh disa prej tyre edhe dijetari Muhamed El Munexhid : pajisja e vetes me iman,të menduarit për atë se si mund të fitoj muslimani shlyerje të gjunaheve,ta pastrojë zemrën dhe ta ngris pozitën e tij te All-llahu kur e godasin shqetësimet dhe brengat e kësaj bote,kuptimi i realitetit të kësaj bote, pasimi i shembullit të pejgamberëve dhe të devotshmëve,ahireti të bëhet brenga kryesore,përkujtimi i vdekjes,lutjet drejtuar All-llahut të Lartësuar,salavatet mbi pejgamberin sal-lallahu aleji ue selem, mbështetja tek All-llahu dhe dorëzimi i çështjeve tek Ai,kujdesi për atë që është e dobishme,përqendrimi në të sotmen,mos brengosja për atë që mund të ndodh nesër dhe mospikëllimi për atë që ka ndodhur dje ,të kërkuarit strehim në namaz,xhihadi për hir të All-llahut,të folurit për dhuntitë e dukshme dhe të padukshme të All-llahut, angazhimi me punë te dobishme dhe kërkim i diturisë që sjell dobi,të kuptuarit e vlerës së vërtetë dhe shkurtësisë së kësaj jete dhe se koha është tepër e shtrentjë për të humbur në brenga dhe strese,shikimi i anëve pozitive i gjërave për të cilat ekziston prirja të shihet vetëm ajo që nuk na pelqën,kuptimi i asaj që pas vështirësisë vjen lehtësimi,konsumimi i ushqimeve të caktuara që ndikojnë për eliminimiin e streseve,shqetësimeve dhe brengave,.etj.


9. Ushqimi i lejuar, i matur dhe i shëndetshëm


Ali ibn el-Husejn ibn Vafidi ka thënë: “All-llahu gjithë mjekësinë e ka vendosur në një gjysmë ajeti kur ka thënë: “Hani dhe pini,por mos e teproni” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Enën më të dëmshme që biri i Ademit e mbushë është barku i tij.Birit të Ademit i mjaftojnë disa kafshata e të jetojë drejt. E nëse është patjetër,ateherë le ta mbushë një të treten e barkut me ushqim, një të treten me ujë,kurse një të treten le ta mbajë(ruaj) për frymëmarrje”(Transmeton Tirmidhiu).

Supa e quajtur "Telbine", hahet kur je i merzitur, i trishtuar, i brengosur e i hidheruar, qofte nga ndonje fatkeqesi, vdekje e te afermit, etj. Aisha, gruaja e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) urdheronte qe kjo supe, e cila quhet "telbine", t'i pergatitej te semurit dhe te hidheruarit qe kishte humbur nje te aferm, dhe thoshte: "Kam degjuar te Derguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) te thote: "Telbinia qeteson zemren e te semurit dhe largon nje pjese te merzitjes se tij." [Buhariu, Muslimi, etj].
Siç dihet në islam janë të ndaluara drogat, alkooli, mishi i derrit, të ngordhurat,duhani,.etj,që dëmtojnë shëndetin fizik dhe psikik,në këtë aspekt edhe shkenca ka vërtetur dëmin e tyre.

10. Rregullimi i jetës emotive dhe psiko-sociale duke ndërtur familje të shëndoshë


Çështjet si emocionet, dashuria, urrejtja, xhelozia, sjelljet sociale, adoleshenca, edukata seksuale në islam, fejesa, martesa, kriteret, sfidat , sjelljet në bashkëshortësi, shkaqet e lumturisë në bashkëshortësi, urdhëresat dhe ndalesat në sjellje bashkëshortore, edukimi i fëmijëve,.etj, janë çështje që duhen trajtuar drejt dhe sipas Islamit, për një familje sa më të shëndoshë e cila është faktor kyç në rregullimin e jetës ekuilibruese psiko-sociale,pra nëse ajo ndërtohet në mënyrë të shëndoshë,adekuate dhe të drejtë në qdo shtëpi atëherë padyshim që frut i kësaj është edhe shoqëria e shëndoshë.

Duhet të pohojmë se Islami është fe që pranon ndjenjën seksuale (epshore) të individit e assesi nuk lyp prej tij ta zhdukë këtë ndjenjë, ashtu siç e bën priftërizmi, por edhe
nuk lejon atë që bënë ideologjitë ateiste, liri totale pa kurrfarë norme morale dhe etike, ku personi në fillim u jepet epsheve, e pastaj epshi bëhet zot i tij, ashtu siç e quan Kur’ani fisnik ku thotë: “A e ke parë ti (Muhammed) atë duke e ditur, epshin e vet e respekton si zot të vetin” (El-Xhathije:23).
Mu për këtë Islami është përcaktuar për një rrugë të mesme: e pranon epshin dhe ndjenjën për të, por në të njëjtën kohë ofron edhe mundësinë e edukimit dhe
kontrollimit të tij. Prej të riut sot nuk kërkohet ta shkatërrojë këtë ndjenjë, por islami dëshiron që me vullnet dhe vetëdije të përkryer ta kontrollojë këtë ndjenjë.
Në këtë aspekt martesa ka efekt pozitiv. Martesa ruan moralin e njerëzimit, gjendjen shpirtërore, psikike e mendore. Zoti i Madhëruar thotë në Kur'an:
"Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit) edhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershëm e të ndershme. Nëse janë të varfër, All-llahu i begaton nga mirësitë e Tij, All-llahu është bujar i madh, i gjithdijshëm." (Nur:32)

Dhuroja vetes hisen e merituar të kënaqësive brenda kornizave të së lejuarës, duke mos e tepruar. Nefsi është krijuar i tillë që të vrapojë pas kënaqësive dhe është vënë në provim që ta vërë epshin nën kontroll. Ai që e privon veten plotësisht prej këtyre kënaqësive ka kundërshtuar natyrën njerëzore dhe ka hedhur poshtë udhëzimin e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit alejhi selam, i cili martohej, hante ushqimin më të mirë të mundshëm dhe përdorte parfumet me aromën më të këndshme. Abstenimi nga kënaqësitë që të takojnë, shkakton çrregullim psikik dhe veprimi i tillë është pasojë e ndonjë defekti psikik.

11. Largimi nga pengesat e lumturisë

 

 

Nga pengesat e lumturisë janë: Kufri (mosbesimi), bërja e mëkateve, smira dhe zilia, hidhërimi, frika nga dikush tjetër përveç Allahut të Madhëruar, mendimi i keq, dyshimi, kibri, mendjemadhësia,.etj.



12. Largimi nga magjia dhe ballafaqimi me sprovën e saj


Dukuri kjo ,kisha me thënë goxha e përhapur mjerisht edhe në vendet tona shqiptare.Andaj e ndjeva obligim që t'i jap edhe kësaj teme hapësirë trajtimi.

Transmetohet nga Ebu Hurejra [radijallahu anhu] se ka thënë: Ka thënë Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]: "Kush shkon tek një magjistar apo fallxhor dhe i beson asaj që ai thotë, e ka mohuar atë që i ka zbritur Muhamedit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem].
Magjia është e ndaluar në islam dhe sjell shumë të këqija, me një fjalë është shkatërruese, këtë e bëjnë vetëm të prishurit që në bashkëpunim me xhinnët iu bëjnë dëm njerëzve.
Që të mund ne ta njohim të lejuarën nga e pa lejuara, do të shërbehemi përgjithësisht me mënyrën se si Vehid Abdisselam Bali e dallon sihirbërësin, veprimi i të cilit është i ndaluar me Sheriat. Ai shkruan:

Nëse, tek ai që merret me shërim,vëren vetëm një shenjë prej shenjave vijuese, ai, pa dyshim është sihirbërës(magjistar):


- E pyet pacientin për emrin dhe emrin e nënës së tij,

- Shfrytëzon ndonjë gjë personale të pacientit (për të bërë sihër) siç janë: teshat, kësula, mindili (faculeta) e të ngjashme.
- Ndonjëherë e kërkon ndonjë kafshë me cilësi të caktuara që ta therrë, pa e përmendur emrin e All-llahut, me gjakun e së cilës mbase e lyen vendin e sëmurë ose vet stërvinën (e kafshës) e gjuan në ndonjë vend të shkretë,
- Shkruan talismanë,
- Bën disa magji e talismane të pakuptueshme,
- I jep pacientit hajmali, të cilat përmbajnë figura katërkëndëshe dhe në mbrendësinë e të cilave ka numra e harfe të palidhura,
- E urdhëron pacientin të qëndrojë vetëm në ndonjë lokal të errët ku nuk depërton drita e diellit,
- Ndonjëherë kërkon nga pacienti që të mos e prekë ujin katërdhjetë ditë. Kjo tregon se xhini që e përdor sihirbërësi është i krishterë,
- I jep diçka pacientit që ta gropojë në tokë (nën dhé),
- I jep pacientit letra të cilat do t’i kallë dhe do të tymoset me to,
- Pëshpërit disa fjalë të pakuptueshme qe nuk jane prej fese,
- I kërkon pacientit flokët fotografinë ose një pjesë të rrobes së tij
- Ndonjëherë sihirbërësi ia tregon pacientit edhe emrin, vendin dhe problemin për të cilin ai ka ardhur (për shërim),
- I shkruan pacientit shkronja të palidhura në hajmali, ose në enë nga poçeria e bardhë, duke e urdhëruar që atë ta tretë dhe ta pijë.

Sipas saj, librat që përmbajnë diçka prej këtyre mënyrave e metodave të palejuara të shërimit, nuk janë të lejuar.


Direktivat rreth mbrojtjes nga magjia, prej tyre kryesore janë:


-Zbatimi i teuhidit(Njësimi i Allahut) dhe sinqeritetit ndaj Tij,

-Mbështetja në Allahun,
-Të qenit i rregullt në faljen e namazit(me xhemat),
-Leximi i sures Bekare në shtëpinë tuaj,
-Dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes,
-Dhikri para gjumit,
-Dhikri mbas çdo namazi farz,
-E shume lutje tjera që gjenden në mburojën e muslimanit,të cilat janë mburojë dhe mbrojtje për të,
-Pastrimi i shtëpisë nga fotot dhe statujat,..etj.

Mirëpo,ja që nëse caktimi i All-llahut ka desht qe ne të sprovohemi me këtë lloj sëmundje, pra në këtë rast si viktimë, për shkak mosdijes tonë apo pakujdesisë sonë që të mbrohemi,apo thjesht një caktim i All-llahut që ne të sprovohemi, sepse ajo që magjistaret mund të bejnë,e bëjnë vetem me lejen e All-llahut,pa dasht All-llahu asgjë nuk ndodh, e mirë apo e keqe, "..e magjistari nuk do të ketë sukses kudo qoftë”. (Ta Ha, 69).Së këndejmi në këtë aspekt ne duhet të bëjmë sabër dhe durim duke shpresuar në shpërblimin e All-llahut dhe fajle mëkatesh. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë:”Nuk ka asnjë mundim, sëmundje, shqetësim, brengë, pikëllim apo dëm, që e godet muslimanin, madje as edhe një shpim në ferrë, që Allahu të mos e pranoj si pastrim për disa nga mëkatet e tij”,gjithashtu ka thënë salallahu alejhi ue selem :"“Njeriu do të sprovohet sipas nivelit të përkushtimit fetar dhe sprovat do të vazhdojnë të bien mbi robin e Allahut derisa ai të ecë mbi tokë i çliruar nga të gjitha mëkatet”.

Në këtë rast, ju njëkohësisht duheni marr edhe shkaqet parasysh drejt shërimit,këto shkaqe duhet të jenë të lejuara me islam si:

-Rukja(shërimi me lexim të kur’anit),

-Mbështetja në All-llahun,
-Namazi,
-Dhikri(përmendja e Allahut),
-Qëndrimi me abdest,
-Largimi nga mëkatet,
-Ndëgjimi i ezanit,
-Duaja(lutja),.. etj.

Këto direktiva i kemi cek për tju orientuar juve që të kërkoni ndihmë më shumë nga personat kompetent ekspert, për këtë çështje, gjegjësisht dijetarët e ehlisunneti që bëjnë rukje(kurim me Kur'an dhe sunnet).

Mekanizmat e shërimit dhe mbrojtjes janë ndërlidhur mes vete, mirëpo një thënie thotë: “Më mirë është të parandalosh se sa të kurosh”.
Ndërkaq, durimi yt duhet të vazhdoj deri sa të vie lehtësimi, përkatësisht shërimi nga Allahu, në mënyrë që ta kalosh sprovën me sukses dhe ta arritësh shpërblimin e plotë nga i Madhi Zot.
Gjithashtu duhet anashkaluar dhe larguar shkaqet që i ka ndaluar islami si psh: shkuarja te magjistarët (cilësitë e të cilëve i përmendëm më sipër), për të shëruar magjinë me magji gjë e cila është rreptësisht haram(e ndaluar), dhe shërimi mund të jetë vetëm përkohësisht sepse xhini mund të t'u kthehet prap nëse nuk je nën respektimin e urdhërave të Allahut.

Simptomet psikologjike të kësaj sëmundje mund të jenë prej më të ndryshme.

Ekzistojnë shumë lloje të sihrit siç thonë ekspertët që miren me këtë tematikë:

- sihri me të cilin bëhet përçarja mes dy personave, siç është përçarja mes burrit dhe gruas, përçarja mes dy shokëve, familjes, fëmijëve dhe prindërve etj.

- sihri i cili mban gjendjen ekzistuese,
- sihri që shkaton sëmundje,
- sihri që shkakton vdekje,
- sihri që shkakton çmenduri dhe përçarje etj.

Por, jo medoemos çdo sëmundje, çrregullim, apo problem emocional, vinë si pasojë e këtij shkaku, por shumë prej tyre kanë shkak tjetër, si nervor, gjenetik, intrapsikik ,të mësuar social, kushtëzim respodent, .etj, andaj natyrisht që rekomandohet konsultimi tek psikologu apo psikiatri i denjë.

Ne shpesh vërejmë se persona të rëndomtë japin diagnoza të ndryshme pa qenë kompetent për atë, e ajo gjë është për ekspertët, dijetarët në fushat e caktuara.
Thënë ndryshe, nevojitet një hulumtim vizual vëzhgues dhe introspektiv me anë të bisedës intervistuese me subjektin e caktuar.

13. Relaksimi dhe sporti


Shëtitja dhe pikniku në natyrë është shumë i dobishëm për njeriun në të gjitha rastet, sidomos kur del në natyrë të bukur, të gjelbër dhe ku ka ujë që rrjedh. Meditimi në krijesat e Allahut dhe frymëmarrja e thellë, të qetësojnë shpirtin dhe i japin fuqinë atij. Po kështu, zhdërvjellja dhe loja në natyrë është shumë e dobishme dhe qetësuese e çliruese e shpirtit nga mërzitjet e brengat e tij në dunja.

Sa i përket sportit, Islami nxitë në të. Pejgamberi alejhis-selam thotë: “Besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët, e në të dy ka mirësi.”


PËRFUNDIM


E falenderojmë Zotin e Madhëruar që na mundësoi ta shkruajmë këtë punim,falenderimi i takon Atij Sunduesit të botërave,i cili është Vetëm Një dhe nuk meriton të adhurohet askush tjetër pos Tij,pastaj qojmë salavatë mbi të dërguarin tonë, paqja dhe bekimi i All-llahut qoftë mbi të,shokët e tij,familjen e tij,dhe të gjithë pasuesit e tij që e pasojnë deri në ditën e gjykimit.

“Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët..”(El-Isra:82).Pra, detyra juaj besimtarë është ta merrni këtë kur’an ta lexoni dhe ta praktikoni si terapi dhe padyshim që kjo është terapia më e mirë.Terapia e rekomanduar nga mjeku nëse nuk zbatohet si duhet, atëherë defekti është te pacienti e jo te terapia.Mjeku më i mirë është pikërisht Muhammed salallahu alejhi ue selem i autorizuar nga Allahu, mëshirë për të gjitha botërat.Detyra juaj është t’i beni shkaqet, e suksesi dhe shërimi janë në dorën e All-llahut.
Zoti porosit që t'i kryejmë obligimet fetare si pesë kohët e namazit, agjërimin, zekatin etj.
Zoti i Madhëruar në Kuran thotë:
“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë.”
Kështu, qëllimi i krijimit të njeriut, është njohja dhe adhurimi i Zotit. Të adhurosh Zotin, nuk do të thotë të qëndrosh gjithë ditën në xhami, të lutesh dhe ta adhurosh Atë. Por krahas këtyre obligimeve rituale të adhurosh Zotin, do të thotë të jetosh normalisht, të shkosh në punë, të merresh me sport, të dalësh për shëtitje dhe të marrësh pushime, të vishesh bukur, të martohesh dhe të lindësh fëmijë etj... por në mendje të kesh që ti jeton për të kënaqur Zotin.
Ti martohesh me qëllim që fëmijët që do lindësh t'i edukosh që të adhurojnë Zotin. çdo minutë që do të harxhosh për ta edukuar fëmijën me këtë frymë, regjistrohet si adhurim.
Nëse dëshiron të shtosh pasurinë me qëllim që t'i përdorësh në rrugë të Zotit, për të arsimuar fëmijët që të bëhen myslimanë të suksesshëm, për ta përmirësuar imazhin e myslimanit dhe islamit, për t'i përdorur në projekte zhvillimi të umetit, për të punësuar të rinjtë myslimanë dhe për të shfrytëzuar energjitë dhe aftësitë e tyre etj... gjithçka që bën me këtë qëllim, konsiderohet si adhurim. çdo hap që hedh për realizimin e këtij plani, sa herë që kam stilolapsin për të shkruar diçka dhe çdo frymëmarrje, konsiderohen adhurim dhe shenjë afrimi me Zotin.
Nëse dëshiron të arrish rezultatet më të larta në fakultet, por thjesht për të marrë një diplomë, për t'u bërë më pas doktor dhe për të shtuar të ardhurat, nuk e ke adhuruar Zotin. Por nëse e bën për t'i përdorur dijet e tua në shërbim të fesë dhe umetit, si dhe për të kënaqur Zotin, çdo orë dhe çast të konsiderohet si adhurim.

E lusim Krijuesin të na bëjë prej besimtarëve të sinqertë dhe që e pasojnë atë që është më e mira dhe përfundimisht të na bashkon në xhennetin e tij,se vetëm atje është lumturia e vërtetë dhe absolute,xhennet ku ka kënaqësi,lumturi,hare,gëzim e dëfrim, kënaqësi që nuk përfundojnë kurrë. Në xhennet nuk mund të gjenden ndjenja të tilla si stres,hidhërim,pikëllim,mërzi,ankth apo depresion. Ebu Turab Nehshebi rrahmetullahi alejh thotë: "Dy gjëra, i dëshironi por nuk i gjeni dot. Këto janë lumturia dhe rehatija dhe këto gjenden vetëm ne Xhennet". Ndërkaq vuajtjet, mërzitë,dëshpërimi dhe pikëllimi janë në xhehennem vuajtje që nuk përfundojnë kurrë, Zoti na ruajt.

Në këtë botë kënaqësia, lumturia dhe gjithqka tjetër është relative, pra që përfundon, siq thotë Zoti në Kur'an: " jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues." (Kurani, 57:20).

Jeta është një provë e cila mbyllet me sukses vetëm me anë të devotshmërisë dhe punëve të mira.

Natyra e kësaj jete është që njerëzit do të vuajnë nga brengat dhe streset, njerëzit do të ballafaqohen dhe do t'i durojnë vuajtjet dhe vështirësitë për arsye te ndryshme. "..në të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun per të luftuar ne vështiresi!"(El-Beled 4). Prandaj prej gjërave qe e dallojne Xhennetin prej kësaj bote është fakti se atje nuk ka brenga dhe strese.
Por, çdo lodhje, brengë, pikëllim, sëmundje a fatkeqësi për besimtarin është shkak për larje mëkatesh dhe ngritje shkallësh te Zoti i Madhëruar, nëse ai lidhet me litarin e Zotit subhanehu ue te ala dhe bën durim.
Për fund po e përfundoj me një hadith të bukur të Dërguarit tonë salallahu alejhi ue selem i cili thotë:
“Sa e mrekullueshme është puna e besimtarit! Çdo gjë që i ndodh është e mirë për të dhe kjo nuk vlen për askënd tjetër veçse për besimtarin. Nëse i ndodh një gjë e mirë, ai është falënderues dhe kjo është e mirë për të. Nëse i ndodh një gjë e keqe, ai e bart këtë me durim dhe kjo është e mirë për të.”
Kush gjen mirë le t’i shprehë lavdi dhe mirënjohje Allahut dhe kush gjen diçka ndryshe le të qortojë veçse vetveten.


__________________________________________


Literaturë e konsultuar:



• Psikologji (Dr.Mujo Haskoviq)

• http://www.psikologjia.com/?page_id=280
• Teuhidi dhe shirku (Muhammed Xhemil Zejno)
• Psikologjia e Religjionit (Dr. Musa Musai)
• Natyra e psikes njerëzore: Kontributi i Gazaliut në konceptin islam të personalitetit (Abbas Husein Ali)
• Mjekësia e Muammedit s.a.v.s (Sujuti)
• Kur’ani Kerim (Interpretim i Sherif Ahmetit)
• Lumturia shpirtërore (Ibn Kajjim ElXheuziu)art.Albislam.fq 20-23(nr.77)
• Kaptina nga Psikologjia (Dr. Neki Juniku)
• Sinqeriteti dhe dobitë e tij (Muhammed ibn Serrar El-Jami)
• Problemet psikologjike; regresi etiko-moral; sfidat e rinisë (Dr. Musa Musai)
• Besimi-Bazat - Esenca – Negacioni (Dr. Muhammed Naim Jasin)
• Ballafaqimi me brengat dhe streset (Muhamed Salih El Munexhid)
• Rinia- dhimbje dhe shpresë(Ibrahim Duvejjish Perktheu: Agim Bekiri)art.
• Kujdes nga magjia dhe magjistarët!( Përktheu: Sulejman bin Nasir El-Ulvan)art.
• Amullia e psikologjisë së modernitetit (Dr. Musa Musai)
• Përmbledhje e direktivave rreth mbrojtjes nga magjia (Permbledhur nga Ali Bin Ghazi et-Tewejxheri ,marr nga Tesbiir el-Beshr bi-Tehrim es-Siher)
• Shtigjet drejt lumturisë (Bekir Halimi)art.
• http://www.albselefet.net/forum/shendetesia-dhe-shkenca/5060-shendeti-shpirteror.html#post16702

Shënim: Ne hulumtojmë tema islame që ndërlidhen me aspektet psikologjike, duke theksuar ndikimin pozitiv të islamit në mirëqenie psikike.

Shpresojmë,që me ndihmën e All-llahut xh.sh., kjo përpjekje modeste të bëhet e dobishme, si për vizitorët, ashtu edhe për administratorin e kësaj faqeje.

 

Stafi i faqes