VETËPËLQIMI

23/05/2011 21:20

Biseda rreth këtij vesit nuk është e rastit dhe s’mund të jetë e rastit. Si duket, jetojmë në një kohë në të cilën theksimi i të “gjithë aftësive” individuale dhe harresa “selektive”, që përfshin dobësitë është bërë mënyra e vetme e vetë-prezantimit dhe e vetë-vlerësimit.  

Pranimi i vetëpëlqimit në shumë/të gjitha sferat e jetës sonë individuale dhe shoqërore është një realitet i pamohueshëm. Rreshtat që po shkruaj rreth kësaj teme nuk janë rezultat i ndonjë studimi sistematik dhe rigoroz nga aspekti logjik. Ato më tepër do t’i quaja shtjellim pragmatik, rezultat i inspirimit momental i shprehur me gjuhën e një vëzhguesi/pjesëmarrësi, që synon të kontribuojë në largimin e tij nga jeta e muslimanëve .

Në ajetin që flet për dështimin fillestar të muslimanëve në betejën e Huneinit, i Madhëruari në tokë dhe qiej thotë: “Në të vërtetë, Allahu ju ka ndihmuar në shumë beteja, si dhe në ditën e (luftës së) Huneinit, kur juve ju mahniti numri juaj i madh. Por ai numër nuk ju solli dobi aspak, sepse toka ju duk juve e ngushtë, edhe pse është e gjerë dhe kthyet shpinën duke ia mbathur”. (Teube, 25)

Vetëm një çast dobësie dhe mahnitje me numrin e madh të muslimanëve që përballeshin me një ushtri numerikisht më të vogël mjaftoi, dhe toka e gjerë u bë e ngushtë. Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, duke e komentuar pjesën e ajetit ...kur juve ju mahniti numri juaj i madh... thotë: Disa prej tyre thanë: Nëse sot pësojmë disfatë shkak nuk do të jetë numri i vogël i ushtarëve tanë.

Vetëm kjo fjali, nga e cila që prej së largu mundet të nënkuptohet, se tek sahabët ekzistonte mbështetja vetëm tek lidhshmëria shkakësore mes numrit të ushtarëve dhe fitores në betejë ishte shkak i disfatës në fillim të betejës. Nëse duke e analizuar këtë fjali, me një shkallë vlerësimi prej një deri në dhjetë (minimumi njëshi, ndërsa maksimumi dhjeta) sikur ta masim këtë vetëbesim dhe vetëmburrje tek sahabët, që e përjetuan këtë ndodhi, me siguri që shumica atë do ta vlerësonin me një notë të ulët. Pikërisht këtë vetëbesim, nga kjo distancë kohore i vlerësuar me “kriteret” tona si i ulët dhe i pahetueshëm, Allahu e emëroi si vetëpëlqim dhe e ka nxjerrë si shkak për disfatë.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ndërmjet veseve shkatërrimtare për njeriun përmend edhe vetëpëlqimin. Ai thotë: “Tre gjëra janë shkatërruese: epshi i pasur, koprracia së cilës i nënshtrohemi dhe vetëpëlqimi i njeriut me mendimin që e ka”.

Ebu Thalebe Husheniu, Allahu qoftë i kënaqur me të, shkoi tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe e pyeti për ajetin: “O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë.” (Maide, 5). I Dërguari i Allahut tha: “E ke pyetur atë që ka njohuri për këtë, urdhërohuni në të mira dhe ndaloni nga të shëmtuarat deri sa të mos shihni koprraci së cilës njerëzit i nënshtrohen, epshe të pasuara, dhënie përparësi dynjasë dhe vetëpëlqim i njeriut me mendimin që e ka. Atëherë kujdesuni vetëm për veten dhe largohuni nga popullata, sepse do të vijnë ditë në të cilat durimi do të jetë si kapja e gacës. Ai që në atë kohë bën të mira do të ketë shpërblimin e pesëdhjetëve që bëjnë vepra si tuajat.” (E përcjell Tirmidhiu, hasen)

Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: Shkatërrimi është në dy gjëra; në humbjen e shpresës (nga mëshira e Allahut) dhe në vetëpëlqimin. Asnjëri prej tyre nuk angazhohet dhe nuk kërkon (falje). Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: Vetëpëlqimi është e kundërta e së drejtës dhe është dështimi i të mençurve.

Mutarrifi thotë: Ta kaloj natën në gjumë (pa u falur) dhe të gdhihem me pendim është më e dashur për mua, se sa ta kaloj natën në adhurim dhe të gdhihem me vetëpëlqim.

Bishër b. Mensuri ishte prej atyre që ta kujtonin Allahun dhe ahiretin. Një ditë pasi u fal gjatë e pa një njeri që po e priste dhe i tha: Mos u mashtro me atë që pe. Iblisi, qoftë i mallkuar, për një kohë të gjatë bëri ibadet së bashku me melekët dhe pastaj përfundoi ashtu si përfundoi.

Imam Gazaliu duke e përkufizuar vetëpëlqimin thotë: Vetëpëlqimi është mbivlerësimi i një mirësie që ka njeriu dhe mos-përshkrimi i saj Dhuruesit (Allahut). Një dijetar tjetër i këtij Umeti thotë: Vetëpëlqimi është mburrje me vetveten, zmadhimi i punëve të bëra dhe mbështetja në to, mosnjohja e tyre Dhuruesit (Allahut). I sprovuari me këtë ves ballafaqohet me mospranimin e veprave, me fshehjen e cilësive të mira dhe me kritikën që i shprehet prej njerëzve.

Vetëpëlqimi është i ndaluar, sepse është një formë e shirkut. Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: Shpeshherë shtirjes i bashkëngjitet vetëpëlqimi. Tek shtirja (puna për sy e faqe) krijesat ngrihen në piedestalin e hyjnisë para së cilës shtiremi, ndërsa tek vetëpëlqimi ajo ndodh me vetveten. Shtirësi nuk e realizon pjesën e ajetit: Vetëm Ty të adhurojmë, ndërsa tek vetëpëlqimi nuk realizohet: dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Ai që në jetën e tij arrin ta zbatojë ajetin: Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë do të shpëtojë nga rijaja dhe vetëpëlqimi.  

Në shumicën e rasteve viktimat e vetëpëlqimit janë të dalluarit në ndonjë lëmi të dijes, apo në ndonjë fushë të veprimit, të vetëdijshmit për cilësitë e tyre që si zakonisht janë: dija, pasuria, bukuria, trimëria dhe të ngjashmet. Sipas Ibën Kudames relacionet e njeriut me begatinë që e ka shfaqen në tre forma:

Forma e parë: që njeriu të frikësohet se mos e humb atë cilësi me të cilën dallohet dhe kjo nuk quhet vetëpëlqim, sepse njeriu që frikësohet nga humbja e ndonjë cilësie që ka, nuk mbështetet në të.

Forma e dytë: Të mos frikësohet nga humbja e cilësisë së mirë që ka, por të gëzohet me të duke e ditur se është begati prej Allahut. Edhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë me vetëpëlqim, sepse njeriu në fjalë nuk ka harruar se këtë cilësi e ka dhunti prej Allahut.

Forma e tretë: Atë e gjejmë tek njeriu, i cili nuk e merr në konsideratë mundësinë e privimit të tij nga cilësia që ka. Atë cilësi nuk e shikon nga aspekti i dhuntisë hyjnore. I njëjti njeri gëzohet me këtë cilësi dhe mbështetet plotësisht në të. Atë nuk e sheh si mirësi prej Allahut dhe nuk e mendon se ndonjëherë ka mundësi që ta humbë atë.

Pasojë e vetëpëlqimit është mendjemadhësia, e cila shfaqet me refuzimin e së vërtetës dhe përçmimin e njerëzve. Maverdiu thotë: Vetëpëlqimi i fsheh mirësitë, i shfaq mangësitë, bëhet shkak për kritika dhe të largon nga gjërat e vlefshme. Urrejtja e shkaktuar nga mendjemadhësia nuk ka kufi dhe injoranca drejt së cilës të çon vetëpëlqimi nuk ka skaj. Të sprovuarit me këtë ves i harrohen të mirat dhe i përhapen të këqijat... është një e ligë, e cila i asgjëson të mirat.

Vetëmashtrimi, glorifikimi i mendimit që jep, siguria nga dënimi i Allahut, mos-përfitimi nga këshillimi dhe konsultimi, mbyllja e rrugëve që të çojnë drejt urtësisë, vetmia dhe izolimi janë vetëm disa nga pasojat e vetëpëlqimit. Vetëpëlqimit mundemi t’i shmangemi nëse i dimë shkaqet e tij. Injoranca është shkaku i parë i vetëpëlqimit, sepse ky nënkupton injorancën më të madhe, e cila është mosnjohja e Krijuesit dhe Dhuruesit. Gazaliu përmend edhe këto shkaqe të vetëpëlqimit:

Injoranca, mungesa e vetëpërmbajtjes, mungesa e devotshmërisë, dobësia e vetëdijes për mbikëqyrjen e Allahut, qëllimi i keq, numri i vogël i këshilluesve dhe numri i madh i lavdëruesve, mashtrimi pas bukurive të kësaj dynjaje, pasimi i epshit, shpirti që anon nga e keqja, mungesa e meditimit, falënderimit dhe e lartësimit të Allahut, mospërfitimi nga ajetet e Kuranit dhe hadithet e të Dërguarit, siguria nga dënimi i Allahut dhe mbështetja tek falja dhe mëshira e Allahut. Po të mendonte qoftë edhe pakëz robi, ai do të kuptonte se dhuruesi i çdo të mire është Allahu. Duke i pasur parasysh këto shkaqe dhe duke u munduar t’u shmangemi atyre me ndihmën e Allahut do ta fitojmë vetëpëlqimin.

Me mbështetjen e Allahut realizohen qëllimet.

Revista Albislam Nr. 69

 

Albislam.com

 

 

Back