Kur sprovohesh, ekuilibrohu!

25/05/2011 20:59

“Çdo krijesë do ta shijojë vdekjen, e Ne, në shenjë sprove ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi, dhe ju ktheheni te Ne.” – Kur’an, 21:35

“Jeta e kësaj bote është sprovë dhe provim.” – Hadith

Shkruan: Avni Tafili

Kur njeriu nxehtësi ndjen, kërkon menjëherë freskinë, ashtu siç kërkon ngrohjen kur ndjen ftohjen, por në të dyja rastet prapë është i pakënaqur njeriu i ngutshëm; i paekuilibruar!

As e mira të të mos ngazëllejë përtej kufijve, e as e keqja të të mos dëshpërojë! Por qëndro në mes, mbaj ekuilibër: mos u gëzo tepër e as mos u shqetëso tepër. Je njeri, e njeriu është i ngutshëm, këtë na e tregoi Krijuesi ynë, Allahu i Madhëruar. Ti kur sprovohesh me të mira, nëse je falënderues, të forcohet edhe më tepër bindja dhe dashuria ndaj Allahut, e nëse s’je falënderues, shumë ke humbur!

Po, sepse ti nuk e di të ardhmen. Nuk e di të nesërmen. Nuk mund të kuptosh urtësitë e ngjarjeve dhe të rrethanave. Ti mund të sprovohesh me të mira, por ç’të bëri të kuptosh se e mira të mbron, të ruan, të shpëton! Mund të sprovohesh me të mira, për të vlerësuar karakterin, bindjen dhe përkushtimin ndaj Atij që furnizon! Kurrsesi! Vetëm Ai që furnizon, i di të fshehtat. Ai vepron ç’të dëshirojë! Prandaj, ti kur me të mira sprovohesh, përmbaju dhe mbaj ekuilibër.

Ti mund të sprovohesh edhe me ndonjë të keqe. Ti mos shpejto në shqetësim, dëshpërim e mërzisje. Pasi, e keqja mund të të sjellë të mira! E pra edhe kur ty të ndodh ndonjë gjë që ty s’të pëlqen, apo e urrejtshme për ty, ç’të bëri të kuptosh nëse je sprovuar për t’u nderuar apo për t’u dënuar! Po, dije se, edhe dënimi është edukim!

Ti mund të kesh pasuri. Mund të kesh grua që të pëlqen. Mund të kesh prindër të zgjuar. Mund të kesh shumë fëmijë, e mund të kesh pushtet e dituri! Mirëpo, ji i vëmendshëm e i kujdesshëm, sepse si e mira dhe e keqja e kanë një mesazh, e kanë një qëllim. Pasuria, gruaja, prindërit, fëmijët, pushteti e dituria, mund të jenë sprovë e rëndë që ti të zhytesh në kënaqësitë e kësaj jete, e pastaj të përjetosh dënim të dhembshëm në Jetën e Përhershme!

Thuaj pra, o Allah! Çdo gjë që më ndodh, të falënderoj, e prej Teje kërkoj mbrojtje nga pasuria që më humb, e nga gruaja që më cyt, e nga prindërit që më zhvijojnë, e nga fëmijët që më bëjnë arrogant, e nga pushteti e dituria që më bëjnë të dëshpëruar!

Dije se, njeriu është i ngutshëm! Kur këtë natyrshmëri nuk e zotëron, sa shumë padrejtësi vetes i bën! Kur sprovohet me diçka që trupi i tij i gjen prehje, qetësohet e ndihet i nderuar, e ndonjëherë kokëlartë; e kur sprovohet me diçka që trupi i tij tronditet, shqetësohet e ndihet i fyer. Njerëz që nuk ndjejnë shpirt, e as s’janë racional e të vetëdijshëm. Nuk i bën kush padrejtësi më tepër se njeriu i ngutshëm vetvetes!

Të ngutshmit, njerëz sipërfaqësorë! Kjo një dukuri e njerëzve që për gjithçka, qoftë ndaj të mirës a ndaj të keqes, janë brutal; të ngazëllyer brutal, e të dëshpëruar brutal! Jo, janë të pavetëdijshëm, të paarsyeshëm, mendjelehtë! Kjo kategori e njerëzve, që një mes e ekuilibër nuk mbajnë dot, ndjejnë vetëm anën e tyre fizike; sa shpejtë që reagojnë qoftë për diçka që u pëlqen apo diçka që urrejnë. Këta nga nxitimi dhe moskujdesi, sa shumë mirësish u ikin! Nuk dallojnë dot thelbin e ndodhisë e as të rrethanës. Nuk kanë kohë të thellohen në brendi të çështjeve, janë euforik, ndërsa mesatarja e ekuilibrimi kërkon durim dhe përpjekje!

Kështu, nuk e kupton as sprovën. Vetëm kur shijon ëmbëlsi, qoftë edhe sipërfaqësore, ndjen ëmbëlsi të thellë, e kur shijon hidhësi, qoftë pra edhe vetëm anë sipërfaqësore, ndjen hidhësi të thellë. Ose gëzim të thellë ose hidhërim të thellë. Vetëm kur fundoset në hidhësi, që sipërfaqja e saj është shtresë e hollë ëmbëlsie, ndjejnë hidhësinë, e si do të dalin prej asaj brendie, janë të fundosur më! Po edhe vetëm kur shtresën e hollë të hidhësisë e durojnë, hyn në paqe në thellësi të ndodhisë a rrethanës dhe ndjejnë mirësinë. Lum për durimtarët, qysh në këtë jetë përjetojnë njëmend mirësitë e Allahut të Madhëruar!

Le ta dijë secili njeri: ke për t’u sprovuar! Nuk ka njeri në fytyrë të tokës që nuk do të sprovohet, para se të ndahet prej saj! Kjo jetë është vendbanim i përkohshëm, jo i përhershëm, ndërsa finalja e çdo procesi është kur njeriu sprovohet, qoftë me diçka që i pëlqen apo e urren. E kush triumfon, veçse njeriut të bindur në Allahun e Madhëruar, njeriut durimtar dhe të mençur! Po, sepse këta çdo gjëje i bëjnë llogarinë!

Të të përkujtoj, se, kur të godet diçka që të trondit, dije se, sfidonimi i saj të bën më të fortë, ndërsa dorëzimi jo vetëm se të bën më të dobët, por edhe tronditja është më e rëndë dhe më e pakapërcyeshme. Kështu që, mos lejo zemra të nxitojë, e as mendja të hutohet, që ekuilibrin të mos e humbasësh. Prandaj, kur me gjithçka që sprovohesh, ruaj qetësinë dhe ji falënderues! Përgëzohu, nëse durimtar je!

O Allah, na bëj falënderues ndaj Teje në çdo gjendje që jemi!

Ve-l-hamdu lilahi rabbi-l-alemin

 

 

 

Back