Roli i Gruas në Familje dhe Shoqëri

25/05/2011 21:43

 

 

1. Roli i gruas në familje dhe në shoqëri
2. Roli i nënës në periudhën e 7 viteve të para të jetës së fëmijës
3. Konteksti shqiptar i komunizmit
4. Periudha postkomuniste
5. Këndvështrimi Islam mbi detyrën e nënës
dhe përgjegjësia e saj

 

 

 

 1. ROLI I GRUAS NË FAMILJE DHE SHOQËRI

Në organizimin social të shekullit tonë, statusi i individit përcaktohet duke parë nivelin e kontributit të tij në prodhimin ekonomik. Kjo mënyrë vlerësimi bën që gratë dhe shtëpiaket të përbuzen dhe nënvleftësohen dhe të mos lejohen të fitojnë status shoqëror, meqenëse funksionet e tyre nuk merren në konsideratë ekonomikisht. Ky lloj vlerësimi dobëson vetëbesimin (vetëvlerësimin) e tyre dhe i bën ato që të kenë një vizion të turbullt rreth faktit se çfarë roli duhet të zgjedhin në shoqëri.
Gruaja është tërhequr në sferën e shërbimit publik pa marë parasysh rolin e saj përcaktues në familje, duke përbuzur njëkohësisht funksionin e saj mëmësor. Përveç kësaj, ajo nxitet dhe motivohet për të braktisur, të paktën shpirtërisht, fushën e funksionit të saj kryesor, pra të qenit nënë. Gruaja zë vendin e individit kryesor përcaktues në familje, ashtu si familja përbën elementin thelbësor të shoqërisë.
Për këtë arsye, asnjë sukses që fitohet jashtë shtëpisë nuk mund të kompensojë dështimin e gruas në familje. Kur familja, si thelbi i shoqërisë, fillon të shpërbëhet dhe të shkatërrohet, për shkak të dobësimit të një ose disa prej funksioneve të saj si p.sh. edukimi i brezit të ri, dhënia e dashurisë, ngrohtësisë dhe vetëbesimit tek individët, etj, atëherë edhe shoqëria gjithashtu përjeton krizë.
Faktet historike tregojnë se shkatërrimi i shoqërive dhe qytetërimeve ka erdhur si pasojë e shpërbërjes së strukturës së shëndetshme të familjes dhe, kjo shpërbërje ka arritur fazën e saj finale sepse qëndrimet dhe pikëpamjet e gruas kundrejt mëmësisë janë dobësuar.
Përveç rolit të saj formues dhe përcaktues, gruaja ka gjithashtu një funksion të rëndësishëm dhe një rol qendror në rregullimin e institucionit familjar, i cili është njësi bazë e shoqërisë, në bashkimin dhe unitetin e pjesëtarëve të familjes dhe në orientimin direkt të bashkëshortit dhe pjesëtarëve të tjerë dhe po ashtu ndikon indirekt shoqërinë me vendimet e saj në lidhje me vazhdimësinë e jetës së përditshme në familje me qëndrimet e saj kundrejt ngjarjeve sociale. Roli dhe pozicioni i saj në familje kanë rrjedhoja të drejtpërdrejta shumëdimensionale mbi individët për shkak të funksioneve të saj në familje me një përmbajtje të gjerë emocionale.
Mund të thuhet se familja funsionon si “një mitër sociale” në procesin e zhvillimit psiko-social të individit, ashtu si mitra e nënës shërben gjatë fazës së parë të zhvillimit biologjik të njeriut. Gruaja, me cilësitë e saj të të qenit nënë, vazhdon të luajë rolin drejtues, për vite me rradhë, në fazën psiko-sociale të procesit të zhvillimit të fëmijës.
Prandaj, duke mbështetur gruan në familje (në lidhje me funksionin e saj të mëmësisë) që është shumë i rëndësishëm si për familjen, ashtu edhe për shoqërinë si dhe duke i besuar dhe forcuar mjaftueshëm vendin e saj në familje, dhe duke e konsideruar këtë vend të rëndësishëm, familja forcohet.
Gruaja prodhon vlerat dhe virtytet e një rëndësie jetësore për njerëzimin dhe shoqërinë. Për këtë aryse ajo luan një funksion kritik, jashtëzakonisht të veçantë në shoqëri. Ajo luan një rol të rëndësishëm në shoqëri në gjenerimin e vyrtyteve si dashuria, afërsia dhe morali i mirë, të cilat janë thelbësore për njerëzimin. Fakti që “personi i parë në shoqëri që funksionon si urë lidhëse midis fëmijës dhe shoqërisë është nëna”, vë në dukje detyrën e rëndësishme të grave në fushën e moralit. Arma më e fuqishme në përpjekjen e saj për transformimin e shoqërisë në një SHOQËRI VIRTYTI është aftësia e saj për të përhapur Dashuri dhe Vyrtyt. Vlerat njerëzore si: Dashuria, durimi, vetësakrifica, altruizmi, etj, jepen vetëm nga nëna. Ky fakt tregon qartë natyrën personale dhe të patjetërsueshme (të patransferueshme) të rolit të mëmësisë.
Marëdhënia nënë-fëmijë, gjatë viteve të parë të fëmijërisë, ka avantazhe të jashtëzakonshme, të cilat lehtësojnë mbjelljen e hershme të vlerave njerëzore thelbësore dhe virtyteve, e shfaqur kjo në një spektër të gjerë në sjelljen e nënës mbi strukturën morale të fëmijës. Është krejtësisht e qartë se, gruaja duhet ta shfrytëzojë si duhet pozicionin e saj strategjik të shkallës tepër të lartë, siç u përmend më lart, në themelimin e strukturës morale të shoqërisë dhe brezave të rinj me ndërgjegjjen e plotë të detyrës.

2. ROLI I NËNËS NË 7 VITET E PARA TË JETËS SË FËMIJËS

NËNA është personi i parë i pajisur në nivelin më të lartë me cilësi të lindura për të plotësuar në mënyrën më të përshtatshme të mundshme nevojën që ka rritja e fëmijës gjatë 6-7 viteve të para të jetës. Ajo është faktori më i rëndësishëm në përcaktimin e bazave të personalitetit dhe karakterit të individit me marrëdhëniet e saj natyrore të dashurisë dhe atashimit. Për të përshkruar rëndësinë e atashimit do të thoshim se është i një rëndësie jetike për fëmijën, sepse ai mund të ndikojë zhvillimin psikologjik dhe social të fëmijës. Rëndësia e madhe e atashimit së nënës me fëmijën shihet edhe në faktin se, faza më e efektshme edukative në transmetimin e kulturës tek brezi i ri është periudha intensive e të mësuarit gjatë fëmijërisë, kur fëmija përjeton marrëdhënie fytyrë më fytyrë në atmosferën emocionale të familjes.
Rezultatet e kërkimeve në Psikologjinë e zhvillimit tregojnë se dy të tretat e rritjes multidimensionale të fëmijës (fizike, intelektuale, ndjesore, gjuhësore, sociale, individualiteti, etj) zënë vend gjatë periudhës së 6 viteve të para të jetës. Në këtë periudhë, ku rritja psiko-sociale e fëmijës është shumë e shpejtë, përcaktohen njëherë e përgjithmonë vijat e trasha të karakterit, personalitetit dhe sistemit të egos, të cilat përmbajnë kodet kryesore të sjelljeve që do të shfaqen përgjatë gjithë jetës së individit. Sistemi i egos që është zhvilluar nga një fëmijë të cilit nuk i është dhënë afeksion dhe dashuri e mjaftueshme gjatë viteve të para të jetës, do të formohet pashmangshmërisht nën ndikimin e fortë të egoizmit, Fëmija mund t’i vendosë të “tjerët” në një nivel me “vetveten” në botën e tij të brendshme, vetëm duke marë Dashuri të mjaftueshme nga të tjerët dhe duke mësuar si t’i dojë ata nëpërmjet vërejtjes së marrëdhënieve të ngrohta që ndodhin rreth tij. Për fëmijën nëna duhet të jetë personi i cili është i pari dhe burimi më i pasur i Dashurisë, e cila shfaq Dashuri dhe afeksion të pakushtëzuar ndaj fëmijës dhe i mëson atij si të dojë të tjerët. Për këto arye që përmendëm, zhvillimi i personalitetit të fëmijës nuk është diçka që mund t’i lihet rastësisë.

3. Konteksti shqiptar i komunizmit

Vijmë nga një periudhë afro 50 vjeçare, e cila karakterizohej nga morali pa Zot. Nënat në vend të dashurisë për Allahun u ushqenin fëmijëve dashurinë për partinë. Gratë u hodhën njëlloj me burrat në betejën për mbijetesë. Si rezultat shteti ngriti institucionet e fëmijëve: çerdhet dhe kopshtet, ku fëmijët që nuk kishin gjyshër hynin qysh në vitin e parë të jetës. Fëmijët edukoheshin me një ton të ashpër, që nuk linte vend për të dëshirat e fëmijës. Shoqëria jonë mbartte qysh nga e kaluara e saj mentalitetin se rrahja është mjet edukimi. Po ashtu të puthurat dhe përkëdhljet e fëmijët konsideroheshin llastim dhe prishje. Termi i përgjithshëm për argëtimin dhe mbajtjen e një fëmije ishte “gënjeje”. Mendimi i fëmijëve nuk merrej kurrë parasysh dhe autoriteteti prindëror ishte diçka që nuk linte vend për diskutim: “Bëje se them unë”. Shkurtimisht, gjithë edukimi ynë kaloi nëpër koridoret e errëta të bunkereve socialiste: amiku i klasës, etj, etj. Nga kjo frymë dolëm ne besimtarët e rinj e me vete kemi ca plagë që nuk na shërohen dot.

4. Periudha postkomuniste

Ne jemi brezi i parë i të rinjve muslimanë në Shqipëri pas rënies së komunizmit. Si të tillë ne mbartim traditat dhe zakonet e shoqërisë ku ne u rritëm me të mirat dhe të këqijat e saj. Në aspektin e edukimit të fëmijëve kjo na sjell ne në pikën e përplasjes me realitetin që kemi lënë pas dhe me detyrat që na ngarkon mbi shpatulla kjo fe e nderuar me të cilën na ka bekuar Allahu. Si brez i parë i të rejave dhe të rinjve përgjegjësia jonë përpara Allahut është më e madhe se e atyre që do të vijnë pas nesh. Tani është momenti kur duhet të vemë përballë dy tradita, traditën Islame dhe atë komuniste. Tash duhet të vendosim një lente kritike në sy për të parë më mirë procesin e edukimit të fëmijëve në Shqipëri. Është momenti më kyç për studim dhe reflektim. Asnjë profesion, sado i thjeshtë qoftë, nuk mund të mësohet pa një farë përgatitje, atëherë pse prindërimi të mos mësohet? Të gjithë kemi nevojë të shkëputemi nga ca zakone që nuk na ndahen dhe janë futur thellë tek ne në gjithë ata vjet që kaluam në ateizëm. Pikërisht dija është ajo që do të sjellë ndryshimin. “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë vetveten.” Me dije do të ndihemi më të fortë, më të përgjegjshëm. Le të parafytyrojë secili se sa pasardhës do të vijnë pas tij deri në Ditën e Kijametit. Imagjinoni se ju jeni rrënja. Sa gjethe e fruta do të mbushin pemën tuaj? Për të gjithë ata, ne do të jemi përgjegjës. E si do të dalim ne parpara Allahut në Ditën e Përgjegjësisë? Ku i lamë fëmijët në vitet e para, kujt ia lamë në dorë ta mbillte atë fidan të dobët që quhet personalitet? Tashmë ka ardhur koha ta kuptojmë mirë detyrën tonë lënë amanet nga Allahu përpara shoqërisë. Ne nënat jemi ato që i japim formë njeriut e më pas shoqërisë. Ne nënat jemi ato që e ngremë shoqërinë në këmbë. Ka ardhur koha të njohim vetveten, kush jemi ne dhe t’i japim asaj vlerën që meriton. Këtë nder na i ka dhuruar vetë Allahu i Madhëruar. Ka ardhur koha t’i veshim vetes fuqi, e ajo është FUQIA E NËNËS. Pikërisht këtu është pika më e mirë për të nisur edukimin e besimtarëve të së ardhmes. Na duhet të luftojmë përbuzjen, nënvleftësimin e shoqërisë që çmon si vlerë vetëm atë që merret në konsideratë ekonomikisht. Kurse ne marrim si vlerën më të çmuar NJERIUN. Pikërisht për këtë ka më tepër nevojë shoqëria shqiptare e tretur nën thundrën e dhunës, paturpësisë dhe krimit në familje. Sot kemi nevojë më shumë se kurrë për dijen e procesit të edukimit. Kur fillon ai, si zhvillohet dhe çfarë sakrificash kërkon. Nëse duam që shoqëria jonë të jetë më e mirë ta fillojmë punën nga fëmijët tanë, le të bëjmë një investim për të cilin do të marrim një shpërblim të shumëfishtë në këtë botë dhe kurorën me margaritarë të çmuar në botën e pafund.

KËNDVËSHTRIMI ISLAM MBI PËRGJEGJËSINË E GRUAS

Islami e liron gruan nga barra e rëndë e furnizimit dhe mbajtjes së familjes. Kjo është përgjegjësi vetëm e burrit. Përgjegjësia kryesore e gruas është të qëndrojë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët. Fusha kryesore e përpjekjeve të saj është shtëpia. Kurani fisnik thotë: "Qëndroni në shtëpitë tuaja” (Ahzab, 33:33) Profeti (s.a.v.s.) ka thënë: “Gruaja është përgjegjëse për kujdesin ndaj shtëpisë së burrit të saj dhe ajo do të japë llogarri për tufën e saj (fëmijët)” (Transmeton Bukhariu dhe Muslimi) Kjo është gjithashtu puna për të cilën ajo do të shpërblehet më mirë se ç’mund të paramendohet. Profeti (s.a.v.s.) e ka siguruar gruan që qëndron në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët se do të jetë me të në Xhennet. Sipas një hadithi tjetër mësojmë se nëna besimtare, gjatë shtatzanisë dhe gjithë periudhës së gjidhënies është si një ushtar në krye të detyrës. Nëse ajo vdes, merr të njëjtin shpërblim si të një shehidi.
Ndërsa një hadith tjetër u drejtohet grave duke u thënë: “Kujdesuni për shtëpinë. Ky është xhihadi juaj.” (Musnedi i Ahmedit) A ka gjë më të lartë që mund të kryjenë gratë se përpjekja në rrugë të Allahut? Shprehja në vijim, thënë nga goja e Profetit tonë Muhammed, (s.a.v.s.) përbën një paralajmërim serioz për burrat, ku u kërkohet atyre t’i mbështesin gratë: “Fjala “rahm” (mitra e nënës) vjen nga e njëjta rrënjë me fjalën “rahijm” që do të thotë Mëshiruesi, Mëshirëbërësi, të cilët janë atribute të Allahut. Kush e mbështet dhe e forcon atë, do të mbështet dhe forcohet nga Allahu; kush e e lëndon atë, do të lëndohet nga Allahu”.
Për këtë arsye që përmendëm më lart, gruaja duhet të marrë mbështetje intelektuale dhe emocionale në mënyrë që ta zbulojë pozicionin e saj në realitetin social dhe kulturor. Ajo duhet të forcohet me çfarëdo lloj mbështetje të mundshme, për ta ndihmuar atë t’i afrohet fëmijës me qëndrime, sjellje, dhe masa edukative që i përshtaten fëmijës, duke vazhduar të shfaqë pa ndërprerje ndjenjat e saj ndërtuese si dashuria, durimi, etj. Kjo mbështetje që duhet t’i jepet me synimin për ta ndihmuar nënën të ndihet mirë dhe të sillet në një mënyrë të dashur, të përzemërt dhe fisnike, larg nga tensionet, duke e liruar atë nga çdo lloj shqetësimi, duke nisur që nga ato ekonomike e deri tek ato që lidhen me atmosferën familjare. Kjo mbështetje duhet të përfshijë “mbështetjen morale të babait”, ndihmë ekonomike, për të siguruar qetësinë shpirtërore të nevojshme dhe veçanërisht mbështetje edukative që do t’i jepet nënës në rrugë të ndryshme.

Të gjitha këto që përmendëm më lart, qartas bëjnë ndarjen e punës midis burrave dhe grave sipas Islamit: burrat përgjigjen për punët jashtë shtëpisë, ndërsa gratë përgjigjen për punët brenda saj. Kjo ndarje nuk është një relike e një të shkuare të errët. Është e vetmja bazë mbi të cilën është ndërtuar dhe mund të ndërtohet një shoqëri e shëndetshme në ditët e sotme. Popujt që janë përpjekur ta nryshojnë këtë rregull natyror nuk kanë tjetër çfarë të shfaqin vetëm se hidhërim dhe shqetësim për përpjekjet e tyre. Ata duken si ata të verbrit që kërkojnë kuturu rrugën në errësirë, të paaftë ta zhbëjnë atë që kanë punuar me duart e tyre dhe të dalin nga llumi ku janë zhytur. A ka ndonjë arësye të shëndoshë që ata që kanë me vete Dritë t’i ndjekin ata në errësirën e shkatërrimit?

Referenca:
1. Inkubatori i Shoqërisë, Necla Koytak, botoi shoqata kulturore ”Gruaja”
2. Shtëpi e Ëmbla Shtëpi, Khalid Baig

 

 

 

Back