Islami i lufton paragjykimet

23/05/2011 21:26


Shumë familjeve u imponohen steorotipe të ndryshme si p.sh. "vetëm meshkujt janë për të shkuar në xhami", "femra është shumë emocionuese dhe nuk mund të gjykojë në mënyrë të pavarur", "meshkujt që këshillohen me gratë e tyre janë qyqarë", "fshatarët janë vagabondë përtacë", etj. Rolet gjinore fikse janë të mësuara në bazë të vëzhgimit të prindërve.

 

Paragjykimi është vendimi (i parakohshëm) i marrë në mënyrë të pamenduar, qëndrim negativ ndaj një personi apo grupi i cili bazohet në fakte joobjektive. Supozime të tilla paraqesin mendime, steoreotipe dhe qëndrime shumë të gjeneralizuara. Një përfundim i parakohshëm gjithashtu mund të bazohet në përvoja emocionale me njerëz të ngjashëm.

 

Me paragjykime arsyetohen vendimet. Paragjykimi është një ndjenjë e zemëruar, armiqësore, një neveri e pabazuar ndaj dikujt, apo një ofendim dhe qortim jokorrekt i njerëzve të tjerë. Në të vërtet, ky është principi: “Unë kundër teje. Gjithçka e imja është më e mirë se e jotja - vendi im, feja, njerëzit me të cilët shoqërohem, familja, dhe unë”. (Mendoni për këtë: Sa në të vërtet është i mirë një person që duhet t’i nënçmoj dhe t’i ofendoj të tjerët që të ndjehet i kënaqur!)

 

Njerëzit tregojnë paragjykimet e tyre kur duhet të formojnë ndonjë mendim pa njohjen e të gjitha argumenteve. Këto mendime mund të jenë për racën e dikujt, religjionin, apo prejardhjen etnike. Mund të bazohen në moshë, gjini, paaftësi, apo në bazë të pasurisë dhe arsimimit. Rrënja e të gjitha paragjykimeve është frika dhe injoranca.

 

Sipas pikëpamjes islame ndarja e qenies njerëzore sipas etnisë, racës, formimit të grupeve dhe fiseve është bërë për tu njohur më mirë mes veti, ashtu që pjesëtarët e një race, apo fisi mund të komunikojnë dhe bashkëpunojnë me njerëzit tjerë, racat dhe fiset tjera. Në këtë mënyrë mësojnë prej njëri tjetrit, respektojnë dallimet dhe ndajnë ngjashmëritë. Një princip i këtillë mund të krahasohet me botën bimore dhe atë shtazore. Llojllojshmëria është shprehje e kreativitetit dhe mjeshtërisë së Zotit, me qëllim që të motivojë në frikërespekt dhe admirim (mahnitje) nëpërmjet krijesave të tjera të Tij.

 

“O njerëz! Në të vërtet, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri - tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai qëi frikohet më së shumti Atij. Vërtet Allahu është i gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (El-Huxhurat, 13)

“Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Padyshim në këtë ka shenja për ata që dinë.” (Er - Rum, 22)

 

Një shumëllojshmëri e këtillë e njerëzve në raca nuk është shkak për ngritjen e njërit ndaj tjetrit, e as që u është e lejuar të turpërojnë njëri tjetrin dhe t'ua uzurpojnë të drejtat.

 

Paragjykimi mund të definohet edhe si kryelartësi (mendjemadhësi) dhe gjeneralizim në bazë të racës, religjionit, apo ndonjë kriteri tjetër, që manifestohen si sjellje negative në aspektin e nënçmimit dhe ofendimit. Në vend të ngritjes së urave mes njerëzve, paragjykimet ndërtojnë mure. Në këtë mënyrë paragjykimet bëhen burimi i urrejtjes dhe veprim i padrejtë ndaj pjesëtarëve të një grupi të caktuar.

 

"O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu asnjë grua të mos tallet me gra tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo. Mos e nënçmoni dhe mos qesëndisni njëri tjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës. O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri - tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush ta hajë mishin e vëllait të vet të vdekur! Sigurisht që ju do ta urreni këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtet, Allahu është pranues i pendimit dhe mëshirëplotë." (El - Huxhurat, 11, 12)

 

Lexoni me vëmendje këto deklarata:

 

"Të gjithë afroamerikanët, kinezët, arabët janë..."

"Të gjithë hebrenjtë, katolikët, muslimanët, hindusët, ateistët gjithmonë..."

"Të gjithë njerëzit e varfër janë..."

"Femrat/meshkujt janë..."

"Pleqtë janë..."

 

Përfundoni këto fjali me qëndrimin tuaj mbi çdo grup, dhe do ti njihni paragjykimet tuaja. Pyeteni veten se a është qëndrimi juaj i drejtë për çdo pjesëtarë të atyre grupeve? A u pengon paragjykimi të jeni të hapur me anëtarët e atyre grupeve?

Paragjykimet janë mënyra e studiuar e të menduarit, transmetohet gjeneratë pas gjenerate në familje. Si fëmijë ne përfitojmë prirje kah formimi i paragjykimeve pa meditim. Shumë familjeve u imponohen steorotipe të ndryshme si p.sh. "vetëm meshkujt shkojnë në xhami", "femra është shumë emocionuese dhe nuk mund të gjykojë në mënyrë të pavarur", "meshkujt që këshillohen me gratë e tyre janë qyqarë", "fshatarët janë vagabondë përtac", etj. Rolet gjinore fikse janë të mësuara në bazë të vëzhgimit të prindërve. Një shembull i paragjykimit është: "Gratë dhe vajzat gjithmonë duhet të gatuajnë, të pastrojnë shtëpinë, të kujdesen për fëmijët, kurse meshkujt këtë nuk duhet ta bëjnë."

 

Për shkak të natyrës tonë armiqësore dhe të pakëndshme, paragjykimet na ndalojnë nga një kontakt i afërt me persona të caktuar, për çka njeriu nuk ka mundësi të zbuloj se cili tip i personit i pëlqen. Injoranca dhe frika i mbajnë gjallë paragjykimet.

 

Kur bëhemi të varur nga paragjykimet, prishim tre standarde që janë karakteristika të islamit: Arsyen (të kuptuarit, urtësinë), drejtësinë dhe tolerancën.

 

Prishja e të kuptuarit

Jemi të pakuptueshëm nëse kemi qëndrim negativ për të tjerët pa argumente, apo edhe përskaj argumenteve pozitive, apo me anë të stereotipeve, pa lejimin e dallimeve individuale. Jemi të pakuptueshëm nëse nuk shohim më larg se idetë tona të pamenduara.

 

Prishja e drejtësisë

Jemi të padrejtë nëse e privilegjojmë një grup mbi grupin tjetër. Jemi të padrejtë nëse favorizojmë një etni ndaj etnisë tjetrës. Jemi të padrejtë nëse i diskriminojmë dhe i paguajmë meshkujt më shumë se femrat për kryerjen e një pune të njëjtë, ose zgjedhim më shumë meshkuj se femra në pozitën e liderëve.

 

Prishja e tolerancës

Nuk jemi tolerantë nëse i largojmë dhe ndjejmë neveri ndaj njerëzve për shkak se janë të ndryshëm, p.sh. se janë të religjionit tjetër, janë të një statusi ekonomik më të ulët apo kanë vlera të tjera.

 

 

Njerëzit që i respektojnë të tjerët si individë janë të arsyeshëm, të drejtë dhe tolerant. Njerëzit e tillë respektojnë njerëzimin si tërësi, vlerësojnë jetën dhe të drejtën për të jetuar.

 

Toleranca është shenjë e pranimit të njerëzve ashtu siç janë, edhe nëse feja e tyre është e ndryshme nga e jotja. Kjo do të thotë të pranosh që dikush është ndryshe nga ti dhe të mos kesh problem me këtë. Kjo do të thotë se ndaj të tjerëve të sillesh ashtu siç do të dëshiroje që tjerët të sillen ndaj teje.

 

"Mos i shani idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos e shajnë Allahun armiqësisht nga padija. Kështu, Ne ia paraqesim të bukura çdo populli e veprat e veta. Pastaj, ata do të kthehen te Zoti i tyre, i Cili do t'i lajmëroj për gjithçka që kanë bërë." (El - Enam, 108)

 

"Kur t'i shohësh ata të nënçmojnë shpalljet Tona, largohu prej tyre, deri sa të kalojnë në bisedë tjetër! E nëse djalli të bën të harrosh, sapo të përmendesh, mos rri me keqbërësit!" (El - Enam, 68)

 

"Andaj, ti thirru dhe bëhu këmbëngulës, ashtu siç je urdhëruar, mos i ndiq epshet e tyre dhe thuaj: "Unë besoj çdo libër që e ka shpallur Allahu dhe jam urdhëruar që të gjykoj drejt midis jush; Allahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj. Veprat tona janë për ne, e veprat tuaja janë për ju. Midis nesh dhe jush nuk ka kurrfarë mosmarrëveshjeje. Allahu do të na tuboj të gjithëve dhe teka ai do të kthehemi të gjithë." (Esh - Shura, 15)

 

Në këtë mënyrë islami na mëson për barazinë e racës njerëzore në tërësi dhe na tregon në vet rrënjën e diversitetit. Sipas islamit, Zoti i ka dhënë njeriut të drejtën e barazisë qysh në lindje. Dhe për këtë asnjë njeri nuk duhet të jetë viktimë e diskriminimit në bazë të ngjyrës së lëkurës, vendlindjes, racës apo etnisë të cilës i takon.

 

Një njeri ka përparësi ndaj të tjetrit vetëm sipas shkallës së devotshmërisë, karakterit të pastër, sjelljeve etike, e jo në bazë të ngjyrës, gjuhës, nacionalitetit. Edhe kjo lloj përparësie nuk i lejon njerëzit e tillë ti mbisundojnë të tjerët.

 

Paramendimi se dikush ka të drejt superioriteti ndaj të tjerëve është vepër që meriton qortim. Asnjë person i devotshëm nuk do t'ia lejojë vetes një cilësi të tillë. Asnjë njeri i vlefshëm nuk është i privilegjuar në raport me të tjerët, sepse kjo do të ishte në kundërshtim me principin e barabarësisë. Nga aspekti i moralit, mirësia dhe vyrtytet në çdo rast janë më të mira se dëmi dhe vesi i keq.

 

“O, ju njerëz, Zoti juaj është një. Nuk ka përparësi arabi ndaj joarabit, e as joarabi ndaj arabit, as i bardhi ndaj të ziut, e as i ziu ndaj të bardhit, përveç se në devotshmëri (takvalëk). Dëgjoni mirë. A e kuptuat? - Po e kuptuam o i Dërguari i Allahut u përgjigjën njerëzit. I Dërguari s.a.v.s. pastaj tha: - Atëherë çdo kush prej juve këtu duhet që këtë mesazh t'ua transmetoj atyre që nuk janë prezent.” (Fragment i shkëputur nga Hutbeja e Lamtumirës së të Dërguarit s.a.v.s)

 

Sjellja me njerëzit na bazë të paragjykimeve në çfarëdo forme hynë në kategorinë e zullumit, respektivisht keqpërdorimit dhe mizorisë, apo në kategoritë e ngjashme, pra të bërit keq. Zullumi (padrejtësia) është e ndaluar në islam. Edhe disa veprime në dukje si jo djallëzore, siç është zgjedhja e një anëtari të familjes për në ndonjë punë në vend të personit të kualifikuar qortohet. Në islamë nuk ka vend për "shërbime speciale" apo joobjektivitet. Ajeti në vijim shumë qartë tregon në obligueshmërinë e muslimanit që të punojë për drejtësinë, sa që edhe atëherë kur duhet të luftohet edhe kundër më të afërmve:

 

"O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër (ai për të cilin dëshmoni), Allahu është për ata vlerësuesi më i drejtë. Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë! Nëse ju e ngatërroni dëshminë ose i shmangeni asaj, vërtet që Allahu e di se çfarë bëni ju." (En - Nisa, 135)

 

Islami interesohet për paqe, ndërsa deri sa ekziston padrejtësia ndaj kujtdo qoftë, paqe nuk mund të ketë.

 

 

Uzma Mazhar

______________

Përktheu:

Arsim Dauti

 

Back