SYEFAQËSIA ËSHTË SHKAK I SHKATËRRIMIT TË VEPRAVE TË MIRA

25/05/2011 21:00


Njeriu mund të marrë shpërblim të madh nga Allahu vetëm për shkak të qëllimit të tij të mirë, madje edhe nëse pengohet nga kryerja e punës së synuar. Në anën tjetër veprat të cilat i kryen, nuk shpërblehen nëse nuk shoqërohen me qëllim të mirë. Veprat e tilla në të vërtetë mund të jenë mëkat.
Ka shumë hadithe, që na paralajmërojnë për shkatërrimin e veprave të mira. Syefaqësia është njëra nga shkaqet më serioze që i bën veprat tona të shkojnë huq.
Muhammedi a.s. na rrëfen se Allahu do të thotë: “Shkoni tek ata që bënin syefaqësi në dunja dhe shikoni se a e kanë gjetur shpërblimin”.[13]
Ai gjithashtu rrëfen se Allahu ka thënë: “Unë nuk kam nevojë për ortak. Kushdo që e bën një punë për hirë të dikujt tjetër si dhe për hirë Timin, Unë e lë veprën e tij të shpërblehet nga ata të tjerët”.[14]
Muhammedi a.s. ka thënë: “Sillet njeriu në ditën e ringjalljes dhe hidhet në zjarr. Të brendshmet e tij do t’i dalin nga fyti dhe ai do të varet nga ato, duke u sjellur sikur gomari që sillet rreth një mullari. Banorët e zjarrit do të tubohen rreth tij dhe do ta pyesin: Çfarë ka ngjarë me ju.... A nuk urdhëronit në të mirë e ndalonit nga të këqijat, ai do të përgjigjet: “Po urdhëroja në të mirë, por nuk i veproja ato gjëra vetë, dhe ndaloja nga të këqijat, por veten nuk e përmbaja nga ato”.[15]
Disa njerëz mund të kenë idenë se ky njeri po ndëshkohet, sepse ai urdhëronte në të mirë dhe ndalonte nga të këqijat, përderisa ai kishte shumë të meta në punët e tij. Ky është gabim i madh, sepse detyra e urdhërimit në të mirë dhe e ndalimit nga të këqijat, është e denjë për shpërblim për sa kohë personi angazhohet në to me sinqeritet dhe qëllim të drejtë. Ky njeri ndëshkohet, sepse ai vepronte punët e liga, të cilat ua ndalonte të tjerëve dhe i shkelmonte veprat në të cilat i ftonte të tjerët. Ai thjesht zbukuronte sjelljen e tij të jashtme përderisa qenia e tij e brendshme mbetej e prishur. Ndëshkimi i tij ishte për shkak të mëkatit të tij dhe jo pse ai urdhëronte në të mirë dhe ndalonte nga të këqijat.
Ndërsa sa i përket ajetit kur’anor: “A po i urdhëroni (thirrni) njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni? Ndërsa ju e lexoni librin (Tevratin). A nuk po mendoni?” [Bekare, 44]
Do të thotë se Allahu i qorton dhe i ndëshkon ata, ngase u larguan nga e vërteta, edhe pse ata e njihnin atë mirë. Kjo i bën ata të dallojnë nga injorantët e të vërtetës, të cilët nëse do të arrinin ta njihnin atë ndoshta do ta pasonin. Si rrjedhim duhet të dimë se urdhërimi në të mirë është diçka të cilën ua kemi borxh madje edhe njerëzve, edhe në qoftë se nuk mund të bëjmë vetë vepra të mira. E njëjta gjë vlen për ndalimin nga e keqja. Një poet njëherë tha:

Nëse asnjë mëkatarë nuk i nxit të tjerët në mirësi,
Atëherë kush do t’i nxisë mëkatarët pas Muhammedit?

Askush pas të Dërguarit të Allahut nuk është i mbrojtur hyjnisht nga bërja e mëkateve. Megjithatë është detyrë e çdo njeriu që t’i përmbush katër gjërat vijuese:
-Të bëjë vepra të mira.
-Të urdhërojë të tjerët në të mirë.
-Të përmbahet nga e keqja.
-Të ndalojë të tjerët nga e keqja.
Dështimi për të kryer njërën nga këto detyra nuk na jep të drejtën për të mospërfillur ndonjërën nga detyrat tjera. Si rrjedhim ai që bën mëkat, edhe ai e ka për detyrë t’i ftojë të tjerët që të largohen nga mëkati.
Syefaqësia në fjalë dhe vepra është një sëmundje që mund ta shpie njeriun në zjarr. Një njeri i tillë nga ana e jashtme duket i drejtë, ndërsa brendia e tij, për atë çfarë të tjerët mendojnë për të, sjell si shpërblim vlerësimin e tyre të lartë për të, por jo edhe kënaqësinë e Allahut. Atij i mjafton lavdërimi që njerëzit i bëjnë.
Ky është lloji i hipokrizisë të cilit iu frikësuan muslimanët e hershëm, duke u ruajtur që të mos biejnë në të. Hasan Basriu duke folur për tendencën e syefaqësisë tha: “Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, askush nuk mendon se është i siguruar nga syefaqësia përveç hipokritit dhe askush nuk frikësohet nga ajo (syefaqësia) përveç besimtarit”.
Ata frikësoheshin se mos po hyn syefaqësia fshehurazi në veprat e tyre, siç thotë Allahu: “O ju që keni besuar, mos ngreni zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos ditur ju.” [Huxhuratë, 2]
Buhariu e titulloi një kapitull në Sahihun e tij: “Njeriu, i cili frikësohet se mos po i shkojnë huq punët e tij pa e vërejtur”. Në këtë kapitull ai përmendi një hadith të transmetuar nga Enes bin Malik se i Dërguari i Allahut a.s. pyeti se ku ishte Thabit bin Kajs. Një njeri tha se do të dalë dhe do ta gjejë atë. Njeriu e gjeti Thabitin të ulur në shtëpi kokëvarur. Ai e pyeti: Çfarë ka ngjarë me ju? Thabiti u përgjigj: “Diçka shumë e keqe”. Njëri e kishte zakon të ngrisë zërin e tij mbi zërin e Muhammedit a.s. kështu që veprat e tij kanë shkuar huq dhe tani ai është nga banorët e zjarrit. Njeriu u kthye te Muhammedi a.s. dhe e informoi për atë çfarë tha Thabiti. Pejgamberi a.s. i tha njeriut, kthehu tek ai dhe thuaj: “Ju nuk jeni nga banorët e zjarrit, por nga banorët e xhenetit”.[16]


 

NJËZET MËNYRA PËR TË BËRË SYEFAQËSI
 

Pasi që tendenca për syefaqësi është e rrezikshme, ne duhet të jemi syçelë dhe t’i njohim shkaqet e rrugët nëpërmjet të cilave ajo mund të depërtojë. Duke e pasur në mendje këtë, ne do t’i diskutojmë njëzet mënyra përmes të cilave mund ta manifestohet tendenca për syefaqësi:

1. Publikimi i veprave tona
 

Disa njerëz me qëllim sorollaten, duke biseduar për gjërat të cilat i kanë bërë dhe duke u lavdëruar për virtytet e tyre. Ata nuk mund të rrinë me të tjerët pa përmendur “unë e bëra atë, unë e bëra këtë...unë harxhova shumë në bamirësi” etj. Nganjëherë ata mund të jenë pak më dinak, duke thënë gjëra si: “...në të vërtetë s’po mundem me falë namaz ma shumë se dy orë..., ose fatkeqësisht nuk po mund të agjëroj çdo ditë, kështu që duhet të mjaftohem me agjërimin të hënën dhe të enjten”. Në këtë mënyrë ata dëshirojnë t’u tregojnë të tjerëve vetëm se sa falen dhe agjërojnë.
Ata vetëm i publikojnë punët e tyre të mira dhe sigurohen t’i kryejnë ato para të tjerëve, me qëllim që të fitojnë konsideratën e njerëzve. Për këtë arsye është e preferueshme që shumica e formave të adhurimit të kryhen fshehurazi. Pejgamberi a.s. ka thënë: “O njerëz, faluni në shtëpitë tuaja, se namazi më i mirë është ai që njeriu e kryen në shtëpi, përveç namazeve obligative”.[17]
Si rezultat është e preferueshme që namazet vullnetare të kryhen fshehurazi në shtëpinë tuaj. Kjo e ruan adhuruesin nga pëshpëritjet e shejtanit dhe e siguron se namazet nuk po kryhen për syefaqësi. Kjo gjithashtu parandalon që shtëpia të bëhet si varrezë, ku nuk falet asnjë namaz. Një përfitim tjetër nga kryerja e namazit në shtëpi është se i impresionon fëmijët e shtëpisë për rëndësinë e namazit.
Megjithatë, namazet vullnetare që duhet të kryhen me xhematë janë përjashtim për këtë rregull, siç janë namazi gjatë eklipsit, namazi për shi, namazi i taravive dhe namazi i dy bajramave.
E njëjta vlen për bamirësinë. Allahu thotë: “Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju dhe Ai ua largon (me punë të mira) të këqijat. Allahu është i njohur hollësisht për veprat tuaja.” [Bekare, 271]
Njeriu duhet gjithmonë të jap sadaka fshehurazi dhe të mos jap atë publikisht, përderisa të sigurohet se nuk bie në syefaqësi dhe e di se dhënia e saj haptas do të sjell më shumë të mira. Për shembull nganjëherë sadakaja që jepet haptas mund t’i inkurajojë të tjerët. Në rastin e harxhimit për përgatitjet e luftës, mund ta frikësojë armikun.
Disa njerëz bëjnë punë bamirësie publikisht me qëllim që t’u dalin emrat e tyre në shtyp, në gazeta ose të marrin mirënjohje zyrtare për punët e tyre.
Nëse qëllimi i individëve të tillë është që të fitojnë më shumë përkrahje publike nga qytetarët për përpjekjet e tyre bëmirëse, atëherë kjo është në rregull. Ndryshe kjo thjesht është syefaqësi. Muhammedi a.s. ka thënë : “Të gjitha veprat vlerësohen sipas qëllimi, andaj dhe çdo person shpërblehet sipas qëllimit të tij”.[18]
Allahu xh.sh. thotë: “E ju, fshiheni ose thuajeni fjalën tuaj haptas; s’ka dyshim se Ai e di çka fshihni në zemrat tuaja. A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë.” [Mulk 13-14]

2. Deklarimi i rrejshëm
 

Ekziston një lloj i njerëzve të cilëve u pëlqen të lavdërohen për gjërat që nuk i kanë bërë kurrë. Ai mund të thotë se ka luftuar për Islamin me durim dhe burrëri. Ai madje mund të thotë se ka pësuar persekutime dhe vështirësi në rrugën e Allahut. Nëse e takon dikënd që nuk di për të kaluarën e tij, ai fillon t’i tregojë: “unë bëja këtë dhe unë bëja atë....”, duke folur për një të kaluar që është më shumë e pavërtetë sesa e vërtetë.
Ky njeri vazhdon kështu para të tjerëve me qëllim që të fitojë reputacion për vete. Kjo sjellje është më e keqe sesa ajo që posa e diskutuam, meqë ajo i bashkon dy të këqija: syefaqësinë dhe rrenën. Muhammedi a.s. ka thënë: “Njeriu që thotë se janë dhënë gjëra të cilat kurrë nuk i janë dhënë është rrenacak i dyfishtë”.[19]
Një tjetër mashtrim është që njeriu të shpërngulet nga vendi i tij në një vend tjetër, kështu që të mund ta paraqes veten si martir i madh, duke shpikur tregime për vetveten.
Një poet shkroi:

Deklaratat që nuk mbështeten në provat e forta
E kthejnë deklaruesin në mburravec.

Pastaj gjendet personi që dëshiron ta paraqes veten si dijetar. Ai deklaron se ka kaluar vite, me një dijetar të caktuar dhe se ai është njëri nga nxënësit më të afërt dhe më të dashur të tij.
Unë e njoh një njeri, i cili thotë se e ka memorizuar Kur’anin me shtatë lloje të ndryshme të leximeve. Ai u thotë njerëzve unë kam mësuar nga një numër dijetarësh, pastaj vazhdon t’i përmend emrat e dijetarëve më të mëdhenj të kohës sonë. Unë e njoh këtë person dhe e di se ai madje nuk di as të lexojë Kur’an si duhet e lëre më ta recitojë atë përmendësh ose t’i dijë llojet e ndryshme të recitimit.
Disa njerëz janë më djallëzor se ky. E gjejmë një njeri, i cili flet për dijetarët e kohës sonë – sidomos për ata, të cilët kanë vdekur nga mesi i tyre – sikur të ishin kolegët e tij, e jo mësuesit. Ky njeri do t’ju tregojë anekdota për këta dijetarë sikur t’i kishte përjetuar drejtpërdrejtë. Në këtë mënyrë, ai provon ta fabrikojë një lidhje, e cila nuk ekziston. Kjo është një sëmundje e zemrës e cila bëhet edhe më e tmerrshme, kur i godet njerëzit, të cilët mendohet të jenë njerëz të dijes.

3. Veprimi me syefaqësi pasi kemi qenë të sinqertë
 

Njeriu fillon të bëjë diçka vetëm për hirë të Allahut si falja e namazit, harxhimi në bëmirësi ose përmendja e Allahut me zë të dëgjueshëm. Atëherë, ai e kupton se njerëzit e shohin atë. Kjo e bën atë të veprojë edhe më tepër. Ai falet pak më gjatë, harxhon pak më shumë dhe e përmend Allahun me elokuencë më të madhe. Kur njeriu ta gjejë veten në këtë gjendje, ai duhet të luftojë kundër dëshirës për syefaqësi. Ai duhet ta thotë atë që Muhammedi a.s. e mësoi Ebu Bekrin të thotë: “O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde prej shirkut që bëhet me dije dhe kërkoj falje për atë që e bëj pa dije”.[20]
Nëse qëllimi për të punuar me syefaqësi zë vend në zemrën e tij dhe ai vazhdon t’i shtojë përpjekjet për t’u lënë përshtypje njerëzve, atëherë punët e tij do të kenë njërën nga pasojat vijuese. Nëse veprat e tij ishin të një natyre që mund të ndahen, atëherë ai do të shpërblehet për atë që ka bërë për hirë të Allahut dhe do të jetë mëkatar për atë që e ka bërë për sy e faqe ose për t’u lavdëruar te njerëzit. Për shembull, një person i jep 200 euro sadaka, 100 euro i ka dhënë sinqerisht për hirë të Allahut, 100 eurot tjera i ka dhënë për t’u lënë përshtypje njerëzve. Ai do të shpërblehet për rastin e parë dhe do të jetë mëkatar për rastin e dytë.
Nëse vepra e tij është e atij lloji që s’mund të ndahet, sikur një namaz, atëherë syefaqësia e bën punën e tij të pavlefshme tërësisht. Disa njerëz biejnë viktimë e të kundërtës së kësaj. Ata frikësohen aq shumë nga syefaqësia, saqë nuk bëjnë vepra të mira për shkak të saj. Thënë ndryshe, ata kanë ikur nga tigani dhe janë hedhur në zjarr.
Sinqeritet i vërtetë është preokupimi me Allahun dhe shpërfillja e plotë e njerëzve, as kryerja e veprave për shkak të njerëzve dhe as largimi nga veprat për shkak të tyre. Kjo na sjell në rrugën e katërt të syefaqësisë.

4. Braktisja e punëve për shkak të njerëzve
 

Fudajl bin Ijadi ka folur fjalë të ashpëra për ata që i braktisin punët e mira për shkak të njerëzve. Ai tha: “Braktisja e veprave për shkak të njerëzve është syefaqësi. Kryerja e veprave për hirë të tyre është politeizëm. Sinqeriteti gjendet aty ku Allahu ju mbron nga të dyja.”
Disa njerëz shkojnë në xhami. Pastaj kur të arrijnë atje dhe i shohin njerëzit, ata frikësohen nga syefaqësia. Fillojnë të vijnë në xhami vonë dhe nganjëherë u ikë namazi krejt. Kjo bëhet shprehi e tyre. Ardhja në xhami herët bëhet njëra nga gjërat më të vëshira për ta. Disa njerëz, të cilët e lexojnë ose e memorizojnë Kur’anin kur e vërejnë se të tjerët po i dëgjojnë fillojnë të friksohen nga syefaqësia. Ata ndalen së lexuari të Kur’anit. Kjo është tragjike, sidomos kur njerëzit që veprojnë kështu janë ata që e kanë memorizuar Kur’anin dhe ua mësojnë të tjerëve.
Braktisja e punëve të mira është gabim i madh. Ajo që adhuruesi duhet të bëjë është të mos brengoset fare për qeniet e krijuara, as të mos kryejë diçka për hirë të tyre dhe as të mos ndalet nga diçka për shkak të tyre. Njëra nga arsyet për këtë sjellje është se personi prej të cilit pritet të kryejë një punë të dhënë, ka një pamje të zmadhuar të rëndësisë së tij dhe asaj që do ta bëjë. Ai ndoshta duhet ta mbajë një hytbe, ose ta mbajë një ligjeratë të shkurtër pas namazit, ku ai mund të nxitë në të mirë dhe të ndalojë nga e keqja. Ai fillon të imagjinojë se ai është duke bërë një vepër të madhe dhe se njerëzit do të fillojnë t’i citojnë fjalët e tij. Ndoshta ai mendon se ajo që thotë do të bëhet bisedë në qytet. Ai ndoshta do të impresionohet pak me vetveten në këtë pikë dhe këtu fillon të frikësohet nga syefaqësia. Ai ndien se mënyra për t’u siguruar nga kjo është të mos jap ligjërata fare.
Kjo është njëra nga mashtrimet e shejtanit. Rruga e vetme që personi të qëndrojë i paprekur është ta mësojë veten me kryerjen e veprave të mira dhe t’i shohë si punë të vogla e të parëndësishme kur ato i kryen. Ai gjithashtu duhet ta mësojë veten të mos i kushtojë rëndësi asaj që thonë njerëzit. Ai duhet të jetë në gjendje t’i njohë gabimet dhe të metat në punët e tij. Atëherë, kur dikush i ofron lavdërim jo të mirëseardhur, ajo nuk do ta dëmtojë në asnjë mënyrë. Një lavdërim i tillë do të jetë siç e ka përshkruar Muhammedi a.s. lajme të mira për besimtarët”.[21]

5. Shfaqja e adhurimit në mënyrë dinake
 

Një person mund ta fsheh adhurimin e tij ose së paku duket se bën ashtu përderisa sigurohet se njerëzit e marrin vesh për atë në mënyrë të tërthortë. Për shembull një njeri mund të angazhdohet në përmendjen e Allahut ose kërkimin e faljes nga ai. Ai përmend Allahun në heshtje, por i lëvizë buzët në mënyrë të dukshme, kështu që kush e sheh atë do ta dijë se është me përmendjen e Zotit. Ai madje gjatë kësaj mund ta ngrisë nganjëherë zërin për të tërhequr vëmendjen e njerëzve kah vetja. Ai dëshiron është që njerëzit ta lavdërojnë për atë që bën. Veprat janë sipas qëllimit, andaj çdo person shpërblehet sipas qëllimit të tij. Si rrjedhim nëse një person pa qëllim tërheq vëmendjen e njerëzve kah vetja, duke mos synuar të bëjë syefaqësi, atëherë nuk do të ketë dëm. Megjithatë nëse ai bën diçka tinëzare, me qëllim që të tërheq vëmendjen e njerëzve tek ai, atëherë ai jo vetëm që ka bërë syefaqësi, por edhe është shtirur si i sinqertë kur ka vepruar ashtu. Ndërkaq Allahu thotë: “E ju, fshiheni ose thuajeni fjalën tuaj haptas; s’ka dyshim se Ai e di çka fshihni në zemrat tuaja. A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë.” [Mulk, 13-14]
Një personi kur i prezentohet ushqimi abstenon nga ai dhe thotë: Sot është e enjte, sikur të implikojë se ai gjithmonë agjëron të enjteve. Muhammedi a.s. na ka mësuar se kur të na prezentohet ushqimi ne duhet të hamë nëse nuk jemi agjërueshëm dhe kur jemi agjërueshëm, ne duhet të bëjmë dua për atë që na ka ofruar ushqimin. Një dua e mirë mund të bëhet kështu: Allahu ju bekoftë në ushqimin dhe pijen tuaj dhe në atë që Allahu ju furnizon!

6. Përulja e dukshme
 

Një person mund ta paraqet një pamje të nënvlerësimit të vetvetes, duke thënë gjithë kohën se sa i mangët që është. Ai thotë se nuk bën punë të mira dhe se veprat e tij nuk janë të mjaftueshme. Ajo që synon me këtë është shfaqja e përuljes së tij.
Se a beson me të vërtetë se është i mangët, ai vazhdon në këtë mënyrë derisa shejtani e bën atë të besojë se ai është i lirë nga syefaqësia, kur në të vërtetë shejtani ka qenë duke e shoqëruar në simulimin e tij absurd gjatë gjithë kohës. Ajo që i duhet njeriut për të qenë i balansuar, nuk është nënvlerësimi i vetvetes për sy e faqe dhe as lavdërimi i vetes.

7. Tërheqja e vëmendjes për gabimet e të tjerëve
 

Shejtani mund t’i afrohet njeriut përmes gabimeve të të tjerëve. Duke e kritikuar gabimin e dikujt tjetër personi implikon se ai është i lirë nga gabimi i njëjtë. Një njeri mund të thotë: A e dini, Zoti na ruajt, filani kurrë nuk zgjohet natën për të bërë namaz”. Nënkupton: “Unë falem natën”, “Unë kurrë nuk e kam parë filanin të agjërojë në jetën e tij”. Nënkupton: “Unë agjëroj shumë”, “Filani kurrë nuk jep sadaka, edhe pse ai ka më shumë para se unë”. Nënkupton: “Unë nuk jam si ai, unë jap sadaka”.
Nëse ky njeri do të kishte ndjenja ai do të thoshte siç ka thënë një poet:

Qaj për shkak të vetes e jo për shkak të të tjerëve
Për vetveten, nga vetvetja. Shqetësoj njerëzit.

Ose ai do të duhej të thoshte siç ka thënë Shafiu:

Mos e lërë gjuhën të përmend turpin e tjetrit
Sepse ju vetë jeni mbuluar nga turpi dhe të gjithë njerëzit kanë gjuhë
Nëse sytë tuaj bijnë në mëkatet e vëllait tënd
Mbuloji ata dhe thuaj: O syri im të gjithë njerëzit kanë sy.

Ata të cilët e angazhojnë veten me gabimet e të tjerëve, kanë shumë mënyra të specializuara të përgojimit në dispozicion për t’i ndihmuar ta ngrisin veten mbi ata që i përgojojnë. Ibn Tejmie në librin e tij “Fetava” përmend një numër të këtyre mënyrave: Një strategji është ta kornizojë përgojimin e tij në formën e brengës për fenë dhe reformat. Deklaratat e llojit vijues pasojnë: Tani nuk është zakon i imi të flas ndonjë gjë përveç mirë për njerëzit e tjerë. Unë e urrej përgojimin dhe rrenën. Unë vetëm dëshiroj t’ju informojë për këtë person. Betohem në Allahun se ai është njeri i mirë, por ai e bën këtë dhe atë. Ne duhet të bëjmë dua për të: O Allah, falna ne dhe atë. Me këto thënie një person mund të përqesh një tjetër, derisa në të njëjtën kohë mundohet ta mashtrojë Allahun për atë që e bën, sikur të ishte e mundur. Pastaj, ka njerëz që i nënçmojnë të tjerët vetëm e vetëm që të duken vetë të mirë. Një person i tillë mund të thotë: “Vetëm sikur të lutesha për të dje, nuk do të kisha dëgjuar këtë gjë të tmerrshme sot”. Dikush duke u munduar të paraqitet si i mençur mund të thotë: Filani, ju duhet ta kuptoni, ka intelekt të dobët. Një person tjetër bën që përgojimi i tij për të tjerët të duket në formën e shakasë, sikur që ai e ka për qëllim t’i bëjë të tjerët të qeshen. Megjithatë, ajo që bën për t’i bërë shokët të qeshin, është përqeshja e një personi, përçmim i tij dhe tallje me të. Një tjetër përdorë habinë dhe befasinë si arsyetim për të thënë gjëra të këqija për dikë tjetër. Ai mund të thotë: “Nuk besoj se filani mund ta bëjë atë”, ose “Si mund të bëjë ai një gjë të tillë!”. Në këtë mënyrë përgojuesi flet keq për emrin e tjetrit me arsyetim se ai u mposht nga habia. Dikush tjetër shtiret se brengoset ose i dhimbset filani, si rrugë për të bërë vërejtjet e këqija. Ai mund të thotë: I shkreti filani, sa më vjen keq për atë që i ka ndodhur. Është për të ardhur keq për punën që po bën. Ndokush që e dëgjon këtë mund të mendojë se folësi në të vërtetë është i mërzitur për atë çfarë i ka ndodhur atij personi. Realisht ai ndoshta do të dëshironte t’ia shtonte mjerimet këtij personi sikur të kishte mundësi. Ai madje mund t’i thotë këto fjalë në prezencë të armiqve të këtij personi me qëllim që t’iu jap shansën t’i hakmerren. Kjo është një sëmundje shumë e rëndë e zemrës dhe një formë e tmerrshme e mashtrimit. Pastaj gjendet personi, i cili shtiret se është zemëruar dhe indinjuar me të drejtë me qëllim të përgojimit të dikujt tjetër. Ai mund të përdorë fjalë më elokuente të mundshme me njetin e duhur të qortimit të një veprimi të keq, por qëllimet e tij të vërteta në realitet janë keqdashëse.

8. Ruajtja e statusit dhe reputacionit
 

Kur një person bëhet i njohur për korrektësi dhe devotshmëri, ai edhe më tutje ka tendencë ta ndërtojë reputacionin e tij në të njëjtën mënyrë. Ai fillon të frikësohet se mos e humb autoritetin që e gëzon te njerëzit e tjerë. Ai e ruan veten nga ndonjë mangësi e dukshme në sjelljen e tij. Ai sigurohet të mbajë hapin me të tjerët, ose t’i kalojë ata në punë të mira, të paktën publikisht. Ai nuk e bën këtë nga devotshmëria fetare, por me qëllim që të fitojë respekt. Ai mund t’u flet njerëzve, t’u predikojë atyre dhe t’i këshillojë ata të bëjnë vepra të mira, jo pse ai e ndien se ata kanë nevojë për këtë, por sepse ai e ndien se ata e presin këtë nga ai. Atij nuk i intereson domethënia e asaj që thotë. Për të ka rëndësi vetëm statusi dhe reputacioni. Kjo është një kurth dinake në të cilën mund të biejmë lehtë. Mirëpo, veprat janë sipas qëllimit. Personi ose është duke i bërë këto gjëra për hir të Allahut, për të cilat ai do të shpërblehet ose thjesht për të ruajtur reputacionin e tij.

9. Të folurit për çështjet në një mënyrë që aludon në idenë se personi është i angazhuar me to
 

Një person mund të thotë fjalinë vijuese: “Nëse adhuruesi e reciton Kur’anin shumë, leximi bëhet i lehtë për gjuhën e tij dhe ai lexon me rrjedhshmëri, sidomos kur ai falet vonë natën”, nënkupton unë e bëra këtë vepër dhe pata këtë përvojë. Në të njëjtën mënyrë një person mund të thotë: “Disa njerëz mendojnë se agjërimi është i lodhshëm dhe i vështirë”, nënkupton “Unë kam zakon të agjëroj”. Devotshmëria sekrete e personit mund të publikohet në këtë mënyrë: Një njeri thotë a e dini se filani e thirr ezanin e sabahit gjysmë ore para kohës së tij. Në këtë mënyrë ai zbulon për çdonjërin se ai ka shprehi të zgjohet herët për namaz. Le të shikojmë se si janë marrë dijetarët e vjetër me një situatë të ngjashme. Sa’d bin Xhubejr, i pyeti pasuesit e tij: “Cili prej jush e ka parë meteorin që e përshkoi qiellin mbrëmë? Husejn bin Abdurrahman shtoi: “Unë e kam parë”. Pastaj ai shpejt tha: “Unë nuk kam qenë duke u falur, kam qenë i kafshuar nga një akrep”. Arsyeja që ai e përmendi se ai është kafshuar nga një akrep ishte për të parandaluar përfundimin e dukshëm që shokët e tij mund të thonin: Ai ka qenë duke u falur gjatë tërë natës. Muslimanët e hershëm ishin të kujdeshëm për t’iu shmangur lavdërimit të vetes dhe nuk u pëlqente përmendja e virtyteve të veta. Ata, të cilat i përmendin gjërat e tilla me qëllim për t’u lavdëruar mund ta fitojnë lavdatën e njerëzve, por veprat e tyre humbin të gjitha bekimet. Nëse dikush bën deklarata të tilla, pa pasur qëllim që të lavdërohet, përsëri ai i publikon punët e tij të mira. Ai do të shpërblehet për ato, por bekimet për këto vepra do të jenë më pak.

10. Vendosja e vetes në piedestal
 

Një person i qaset mësimit për një temë të caktuar fetare. Ai zhytet thellë në të, duke hulumtuar çdo çështje të vogël në hollësi. Ai i memorizon të gjitha tekstet dhe i mëson mendimet e shumë autoriteteve. Pastaj kur ulet në mes të një turme të madhe njerëzish ai fillon të flasë. Natyrisht ai ligjëron në atë temë që e ka hulumtuar thellësisht, duke thënë emrat e dijetarëve të ndryshëm dhe duke cituar nga memorja deri në faqen e fundit. Ai ua përcjell atyre çdo gjë që e ka memorizuar. Cila është arsyeja për krejt këtë? E bën këtë me qëllim që ta quajnë atë dijetar. Ai mund të pretendojë të përdorë fraza që janë të rezervuara vetëm për njerëzit e ditur. Ai mund të thotë kështu: “Unë e shoh se çështja qëndron kështu dhe ashtu..., çfarë është mjaft evidente për mua se..., qëndrimin që e mbajmë për këtë çështje është... etj.” Ai fol në mënyrën e një autoriteti në këtë fushë derisa ai është thjesht fillestar. Poeti shkruan:
Kjo sipas mendimit tonë është e palejuar
Po kush jeni ju për të pasur mendim?

11. Hedhja poshtë e dijetarëve (predikuesve)
 

Një person mund të nxitet nga shejtani të flasë keq për dijetarët ose të përpiqet t’i hedhë poshtë ose t’i kundërshtojë ata. Qëllimi i tij për të vepruar kështu është që ta bëjë veten të dukshëm, duke qëndruar mbi supet e tyre. Ai dëshiron që njerëzit të thonë se ai e ka mposhtur një dijetar të caktuar. Ai po ashtu dëshrion që të përhapet lajmi se ka debatuar me një dijetar të njohur dhe se e ka mposhtur me argumentet e tij. Ai mund t’ia del t’i poshtërojë dijetarët vetëm që ta bëjë veten më të famshëm. Derisa ai vepron kështu, ai madje mund të bëjë dua për ta për të shfaqur dhembshurinë dhe brengën e vet. Ai mund të thotë: “Filani, Allahu e mëshiroftë, ka thënë këtë dhe atë”. Ai gjithashtu mund të shtiret se i vjen keq dhe i dhimbset duke thënë: “I shkreti filani që është sprovuar me një qëndrim dhe mendim të tillë”. Një qasje tjetër që ai mund ta përdorë është të shtiret se nuk ka dëshirë të bisedojë për të. Nëse dikush përmend emrin e një dijetari të caktuar, ai mund të thotë: “Nuk dëshiroj të involvohem në diskutimin për të ose ta lëmë rehat. Allahu na i mbuloftë gabimet e tij dhe tonat. Ose le të mos flasim për të, Allahu na ruajt nga të folurit keq për dikënd”. Kjo është një mënyrë shumë dinake për ta poshtëruar këtë dijetar. Vetëm mendjemprehti aktualisht e kupton se çfarë po ndodh.

12. Kërkimi i diturisë për të arritur famë
 

Një person mund të nxitet nga shejtani të kërkojë dituri dhe të studiojë gjërë me qëllimin e vetëm për t’u bërë myfti, i cili do t’u përgjigjej pyetjeve të njerëzve ose një dijetar, emri i të cilit do të përmendet gjatë historisë ose ndoshta një aktivist islam, i cili do të ketë pasues. Muhammedi a.s. na tregon për tre njerëz, të cilët në ditën e ringjalljes do të jenë të parët që do të digjen. Njëri nga këta tre njerëz është: Njeriu, i cili ka marrë dituri dhe i ka mësuar të tjerët dhe i cili lexonte Kur’anin. Ai do të thirret dhe do të pyetet për atë që ka bërë gjatë jetës së tij. Ai do të thotë: “Unë mora dituri dhe i mësova njerëzit nga kjo dije si dhe lexova Kur’an për hir Tëndin. Allahu i thotë atij: “Gënjen, ti ke marrë dituri që njerëzit të të quajnë dijetar dhe lexuat Kur’an që të njiheni si recitues i Kur’anit. Këto gjëra me të vërtetë u thanë për ju. Në këtë çast një urdhër do të jepet dhe ky njeri do të zvarritet me fytyrë dhe do të hedhet në zjarr”.[22]
Personat e tjerë të përmendur në hadith janë: Njeriu, i cili luftoi në xhihad dhe një person që ka dhënë sadaka, të dytë e kanë bërë me syefaqësi. Një person i këtillë si ta arrijë famën dhe postin që e dëshiron njerëzit do t’i vijnë me pyetje. Do të ketë momente kur nuk do ta dijë përgjigjen. Në këto momente kur ai duhet të pranojë se nuk e di, ai do të frikësohet nga njerëzit dhe brengoset për mendimet e tyre për të. Ai nuk do të dëshirojë që ata të thonë: Si nuk e dini përgjigjen kur ju konsideroheni si person i ditur? Për këtë arsye ai do të shpik diçka dhe do të përgjigjet me padituri. Ai në këtë mënyrë çorienton veten dhe të tjerët. Njëherë një hoxhë u ngrit në hutbe dhe i bëjnë një pyetje, ai u përgjigj nuk e di. Një nga pjesëmarrësit në xhemat ngriti zërin dhe tha: “Hutbja nuk është vend për “nuk e di”. Hoxha u përgjigj ndaj kësaj: “Unë jam ngritur në këtë pozitë ku jam me diturinë që posedoj. Nëse do të ngritesha në shkallë me injorancën, unë do ta arrija qiellin”. Imam Maliku njëherë tha: ”Kurdoherë që një hoxhë ta braktisë thënien ‘nuk e di’, atëherë ai është shkatërruar”.

13. Shtirja e përuljes
 

Shejtani mund të nxitë personin të shtiret si modest dhe i përulur. Ai do t’i bashkojë duart, do t’i ngritë supet dhe do ta ulë kokën në një paraqitje jo të sinqertë dhe të pazakonshme të përuljes. Shpesh sjelljet që paraqiten në këto veprime janë kundër Sunnetit të të Dërguarit të Allahut, Muhammedit a.s. Abdullah Kureshi ka thënë se Omer bin Hatabi njëherë e pa një të ri që mbante kokën ulur në namaz. Omeri i tha: “Ngrite kokën! Ulja nuk e ngrit atë që tashmë gjendet në zemër”. Kurdoherë që njerëzit bëjnë që përulësia e tyre të duket, ata vetëm bëjnë paraqitje të dukshme të hipokrizisë. Ne e dimë shumë mirë Sunnetin e mënyrës së sjelljes së adhuruesit në namaz. Puna e saktë që falësi duhet ta bëjë është të përqëndrojë shikimin e tij në vendin ku do t’i bie balli gjatë të bërit sexhde. Duart duhet t’i vendos në gjoks, dora e djathtë mbi të majtën. Ky është qëndrimi i shumicës së dijetarëve dhe përmendet në hadithin e transmetuar nga Nail bin Haxher, i cili është hadithi më i saktë sa i përket kësaj çështje. Falësi duhet të jetë i balansuar dhe modest në qëndrimin në këmbë, ulje, ruku dhe sexhde ashtu siç na ka udhëzuar Muhammedi a.s. Shejtani nganjëherë mund t’i vijë recituesit të Kur’anit dhe ta inkurajojë atë të qajë gjatë leximit me qëllim që t’i bëjë dëgjuesit të ndihen të përulur para recitimit të tij dhe t’i inspirojë ata të qajnë. Por sa më i madh është xhemati aq më tepër qanë derisa të vie në një gjendje ku pothuajse nuk mund të recitojë fare. Pastaj kemi duanë e njohur si duaja e kunutit e cila bëhet nga imami në Ramazan në fund të namazit. Ne po dëgjojmë gjëra të mahnitshme që po ndodhin gjatë kësaj duaje. Lotët mbledhen dhe shkojnë rrëke nga një person, i cili ndoshta vetëm sa ka mbaruar leximin e disa faqeve të fuqishme, të frikshme dhe inspiruese të Kur’anit pa qenë aspak i prekur prej tyre. Kështu ndodh që kur ai të vie te duaja e kunutit ne fillojmë të dëgjojmë të qajtur me zë dhe dënesje. Ibn Xhevzi ia kushton një kapitull një lloji të tillë të syefaqësisë në librin “Teblis Iblis” – “Mashtrimet e shejtanit”. Ai shkruan: ”Kapitulli: Mashtrimi i shejtanit përmes përuljes së shtirur, uljes së kokës dhe përmbajtjes së ligjit. Nëse frika rrënjos veten në zemër, trupi do ta shfaqë atë. Një person i tillë madje nuk do të jetë në gjendje t’i fshehë ndjenjat e veta. Ajo që urrehet te personi është përpjekja për të shfaqur përulje, të nxitë të qajturit dhe në një mënyrë të dukshme të ulë kokën me qëllim që të paraqitet si asket dhe t’i vijnë njerëzit t’ia marrin dorën, ose ta puthin atë, ose të kërkojnë nga ai që të bëjë dua për ta. Ai e përgatit veten për duanë sikur ta ketë mundësinë ta sjellë përgjigjen nga qielli. Disa njerëz shfaqin aq shumë frikë sa që i bën ata të turpshëm dhe të përulur, të cilët nuk mund t’i ngrisin fytyrat në drejtim të qiellit. Ky nuk është virtyt, sepse nuk ka përulje më të madhe se ajo që e shfaqi i Dërguari i Allahut a.s. Në Sahihu Muslim gjendet hadithi i Ebu Musa Esh’ariut, ku thotë se i Dërguari i Allahut shpesh e ngritte kokën në drejtim të qiellit. Ky hadith tregon se kthimi i fytyrës në drejtim të qiellit është praktikë e rekomanduar, për hir të nxjerrjes së mësimeve nga shenjat në krijimin e tyre. Allahu thotë: “A nuk shikojnë ata me vëmendje kah qielli se si mbi ta kemi ndërtuar atë, e kemi zbukuruar atë duke mos pasur në të ndonjë zbrazëti.” [Kaf, 6]
Ai gjithashtu thotë: “Thuaj: Vështroni me vëmendje çka ka (nga argumentet) në qiej e në tokë. Po argumentet dhe qortimet nuk bëjnë dobi ndaj një populli që nuk beson.” [Junus, 101]
Kjo tregon jovërtetësinë e atyre sofistëve që me vite nuk shikojnë në qiell për shkak të përulësisë, siç deklartojnë ata. Ebu Selma bin Abdurrahman ka thënë: “Shokët e të Dërguarit të Allahut, as nuk ishin devijant e as nuk ishin si njerëz të vdekur. Ata kishin zakon të recitonin poezi në tubimet e tyre dhe të bisedonin për kohën e injorancës. Megjithatë nëse do t’i sulmoje në çështje të fesë, sytë e tyre do të bëheshin si të një të çmenduri. Kahmas bin Husejn transmeton se një person që e shoqëronte Omerin lëshoi pshërëtima sikur të përpiqej të shfaqte brengë, kështu që Omeri e goditi atë. Asim bin Kulaib Xhermi rrëfen: “Babai im e takoi Abdurrahman bin Esved, i cili kishte shprehi të ecte skaj murit për shkak të përuljes së rreme. Babai im i tha atij: “Çfarë ka ndodhur me ju që ecni skaj murit kësisoj? Betohem në Allahun se kur Omeri ecte ai lëshonte këmbët fort në tokë. Ai bënte që zëri i tij të dëgjohej kur fliste. Ebu Hajthemeh rrëfen se kur Shifa bint Abdullah i pa disa njerëz duke ecur me përulje dhe duke folur ngadalë i pyeti, çfarë është kjo? Ata u përgjigjën: “Ne jemi asketë”. Lidhur me këtë ajo tha: “Betohem në Allahun se kur Omeri fliste dëgjohej, kur ecte ai ecte vrullshëm, dhe kur godiste dikë i shkaktonte dhimbje. Dhe ai ishte një asket i vërtetë.”

14. Mbitheksimi i punëve të caktuara të dukshme madje deri në atë masë sa që bie në kundërshtim me Sunnetin
 

Disa njerëz i fiksohen një lloji të caktuar të veprave deri në atë masë sa që shejtani i nxitë ata, për shkak të kësaj, të veprojnë kundër Sunnetit dhe të shkelin ligjin islam. Të marrim për shembull xhihadin, me që disa të rinj tanë po bëhen shumë të interesuar për të. S’ka dyshim se është një vepër e madhe e devotshmërisë. Muhammedi a.s. ka thënë: “Ka njëqind shkallë në xhenet, të cilat i ka përgatitur Allahu xh.sh për ata që angazhohen në xhihad për hir të Allahut. Largësia në mes të njëra tjetrës është sa largësia në mes qiellit dhe tokës.” Ai gjithashtu ka thënë se xhihadi në rrugën e Allahut është kulmi i Islamit. Allahu a.xh. e bën xhihadin prej punëve më të mëdha kur thotë: “A mos e konsideruat dhënien e ujit haxhinjve dhe kujdestarinë ndaj xhamisë së shenjtë, si besimin e atij që i besoi Allahut dhe ditës së fundit dhe që luftoi në rrugën e Allahut? Jo, ato nuk janë të barabarta te Allahu. Popullin mizor Allahu nuk e vë në rrugë të drejtë. Ata të cilët besuan, migruan dhe luftuan me pasurinë dhe veten e tyre në rrugën e Allahut, ata kanë pozitë më të lartë te Allahu dhe vetëm ata janë fatlumë. Zoti i tyre i përgëzon ata me mëshirë nga Ai, me disponim ndaj tyre, me xhenete ku ata do të kenë nimet (hirësi-mirësi) të pandërprerë. Ata aty do të jenë përjetë të pasosur e te Allahu është shpërblimi i madh.” [Tevbe, 19-22]
Dera e xhihadit është njëra nga dyert më të mëdha të xhenetit, por xhihadi ka shkaqet, rregullat dhe kushtet e veta. Një person, i cili dëshiron të marrë pjesë në xhihad duhet t’i mësojë ligjet e tij. Ai duhet të mësojë si, ku dhe kur të merr pjesë. Ai duhet të dijë se nën flamurin e kujt duhet të luftojë. Për më tepër një person i tillë së pari duhet të angazhohet në një xhihad personal për ta pastruar nijetin. Sa njerëz mbyten në rangun e besimtarëve dhe vetëm Allahu i di qëllimet e tyre. Muhammedi a.s. ka thënë: “Kush lufton që fjala e Allahut me qenë më e larta ai është njeriu që ka luftuar për hirë të Allahut”.[23]
Një njeri kishte luftuar në radhët e Muhammedit a.s. derisa u plagos për vdekje. Muhammedi a.s. tha: “E kam parë në xhehenem”.[24] Më vonë Muhammedi a.s. përmendi se e ka parë njeriun duke u ndëshkuar në një mantel që e kishte vjedhur. Pastaj kemi rastin kur një njeri luftoi bashkë me Muhammedin a.s., ai u plagos rëndë dhe ishte në agoni, kështu që e vendosi bazën e shpatës në tokë dhe majën e saj drejt gjoksit të vet. Më pas ai e mbyti veten duke rënë mbi të derisa ajo i doli nga shpina. Muhammedi a.s. i informoi shokët se njeriu është në xhehenem. Si rrjedhim është shumë e rëndësishme që të pastrojmë nijetin dhe të marrim diturinë e duhur para se të angazhohemi në një vepër të tillë. Ne kemi parë fëmijët e ringjalljes islame, duke shkuar me radhë në luftërat më të ashpëra. Ata kanë demonstruar heroizmin, trimërinë dhe zotësinë mbi botën. Ne i pamë të rinjt, të cilën bënin jetë rekreative dhe të rehatshme, që shkëputën veten nga kjo papritmas, duke u larguar nga jeta e kohës së lirë dhe luksit dhe vendet e argëtimit e lojrave dhe të kërkojnë vdekjen në luftë për Allahun në malet dhe luginat e vendeve si Afganistani, Palestina, Çeçenia dhe Bosnja. Ne kemi libra dhe kaseta të mbushura me shumë tregime të tyre heroike. Kjo tregon të vërtetën që ia tregoi Muhammedi a.s. kur na ka informuar se xhihadi do të vazhdojë deri në kijamet pa marrë parasysh rrethanat dhe pa marrë parasysh se sa kanë mbetur muslimanët mbrapa në botë. Ai tha: ”Nuk ka emigrim pas çlirimit të Mekës, por ka xhihad. Nëse thirreni të luftoni, atëherë shkoni”.[25]
Në të njëjtën kohë duhet të dihet se xhihadi kërkon lejen e prindërve. Fatkeqësisht disa nga të rinjt tanë shkojnë në xhihad pa marrë lejen e tyre. Kur Muhammedi a.s. u pyet se cila është vepra më e dashur tek Allahu, ai u përgjigj: “Namazi në kohën e vet”, pastaj kur u pyet se çfarë vie më pas, ai tha: ”Nderimi i prindërve”. Pastaj kur u pyet se çfarë tjetër, ai tha: “Xhihadi në rrugën e Allahut”.[26]
Muhammedi a.s. e vendosi nderimin e prindërve para xhihadit. Njëherë erdhi një njeri te Muhammedi a.s. dhe kërkoi leje të merrte pjesë në xhihad. Muhammedi a.s. e pyeti se a i kishte gjallë prindërit. Kur njeriu u përgjigj: Po. Atëherë, Muhammedi a.s. tha: ”Xhihadi yt është kujdesi për ta”.[27]
Në një rast tjetër një njeri iu afrua Muhammedit a.s. dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë kam ardhur, sepse dëshiroj të shkoj me ju në xhenet dhe të kërkoj kënaqësinë e Allahut dhe vendbanimin e xhenetit. Unë kam ardhur dhe i kam lënë prindërit duke qajtur”. Muhammedi a.s. i tha: “Kthehu tek ata dhe bëri të qeshin ashtu siç i ke bërë të qajnë”.[28]
Shejtani i nxitë njerëzit të veprojnë në kundërshtim me ligjin e Allahut në këtë mënyrë. Për shembull, ai i mashtron disa njerëz duke ua zbukuruar një detyrë islame edhe pse detyrat tjera islame mund të jenë më të rëndësishme, duke e preokupuar atë me të, derisa t’i lë ato vepra që janë më të rëndësishme. Ai mund ta mashtrojë një person duke e bërë të mendojë se një vepër është detyrë individuale për çdo musliaman, kur me të vërtetë vendimi për t’u angazhuar në detyra të tilla është njëra nga ato çështje të vështira që kërkon maturinë e njerëzve të kualifikuar të dijes. Ky person madje mund të mashtrohet në kritikimin e atyre që nuk marrin pjesë në veprat e njëjta. Është e mundur për njërin nga këta njerëz të fillojë të bisedojë me të tjerët lidhur me eksperiencat e tij gjatë luftës, duke përmendur gjërat që ai i ka parë dhe i ka bërë dhe duke biseduar për mrekullitë që i ka përjetuar edhe pse ngjarjet e tilla mund të mos kenë ndodhur kurrë. Unë e pashë dikë që e kishte pasur dorën e mbështjellur me fashë dhe i cili thoshte se ishte goditur me plumb në dorë gjatë një beteje. Kur u hulumtua çështja e tij për së afërmi, doli se ishte krejt një trill. Dijetarët e gjeneratave të hershme, ishin njerëzit më strikt në ruajtjen nga tendenca për t’u shtirur, sidomos kur ishte fjala për xhihad. Abda bin Sulejman Mevezi rrëfen: “Ne shkuam në një ekspeditë kundër romakëve. Na doli përpara një romak, i cili ishte shumë i fortë dhe i ashpër. Asnjë musliman nuk kishte mundësi t’i afrohej pa u goditur nga ai me shpatë. Muslimanët filluan të friksoheshin nga ky. Atëherë, një njeri i mbuluar shkoi ta sulmojë romakun duke e goditur atë derisa e mbyti me shpatë. Ai pastaj nxitoi prapa në kampin ushtarak. Unë e përcolla atë dhe e hapa mburojën e tij. Për të parë se kush ishte, doli se nuk ishte askush tjetër përpos dijetarit më të madh të hadithit dhe sheriatit Abdullah bin Mubarekut. Ai u zemërua shumë për atë që e bëra dhe tha: “A edhe ju po më përflitni“ (Abdullah bin Mubareku dëshironte të thoshte me këtë se njeriu e bëri identitetin dhe veprën e tij të njohur për publikun). Shikoni se si u mundua ta fsheh veprën e tij të mirë. Abdullah bin Mubareku ishte i aftë të angazhohej në shumë lloje të veprave të mira, si kërkimi i diturisë, lufta në rrugë të Allahut dhe dhënia e sadakasë.

15. Syefaqësia në zellin fetar
 

Një njeri i devotshëm fillon të flasë për mëkatarët, ai flet gjërësisht duke i përshkruar në hollësi mëkatet më të imta dhe ankohet. Ai madje mund të shkojë edhe aq larg sa t’i mallkojë njerëzit dhe t’i kërcënojë ata. Ai i sygjeron gjërat deri në ekstrem, sikur përpiqet të thotë: “Unë jam shumë i zellshëm për shenjtërinë e fesë, unë jam i rreptë kur është fjala për Zotin tim, Pejgamberin dhe besimtarët”. Ajo çka nuk e kupton ai është se mënyra se si bën syefaqësi është mëkat më i madh se shumë nga mëkatet që ai i diskuton dhe i qorton aq ashpër.

 

16. Neglizhimi i pamjes së jashtme
 

Kjo është një nga rrugët më dinake për të rënë në mëkatin e syefaqësisë. Shejtani mund ta inspirojë një individ të shkojë me flokë të pakrehura dhe rroba të vjetra me qëllim që të bëjë një ekspozim të asketizmit dhe përuljes. Sunneti në anën tjetër e inkurajon njeriun të kujdeset për pamjen e tij. Muhammedi a.s. i kushtonte kujdes të mirë flokëve. Ai i krehte ato dhe i parfumoste. Megjithatë rrëfehet se Muhammedi a.s. e ka ndaluar lyerjen e tepërt të flokëve me vaj.[29] Gjithashtu transmetohet se Muhammedi a.s. ka thënë: “Kushdo që ka flokë duhet t’i mirëmbajë ato”.[30]
Është e pëlqyeshme për një punonjës islamik të vishet mirë, të jetë i pastër, të kujdeset për flokët e tij dhe të ketë erë të mirë. Ai duhet të kujdeset për pamjen e tij pa e kaluar kufirin dhe pa e çuar kohën kot në të.

17. Ulja e shikimit
 

Një person mund të largojë fytyrën nga shikimi i diçkaje në një mënyrë të dukshme. Kur një burr e sheh një grua të bukur ose ndonjë pamje prej së cilës muslimani duhet ta largojë shikimin, ai jo vetëm se e largon shikimin, por edhe e kthen kokën. Tani kjo nuk është e domosdoshme. E tëra që kërkohet është ta largojë shikimin. Ai nuk ka nevojë ta bëjë këtë veprim shumë të dukshëm. Një sjellje e tillë është shtirje e syefaqësi. Ndoshta shejtani e bën këtë individ të njëjtë të vazhdojë shikime të përvjedhura të matura. Allahu thotë: “Ai di për shikimin me cep të syve, e edhe për atë që e fshehin në zemra.” [Gafir, 19]

18. Braktisja e adhurimit nga frika e rënies në hipokrizi
 

Në mes të problemeve më serioze është kur shejtani e mashtron dikë të braktisë adhurimin e tij ndaj Allahut për t’iu shmangur të qenurit hipokrit ose konsiderimit të tij si hipokrit nga të tjerët. Të marrim për shembull një recitues të Kur’anit, një mësues ose një punonjës islamik, i cili bie në disa vepra mëkatare që nuk i sheh në disa raste, si shikimi i dikujt që është e ndalueshme ta shikojë. Një person i tillë duhet të pendohet tek Allahu dhe të përpiqet të mos bie në atë mëkat përsëri. Shejtani nuk heq dorë nga kjo lehtë. Ai i sugjeron atij personi se ai është hipokrit meqë e paraqet imazhin e devotshmërisë te njerëzit, por kryen mëkate fshehtas. Tani shejtani nuk i sugjeron si zgjidhje që personi duhet të përpiqet të mposht mëkatet e tij dhe ta rregullojë veten. Në vend të kësaj shejtani e inkurajon atë të heq dorë nga punët e mira që ai i bën dhe ta braktisë shoqërinë e njerëzve të drejtë. Ai e inkurajon të heq dorë nga mësimdhënia dhe udhëheqja në namaz. Argumenti i tij është se nuk është e përshtatshme për atë individ të bëjë vepra të mira të dukshme, përderisa bën mëkate fshehurazi. Shejtani mund t’i thotë atij kështu: “Nëse njerëzit e dinë se çfarë bëni ju kur jeni vetëm, ata do të pështynin në fytyrën tuaj dhe do të shmangeshin nga ju si nga murtaja”. Shejtani vazhdon ta ngacmojë atë në këtë mënyrë derisa ai të heq dorë nga veprat e mira. Allahu thotë: “Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, e edhe në orët e afërta (me ditën) të natës. S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Kjo është një këshillë për ata që pranojnë këshillat.” [Hudë, 114]

 

19. Largimi nga shoqërimi i të tjerëve dhe izolimi i vetvetes
 

Një person mund të largohet nga shoqërimi i bashkëqytetarëve dhe t’u shmanget atyre, sepse ai mendon se ai është më i mirë se ata. Në anën tjetër, nëse ai ka vendosur t’i shmanget shoqërimit të të tjerëve me qëllim që ata të jenë të sigurt nga dëmi dhe abuzimi i tij, ai mund të ketë arsye. Kjo është ajo që e bëri imam Ahmedi kur i kufizoi bashkëveprimet me të tjerët në fund të jetës së tij. Njerëzit i thanë atij: “O imam, po thonë se e keni braktisur shoqërimin me të tjerët”. Imam Ahmedi u përgjigj: “Kush jam unë që të braktisë shoqërimin me të tjerët. Është plotësisht e kundërta, njerëzit po braktisin shoqërimin me mua”. Është gabim të braktiset shoqërimi me njerëzit e tjerë nga ndjenja e superioritetit ndaj tyre. Kjo s’është asgjë tjetër përpos mendjemadhësi dhe arrogancë. Është një mënyrë për ta lavdëruar veten. Në një hadith rrëfehet: “Kush thotë se njerëzit janë në shkatërrim, ai është më i shkatërruari prej tyre”.[31]

20. Mashtrimi me veprat e mira
 

Shejtani mund ta mashtrojë një person duke e bërë të mendojë se një vepër e vetme e mirë, si derdhja e lotëve, do t’i mjaftonte atij. Disa njerëz qajnë në namaz gjatë netëve të Ramazanit dhe ndoshta vetëm një natë në vit ose ata ndjekin namazin e taravive, pastaj shejtani i bind ata se kjo do t’ua kompenzojë çdo punë të keqe që e kanë bërë deri tani. Në këtë mënyrë ai i inkurajon ata të vazhdojnë në rrugën e mëkateve.
Ne lusim Allahun të na mbrojë nga mashtrimet e shejtanit dhe nga ky lloj i veçantë i politeizmit që ai dëshiron ta kultivojë në zemrat tona. Ne kërkojmë mbrojtje tek Allahu prej të këqijave të vetes dhe veprave tona.

PËRFUNDIM
 

Ne shpresojmë se i kemi thjeshtëzuar disa nga rrugët që mëkati i syefaqësisë mund të përvidhet te një person dhe të bëjë që veprat e tij të mos shpërblehen. Ne shpresojmë që Allahu të na dhurojë sinqeritet dhe të na ruajë nga politeizmi e syefaqësia, pa marrë parasysh se a e bëjmë me apo pa vetëdije. Allahu është i vetmi ndihmëtar. Ne përfundojmë duke thënë falënderimi i takon Allahut, Zotit të botrave, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi Muhammedin a.s., mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi ata, të cilët e përcjellin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Shkruar nga: Selman el Audeh
Përktheu nga anglishtja: Driton Maxhuni
Redaktor fetar: Bahri Curri
Redaktor gjuhësor: Avni Avdiu
Publikimi i parë elektronik nga: www.klubikulturor.com

[1] Musned Ahmed (24173, 24182, 24590); Sunen Ebu Davud (4398); Sunen Nesai (3432), hadithi është i saktë.
[2] Sahihul Buhari (6502).
[3] Sahihu Muslim (49).
[4] Sahihu Muslim (665).
[5] Sahihu Muslim (404).
[6] Sahihul Buhari (3762).
[7] Musned Ahmed (3991).
[8] Sahihul Buhari (52).
[9] Sahihul Buhari (6407).
[10] Sahihul Buhari (4423).
[11] Musned Ahmed (23634).
[12] Transmeton Hejthemi, Mexhma Zevaid (9/362).
[13] Musned Ahmed (2311927442).
[14] Sahihu Muslim (2985).
[15] Sahihu Muslim (2989).
[16] Sahihul Buhari (3613); Sahihu Muslim (119).
[17] Sahihul Buhari (731).
[18] Sahihul Buhariu (1).
[19] Sahihul Buhari (20).
[20] Sahihul Buhari (716).
[21] Sahihu Muslim (2642).
[22] Sahihu Muslim (1905).
[23] Sahihul Buhariu (123).
[24] Sahihu Muslim 114 (?).
[25] Sahihul Buhariu (2783).
[26] Sahihul Buhariu (527).
[27] Sahihul Buhariu (3009).
[28] Sunen Ebu Davud, hadithi është i saktë.
[29] Musned Ahmed (16793).
[30] Sunen Ebu Davud (4167).
[31] Sahihu Muslim (2623).

 

Back