Fëmijët janë dhuratë e jo të keqpërdoren apo të abuzohen

23/05/2011 21:28


 

 Çfarë është abuzimi i fëmijëve?

 

 

Edhe shoqëria jonë kosovare transicionin social është duke e kaluar me vështirësi

të mëdha dhe shpesh edhe me pasoja që, si duket, do të jenë afatgjata dhe ndoshta të pariparueshme. Pothuajse çdo ditë media zhurmëmadhe shënon raste krimi në familje - inceste, dhunë, vrasje dhe vetëvrasje, abuzime seksuale me një shpërndarje gjeografike pothuajse gjithëshqiptare.

Më herët, kur dikush keqëpërdorte seksualisht një fëmijë, në

ligjet e vjetra quhej dhunim seksual, kurse me ligjet e reja, tanimë ky term është

më i butë dhe quhet abuzim apo keqpërdorim seksual.

Abuzimi i fëmijëve (vogëlushëve) të cilësdo gjini qofshin ata, përbën një akt

tepër jonjerëzor dhe absolutisht cenon të drejtën e fëmijës për të jetuar në qetësi

dhe rehati sikurse moshatarët në ëndërrat e bukura fëmijërore. Elementi kryesor

që më ka shtyrë për këtë shkrim, është fakti se çdo ditë në shoqërinë tonë kosovare,

por edhe shqiptare, në mediet tona, qofshi vizuale a në shtyp, lexojmë se kjo

dukuri (një ves i shëmtuar) veçsa po bëhet më shqetësuese dhe brengosëse për

ne, ngase më përpara kemi pasur një të kaluar më të qetë dhe në opinion nuk dëgjoheshin biseda të këtilla, ndonëse nuk mund të mohohet që të ketë pasur raste, por sigurisht jo në përmasa çfarë është duke ndodhur tani. Ndonëse vështirë është të flitet me shifra të sakta për abuzime seksuale të fëmijëve, së paku zyrtarisht nuk kemi ndonjë raport të publikuar nga institucionet gjegjëse, kjo dukuri(sëmundje) nuk shfaqet vetëm brenda sojit tonë si shqiptarë, sepse ka raste të pafundta, në të cilat edhe ndërkombëtarët janë të përfshirë

në pedofili.

Sa për ilustrim, Holanda sot ka një parti më shumë, e cila e ka origjinën nga lëvizjet e pedofilëve. Partia e re politike NVD synon, ndër të tjera, legalizimin e pornografisë me

fëmijët, seks midis të rriturve dhe fëmijëve, duke filluar që nga mosha 12 vjeç në bazë të deshirës së këtyre të fundit, legalizimi i drogave të lehta e të rënda apo lejimi i ecjes nudo nëpër rrugë. Sipas një ankete të zhvilluar në internet, rreth 1/5 e holandezëve mendojnë që kjo parti mund të ekzistojë. Megjithatë, një pjesë e madhe e tyre, rreth 82%, mendojnë

se diçka duhet bërë për të ndaluar ekzistencën e kësaj partie. Qeverisja e NVD mendohet të jetë nga anëtarë që kanë lidhje të ngushta me “Martijn”, një organizatë kjo që mbron interesat e pedofilëve.1

 

Feja jonë islame, fëmijën e konsideron si dhuratë të Allahut xh.sh. që nderon çiftin bashkëshortor dhe se për këtë dhuratë duhet kujdesur dhe ajo duhet ruajtur e edukuar, që fëmija të jetë i shëndoshë, si në vegjëli ashtu edhe në periudhat e tjera të jetës.”O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëj të rreptë e të ashpër, që nuk E kundërshtojnë

All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron, dhe punojnë atë për se janë të urdhëruar.

O ju që mohuat, mos u arsyetoni sot; ju shpërbleheni vetëm për atë që keni vepruar. O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë, në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’u shpjerë në Xhennete, nën të cilat rrjedhin lumenj ditën kur All-llahu nuk e turpëron Pejgamberin e së bashku me të, as ata që kanë besuar.

Drita e tyre ndriçon para tyre dhe në të djathtë të tyre, e ata thonë: “Zoti ynë, vazhdona

dritën tonë, falna ne. Vërtet, Ti je i plotfuqishëm për çdo send”. (Et-Tahrim,

6,7,8)2

Shejh Muhamed El-Gazali (rahmetullahi alejhi), duke komentuar këtë sure dhe veçanërisht këtë ajet kuranor, thotë se në mes fillimit dhe mbarimit të sures shohim se Allahu i Madhëruar kërkon nga të zotët e shtëpive të jenë tejet të kujdesshëm ndaj familjes së tyre dhe t’I mbikëqyrin vatrat e tyre, të cilat duhet të shëndërrohen medoemos në djep që kultivon begatitë e përhershme dhe mburojë e cila i mbron nga zjarri i dhembshëm i Xhehenemit3

 

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e miratuar dhe e shpallur nga Rezoluta 217 A (III) e Asamblesë së Përgjithshme, më 10 dhjetor 1948, garanton të drejtat e fëmijve dhe moskeqpërdorimin e tyre në çfarërdo forme. Në nenin 34 të Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Fëmijës thuhet se fëmijët mbrohen nga shfrytëzimi seksual, duke përfshirë prostitucionin dhe përdorimin e fëmijëve për materiale pornografike, kurse në nenin 19 të kësaj konvente, thuhet që shtetet kanë detyrim t’i mbrojnë fëmijët nga çdo formë abuzimi. Për këtë duhet të vihen në dispozicion

shërbime ndihmëse dhe programe sociale të ndryshme.4

Shumica e personave që kujdesen për fëmijët, janë njerëz të mirë. Por, fatkeqësisht,

disa persona në moshë madhore janë shumë të aftë të bëhen miq me fëmijët me qëllimin që t’u bëjnë keq atyre. Kjo situatë mund të ndodhë kudo, në familje, në shkollë, në sport a aktivitete të tjera të fëmijëve. Në fakt në shumë raste të raportuara, dihet që fëmijët abuzohen në familje nga dikush që njihet, si nga vetë familja ashtu edhe nga fëmija. “Ledhatim” është një term që përdoret për të përshkruar një pedofil apo një person që

bën sjellje abuzuese ndaj fëmijëve, veçanërisht kur ata përpiqen të bëhen miq apo të fitojnë favorin e fëmijës/fëmijëve apo të prindërve. Ky proces i lejon këta persona që të mund të kenë lidhje apo të jenë në afërsi private me fëmijët, për motive të fshehta (p.sh. të motivuar nga qëllimi për t’i abuzuar fëmijët). Ky “ledhatim” mund të ndodhë për disa orë, ditë,javë muaj apo vite, e gjitha në varësi nga cenueshmëria e fëmijës dhe afërsi që mund të ketë marrë abuzuesi. Përkëdhelja mund të luhet duke u

bërë si i mirë, dhe ajo ofron afërsi duke u shoqëruar me testimin e kufijve të fëmijëve

apo të rinjve. Sedra,konfidenca dhe njohja e fëmijëve apo e të rinjve mund të veprojë si mbrojtje ndaj këtyre veprimeve nga një kriminel.

Kufinjtë mund të testohen me një numër të madh teknikash, si p.sh. me puthje, prekje dhe biseda të cilat të çojnë në puthje, prekje apo biseda jo të duhura. T’i tregosh apo të lejosh fëmijët të shikojnë material me përmbajtje pornografike

apo video, është një mënyrë tjetër e testimit të kufijve të fëmijëve dhe gjithashtu

“ti përkedhelësh” ata deri në abuzim.

Feja islame mbron dinjitetin e fëmijëse të individit dhe nuk lejon assesi që dikush të abuzohet seksualisht, në të kundërtën këto veprime të ulëta sanksionohen

me dënime tepër të rënda në këtë dhe në botën tjetër.

“Zakonisht pozita dhe pasuria janë gjendje që te disa njerëz luajnë rol negativ, sepse këto i zhveshin ata prej virtyteve të larta njerëzore dhe i bëjnë mendjemëdhenj.”

Në situata të vështira morale e shpirtërore, njerëz të veçantë, me vullnet të dobët dhe gjendje emocionale negative, mund të kryejnë veprime në dëm të vetes dhe të të tjerëve, që u shkakton edhe humbjen e jetës. Ata nuk e kuptojnë se jeta mbi tokë është e përkohshme dhe njeriu, si qenie e vullnetshme, duhet të ecë me mendimin për të bërë sa më shumë mirësi, për të mos i dëmtuar të tjerët, për të marrë pak e përditë të mirat e kësaj

bote të përkohshme. Askush nuk ndihet gjithnjë i lumtur në jetën kalimtare.

Lumturia për këdo është e përkohshme dhe shpeshherë ajo u lë vend momenteve të vështira, jo të këndshme, sepse Allahu në Kuran thotë: “Ata që kërkojnë

vetëm të mirat e kësaj bote, janë të mashtruar, pasi të mirat e kësaj bote janë të

përkohshme…” Në këtë kuptim, në këtë botë asgjë s’ka absolute, përveç ndërrimit të jetës, që do të thotë se njeriu duhet të luftojë që, në rrugë të ndershme, të marrë të mirat

e saj, të mos tërhiqet për arritjen e këtij qëllimi para vështirësive që i dalin rrugës, të shikojë përpara dhe jo prapa, të orientohet nga drita dhe jo nga errësira, nga e mira dhe jo nga e liga. Kujtdo që mendon dhe vepron ndryshe, që mashtron e shfrytëzon të tjerët për interesat e vet, që merret vetë direkt ose nxit dike për plaçkitje etj., sipas librit të shejtë, do t’i bëhet gjyqi i madh në botën e përtejme të pasosur. Të njëjtin fat do të pësojnë edhe ata që mashtrojnë.

Viktimat e mashtrimit moral dhe ekonomik, të shfrytëzimit dhe të plaçkitjes pësojnë trauma të mëdha rraskapitëse, morale e shpirtërore, shpeshherë të papërballueshme,

që mund të shoqërohen edhe me vetëvrasje e vrasje. Kjo është arsyeja pse Kurani ndalon fenomene të tilla dhe njerëzimit i bën apel të mos ndjekë këtë rrugë. Krimi në familje godet çdo ditë, duke e vënë në dyshim ekzistencën e saj. Alarmi ka kohë që është dhënë.

Reagimet e shoqërisë, shtetit dhe institucioneve të tjera janë ende të pakëta. Të gjitha ato, duke vepruar së bashku dhe veçmas, mund dhe duhet të bashkëpunojnë edhe me religjionet në vendin tonë, që kanë si mision pajtimin e shpirtit të njerëzve, lumturimin e jetës së tyre, harmoninë shoqërore e familjare dhe sigurimin nga çdo e keqe e jetës së shqiptarëve. Nëse mungon një frymë e tillë bashkëpunimi dhe nuk ka seriozitet në këte çështje, atëherë krimi në familje do të vazhdojë të jetë i pranishëm tek ne, familja mund të shpërbëhet dhe shoqëria do të degradojë.5

 

Abuzimet mund të jenë të ndryshme:

 

Abuzim seksual,

Abuzim Emocional,

Abuzimi Fizik

 

Maniakë seksualë, të cilët zakonisht po jo gjithmonë, janë burra, ka në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe vijnë nga çdo lloj prejardhjeje. Ata zakonisht do të marrin pozicione që u japin atyre lehtësi per t’iu afruar fëmijëve, si psh: drejtor i ndonjë grupi aktivitesh të fëmijëve; një trajner apo vullnetar në sport; punonjës në një shkollë; pjesëtar i një profesioni përkujdesës. Abuzimi seksual i fëmijëve varion nga marrëdhënie seksuale vagjinale dhe anale në masturbim, seks oral, ledhatim,

përkëdhelje dhe ndonjëherë edhe prekje jo të mira.

 

Abuzimi Fizik

 

Fëmijët, të cilët janë të lënduar apo të cilët kanë shenja jo të zakonshme të ndonjë nxitjeje, mund të jenë abuzuar fizikisht. Ky lloj abuzimi gjithashtu përfshin edhe rastet kur fëmijëve u jepet alkool a drogë. Shenja për të cilat duhet të interesohesh, janë ndryshimet në pamjen apo sjelljen e tyre,zmbrapsje kur të rriturit i afrohen dhe të qenët në një gjendje ”vigjilence të akullt“, apo kur duken se janë të frikësuar ose sikur të

menjanuar.

Në një situatë sportive apo aktivitet tjetër, abuzimi fizik mund të ndodhë kur fëmijët tremben nga moshatarët e tyre apo nga ndonjë person në moshë të madhe.

Gjithashtu trajnimet tepër rigoroze apo ushtrimet rutinore nga disa persona shihen si frikësime. Fëmijet që tremben, shpesh shfaqin shenjë frike, si p.sh. gjendje si marrje mendsh, shmangie apo ndryshim i menjëhershëm në sjellje. Në këtë drejtim kemi edhe situatën e neglizhimit, dhe kjo ndodh kur një person në moshë madhore nuk i plotëson nevojat bazë të fëmijes, si p.sh. ndaj të ushqyerit, veshjes apo kur nuk u kushton vëmendje të duhur problemeve të tyre mjekësore.

Neglizhimi gjithashtu përfshin rastet kur fëmijët e vegjël apo ata me probleme, lihen të vetëm në shtëpi apo jashtë saj. Neglizhimi gjithashtu mund të ndodhë gjatë aktiviteteve të organizuara, nëse fëmijët e vegjël janë të ekspozuar ndaj rrezikut të dëmtimit apo në rastet kur fëmijët nuk marrin kujdesjen e duhur për sigurinë dhe mirëqenien e tyre.

 

Abuzim Emocional

 

Kjo mënyrë e abuzimit përfshin keqtrajtimin e vazhdueshëm emocional të fëmijës, ngacmimet apo refuzimet e qëllimshme. I gjithë abuzimi përfshin keqtrajtim emocional të ndonjë lloji dhe mund të ndodhë në aktivitete të organizuara si dhe në situata individuale. Gjithashtu mund të përfshijë edhe situatat kur fëmijët jetojnë në një shtëpi ku ka dhunë familjare apo mund të përfshijë edhe shpresa jo të pranueshme të prindërve.

Fëmijët apo personat e rinj (sidomos ata që janë mjaft të zotët) në çfarëdolloj sporti, do të duhet të kontrollohen nga prindërit apo nga kujdestarët, për të parë ndryshime të menjëhershme të karakterit. Sjellja abuzive ndaj fëmijëve nga të rriturit, ndahet në disa veprime, si p.sh. shpërfillje, ulje e karakterit me të bërtitur, refuzim, izolim, të gjitha format e diskriminimit,kërcënim dhe injorim.

Fëmijët mund të ndihen budallenj, të pavlerë, të pikëlluar, më pak konfidentë, të përulur, të stresuar, të frikësuar dhe inatçinj.Prindërit janë përgjegjës për sjelljet e fëmijëve të tyre dhe për edukimin e tyre. Ata duhet të kenë nën kontroll çdo lëvizje apo ërregullim që vënë re në personalitetin e evladëve të tyre.

Shumica e personave në moshë madhore nuk do t’u bëjnë kurrë keq fëmijëve; fëmijët duhet të lejohen të gëzojnë lirinë dhe duhet të mësohen që të kujdesen

për veten e tyre - nuk është e nevojshme t’i mbash shumë pranë si të

mbuluar me velenxë. Ekspertët konsiderojnë se fëmiu i abuzuar ka disa simptoma

që e dallojnë, dhe në këtë vazhdë, abuzimi i fëmijëve mund të shfaqet me

simptoma fizike, emocionale dhe mjekësore. Gjithashtu fëmija vetë mund t’ju tregojë

për aspekte të abuzimit, në mënyrë që të testojë reagimin tuaj.Ata, p.sh.,

mund të pyesin nëse ju kanë pyetur ndonjë herë që mund të mbani sekrete.

Këto janë shenjat për të cilat duhet të kujdeseni: dërrmime a nxirje të pashëruara a të pashpjeguara, dhembje të vazhdueshme të stomakut a sëmundje të tjera fizike pa ndonjë shpjegim mjekësor, sjellje agresive apo shmangie bisedash për këto dërrmime, refuzim për të shkuar në shkollë apo ndryshim i menjëhershëm i rënies në mësime, refuzim për

të marrë pjesë në aktivitetet e tyre normale sociale, frikë e papritur nga një I madh edhe largim kur dikush e prek, sjellje dhe gjuhë mjaft e shthurur seksuale, burim i pashpjeguar parash, ndryshim në paraqitje gjatë kohës, si p.sh. humbje peshe apo të qenët i pistë apo i çrregullt.

Eshtë mjaft e rëndësishme të jeni vigjilentë për shenjat e abuzimit. Megjithëse edhe për rastet kur fëmija juaj bën ndonjë nga këto shenja, nuk është e thënë

që ai patjetër të jetë duke u abuzuar,mund të ketë edhe arsye të tjera. Gjithashtu edhe nëse ndonjë nga këto shenja nuk janë të pranishme, prapëseprapë mund të mendoni që bëhet fjalë për diçka të keqe.

Gjithashtu duhet të mbani sytë hapur për ndonjë person në moshë madhore, i cili mund t’i kushtojë shumë vëmendje fëmijës suaj - kjo është shenja klasike e një personi abuziv të mundshëm. P.sh. kur japin dhurata a lodra apo gjëra që i pëlqejnë fëmijës, ose ofrojnë që t’i marrin fëmijët për pushime apo jashtë, ose kërkjonë mundësi për të qenë vetëm me

fëmijët tuaj.Prindërit duhet të bëjnë shumë për mbrojtjen e fëmijëve.

Djemtë dhe vajzat e vogla mund të bëhen viktima të abuzimit të fëmijëve, siç mund të bëhen edhe disa adoleshentë.

Prindërit, kujdestarët apo mbrojtësit mund të ndihmojnë që të ulin pak rrezikun

e mundshëm duke përdorur disa apo të gjitha nga rregullat e sigurisë së fëmijëve:

gjithmonë të dini se ku janë fëmijët tuaj, me kë janë dhe të dini se kur do

të kthehen në shtëpi; sigurohuni që fëmija e di se ku jini ju dhe se si mund t’ju

kontaktojnë; dëgjojini mirë shqetësimet e fëmijëve dhe i siguroni që shqetësimet

e tyre do të dëgjohen prej jush. Gjithashtu duhet t’i mësoni fëmijët që

të dallojnë ndryshimin ndërmjet prekjes së duhur dhe asaj jo të duhur.Edhe në

rastet kur nuk janë të qartë, i inkurajoni ata që t’ju flasin për këtë, të dinë ndryshimin

midis sekreteve “të sigurta”, që duhen ruajtur me qejf, dhe sekreteve “jo të sigurta “ për të cilat ata janë të shqetësuar apo nuk janë të gëzuar që t’i mbajnë.

Gjithmonë t’ju tregojnë nëse u ka ndodhur ndonjë gjë e keqe - edhe në raste kur ata mund të jenë duke thyer një rregull. Shpeshherë fëmijët e fshehin abuzimin për shkak se kanë frikë se mund të hyjnë në probleme.

Eshtë gjithmonë e rëndesishme që të jesh i hapur dhe të dëgjosh fëminë tuaj. Në këtë aspekt do të isha ndalur në një rast dhunimi seksual që një rom para disa

ditësh dyshohet të ketë dhunuar një pesëvjeçare.

Ngjarja ka ndodhur në një kontejner në Qendrën e strehimit kolektiv të Ferizajt,

ku një person i moshës (44) i nacionalitetit rom, dyshohet të ketë abuzuar seksualisht vogëlushen pesëvjeçare (shqiptare), e cila jetonte po në të njëjtën qendër me prindërit e saj. Ky akt shtazarak dhe jonjerëzor ka shokuar jo vetëm banorët e kësaj qendre po tërë opinionin ferizajas. Prindërit e vogëlushes rrëfejnë se ngjarja kishte ndodhur para

pak ditësh, kur ai kishte mashtruar me çokollata dhe me pije vogëlushen dhe një shoqe të saj, dhe i ka mbyllur në kontejner që gjendet disa hapa para shtëpisë së viktimës, ku dyshohet se ka kryer veprën e abuzimit seksual Prindërit e saj nuk janë në gjendje ta rrëfejnë atë që kanë dëgjuar nga e bija e tyre, sepse vërtet është një shokim që jo vetëm që nuk e kanë pritur, por as që e kanë ëndërruar ndonjëherë se i dyshuari mund të bënte

një vepër të tillë, ngase e kishin trajtuar si një anëtar të familjes. Nëna e vogëlushes 5-vjeçare L.D. (28) nuk gjen fjalë për të shpjeguar atë që i ka ndodhur bijës së saj. “Se kam prit këtë që më ndodhi, nuk e di. Ai e ka deshur vajzën dhe e ka përdhunuar. Nuk e di pse e ka bërë, sikur ta dija, do të hiqej gjysma e të keqtit dhe më, pasi na ka ndodhur kjo ngjarje, nuk dua të jetoj më këtu asnjë minutë.” Shprehet ajo me lot në sy, dhe kërkon që ai të dënohet dhe të mos i lejohet më të kthehet në këtë qendër se ka bërë një krim.

Babai i fëmijës A.D. (30) nga Petërshtica e Drenicës, i vendosur në këtë qendër 6 vjet më parë, ka qenë luftëtar I UÇPMB-së dhe tani mezi ia del të sigurojë kafshatën e gojës për fëmijët e vet, thotë: “Për këta fëmijë jam munduar tërë këto vite, dhe e di vetë se si i kam rritur me skamje e vështirësi ekonomike. Ne jetojmë në kushte katastrofale dhe nuk e

kam pritur kjo që të ndodhë krahas gajleve që kam pasur për ekzistencë. Pra kemi të bëjmë me një përdhunim seksual sepse ai e ka deshur vajzën, e ka prekur

dhe e ka përdhunuar. Besojmë në ligjin dhe t’i jepet dënimi i merituar. Mbasi

më ka tregu shoqja, e kam lajmëruar policinë dhe dy vajzat janë dërguar në Prishtinë për kontroll të mjekësisë ligjore. E kemi edhe raportin e psikiatres dhe s’ka se si të bëhet më keq.” Nga ana e saj, viktima me leje dhe në prani të prindërve, ka rrëfyer ngjarjen se

si ka ndodhur kronologjikisht: ”Ai na ka thirrë mua dhe një shoqen time për të na

dhënë një sok (pije). Na e ka mbyllur derën me çelës, dhe na e ka punu, edhe

masanej na ka deshë. Ai na e ka mbyllur derën me çelës dhe më ka shtri në krevet.

Nuk na ka rrahur nuk kemi qajtur as piskatë. Masanej nuk e di, por menjëherë

kur kam ardhë në shtëpi, i kam kallzu babit edhe mamit dhe i kemi lajmëru policinë”.

I dyshuari shpesh i kishte thirrur fëmijët dhe u kishte dhënë pije, çokollatë, por asnjëherë nuk kishte vepruar kështu sikurse këtë herë, pohojnë familja e viktimës.

 

Traumatizohet vogëlushja 5-vjeçare

 

Vogëlushja pas këtij akti tmerrues dhe shtazarak ndihet e traumatizuar dhe ka çrregullime emocionale. ”Ajo ka shqetësime dhe frikë shumë të madhe, ajo fle krye për krye me ne, flet jerm, po më shtihet andërr se po vjen e më përdhunon, tash ka frikë të qëndrojë edhe në oborr të strehimores, nuk mund ta lëmë të rrijë vetë asnjë minutë“ - thotë i ati i viktimës. Familja e abuzuesit ndihet mjaft keq për këtë rast. Familja e ngushtë e autorit ndihen mjaft keq për këtë që ka ndodhur. Fatmiri, vëllai i abuzuesit, ndihet mjaft keq:

”S’di çfarë të them, s’di kah t’ja filloj. Ai s’ka pasur asgjë që mund ta kishim

vërejtur më herët. Ka ardhur tek unë, kam shku tek ai, unë mjaft ndihem i habitur si ai nuk më ka lajmëruar” për të shtuar për të vëllanë: “Ka qenë i martuar dhe ka një vajzë të madhe në Gjermani, dhe është ndarë nga bashkëshortja derisa ajo ishte shtatzënë. Ai deri vonë ka jetuar me nënën e vet, e cila para një muaji ka ndërruar jetë. Mua më vjen shumë keq, dhe më vjen marre të shkoj edhe në xhami prej shokëve, sepse po vesin për këtë rast, e unë s’po di se çka me u thanë”. Fatmiri, menjëherë, me të dëgjuar këtë ndodhi, i ka kërkuar falje familjes së viktimës dhe ka thënë se rasti i përket sulmuesit e jo atyre si familje.

Autoritetet policore të Ferizajt, edhe pse me vonesë, kanë konfirmuar ngjarjen që

ka ndodhur ditë më parë. Muharrem Asllani, psikiatër dhe drejtor i Qendrës Mentale

në Ferizaj, është njoftuar për rastin dhe se është mbajtur seanca e parë me viktimën. “Jam munduar ta qetësoj prindin dhe do të filloj me trajtimin e fëmijës - thotë ai.

Terapitë e tilla pas abuzimeve seksuale, zgjasin edhe për gjashtë muaj në varësi prej simptomave të personalitetit të fëmijës, por ka terapi që zgjasin edhe për vite, derisa t’i eliminojmë simptomat, frikën, gjumit t’i kthejmë funskionimin normal, na duhet mjaft kohë” - qartëson psikiatri Asllani, i cili nuk fsheh faktin se për çdo vjet ka

pasur nga pesë – gjashtë raste të tilla keqtrajtimesh dhe abuzimesh seksuale, por

mbetet një pjesë ndoshta më e madhe që nuk paraqiten për shkak të stigmës, marres dhe kulturës së popullatës sonë.

“Ngacmimet e tilla duhet të paraqiten tek ne, në mënyrë që t’u ndërpritet rruga këtyre ngacmimeve seksuale, sepse ngacmimet fillohen me forma të lehta ndaj viktimave“ - përfundon Asllani. Sido që të jetë, çrregullimet sociale që po ndodhin në Kosovë, mbeten objekt studimi për shumë ekspertë të këtyre fushave, të cilët, fatkeqësisht, nuk po punojnë në këtë drejtim aq sa duhet. E gjendja tek ne si shoqëri, ku ka dhjetëra raste të tilla, ndoshta edhe më të këqija edhe më të mëdha, nuk janë në favorin tonë si shqiptarë myslimanë dhe nuk reflektojnë kulturën tonë të mirëfilltë. Duhet të ndryshojmë gjendjen tonë, sepse, vetëm duke ndihmuar njëri-tjetrin, mund ta ndryshojmë këtë shoqëri, pjesë e së cilës jemi edhe vetë ne.

 

_________________

Fusnotat:

1. http://www.forumishqiptar.com/archive/index. php/t-68123.html)

2. Kur’ani, përkthim me komentim në gjuhën shqipe-h.Sherif Ahmeti.

3. Muhammed El-Gazali, Komenti tematik I Kur’anit famëlartë, Shkup,2007,.fq 602.

4. http://www.hrea.org/erc/Library/First_Steps/ part5_al.html

5. Krimi në familje përtej konstatimeve. Prof.as.dr.Qazim Dushku,

http://www..aiitc.org/universi/u7%20krimi...html

 

 

Rexhep Suma

 

 

Back