Nëna Muslimane dhe fëmijët e saj

25/05/2011 21:44

 

 

Ajo e kupton përgjegjësinë e madhe që ka kundrejt fëmijëve të saj

 

Muslimanja kurrë nuk harron se përgjegjësia e nënës në rritjen e fëmijëve dhe në formimin e karaktereve të tyre është më e madhe se ajo e babait, sepse fëmijët kanë prirjen të jenë më të afërt me nënën dhe gjithashtu kalojnë më shumë kohë me të. Ajo di gjithçka për zhvillimin e tyre të sjelljes, atë emocional dhe intelektual gjatë viteve të fëmijërisë dhe gjatë viteve të vështirë të adoleshencës. Për këtë arësye, një grua e cila i kupton mirë mësimet e Islamit dhe rolin e saj edukues në jetë, e njeh përgjegjësinë e saj të plotë për rritjen e fëmijëve të saj ashtu siç thuhet edhe në një varg në Kur’anin e Shenjtë:
O ju që keni besuar! Ruani veten tuaj dhe familjet tuaja prej një zjarri lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. 66:6

Profeti a.s. gjithashtu i referohet kësaj përgjegjësie në hadithin e mëposhtëm:
Secili prej jush është një bari dhe është përgjegjës për tufën e tij. Udhëheqësi është bari dhe është përgjegjës për tufën e tij; burri është bari në familjen e tij dhe është përgjegjës për tufën e tij; gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo është përgjegjëse për fëmijët. Shërbëtori është bari i pasurisë së pronarit të tij dhe është përgjegjës për të. Secili prej jush është bari dhe është përgjegjës për tufën e tij.” (Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi)

Islami vendos përgjegjësi mbi shpatullat e çdo individi; asnjë njeri nuk mbetet jashtë kësaj përgjegjësie. Prindërit, veçanërisht nënat, e kanë për detyrë t’u japin fëmijëve një mirërritje të shëndetshme dhe një edukim të shëndoshë islam, të bazuar mbi vyrtytet fisnike të Profetit a.s, për të cilat ai ka thënë se është dërguar t’i përsosë dhe t’i përhapë ndër njerëz:
"Unë jam dërguar vetëm për të përsosur moralin e mirë." (Buhariu)
Asgjë nuk është më domethënëse për përgjegjësinë e madhe që kanë prindërit për fëmijët, se sa detyra e tyre për t’i pajisur ata me një edukatë islame që është edhe mendimi i përgjithshëm i dijetarëve që çdo familje duhet të zbatojë fjalët e profetit a.s:
"Mësojini fëmiijët tuaj të falen kur të mbushin 7 vjeç dhe goditini (lehte) ata nëse nuk e zbatojnë këtë kur mbushin 10 vjeç." (Ahmedi dhe Ebu Daudi)

Ata prindër që e dinë këtë hadith, por nuk i mësojnë fëmijët e tyre të falen kur mbushin 7 vjeç dhe i godasin ata nëse nuk e zbatojnë namazin kur mbushin 10 vjeç janë prindër mëkatarë dhe dështakë në detyrën e tyre. Ata do të përgjigjen përpara Allahut për dështimin e tyre. Familja është një mikrokozmos i shoqërisë, në të cilën formohen mentaliteti, intelekti, qëndrimet dhe prirjet e fëmijëve kur ata janë ende të vegjël dhe janë gati për të thithur fjalët e shëndosha të udhëzimit. Për këtë arësye, është shumë i qartë roli me rëndësi i prindërve në formimin e botëkuptimit të djemve dhe vajzave të tyre dhe në drejtimin e tyre drejt të vërtetës dhe veprave të mira.
Ajo përdor mënyrën më të mirë në mirërritjen e tyre
Muslimanja inteligjente e kupton psikologjinë e fëmijëve të saj dhe është e vetëdijshme për ndryshimet e tyre në qëndrime dhe prirje. Ajo përpiqet që të depërtojë në botën e tyre të pastër dhe të mbjellë farat e vlerave fisnike dhe vetive të mira duke përdorur mënyrat më të mira dhe më efektive në të qenit nënë.

 Nëna është natyrshëm më afër fëmijëve dhe ajo, me përkëdheljet dhe dashurinë e saj ndaj tyre bën që ata ta duan dhe të jenë të hapur me të, të ndajnë mendimet dhe ndjenjat e tyre. Ajo është e shpejtë në korrigjimin e tyre dhe në ndreqjen e ideve, mendimeve dhe ndjenjave të tyre, duke marë parasysh moshën e secilit dhe nivelin mendor. Ajo luan me ta dhe bën shaka duke i lavdëruar, duke u thënë fjalë të ngrohta dashurie, mëshire dhe vetësakrifice. Kështu, dashuria e tyre për të rritet dhe ata pranojnë me padurim fjalët e saj të udhëzimit dhe të korrigjimit. Ata do t’i binden nënës në sajë të dashurisë që kanë për të, sepse ka një ndryshim të madh midis bindjes së sinqertë e cila vjen nga zemra dhe bazohet në dashuri, respekt dhe besim dhe bindjes false që bazohet në shtypje, dhunë dhe forcë. E para është ajo bindje që e ka jetën e gjatë, është e fuqishme dhe i jep frutat e saj kurdoherë, ndërsa kjo e dyta është e cekët dhe pa baza dhe shpejt do të tretet kur dhuna dhe mizoria arrijnë nivele të skajshme.

Ajo e shpreh dashurinë dhe ngrohtësinë që ndjen për ta

Gruaja Muslimane nuk është e paditur ndaj faktit se fëmijët e saj kanë nevojë për prehrin e saj të ngrohtë, dashurinë e thellë dhe ndjenjën e saj të sinqertë me qëllim që të kenë një rritje të shëndetshme, pa probleme psikologjike, kriza dhe komplekse. Kjo mirërritje e shëndetshme do t’i mbushë ata me optimizëm, besim, shpresë dhe ambicje për të ardhmen. Kështu nëna e kujdesshme Muslimane e shpreh dashurinë dhe ndjenjën e saj për fëmijët në çdo rast duke e mbushur jetën e tyre me gëzim dhe lumturi dhe zemrat e tyre me besim dhe siguri.
Muslimanja e vërtetë është e mëshirshme kundrejt fëmijëve të saj, sepse mëshira është një cilësi bazë e Islamit e cila inkurajohet në fjalët dhe veprat e Profetit a.s. ashtu siç na tregon Enesi r.a:
"Unë nuk kam parë ndonjë njeri më të mëshirshëm kundrejt fëmijëve se sa të Dërguarin e Allahut a.s. Djali i tij, Ibrahimi, ishte nën kujdesin e një mendeshe në kodrat rreth Medinës. Ai shkonte atje, hynte në shtëpi, e merrte djalin në krahë, e puthte dhe kthehej përsëri." (Muslimi)
Mëshira dhe dashuria e tij ndaj fëmijëve i rrethonte ata ndërsa luanin. Ai i mbushte ata me mëshirë dhe dashuri. Enesi r.a. tregon se kurdoherë që profeti a.s. kalonte pranë një grupi fëmijësh u buzëqeshte me ëmbëlsi dhe i përshëndeste. (Buhariu dhe Muslimi) Një shembull i meçurisë së thellë të Profetit në lidhje me mirërritjen e fëmijëve është edhe ky hadith:
"Nuk është prej nesh ai që nuk tregon mëshirë për të vegjlit dhe nuk respekton më të vjetrit ." (Ahmedi dhe el-Hakimi)
Ebu Hurejra r.a. transmeton ae Profeti puthi Hasan ibn Ali, ndërsa El-Ekra ibn Habis ndodhej aty dhe tha: "Unë kam 10 fëmijë dhe nuk kam puthur kurrë asnjërin prej tyre.” Profeti a.s. i tha: "Ai që nuk është i mëshirshëm ndaj të tjerëve nuk do të tregohet mëshirë për të." (Buhariu dhe Muslimi)
Profeti a.s, ky edukator i madh, gjithmonë përpiqej të mbillte mëshirën dhe dhembshurinë në zemrat e njerëzve dhe të zgjonte potencialin e tyre për dashuri dhe afërsi, që janë ndjenjat njerëzore bazë.

 Një ditë një beduin erdhi dhe e pyeti: “A i puthni ju fëmijët tuaj? Ne nuk i puthim ata. Atëherë Profeti ia ktheu: "Çfarë mund të bëj unë nëse Allahu ua ka hequr mëshirën nga zemrat tuaja?" (Fet’hul-Bari 10/426)
Aishja r.a. tregon: "Kurdoherë që hynte Fatimja (vajza e tij) në dhomë Profeti ngrihej në këmbë, i uronte mirseardhjen, e puthte dhe i ofronte vendin e tij dhe kurdoherë që ai hynte në dhomë ajo ngrihej, i uronte mirëseardhjen, e puthte dhe i ofronte vendin e saj. Kur ajo erdhi për ta parë gjatë sëmundjes së tij të fundit ai i uroi mirëseardhjen dhe e puthi." (Fet’hul-Bari 8/135)
Profeti a.s. i ka lavdëruar gratë e Kurejshëve, sepse ato ishin gratë më të mëshirshme ndaj fëmijëve të tyre. Ebu Hurajra r.a. transmeton: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut që ka thënë: 'Gratë e Kurejshëve janë gratë që i ngasin më mirë devetë. Ato janë të mëshirshme ndaj fëmijëve të tyre dhe më të kujdesshmet për pasurinë e burrave të tyre.'" (Fet’hul-Bari 6/472) Nën dritën e këtij udhëzimi, muslimanja e vërtetë nuk mund të jetë e sertë apo e ashpër ndaj fëmijëve të saj dhe t’i trajtojë ata në një mënyrë të ulët edhe pse mund të jetë nga natyra e ngrysur dhe e reservuar, sepse është kjo fe e cila me dritën dhe udhëzimin e saj i zbut zemrat dhe zgjon ndjenjat e dashurisë dhe ngrohtësisë.

Prindërit duhet të mbushen me dashuri dhe kujdes, të gatshëm për të sakrifikuar dhe për të bërë më të mirën për fëmijët e tyre. Pa dyshim që pasuria e ndjenjave që përjeton një nënë muslimane për fëmijët e saj është një nga shkaqet më kryesore të lumturisë së saj në jetë. Pikërisht kjo është humbur nga gratë në Perëndim të cilat janë të mbytura nga materializmi dhe të mbaruara nga puna e përditshme, çka ka bërë që ato ta humbin ngrohtësinë e ndjenjave familjare. Ky fakt është shprehur mjaft qartë nga Selma al-Haffar, një anëtare e lëvizjes Siriane të gruas, pasi ajo vizitoi Amerikën:
“Është vërtet për të ardhur keq që gratë kanë humbur gjënë më të çmuar që u ka dhënë Allahu, feminitetin e tyre dhe më pas edhe lumturinë e tyre, sepse cikli i pandërprerë i punës kapitëse ka bërë që ato të humbin parajsën e vogël e cila është streha e ngrohtë e tyre dhe e burrave, asaj parajse që lulëzon nën kujdesin dhe një nëne e cila qëndron në shtëpi. Lumturia e individit dhe e gjithë shoqërisë gjendet në shtëpi, në prehrin e familjes; ajo është burim i frymëzimit, mirësisë dhe kreativitetit.

Ajo i trajton njëlloj si djemtë ashtu edhe vajzat e saj

Gruaja e mençur Muslimane i trajton të gjithë fëmijët e saj njëlloj dhe me drejtësi. Ajo nuk preferon në asnjë mënyrë njërin prej tyre mbi të tjerët, sepse e di se Islami e ka ndaluar një gjë të tillë për prindërit dhe për shkak të pasojave psikologjike negative që mund të shkaktojë ky veprim mbi fëmijën që lihet mënjanë. Fëmija që e ndjen se nuk trajtohet njëlloj me motrat dhe vëllezërit e tij do të rritet me kompekse dhe ankthe që ia hanë zemrën vazhdimisht me xhelozi dhe urrejtje. Në të kundërt, fëmija që rritet i shëndetshëm mendërisht, i çliruar nga xhelozia dhe urrejtja, do të jetë i kënaqur, i qeshur, tolerant, falës ndaj të tjerëve dhe i prirur për të vendosur mirëqenien e të tjerëve para mirëqenies së tij. Kjo është ajo që kërkon Islami dhe i nxit prindërit në të.

Buhariu, Muslimi dhe të tjerët, transmetojnë se babai i Nu'man ibn Beshirit r.a. e solli atë tek Profeti a.s. dhe tha: "Unë i kam dhuruar djalit tim një skllav." Profeti e pyeti: “A i ke dhënë secilit prej tyre nga një skllav?" Ai iu përgjigj: "Jo." Atëherë Profeti a.s. i tha: “Ktheje mbrapsht dhuratën."
Sipas një transmetimi tjetër, Profeti e pyeti: “A e ke bërë një gjë të tillë me të gjithë fëmijët e tu?” Babai im u përgjigj: “Jo”. Profeti a.s. i tha: “Ki frikë Allahun dhe trajtoji të gjithë fëmijët njëlloj.”
Ndërsa sipas një transmetimi të tretë, Profeti a.s. e pyeti: “O Bishr, a ke fëmijë të tjerë” Ai iu përgjigj: “Po”. Profeti a.s. e pyeti: “Do t’u bësh edhe atyre të njëjtën dhuratë?” Ai iu përgjigj: “Jo”. Atëherë Profeti a.s. i tha: “Mos më kërko të jem dëshmitar i kësaj padrejtësie. Pastaj ai shtoi: “A nuk do të dëshiroje që të gjithë fëmijët e tu të të respektonin njëlloj? Ai iu përgjigj: “Sigurisht” Profeti a.s. i tha: “Atëherë mos e bëj atë.” (Buhariu dhe Muslimi)

Kështu, Muslimanja që me të vërtetë i frikësohet Allahut, i trajton të gjithë fëmijët me drejtësi dhe nuk preferon njërin mbi të tjerët në dhënien e dhuratave, shpenzimin e parave ose në mënyrën e trajtimit. Atëherë, të gjithë ata do ta duan atë, do të luten për të dhe do ta trajtojnë atë me mirësi dhe respekt. Muslimanja e vërtetë nuk bën dallime midis djemve dhe vajzave të saj në kujdesin dhe dashurinë e saj ashtu siç veprojnë disa gra të cilat nuk janë liruar nga pasojat e një mentaliteti injorant. Ajo e kupton se fëmijët janë dhuratë nga Allahu dhe dhurata e Tij, mashkull apo femër qoftë nuk mund të përbuzet dhe as të ndryshohet:
[...Ai i fal vetëm femra atij që do, e i fal vetëm meshkuj atij që do. Ose i jep të dy bashkë edhe meshkuj edhe femra dhe Ai është që e le pa trashëgimtar kë të dëshirojë. Ai është i Gjithëdijshmi, i Plotfuqishmi.] Kur’an 42:49-50
Muslimanja e udhëzuar vërtet nga feja e saj nuk harron shpërblimin e madh që ka përgatitur Allahu për atë që rrit vajza dhe kujdeset për to në mënyrë të përshtatshme, ashtu siç thuhet në shumë hadithe sahih. Një shembull është edhe ai i përmendur nga Buhariu dhe ai nga Aishja në të cilin ajo thotë:
"Erdhi tek unë një grua e varfër bashkë me dy vajzat e saj. I dhashë tre hurma për të ngrënë. Ajo i dha secilës nga një dhe e ngriti tjetrën në gojën e saj për ta ngrënë. Vajzat ju lutën që t’ia jepte atyre ta hanin, kështu që ajo ia ndau edhe atë përgjysëm të dyjave. Unë u impresionova nga ai veprim dhe i tregova të dërguarit të Allahut a.s. për këtë. Ai tha: “Allahu ka premtuar Xhennetin për të për shkak të këtij veprimi” ose “Ai e ka ruajtur atë nga Zjarri për shkak të këtij veprimi.” (Muslimi)
Profeti a.s ka thënë: “Kush sprovohet me vajza dhe i trajton mirë, ato do të jenë mburojë nga Zjarri i Xhehennemit.”
Ebu Hurejra r.a transmeton se Profeti a.s. ka thënë: “Kushdo që ka tre vajza dhe i mbron ato dhe përballon me durim gëzimet dhe shqetësimet e tyre, Allahu do ta pranojë atë në Xhennet për shkak të mëshirës së tij kundrejt tyre. Një burrë e pyeti: "Po nëse ka dy o i Dërguar i Allahut?" Ai iu përgjigj: "Edhe po të ketë dy." Një burrë tjetër e pyeti: “Po nëse ka vetëm një o i Dërguar i Allahut?" Ai iu përgjigj: “Edhe në pastë vetëm një.” (Ahmedi dhe el-Hakimi)
Ibn Abbasi r.a. ka thënë: "I dërguari i Allahut ka thënë: “Kushdo që ka një vajzë dhe nuk e varros atë të gjallë, nuk e poshtëron atë dhe as nuk preferon djalin mbi të, Allahu do ta pranojë atë njeri në Xhennet për shkak të saj. (el-Hakimi)

Udhëzimet e Profetit për mëshirë ndaj femrave në përgjithësi janë të njohura. Ato përfshijnë motrat ashtu edhe bijat siç shprehet në hadithin e transmetuar nga Buhariu në El-Edab el-Mufred nga Ebu Sa’id el-Hudri, i cili ka thënë:
Profeti a.s. ka thënë: ‘Nuk ka asnjë njeri nga Ummeti im i cili ka tri vajza apo tri motra dhe i trajton mirë ato që Allahu (Subhanehu ue te’ala) të mos e pranojë në Xhennet.”
Sipas një transmetimi nga Taberaniu, Profeti a.s. ka thënë:
“Nuk ka asnjë njeri nga Ummeti im i cili ka tri vajza apo tri motra dhe i mban ato, i ushqen derisa të rriten, që të mos jetë me mua në Xhennet kështu,” dhe ngriti dy gishtat lart. Asnjë nënë e mençur nuk ankohet për rritjen e vajzave apo t’i preferojë djemtë mbi to (siç është traditë këtu në Shqipëri), nëse ajo ua ve veshin fjalëve të Profetit a.s. i cili e ka ngritur statusin e vajzave dhe ka premtuar Xhennetin të gjerë sa qielli dhe toka dhe shoqërinë e tij a.s. në të për atë njeri që rrit vajza dhe i trajton ato siç duhet.
Në familjen muslimane dhe në një shoqëri të vërtetë Islame vajzat mbrohen, duhen dhe respektohen. Vajza gjen gjithmonë mbrojtje dhe kujdes në gjirin e prindërve të saj, veçanërisht tek nëna e saj. Sado gjatë që ajo të qëndrojë në shtëpinë e prindërve të saj, vëllezërit apo anëtarët e tjerë të familjes e kujdesen për të, s’ka rëndësi nëse është e martuar apo jo. Islami u ka garantuar vajzave një jetë të mbrojtur, krenarie dhe suporti dhe i ka ruajtur ato prej një jete poshtërimi, nevoje ekonomike për të mbajtur veten gjallë ashtu siç është shembulli i shoqërive të cilat janë larguar nga udhëzimi i Allahut. Në këto vende, vajza mezi arrin të mbushë 18 vjeç kur i duhet të largohet nga rehatia e shtëpisë prindërore për të përballuar vështirësitë e një jete të mbushur me plot rreziqe në një kohë kur ajo ka nevojë më shumë se kurrë për mbrojtje, mëshirë dhe kujdes. Ka ndryshim të madh midis ligjeve të Allahut të cilat kanë zbritur që t’i sjellin lumturi njerëzimit dhe ligjeve njerëzore të cilat nuk shkaktojnë gjë tjetër veçse fatkeqësi.
Ajo nuk lutet kundër fëmijëve të saj

Gruaja e mençur Muslimane nuk i mallkon fëmijët e saj dhe as nuk lutet kundër tyre duke u vënë veshin fjalëve të Profetit a.s. i cili i ka ndaluar këto lutje, sepse, mund të ndodhë që ato mund të bëhen në një kohë që plotësohen menjëherë. Kjo është thënë në një hadith të gjatë të transmetuar nga Xhabiri në të cilin Profeti a.s. thotë:
"Mos u lutni kundër vetes tuaj, as kundër fëmijëve tuaj, as kundër pasurisë tuaj, sepse ndodh që ato lutje të bëhen në një kohë kur pranohet lutja.”(Muslimi)
Ajo është e gatshme të marë masa për çdo gjë që mund të ketë ndikim tek ta

Gruaja e zgjuar Muslimane i mban sytë hapur për çdo aspekt të jetës së fëmijëve. Ajo e di se çfarë lexojnë apo shkruajnë ata, pasionet që kanë dhe aktivitetet që ndjekin, shokët që kanë zgjedhur dhe vendet ku ata e kalojnë kohën e lirë. Ajo i di të gjitha këto pa u vënë re nga ata. Nëse gjen diçka që duhet korrigjuar në pasionet e tyre, qoftë ky material leximi, apo nëse i sheh duke u shoqëruar me shokë jo të mirë, apo nëse ata shkojnë në vende të papërshtatshme, nëse nisin zakone të këqija si p.sh. duhanin, apo humbjen e kohës dhe të energjisë, lojrat e ndaluara të cilat të mësojnë të merresh me gjëra të kota, ajo nxiton t’i korrigjojë në një mënyrë të sjellshme dhe të zgjuar dhe i bind ata për t’u kthyer në rrugë të drejtë. Nëna është më e aftë ta bëjë këtë se sa babai, sepse ajo kalon më tepër kohë me fëmijët dhe ata janë më të prirur të hapen me të dhe të shkëmbejnë mendimet dhe ndjenjat e tyre me të se sa me babain. Nga këto që përmendëm më lart është shumë e qartë se nëna ka një përgjegjësi të madhe në rritjen e fëmijëve të saj ashtu siç duhet dhe t’i japë formë karaktereve të tyre në një mënyrë të shëndetshme sipas principeve, vlerave dhe traditave Islame. Çdo fëmijë lind në fitre (natyra e mirë e lindur) dhe janë prindërit ata që e bëjnë çifut, të krishter apo adhurues të zjarrit. (Buhariu).

Është e qartë se sa ndikim të madh kanë prindërit në personalitetin dhe zhvillimin psikologjik të fëmijëve qysh në vitet e para të jetës derisa fëmija arrin moshën e arsyes.
Shokët që duhet të zgjedhin fëmijët duhet të jenë të tillë që të të ftojnë në Xhennet e jo në Xhehennem; ata duhet ta influencojnë fëmijën pozitivisht dhe ta nxitin atë për të kryer vepra të mira, për t’u përpjekur të përmirësojë vetveten dhe për të pasur sukses dhe jo ta tërheqin atë në mëkate, mosbindje dhe dështim. Sa e sa njerëz janë tërhequr në tatëpjetën e shkatërrimit për shkak të shokëve të tyre, ndërsa nënat dhe baballarët e tyre nuk dinin se çfarë po ndodhte me fëmijët e tyre! Sa të mençura janë fjalët e poetit Adij ibn Zejd al-Ibadi në lidhje me shokët : "Nëse je në mes njerëzish, zër shokë më të mirët prej tyre. Mos u bëj shok me më të këqinjtë prej tyre, sepse do të bëhesh si ta. Mos pyet për njeriun, pyet me kë rri, sepse çdo njeri ndikohet nga shokët e tij."
Nëna e vërtetë Muslimane tregon kujdes për librat apo revistat që lexojnë fëmijët, shkollat ku ata mësojnë, mësuesit e tyre, televizorin, apo çdo gjë tjetër që mund të ndikojë në personalitetet, gjykimin, shpirtërat dhe besimin e tyre. Ajo ndërhyn në momentin e duhur për t’i inkurajuar për diçka apo për t’i ndaluar nga dëmet e një tjetre. Në këtë mënyrë rritja e fëmijëve nuk do të ndikohet nga prishja dhe sëmundjet mendore.

Rritja e suksesshme e fëmijëve varet nga një nënë e cila është e kujdesshme dhe inteligjente e cila e kupton përgjegjësinë e saj ndaj fëmijëve. Fëmijët që rrit ajo do të jenë mirësi për prindërit dhe për shoqërinë në përgjithësi. Familjet që dështojnë në edukimin e mirë të fëmijëve e pësojnë sepse nëna nuk e kupton përgjegjësinë që ka kundrejt fëmijëve të saj, kështu ajo i neglizhon ata dhe si pasojë ata bëhen burim i së keqes për prindërit e tyre dhe për të tjerët.
Ajo mbjell sjelljen dhe qëndrimin e mirë tek ta
Nëna Muslimane përpiqet mjaft që të mbjellë në zemrat e tyre cilësitë më të mira, si p.sh. të duam të tjerët, mbajtja e lidhjeve farefisnore, kujdesi për të dobëtit, respektimi i më të vjetërve, mëshira ndaj të vegjëlve, të ndjerit kënaqësi nga veprat e mira, sinqeriteti në vepër dhe fjalë, mbajtja e premtimeve, gjykimi i drejtë dhe gjithë ato cilësi të mira dhe të vlefshme. Gruaja e zgjuar e di si të depërtojë në zemrën e fëmijëve dhe të mbjellë këto cilësi të vlefshme duke përdorur mënyrat më të mira dhe më të efektshme, si p.sh. vënia përpara e shembullit të saj të mirë, trajtimi i tyre i mirë, inkurajimi, këshillimi dhe korrigjimi, të qenit e mëshirshme, e sjellshme, falëse, e dashur dhe e drejtë. Ajo është e sjellshme, por pa qenë tepër e butë dhe është strikte, por pa qenë shumë e ashpër. Në këtë mënyrë fëmijëve u sigurohet një mirërritje e përshtatshme dhe ata rriten me mendje të hapur, të pjekur, të devotshëm, të sinqertë, të mirë, të aftë për të dhënë dhe të pregatitur për të kontribuar konstruktivisht në të gjitha aspektet e jetës.
Nuk është për t’u habitur pse mirërritja e një nëne Muslimane jep rezultatet më të mira, sepse ajo është shkolla e parë dhe mësuesja e parë, ashtu siç thotë poeti: “Nëna është shkollë: nëse e pregatisni atë si duhet keni përgatitur një popull të tërë me karakter të mirë. Ajo është mësuesja e parë dhe më e mira."

 

 

Marrë nga libri Musimanja Ideale – Personaliteti i vërtetë Islam i Gruas Muslimane ashtu siç përshkruhet në Kur’an dhe Sunnet

Nga Dr. Muhammad Ali Al-Hashimi. Rijad, Arabi Saudite

 

 

 

Back