Përse sot i shfaqim veprat e mira, kur dihet se ato duhet të jenë të fshehta

25/05/2011 20:54

 

Ka raste kur duhet t’i shfaqim (publikojmë) punët tona të mira, me qëllim që të tjerët të marrin shembull nga ajo vepër dhe të veprojnë ashtu. Por sot, në shumicën e rasteve, i shohim vepruesit e punëve të mira se i shfaqin ato dhe krenohen e mburren, duke menduar se vetëm ata janë që bëjnë të mira. Apo ka mundësi ta bëjë veprën për sy e faqe. Në këtë rast, kemi dy grupe njerëzish që veprojnë, dhe që të dy e kanë shpërblimin e vet tek ai për të cilin është vepruar:

 

 1. Ai i cili e bën punën për hir të Allahut, xhele shanuhu, dhe e pret shpërblimin vetëm prej Tij.

2. Ai që vepron për sy e faqe që ta shohin njerëzit, dhe pret që të lavdërohet nga ata.

Këta të dy hyjnë në hadithin të cilin e transmeton prijësi i besimtarëve, Omer ibën Hatabi, ku thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu  alejhi ue selem, duke thënë: “Me të vërtetë veprat janë sipas qëllimit dhe personi do të shpërblehet sipas asaj që ishte qëllimi i tij. Nëse shpërngulja e tij (hixhreti) është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, shpërngulja e tij do të shpërblehet nga Allahu dhe nga i Dërguari  i Tij. Nëse shpërngulja e tij është për këtë botë dhe qëllimet e saja, apo për ndonjë femër dhe dashurinë ndaj saj, shpërngulja e tij do të shpërblehet sipas asaj që ai ka pasur qëllim. (Buhariu).

Ja pra, e kuptuam se si do të shpërblehen. Pra, patjetër do të jetë njëri prej atyre që u cek më lart. Ai që e pret shpërblimin nga Allahu, i lumtë atij që mundohet mos ta shfaqë punën e tij të mirë duke shpresuar se vetëm Allahu është Ai i Cili shpërblen. Në hadithin “Janë shtatë grupe të cilët Allahu do t’i strehojë nën hijen e Tij në ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij…” njëri prej tyre është: “Njeriu që jep sadaka aq fshehtë saqë dora e tij e majtë nuk e di se ç’jep dora e tij e djathtë…” (Buhariu dhe Muslimi).

Sahabët ishin ata që kur e bënin ndonjë vepër, e bënin për hir të Allahut. Ata i ushqenin të varfrit, jetimët, robërit…, e sidomos në muajin e shenjtë të Ramazanit. Kurse munafikët thoshin se këta i ushqejnë sa për sy e faqe, por Allahu nuk ua la munafikëve ashtu, por Ai ua ktheu atyre përgjigjen me fjalë të sahabëve dhe e vërtetoi me ajete kur’anore duke thënë: “Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të Allahut, dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim. Ne i frikësohemi Zotit tonë në një ditë kur fytyrat i bën të zymta… (Insan, 9-10).

Tregohet tek selefët se një njeri e ndau një sadaka në disa pjesë dhe e mbështjelli fytyrën e tij me një shami që mos ta njohë askush dhe e priti natën që të errësohet. Pastaj filloi shpërndarjen e sadakasë. E linte para derës dhe trokiste derën, pastaj largohej. Ashtu bëri një pjesë të natës. Në mëngjesin e asaj nate dëgjoi diçka të mirë, por gjithashtu flisnin diçka të padëshirueshme për të. Ajo që flisnin mirë ishte: “Allahu e shpërbleftë këtë mirëbërës i cili e shpërndau sadakanë fshehurazi.” Kjo ishte e vërtetë. Por fjalët që nuk ishin të mira thoshin se ky njeri që e dha sadakanë  ka gabuar dyert e njerëzve, sepse njëri prej tyre ishte zinaqar, tjetri e pi alkoolin dhe tjetri ishte hajn. Kjo e brengosi shumë, por Allahu e di më së miri pse ishte ashtu. Pas një kohe ndodhi një mrekulli. Ky njeri e pa një ëndërr, që kishte bërë vepër të qëlluar dhe i thuhet se do të vëtetohet puna e tij e sinqertë ku për këtë shkak Allahu do të ta shpërblejë me më të mirën. Të nesermën e pa një njeri në namazin e drekës, të cilin xhemati e përqafonin duke i thënë: “Mirë se erdhe në shoqërinë tonë!” Njeriu dorëdhënës pyeti: “Kush është ky njeri që e përqafoni?” Xhemati i xhamisë i tha: “Ky ishte njeri që nuk ndahej nga alkooli, por tash është penduar dhe fal pesë kohët e namazit në xhaminë tonë. Pas një kohe, thotë dorëdhënësi: “Më lajmëruan se njeriu që bënte zina është penduar dhe i është bashkuar xhematit të xhamisë. Po ashtu, pas një kohe më lajmëruan se edhe ”hajni” ishte penduar dhe falej në xhami. Pasaj u vërtetova se Allahu nuk ma humbi punën time dhe më shpërbleu vazhdimisht. Sa herë që i shoh ata në xhami e di se edhe unë kam shpërblim për udhëzimin e tyre.” Ja pra, kjo tregon se malli i dorëdhënësit ishte hallall dhe vepra e tij e sinqertë bëri që këta njerëz të udhëzoheshin. Sa herë që ata bëjnë vepër të mirë, atij i shënohet shpërblimi, pa iu munguar atyre fare.

Siç thamë në fillim, ka raste kur shfaqet vepra, që dikush të lakmojë e të veprojë ashtu si i pari, por vetëm në dy gjëra, ashtu siç ka ardhur në një hadith, ku i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk ka zili, përveçse në dy raste: “Njëri të cilit i është dhënë pasuri nga Allahu, ndërsa ai e shpenzon atë (pasurinë) në rrugën e Tij; kurse tjetrit i është dhënë urtësi dhe mençuri (dituri në Kur’an dhe Sunet) punon me të dhe ua mëson të tjerëve”. (Mutefekun alejhi).

Kjo ishte sa i përket llojit të parë. Allahu na bëftë prej tyre!

Kurse lloji i dytë është shumë i dëmshëm dhe është shirk i vogël. Allahu na ruajt prej këtij vesi! Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Unë më shumë i frikësohem shirkut të vogël për ju.” Të pranishmit thanë: “Ç’është shirku i vogël?!” Pejgamberi u përgjigj: “Syefaqësia. Atyre që vepruan ashtu, Allahu në Ditën Gjykimit do t’u thotë: “Nëse njerëzit shpërblejnë, shkoni tek ata që keni shpresuar qysh në dynja. Shikoni a do të gjeni tek ata shpërblim.” (Shejh Albani thotë se hadith është i saktë).

Ebu Hurejra thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue selem, duke thënë: “… nuk mund ta thoshte hadithin dhe alivanosej. Pasi i kaloi, e fërkoi fytyrën dhe e tha hadithin: “Prej njerëzve të parë ndaj të cilëve do të shpallet dënimi në Ditën e Gjykimit do të jenë: dijetari, dëshmori (shehidi) dhe pasaniku.

 

 

Dijetari, i cili ka mësuar dhe e ka lexuar Kur’anin do të sillet dhe Allahu do t’ia bëjë të njohura të mirat që i ka bërë, dhe ato do t’ia pranojë. Allahu i Madhëruar do t’i thotë: “Çfarë bëre me këto?”Ai do të thotë: “Mësova ditë e natë dhe e lexova Kur’anin për hir Tëndin.”

Allahu do t’i thotë: “Gënjen! Studiove vetëm që të tjerët të thonë: “Ky është njeri i ditur.” Lexove Kur’anin që të thonë për ty: “E lexon Kur’anin.” Dhe vërtet ashtu ishte. Pastaj do t’u urdhërohet (melekëv të rreptë) që ta tërheqin zvarrë me fytyrë përtokë derisa të hidhet në Zjarr.

 

Pastaj i sillet dëshmori (shehidi). Allahu do t’ia bëjë të njohura të mirat që i ka bërë dhe do t’ia pranojë ato. Allahu i Madhëruar do t’i thotë: “Çfarë bëre me këto?” Ai do t’i përgjigjet: “Luftova për hir Tëndin deri sa rashë dëshmor.” Allahu do t’i thotë: “Gënjen! Luftove që të tjerët të thonë: “Është guximtar!” Dhe vërtet ashtu ishte.Pastaj do t’u urdhërohet ( melekëve) që ta tërheqin zvarrë me fytyrë përtokë derisa të hidhet në Zjarr.

Njeriu i tretë do të jetë pasaniku, të cilin Allahu e kishte bërë të pasur duke ia dhënë të gjitha llojet e pasurisë. Ai do të sillet e Allahu do ta njoftojë me veprat që i ka bërë. I Madhëruari do t’i thotë: “Çfarë bëre me këto?” Ai do të përgjigjet: “Nuk lashë vend pa e shpenzuar aty pasurinë time për hir Tëndin.” Allahu do t’i thotë: “Gënjen! E ke shpenzuar pasurinë vetëm që të thonë për ty se je dorëdhënës!” Dhe vërtet ashtu ishte. Pastaj do t’u urdhërohet (melekëve) që të tërhiqet zvarrë me fytyrë përtokë derisa të hidhet në Zjarr.”

(Tirmidhiu).

Andaj e cekëm se ky lloj i njerëzve që e bën veprën vetëm për sy e faqe, fundi i tyre do të jetë ashtu, qoftë dëshmor, dijetar apo pasanik. Nuk është me rëndësi çfarë është pozita e tyre, por me rëndësi është që vepra e tyre nuk ishte për Allahun.

Por mos të harojmë se në Ditën e Gjykymit Allahu do t’i marrë veprat tona dhe do t’i ndajë ato vepra të sinqerta nga ato jo për hir të Tij, saqë do të mahniten melekët e Allahut, kur Ai do t’u thotë: “E pranoj këtë vepër, këtë e pranoj, por këtë nuk e pranoj. E pranoj këtë, e pranoj këtë, por këtë nuk e pranoj… ashtu do të vazhdojë Madhëria e Tij derisa të përfundojë me të. Pastaj melekët të habitur do ta pyesin Allahun, i Cili nuk bën padrejtësi. “O i Lartësuari Allah, ne kemi shënuar veprën si vepër të mirë dhe nuk kemi parë vetëm se hajr,  por sot nuk iu pranuan vaprat robit dhe ne nuk dimë se çfarë është kjo.” U thotë i Madhëruari, i Cili e di brendësinë e robit dhe e di fsheftësinë, e di çfarë ka në qiej dhe në Tokë: “Po, ashtu është, o melekët e mi. Ju nuk dini asgjë vetëmse atë që e shënoni, kurse Unë jam Njohës i fshehtësisë. Ju e shënoni veprën, kurse Unë e vlerësoj. Vepra e cila është bërë për Madhërinë Time dhe Fytyrën Time, e pranova; kurse vepra që është bërë për dikënd tjetër pos Meje, apo për syefaqësi, nuk e pranova. Unë sot e ndaj veprën e sinqertë prej asaj jo të sinqerë.(Muslimi).

Për në fund, do të thoja se këta njerëz janë shtuar dhe pak janë ata që veprojnë për hir të Allahut.  Sikur të ishte e kundërta, nuk do të kishte mbetur për këta njerëz vend për mburrje dhe syefaqësi, sepse konkurrenca e bën të veten, kurse këta e shfytëzojnë rastin. Shkurtazi, kur nuk ka të sinqertë, atëherë rast i mirë është për ata syefaqësia. Allahu na ruajt prej këtij vesi. E lusim Allahun që të na drejtojë në Rrugën e Tij të drejtë dhe të na bëjë prej të siqertëve. Amin!

Përgatiti robi i Allahut,  i varfër para Madhërisë dhe Lartësisë së Tij, i dashuri i hoxhallarëve, i sjellshëm me vëllezër.

 

 

 

Back