Zemërimi është këshillues i keq

25/05/2011 20:39



Të dashur vëllezër e motra, zemërimi dhe gjaknxehtësia bëjnë pjesë ndër vetitë e këqia të njeriut. Njeriu që zemërohet shpejt dhe nevrikoset pa arsye, zakonisht ka marrëdhënie të këqia e të tensionuara me njerëzit e tjerë si dhe është në konflikt të vazhdueshëm me ambientin që e rrethon. Kjo veti e shëmtuar mund të ketë pasoja negative, sepse personi që vuan nga kjo, mund ta gjejë veten lehtësisht nën ndikimin e shejtanit dhe për rrjedhojë të bëjë gjynahe. Njeriu gjaknxehtë është si guri shkëmbor që rrokulliset apo si treni të cilit i janë prishur frenat. Shkatërron gjithçka gjen përpara dhe asgjë s`mund ta ndalojë.

Gjaknxehtësia e sëmurë e çon njeriun drejt veprimeve të nxituara e të pamenduara, për të cilat do të pendohet më vonë. Në raste ekstreme mund të çojë në gabime të pandreqshme si për shembull vrasja e një personi të pafajshëm apo ndarja e nxituar dhe e pamenduar nga bashkeshorti ose bashkëshortja.

Gjaknxehtësia mund ta detyrojë njeriun të humbasi kontrollin e fjalës duke bërë kështu që të thotë gjëra që në kushte normale dhe në qetësi nuk i thotë kurrë.

Sidoqoftë duhet thënë se gjaknxehtësia mund të luftohet. Po kështu, është e vërtetë që të jesh i sukseshëm në këtë luftë, nevojitet jo vetëm vullneti i fortë, vendosmëria dhe durimi i madh, por mbi të gjitha nevojitet besimi i fortë e me sinqeritet tek fakti se Allahu na ndihmon në luftën në fjalë.

Në Kuran dhe në synetin e Pejgamberit gjejmë këshilla të çmuara:

1. Një menyrë se si mund të mposhtet gjaknxehtësia është kërkimi i strehimit dhe i mbrojtjes tek Allahu. Një nga shokët e Pejgamberit ka thënë: „Një herë po rrinim me Pejgamberin dhe pamë sesi dy burra po shaheshin me njëri-tjetrin. Njërit prej tyre iu skuq fytyra nga zemërimi dhe i kërcyen damarët. I Dërguari i Zotit iu drejtua: „Kam dijeni për disa fjalë, të cilat po ti shprehte ky burrë, nuk do ti ndodhte kjo që po shohim. Këto fjalë janë: Rend për tek Allahu, larg djallit (shejtanit) të mallkuar (eudhu bi-Lláhi mine ’sh-shejtáni ’rr-rraxhim)’.“

2. Një mënyrë tjetër sesi mund të mposhtet gjaknxehtësia është heshtja e plotë. Kjo edhe nëse dëgjojmë të thuhen ndaj nesh sharje, fyerje apo kritika të padrejta, sepse nuk korrigjohet gabimi me gabim. Myslimani nuk duhet ta humbasi kontrollin mbi gjuhën e vet, sepse mund të lëndojë të tjerët në gjaknxehtësi e sipër. Nëse i hidhet benzinë zjarrit, kjo e rrit zemërimin dhe nuk zgjidh kurrgjë. Pejgamberi Muhamed, alejhis-selam, ka thënë: "Nëse dikush nga ju zemërohet, do të bënte mirë të heshtte!"

3. Mënyrë tjetër e zbutjes së zemërimit është ndryshimi i pozicionit të trupit apo edhe i vendndodhjes. Nëse personi i nxehur zemërohet gjendet në këmbë, le të ulet. Nëse rri ulur, le të shtrihet dhe e kundërta. Mund të braktisi dhomën ose vendin ku rri në momentin e zemërimit. Ndryshimi i pozicionit dhe vendndodhjes e ndihmon individin në zbutjen e zemërimit.

4. Kur zemërohemi duhet të kujtojmë gjithmonë hadithin e mëposhtëm nga Ebu Hurejre ka thënë: " Një ditë erdhi një burrë tek Pejgamberi dhe i tha: „Më jep një këshillë të mirë.“ Pejgamberi iu përgjigj: „Mos u nxeh“ dhe e përsëriti këtë disa herë. "

5. Gjithashtu duhet të mbajmë mend, se kontrolli i zemërimit është shenjë e besimtarit dhe e besimit të thellë në Allah. Në Kuran thuhet: Dhe nxitoni për tek mirësia e Zotit tuaj dhe tek kopshti (i Parajsës) madhësia e të cilit është e barabartë me qiejt dhe tokën. Ai është bërë gati për besimtarët të cilët në momente të mira e të këqia dhurojnë (nga ajo çka jua ka dhënë me bujari Zoti) dhe që mposhtin zemërimin si dhe falin fajtorët.

Të dashur vëllezër e motra, ta dini se gjaknxehtësia nuk i jep njeriut guxim dhe as nuk e ndihmon atë në zgjidhjen e problemeve. Gjaknxehtësia mund të ketë pasoja katastrofale jo vetëm për atë që zemërohet por edhe për ata që i gjenden përreth. Sa të rinj kanë humbur të ardhmen e tyre, apo ndonjëherë edhe jetën, vetëm në sajë të disa minutave zemërimi, pikërisht, sepse kanë kryer krim nën mbërthimin e gjaknxehtësisë. Ata që e paguajnë më shtrenjtë janë fëmijët e pafajshëm. Sa familje e fqinjë janë armiqësuar për jetë a vdekje kot, vetëm për shkak të zemërimit. Pejgamberi ka thënë: „Mysliman është ai, prej gjuhës (dmth. fjalëve) dhe duarve (dmth. veprimeve) të të cilit, myslimanët e tjerë janë të sigurtë.“
Megjithatë duhet të theksojmë se, ka një lloj zemërimi që në kushte të caktuara është i lavdëruar dhe i kërkuar madje. Është fjala për rastet kur zemërohemi për gjëra të cilat janë në kundërshtim me ligjet e Zotit dhe ndaj individëve të cilët mohojnë Zotin dhe ligjet e Tij apo e fyejnë Atë. Thuhet se Pejgamberi nuk është zemëruar kurrë për hatër të vet por veçse për Allah e për fenë Islame. Tek Pejgamberi shihej zemërimi vetëm në rast se dikush fyente fenë e Zotit, prandaj edhe ne myslimanët kur shohim të bëhen padrejtësi ndaj fesë sonë, kemi të drejtë dhe detyrë të zemërohemi si dhe ta vejmë në dukje qëndrimin tonë.

 

 

Back