GËNJESHTRA SI SËMUNDJE PSIKIKE

23/05/2011 21:17

Sot të gjithë ne jemi dëshmitarë të shumë sëmundjeve psikike dhe padyshim pyesim veten, si vihet deri këtu dhe cila është mënyra e mbrojtjes nga këto gjendje psikike. Fjala apo aftësia e të folurit është një mirësi, të cilën ne e shfrytëzojmë për çdo ditë dhe është vështirë ta paramendojmë jetën tonë pa mundësinë e shprehjes.

 Fjala nuk është thjesht vetëm një prodhim i zgavrës së gojës dhe kordave zanore, por pasqyrë e brendisë sonë komplete. Fjala është shprehje e shpirtit dhe e mendimeve tona, d.m.th. atë që e flasim në mes të tjerave ajo flet edhe për personalitetin tonë, në atë çfarë anojmë dhe cili është vështrimi ynë në botë. Pra, meqë të folurit është shprehje e psikikës sonë, atëherë me të drejtë mund të themi se mu fjalët ndikojnë në atë se: a do të jemi person i qetë (stabil) apo i shqetësuar. D.m.th. nëse fjalët e vërteta janë të dobishme dhe të shëndetshme, të bazuara në argumente të fuqishme, atëherë edhe psika jonë është e tillë, por nëse fjalët janë gënjeshtra dhe të sëmura, e tillë do të jetë edhe psika dhe jo vetëm fjalitë që dëgjojmë nga tjerët, por edhe fjalitë që u drejtohemi të tjerëve.

Kurani Fisnik na udhëzon në çdo gjë, që na bën neve të shëndoshë dhe të lumtur, ndërsa na tërheq vërejtjen që të largohemi nga ajo që na dobëson, na sëmur e njëherësh të jemi të palumtur. Një nga gjërat për të cilat na tërhiqet vërejtja nga ana e Kuranit Fisnik është rreziku i hipokrizisë, si gjendje psikike e sëmurë e njeriut, e që mund të vërehet në ajetin vijues:

“Dhe kur atyre u thuhet: besoni, sikurse besuan njerëzit, ata thonë: "A të besojmë ashtu sikurse besuan mendjelehtët?" Në të vërtetë ata, dhe mu ata janë mendjelehtët, por nuk e dinë”.[1] Në Kuranin Fisnik është përdorur fjala mendjelehtë (pa mend) për ata që nuk dëshirojnë të pasojnë rrugën e vërtetë dhe kësaj i kundërvihen me gënjeshtra dhe mashtrime. Pra, njeriu pa mend në këtë gjendje është person larg nga kontakti me realitetin. Në bazë të këtij ajeti mund të konkludojmë, se hipokritët dhe gënjeshtarët janë quajtur të pamend, atëherë për këta pa mëdyshje mund të përdoret termi psikologjik i personit mentalisht të sëmurë.

Njerëzit gënjejnë për ta ruajtur imazhin e tyre narcisoid, sepse mendojnë se janë të përkryer dhe besojnë që ndryshimi më i vogël në personalitetin e tyre i çon drejt shkatërrimit total. Scott Peck, një psikolog i njohur, i quan njerëz gënjeshtarë, sepse ata jetojnë brenda mureve të larta të frikës ndaj vetë kritikës, sepse vetëkritika është thirrje në ndryshimin e personalitetit për të cilin ata nuk janë të përgatitur.

Në rast se i pranojnë vetitë, që një pjesë e personalitetit të tyre është për t’u kritikuar, atëherë vetëdija do të kërkonte që ta ndryshonin, por meqë procesi i ndryshimit të personalitetit është mjaft i gjatë dhe i dhimbshëm, atëherë shërbehen me gënjeshtra si sedativ i pashmangshëm për kontrollimin e vetëdijes personale. Gënjeshtra u shërben atyre si tepihë nën të cilin fshehin të gjithë atë, që pamjen e jashtme të tyre do ta bënte të ndotur. Mund të thuhet që mashtruesit dhe gënjeshtarët janë të lidhur patologjikisht me status quo-në e personaliteteve të tyre dhe si të tillë me doemos u nevojitet ndihma e psikologut.

Një dijetar ka thënë: ‘bile edhe njerëzit më të këqij para se të fillojnë krimin më parë mundohen të kenë një arsyetim moral për këtë akt.“ Me fjalë të tjera duhet të gënjejnë veten e tyre për të kryer krimin! P.sh. serbët para vrasjeve dhe dhunimeve gjatë luftës së kaluar e kanë bindur veten, se nëse nuk do t’i bëjnë të njëjtën gjë atyre, këtë do t’ia bënin ata këtyre dhe kështu kanë gënjyer vetëdijen e tyre për ta ruajtur paraqitjen për ata si një popull thuajse normal.

Shohim që gënjeshtra si çrregullim patologjik i psikës nuk mbetet vetëm problem i personit, i cili është sëmurë, por i sjell një dëm shumë të madh shoqërisë. Shembullin e serbëve mund ta krahasojmë me shembullin e Iblisit dhe të vëresh se i kanë të përbashkëta cilësitë në sjelljet e tyre. Edhe gënjejnë për ta ruajtur imazhin e lartë për personalitetin e tyre. Ai mosbindjen e tij ndaj Allahut të Madhërishëm e shpjegoi me të metat e Ademit, si i krijuar prej dheut. Por në realitet ky shpjegim ishte një arsyetim apo paravan pas të cilit fshihej narcizizmi dhe bindja individuale, që ai ishte i përsosur dhe me këtë jashtë çdo lloj kritike. Pranimi që Ademi alejhi salatu ue selam është më i mirë se ai do të ishte sipas tij pranimi i mos përsosmërisë personale, dhe nga kjo bindje edhe nuk dëshiron të shmanget, për këtë ai betohet se do të vërtetojë që lloji njerëzor është i keq, për çfarë edhe përdor të gjitha mjetet, bile edhe ato që do t’i dëmtojë njerëzit siç janë armiqësia, vrasjet, nxitja në krim, thirrja në gjërat e këqija etj.

Kështu e shohim krenarinë dhe narcizizmin, si pranga të mendjes dhe të ngritjes shpirtërore. Këta njerëz (gënjeshtarët dhe hipokritët) e kalojnë jetën në frikë pa marrë parasysh se sa paraqiten të qetë dhe të përmbajtur. Qendrat e tyre në tru nuk punojnë sipas principit të konsultimit si mundësi reale, por krijojnë një labirint të madh nga i cili nuk mund të dalin, çdo gjë u duket konfuze duke krijuar frikë dhe ndjenjën e ngulfatjes në psikën e tyre. E kjo është një gjendje e dhimbshme tek e cila kanë arritur vetë me mënyrën e të menduarit të tyre të gabuar e që nënkupton gënjeshtrën si sistem mbijetese. Allahu u tërheq vërejtjen që dhembja në tërësinë e sëmundjes emocionale është njëra prej pasojave të gënjeshtrave, siç na e vërteton në Kuranin Fisnik:

“Në zemrat e tyre kanë sëmundje e Allahu ua shton sëmundjen edhe më shumë, e për shkak se ata përgënjeshtruan pësojnë dënim të dhembshëm”.[2]

Në këtë shqyrtim të shkurtër për gënjeshtrën dhe pasojat e saj shohim sa është me rëndësi ajo që po themi, sepse këtë nuk do ta dëgjojë vetëm ai që ia drejtojmë fjalët tona, por edhe vetëdija jonë do t’i pranojë impulset dhe krahas me këtë do të formësojë gjendjen e vet shpirtërore dhe psikike. Prandaj nëse mendojmë që me gënjeshtra mund t’i mashtrojmë të tjerët, atëherë mashtrohemi keq, sepse me gënjeshtrën mashtrojmë së pari vetveten e pastaj tjetrin, dhe vjedhim rastin që të ndryshohemi për të mirë, dhe të ndiejmë begatitë e jetës së vërtetë në vend të iluzioneve, të cilat i kemi paramenduar në kokën tonë. Përkujtojmë këtu duke medituar ajetin e Kuranit Fisnik:

“O ju besimtarë, përmbajuni mësimeve të Allahut dhe thoni fjalë të drejta Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen juve mëkatet tuaja, e kush e respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh”.[3]

Përgatiti dr. Ali Iljazi

[1] Bekare, 13.

[2] Bekare, 10.

[3] Ahzabë, 70-71.

 

Back