Lidhja nënë-fëmijë - Atashimi

25/05/2011 21:45

 

Shumë prindër gabimisht e barazojnë të qenit prindër me disiplinën. Përkujdesja e mirë për fëmijën fillon qysh nga dita e parë e lindjes duke themeluar atë që quhet atashim ose lidhje me fëmijën.
Urime! Ju dhe bashkëshorti juaj keni sjellë në jetë një vogëlush topolak. Duke u njohur me këtë deng të vogël ju filloni t’i bëni vetes shumë pyetje: “Si do ta përballoj këtë përgjegjësi të re? A do të jem e aftë ta rrit të shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht? A do të jem e aftë ta mbroj këtë fëmijë nga të këqijat e kësaj shoqërie? Për çfarë kam unë nevojë të di dhe të veproj me qëllim që të ndërtoj tek ai një karakter të fortë prej Muslimani?” Nuk ka rëndësi nëse është fëmija i parë apo i disati në rradhën e bekimeve, e njëjta pyetje na mundon sa herë që vjen në jetë një qenie e re. Në këtë artikull do të përpiqemi të depërtojmë në mënyrat që do të na çojnë drejt rezultateve pozitive për shqetësimet që ngritëm. P.sh. po përdorim një analogji me kubat e lodrave, të parat janë ato që vendosen në kohën e lindjes. Shumë njerëz mendojnë se detyra e të qenit prind nuk fillon derisa fëmija të ecë dhe të fillojë të flasë dhe të bëjë prapësira, duke merituar një lloj disipline prej prindërve. Të qenit prind shpesh barazohet me disiplinën. Kjo mënyrë të kuptuari është e pasaktë, sidoqoftë, sepse të jesh një prind i mirë fillon qysh në lindjen e fëmijës me një fenomen të njohur si lidhje apo atashim.

Ç’është atashimi?

Atashimi është formimi i lidhjeve emocionale të qëndrueshme midis foshnjes dhe një personi të veçantë në botën e tij apo të saj dhe sjell qetësim nga prania e saj. Ai është një proces që ndodh me kalimin e kohës dhe që përfshin një marrëdhënie reciproke afeksioni midis tyre. Ky ndërveprim zakonisht ndodh në këtë mënyrë:
1. foshnja qan apo shpreh parehati apo shqetësim;
2. nëna kujdeset për të i përgjigjet në një mënyrë të vëmendshme dhe me dashuri duke i përmbushur kërkesat e foshnjes;
3. foshnja qesh dhe guget në shenjë kënaqësie;
4. nëna kënaqet kur mëson se ajo mund ta kënaqë foshnjen dhe jep një përgjigje të tillë.
5. Është një ndërveprim i bukur dhe harmonik i cili është pjesë e planit universal të Allahut. Kjo lidhje mbjell farat e lidhjeve sociale dhe komunitare, lidhje të cilat janë shumë të rëndësishme në Islam.

Nga gjysma e dytë e vitit të parë foshnjat tashmë janë lidhur me njerëzit e afërt, të cilët i janë përgjigjur nevojave të tyre për përkujdesje fizike dhe stimulim. Lidhja e atashimit ka rrënjë të forta biologjike.
Në periudhën 6-8 muajsh, kur foshnjat shohin një të panjohur hidhen në krahët e nënës dhe nuk ndahen prej saj. Në këtë periudhë ato përjetojnë atë që quhet ankthi/frika nga i huaji.
18 muajsh- 2 vjet ato përjetojnë ankth kur nëna nuk është aty.

Shfaqja e këtij ankthi sugjeron se foshnjat kanë një të kuptuar të qartë të faktit se nëna ekziston, edhe pse nuk është aty. Foshnjat e vogla dhe më të rritura, përveç që protesojnë largimin e prindit, por ato reagojnë qëllimisht për ta ruajtur praninë e tyre. Ato afrohen dhe ngjiten tek nëna kur me ta ndodhen edhe njerëz të tjerë dhe e përdorin atë si një bazë të sigurt nga ku eksplorojnë dhe më pas të kthehen për mbështetje emocionale. Ndikimi i fuqishëm i lidhjes afeksionale të nënës shihet kur ajo mungon.
Punësimi i nënës
Përgjatë dy dekadave të fundit gratë janë përfshirë në krahun e punës në numra rekord. Sot, mbi 60% e nënave Amerikane, me një fëmijë nën moshën 2 vjeç janë të punësuara (statistikë e vitit 1995).
Në përgjigje të kësaj tradite, studiuesit, po ashtu edhe njerëzit e zakonshëm kanë ngritur pyetje rreth ndikimit të kujdesit ditor nëpër çerdhe dhe kopshte dhe ndarjes së përditshme të nënës nga fëmija mbi lidhjen e atashimit.
Studimet e fundit tregojnë se fëmijët të cilët vendosen në një kujdes ditor me kohë të plotë para 12 muajve të parë të jetës, ka më shumë të ngjarë të shfaqin atashim të dobët me nënën, sesa ata që rriten në shtëpi. Në një seri studimesh René Spitz (1946) studiuan bebet në institucione, të cilët ishin futur aty që nga muaji i 3-të deri në fund të vitit të parë. Në kontrast me sjelljen e shkujdesur dhe çehren e lumtur që kishin më parë, ata qanin dhe ishin krejtësisht të tërhequr në vetvete, kishin rënë nga pesha dhe kishin vështirësi për të rënë në gjumë.
A do të thotë kjo se bebet të cilat përjetojnë ndarje të përditshme nga nëna janë në rrezik përsa i përket zhvillimit të tyre multidimensional? Disa studiues mendojnë se po, (Belsky&Braungart, 1991; Sroufe, 1988).

RËNDËSIA E ATASHIMIT

Për të përshkruar rëndësinë e atashimit do të thoshim se është i një rëndësie jetike për fëmijën, sepse ai mund të ndikojë zhvillimin psikologjik dhe social të fëmijës. Kërkimet shkencore kanë treguar se fëmijët të cilët kanë qenë të lidhur ngushtë me nënën në foshnjëri rriten duke qenë më kompetentë në disa shprehi sociale dhe njohëse: ata janë më kuriozë, bashkëpunojnë më shumë me të tjerët, më të aftë, më të prirur për të marë vendime dhe për t’u vetëudhëhequr, më të pavarur se sa ata të cilët kanë patur një atashim të dobët. Ata gjithashtu janë të prirur të kërkohen për shoqëri nga të tjerët dhe zgjidhen për t’u bërë udhëheqës. Në shkollë, ata ndërveprojnë me mësuesit në mënyrë miqësore dhe të përshtatshme dhe ka më shumë të ngjarë të jenë më të pavarur, dhe u kërkojnë ndihmë mësuesve vetëm atëherë kur duhet. Përkundrazi, fëmijët të cilët kanë patur një atashim të dobët janë më të prirur për të përjetuar më shumë vështirësi në këto fusha dhe këto pasoja mund të mbarten edhe në vitet që pasojnë. Është zbuluar se atashimi i dobët është një nga faktorët në ekuacionin që shpjegon problemet që shfaqen në adoleshencë, të tilla si: kriminaliteti, shtatzania në adoleshencë, përdorimi i drogës dhe alkoolit dhe të tjera.
Rëndësia e madhe e atshimit së nënës me fëmijën shihet edhe në faktin se, faza më e efektshme edukative në transmetimin e kulturës tek brezi i ri është periudha intensive e të mësuarit gjatë fëmijërisë, kur fëmija përjeton marrëdhënie fytyrë më fytyrë në atmosferën emocionale të familjes.
Rezultatet e kërkimeve në Psikologjinë e zhvillimit tregojnë se dy të tretat e rritjes multidimensionale të fëmijës (fizike, intelektuale, ndjesore, gjuhësore, sociale, individualiteti, etj) zënë vend gjatë periudhës së 6 viteve të para të jetës. Në këtë periudhë, ku rritja psiko-sociale e fëmijës është shumë e shpejtë, përcaktohen njëherë e përgjithmonë vijat e trasha të karakterit, personalitetit dhe sistemit të egos, të cilat përmbajnë kodet kryesore të sjelljeve që do të shfaqen përgjatë gjithë jetës së individit.
Një zbulim tjetër i kërkimeve shkencore është se marrëdhënia nënë –fëmijë dhe ndikimi reciprok kanë role kyç dhe përbëjnë parametrat më të efektshëm që ndikojnë këtë proces rritje të shpejtë multidimensionale.
Marrëdhia sociale e parë dhe më vitale, e cila ndikon reciprokisht të dy palët, që përjeton njeriu në jetë, është marrëdhënia nënë – fëmijë. Marrëdhënia nënë – fëmijë, duke qenë se është marrdhënia më e ngushtë, më intensive dhe më ndikuese, është e pashoqe. Kjo për faktin se, kur hyn në këtë marrëdhënie, fëmija, i cili gjatë lindjes përjetoi një ndarje dramatike dhe të jashtëzakonshme si në kuptmin fizik, ashtu edhe në atë metafizik, e lidh veten e tij me nënën duke qenë i shtyrë nga nevoja instiktive e atashimit, me qëllimin për të larguar dhimbjet dhe hidhërimin, që e kanë burimin nga ndarja biologjike, e cila e bën fëmijën të ndjejë se jeta e tij është në rrezik. Forca, thellësia, dhe vazhdimësia e atashimit do të mjaftonin për të shpjeguar ndikimin përcaktues dhe jetëgjatë të nënës mbi karakteristikat psiko-sociale të fëmijës gjatë procesit të edukimit.

Si e ndërton një prind lidhjen e fortë me fëmijën e tij/të saj dhe si krijon një atashim të sigurt?

1. Qëndroni në shtëpi me fëmijën. Kjo është situata ideale për nënën dhe fëmijën. Allahu i ka caktuar gruas rolin e rritësit dhe përkujdesësit dhe i ka krijuar ato me karakteristika të tilla që përputhen me rolin e saj. Meqenëse atashimi zhvillohet nëpërmjet shumë ndërveprimeve midis prindit dhe fëmijës dhe merr kuptim vetëm atëherë kur ata të jenë bashkë, në mënyrë që ky atashim të zhvillohet. Kur një nënë shkon në punë vetëm pas 6 javësh pas lindjes, krijohet një situatë me të vërtetë shqetësuese duke e lënë fëmijën 10 orë në ditë në çerdhe. Ajo kthehet në shtëpi e raskapitur dhe e mbaruar dhe nuk është në gjendje të ketë ndërveprim me fëmijën dhe më shumë kohë kushtuar vetëm atij.

2. Gjidhënia. Allahu i ka pajisur njerëzit me një teknikë natyrale për zhvillimin e atashimit nëpërmjet gjidhënies: "Nënat duhet t’i japin gji të vegjëlve të tyre për dy vite të plota.” [2:233]; "Mbartja e tij dhe gjidhënia është tridhjetë muaj.” [46:15]. Ky është edhe një argument i mençurisë së pafund të Allahut që vetëm vitet e fundit është provuar shkencërisht. Prej gjidhënies vijnë dobi të shumta shëndetësore po ashtu edhe efekte emocionale dhe sociale që zgjatin për një jetë të tërë. Këto dobi do të trajtohen në artikujt në vijim.

3. Përgjigjjuni nevojave të foshnjes sa më shpejt të jetë e mundur. Një pjesë e rëndësishme e procesit të atashimit përfshin besimin. Kur plotësohen nevojat e foshnjes, ai ose ajo zhvillon besim tek nëna dhe tek të tjerët (kur të rritet). Të qarat dhe ankesat janë formë e komunikimit që sinjalizojnë se diçka nuk shkon dhe është përgjegjësia e nënës të vendosë se çfarë duhet bërë. Prindërit me përvojë janë të aftë të dallojnë midis llojeve të ndryshme të të qarave dhe nevojat që lidhen me to. Gjithashtu është e mundur të ndjejmë shenjat e para të nevojave dhe të kujdesemi për to para se të shqetësohet foshnja. Nënat të cilat e bëjnë këtë, zakonisht kanë fëmijë të cilët janë shumë të kënaqur, të sigurt dhe të këndshëm.

4. Komunikoni me foshnjen. Ka shumë mënyra për t’i dërguar mesazhe dashurie dhe përkujdesje fëmijës tuaj. Këto përfshijnë: të folurit me një zë të butë, përgjigjja ndaj tingujve që lëshon ai duke gugatur si ai, duke e imituar, të kënduarit, buzëqeshja, përqafimi, ledhatimi, masazhimi, kontakti sy në sy dhe shumë të tjera. Nënat dhe foshnjet zhvillojnë gjuhën e tyre të veçantë e cila është me të vërtetë shprehja e dashurisë për njëri-tjetrin. Një nga dhuratat më të bukura prej Allahut është një buzëqeshje e gëzuar e foshnjes që thotë “Mua më duan dhe përkujdesen për mua dhe unë e rikthej këtë dashuri.” Çfarë sinkronie e habitshme!
Ndjekja e këtyre këshillave nuk garanton që fëmija do të zhvillohet sipas dëshirave tuaja, por është një themel fillestar, i shëndoshë i cili do të japë një bazë mbi të cilën do të ndërtoni. Gjithashtu është e rëndësishme të përkujtoni gjatë gjithë procesit ndërtues të edukimit se fëmijët janë sprovë për ne dhe gjithmonë duhet t’i mbështetemi Allahut.

 

 

Back