Përmbajtja edukatës familjare

25/05/2011 21:47



1. Çfarë kuptojmë me përmbajtje të edukatës familjare?

Prindi e në përgjithësi familja duhet të dijë e ta ketë të qartë se çfarë duhet të edukojë tek fëmijët e vet. Prindi që ka një ose më shumë fëmijë dëshiron t’i edukojë, por cila është përmbajtja e kësaj edukate që do të transmetojë tek brezi i ri?
...Këtë po e sqarojmë me një shembull nga puna e shkollës. Sapo fëmija hyn në klasën e parë, detyra fillestare është të mësojë këndim e shkrim. Me abetare në dorë, pas shumë përpjekjesh të mësuesit, të prindit dhe të vetat arrin të mësojë të lexojë e të shkruaj, merr elementet e para të njohurive nga aritmetika, nga natyra e kështu me radhë. Po në shtëpi, kur është pa u futur në shkollë, në ç’fusha duhet të edukohet? Duhet ta kemi të qartë se shtëpia nuk është shkollë në kuptimin konkret të fjalës. Ndërsa shkolla punon në mënyrë sistematike me plane mësimore, me programe, me tekste të posaçme për çdo lëndë e për çdo klasë, pra, nëse mund të shprehemi kështu, bukën e madhe të sofrës së diturisë ajo e ndan në copa të mëdha për çdo klasë, pastaj në rriska për çdo lëndë e më në fund në kafshata herë të vogla e herë më të mëdha aq sa nxënësi mund t’i kapërdijë për çdo orë mësimi, familja nuk ndjek këtë rregullsi sistematike të shkollës, ajo punon në mënyrë më të natyrshme, pa zyrtarizëm, në mënyrë të drejtpërdrejtë me fëmijën, madje në mënyrë më të kujdesshme. Nëna e sheh fëmijën orë e çast dhe e kupton fort mirë se ku i dhëmb dhe si mund t’ia largojë të keqen. Megjithëkëtë çdo prind duhet ta ketë të qartë se çfarë duhet të edukojë, ku duhet të arrijë, cila është përmbajtja e punës edukative që duhet të bëjë me fëmijët e vet, pra cila është përmbajtja e edukatës në familje, cilat janë ato pjesë të asaj buke të madhe që shtrohet në sofrën e edukatës familjare.

Pjesë përbërëse të edukatës familjare janë: edukata fizike, mendore, morale, estetike dhe edukata e punës. Të gjitha këto marrin vlera më të mëdha, kur kanë në themel të tyre idealet e larta të fesë, kur synojnë përgatitjen e thellë shpirtërore për t’iu bindur urdhrave të Allahut xh.sh. dhe mësimeve të traditës pejgamberike dhe kur stërviten për të vepruar në bazë të tyre. Kështu ditë për ditë njeriu që në fëmijëri mësohet që veprimet e thjeshta e në dukje të vogla t’i kthejë në adhurime dhe vlerësime për Krijuesin Plotfuqishëm.

2. Pjesët përbërëse të edukatës janë të lidhura me njëra–tjetrën

Edukata në familje nuk është diçka e copëtuar. Jo, njeriu është një dhe edukata është një e tërë, por ne i ndajmë pjesët e saj për lehtësi kuptimi dhe studimi. Po e shpjegojmë këtë me një shembull të thjeshtë. Çdo fëmijë ushtrohet derisa t’i bëhet shprehi që, kur të zgjohet nga gjumi, duhet të lajë duart dhe fytyrën. Ky rregull, ky zakon i mirë, kjo shprehi ndikon në zhvillimin e mirë fizik dhe shëndetësor të fëmijës. Por ky zakon, sa ka vlera higjenike aq është edhe edukim estetik. Një fëmijë i pastër, i larë, i veshur, i krehur është edhe i bukur, ka një paraqitje të hijshme. “I shëndoshti, i bukuri”, - thotë populli. Kështu është. Mendoni një fëmijë shëndetlig, ai është i dobët fizikisht, i verdhë, i ngathët, ai nuk është as i hijshëm.

Këtu kemi të bëjmë edhe me edukimin mendor. Fëmija duhet të dijë se, kur duart janë të ndotura, kanë shumë mikrobe e ata duke prekur bukën, futen në trupin tonë e bëhen shkak për shumë sëmundje. Shumë fëmijë infektohen nga papastërtitë. Në fund të fundit duke vënë një rregull, duke shtruar një kërkesë, fëmija stërvitet që ta plotësojë atë, bëhet i kujdesshëm dhe i vëmendshëm ndaj vetvetes, që të kryejë pa ndërprerje detyrën, lufton dembelinë që ngre krye orë e çast. Në këtë mënyrë ushtrohet rregulli, përpikmëria dhe gatishmëria për të kryer një punë. Shumë fëmijë përtojnë të lahen, të ndërrohen, të vishen, të krihen e të tjera gjëra të vogla, por që i vënë ata në marrëdhënie me veten e me të tjerët. Kur ai mësohet të kryejë disa detyra me rregull në fëmijëri, do të vazhdojë kështu për tërë jetën. Ky është edukimi moral shumë i dobishëm për njeriun. Kështu mund të sjellim shumë shembuj për të arritur në përfundimin se pjesët e edukatës në familje nuk janë të ndara, por të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Nuk edukojmë sot trupin, nesër mendjen, një ditë tjetër sjelljen e pastaj shijet estetike. Jo, këto janë të ndërtuara, të lidhura e ndërvarura ngushtë njëra me tjetrën.

Të gjitha këto veprime të thjeshta e të vogla, me pak kujdes e përkushtim mund të marrin vlera shumë më të mëdha edukative nësë bëhen në emër të Zotit xh.sh. dhe duke ju mbështetur Atij. Fëmija duke parë në moshë të njomë nënën apo babain që, sapo fillojnë një veprim i drejtohen Allahut xh.sh. për ndihmë e mbështetje, fillojnë edhe ata të bëjnë bismil-lahi. Kështu, edhe një veprim i thjeshtë siç është fillimi i të ngrënit, kthehet në një adhurim. Po kështu, sapo mbaron bukën, fëmija falenderon Allahun xh.sh. që i fali të gjitha të mirat në sofrën e shtruar dhe që ja bëri të mundur të ngrënët. Në këtë mënyrë nga dita në ditë, nga gjërat e vogla e të thjeshta të jetës fëmija mësohet të madhërojë Krijuesin, Mëshiruesin, Të Plotfuqishmin, e përmend Atë shpesh e më shpesh, e falëndëron dhe e madhëron. Ai duke u kënaqur nga gjërat e thjeshta shton dashurinë e nderimin për të Plotfuqishmin, e lidh veten gjithnjë e më ngusht me Të, në zemrën e tij të vogël lulëzon dashuria dhe nderimi për Allahun xh.sh. Kjo është një cilësi dalluese e besimtarit të devotshëm islam. Këto themele të hedhura në fëmijëri do ta kthejnë më vonë jetën e fëmijës në një adhurim të pafund. Ai do të veprojë gjithnjë në bazë të mësimeve të Zotit xh.sh. dhe do të zbatojë urdhërat e Tij.

Pjesët përbërëse të edukatës në familje të lidhura ngushtë njëra me tjetrën e të mbështetura fort në mësimet e larta të fesë Islame do të kenë pa tjetër rezultatet e duhura në edukimin e drejtë të fëmijëve dhe të të rinjve.
Po paraqesim në formë të përmbledhur të gjitha pjesët e edukatës, secilën prej tyre do të përpiqemi ta trajtojmë më poshtë.

Edukimi fizik

Mirërritja e trupit është themeli mbi të cilin do të mbështetet i gjithë zhvillimi mendor, moral etj. Në një trup të shëndoshë është edhe një mendje e shëndoshë. Kur nuk ke shëndet, nuk të bie në mend për asgjë. Në edukimin fizik duhet të dallojmë dy anë të problemit: punën që bën prindi, kujdesin e tij për shëndetin e fëmijës, për higjienën personale, ushqimin, veshjen, lojën, pushimin etj., por edhe aftësinë që vetë fëmija të kryejë disa nga veprimet më fillestare duke nisur nga vetshërbimi. Nëna apo më të rriturit do të kujdesen për fëmijën deri në një moshë të caktuar, por vetë fëmija dora-dorës duhet të aftësohet e të kujdeset për veten. Teprimet e prindërve në emër të kujdesit bëjnë që fëmijët të kërkojnë diçka gati prej më të mëdhenjve, gjë që kultivon dembelizmin, pazotësinë për të organizuar veten e punët e veta, paaftësinë për të kryer me rregull e me radhë disa veprime që lidhen me trupin e me shëndetin.
Është e rëndësishme që edhe në familje të zhvillohen disa cilësi fizike, si: shkathtësia, shpejtësia, elasticiteti, forca, rezistenca, etj., por edhe disa cilësi morale që lidhen me zhvillimin fizik, si: guximi, durimi, bashkëpunimi e ndihma reciproke, ndihma ndaj më të dobtëve, nevojtarëve, të varfërve etj.

Edukimi mendor

Mendja është xhevahir. A ka gëzim më të madh për një familje, sesa të ketë fëmijë të zgjuar? Natyrisht, në fushën e edukimit mendor shkollës i takon puna më e rëndë, sepse ajo është institucion i specializuar për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, por edhe familja luan rolin e vet, bile në disa fusha ka përparësi. Po parashtrojmë ndonjë shembull.

Aftësia për të folur. Kush e bën këtë punë më mirë se nëna? Shkolla e lëmon, e qëndis, e kulturon gjuhën, por themelet e saj (leksikun, frazeologjinë, shqiptimet fonetike, ndryshimin e fjalëve dhe lidhjet e tyre në fjali) fillojnë e fitohen në familje. Shpeshherë shkolla e ka të vështirë, madje të pamundur të ndryshojë disa trajta të shprehuri apo të shqiptuari që merren në fëmijëri në familje. Kujtoni p.sh. të folmen në dialekt. Rritet e plaket njeriu dhe nuk ndryshon dot disa shqiptime, sado të punojë shkolla dhe mjetet tjera në këtë fushë.
E kjo nuk ngjet vetëm me gjuhën, por edhe me disa aftësi, shpehi e njohuri tjera, si: ato të mbarështrimit të shtëpisë, të ekonomisë shtëpiake, të gatimit, të qëndisisë, të disa punëve të thjeshta bujqësore e blegtorale etj. Në këto fusha e në shumë të tjera edukata familjare ndikon dukshëm, shpesh ka përparësi ndaj shkollës.

Aftësia për të përceptuar. Zhvillimi i shqisave, vrojtimi, mprehja e dëgjimit, të prekurit, shijimi, të nuhaturit fillojnë të zhvillohen në familje, ndërsa shkolla vetëm sa i zgjëron dhe i përpunon në drejtimin shkencor. Vini re kujdesin e të gjithë pjesëtarëve të familjes për reagimin e fëmijës ndaj dritës, ndaj krismave, ndaj ujit të ngrohtë apo të ftohtë etj., veprime të vogla që kryhen orë e cast në familje në mënyrën më të natyrshme, gjë që shkolla nuk do të arrinte ta bënte kurrë. Mësuesi nuk mund ta zëvendësojë kurrë kujdesin e nënës që fëmija të fillojë të belbëzojë e më vonë të flasë apo të ecë. Nuk po zgjatemi këtu për rolin e përrallave, tregimeve, lojërat e fjalëve (fjalëshpejtat), gjëegjëzat, shprehjet e bukura popullore që më mirë se në familje nuk mund të përdoren asgjëkundi.
Konceptet e para fëmija i merr në familje, si: nënë, babë, vëlla, motër, fruta, ushqime, emërtimet e rrobave, po kështu krahasimet e para, klasifikimet, abstragimet etj.

Edukimi moral

Ky është një problem shumë i gjërë, por duam të theksojmë se s’ka shkollë dhe asnjë mjet tjetër që të shlyej nga zemra dhe ndërgjegjja e fëmijës, madje edhe e të rriturit ato ndjenja të larta morale që merren në shtëpi, si: ndjenja e dashurisë, e respektit, e dhembshurisë, e sakrificës ndaj të dobëtve, pleqve, të varfërve e nevojtarëve. Kush mëson të nderojë pleqtë në familje, do t’i nderojë edhe në rrugë dhe kudo në jetë. Kush është mësur të bëjë veprime fisnike duke sakrifikuar për pjesëtarët e famijes, sakrifikon pa hezitim edhe për të tjerët. Kush e do shtëpinë e vet, familjen, lagjen apo katundin, shokët e miqtë e vet, do të dijë të dojë dhe të respektojë edhe të tjerët. Po kështu ndjenja e nderit, e dinjitetit, e turpit, aftësia për të përmbajtur veten nga veprimet e ndaluara (harami), respekti ndaj vetes dhe të tjerëve, zakonet e mira të mikpritjes ku mund të mësohen më mirë se në shtëpi, në gjirin e familjes? Kështu mund të flasim për atdhetarizmin, qëndrimin ndaj punës, ndaj pronës etj. ndjenja të larta morale.

Edukimi estetik

Në familje merren konceptet e para për të bukurën e kategoritë e tjera estetike, fitohet përvoja fillestare e përceptimit të së bukurës kudo: në të folur, në sjellje, në të veshur, në lëvizje, në mbarështrimin e shtëpisë, në natyrë, në art etj. Krijohen edhe aftësitë e para për ta vlerësuar të bukurën dhe për ta krijuar atë. Sa gjëra të mira, të dobishme dhe të bukura mund të fillojnë të krijojnë fëmijët në familje nën drejtimin, shembullin dhe nxitjen e prindërve!

Edukata e punës

“Pëlhurës shihi anën, vajzës (fëmijës) nanën”, - thotë populli. Dembelët dhe punëtorët rriten në shtëpitë tona. Asnjë fëmijë nuk ka lindur punëtor apo dembel, ai është bërë i tillë. Ku? Në familje në radhë të parë. Lidhur me edukimin e fëmijëve në punë ka shumë koncepte të gabuara që gjallojnë në familje. Fëmijët duhet të kryejnë të gjitha punët që u takojnë duke filluar nga vetshërbimi, por jemi kundër tendencës së disa prindërve që i shohin fëmijët e vet të mitur si burim i të ardhurave, duke i shfrytëzuar që kur janë ende të njomë.

Feja jonë Islame i sheh të gjitha problemet e edukimit me shumë seriozitet dhe jep këshilla e porosi që janë me shumë vlerë për të gjitha kohët. Ne do të kemi rast të flasim për këtë, kur do të trajtojmë aspektet e veçanta të përmbajtjes së edukimit në familje.

Shkruan: Islam Dizdari

 

 

Back