ZEMËRIMI NGA KAPLIMI I FATKEQËSIVE

23/05/2011 21:21

Muhamed ibën Salih El Uthejmin

 

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të gjithësisë, salavatet dhe selamet qofshin mbi profetin tonë Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Një prej bazave të besimit islam është besimi i njeriut në kader (caktimin e Allahut) qoftë ai i mirë apo i keq. 

Si dhe ta dijë, se ajo që e ka kapluar nuk ka pasur mundësi të mos i ndodhë, ndërsa ajo që nuk e ka kapluar, as që ka pasur mundësi t’i ndodhë dhe se çdo gjë kthehet tek Allahu. Pa dyshim që në sprovimin e robit qoftë në të mirë apo në të keqe qëndron urtësia e pafund e Allahut Fuqiplotë, prandaj fatkeqësitë janë dy llojesh:

Lloji i parë: ky lloj ia shlyen mëkatet personit dhe ia përmirëson gjendjen e tij. Allahu në Kuran thotë: “Çfarëdo e keqe që mund t'ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai ju fal.” (Shura: 30) si dhe fjala e Allahut: “Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat).” (Rum: 41).

Lloji i dytë: Fatkeqësitë mund të jenë shkas për ngritjen e gradave të njeriut që ai të arrijë e të pajiset me cilësi të lartë, pra me durimin për të cilin Allahu i lavdëron ata që e kanë këtë cilësi, kur na thotë: “...ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!" (Zumer: 10).

E njëjta gjë vlen me sprovat e të Dërguarit të Allahut- paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kur u sëmur ai e kishte dhimbjen e dyfishtë në krahasim me njerëzit e tjerë. Kjo i ndodhi kështu atij me të vetmin qëllim që ai të arrijë gradat më të larta të durimit, pra të arrijë vlerën për të cilën jep lëvdata Allahu i Lartësuar, e pa dyshim se ai e ka arritur atë gradë. E kjo është e vërtetë, ngase ai ishte njeriu me durim më të madh në bindjen ndaj Allahut, njeriu më durimtar në ndalesat e Allahut, si dhe njeriu, i cili ka bërë durimin më të madh ndaj fatkeqësive që i ndodhën atij.

Nga kjo hyrje nënkuptojmë, se njeriu e ka detyrim të bëjë durim në caktimin e Allahut, sepse zemërimi - urrejtja me atë që të ka caktuar Allahu llogaritet dobësi e besimit në rububijetin - Zotërimin e Allahut, ngase kuptimi i saj është se Allahu bën çfarë të dojë. Pastaj shiko e medito mbi mirësinë e Allahut, kur Ai bën me robin e Tij çfarë të dojë po ashtu në të njëjtën kohë e shpërblen për fatkeqësitë që i kanë rënë, po qe se bën durim dhe shpreson në shpërblimin e Allahut. Disa dijetarë kanë thënë: Njerëzit në fatkeqësi ndahen në katër grupe:

1 – Të zemëruarit

2 – Durimtarët gjatë sprovave dhe fatkeqësive

3 – Të jesh i kënaqur me sprovat dhe fatkeqësitë

4 – Falënderuesit ndaj asaj që ua ka caktuar Allahu i Lartësuar.

1 –Zemërimi

Sa i përket zemërimit kjo është e ndaluar, qoftë me zemër, me gojë apo me gjymtyrë. Zemërimi me zemër është të mendosh, se Allahu i ka bërë padrejtësi me këtë fatkeqësi dhe se ky nuk është njeri që meriton të sprovohet në këtë mënyrë. Ky person është në rrezik të madh pasi Allahu thotë: “Ka nga njerëzit që e adhuron Allahun me mëdyshje (luhatshëm), nëse e godet ndonjë e mirë ai qetësohet më të, por nëse e godet ndonjë e pakëndshme, ai kthehet në fytyrën e vet të vërtetë (të mëparshme), ai i ka humbur këtë dhe jetën tjetër e ky është ai dështimi i qartë.” (Haxh: 11). Kurse zemërimi me gojë është të bërtasësh me fjalë injorance (xhahilijeti), si p.sh.: Ah shkatërrimi im, ah humbja ime, e të ngjashme me to fjalë vajtimi, të cilat tregojnë se robi është i zemëruar dhe nuk është i kënaqur me caktimin e Allahut. Ndërsa zemërimi me gjymtyrë është: t’i mëshosh fytyrës me shuplaka, shqyerja e teshave etj. Prej këtyre njerëzve është distancuar edhe i Dërguari i Allahut- paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: “Nuk është prej nesh ai që gris rrobat, i mëshon me shuplaka fytyrës dhe ai që bërtet fjalë xhahilijeti.” Prandaj ky lloj zemërimi është haram, madje prej mëkateve të mëdha, ndërsa zemërimi me zemër është më i rrezikshmi.

2 - Durimi

Durimi është përmbajtja e vetvetes nga zemërimi, një gjë e tillë shpesh është tepër e vështirë për epshin, porse një gjë e tillë është detyrim. Po qe se njeriu nuk bën durim nga zemërimi, atëherë mund të bjeri në mëkate të mëdha. I Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i ka thënë një gruaje, e cila e ka thirrur të Dërguarin e Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ta vizitojë djalin e saj në momentin e vdekjes, e ai u ka thënë për të, që ta këshillojnë me fjalët: “Urdhërojeni atë të bëjë durim e të shpresojë në shpërblimin e Allahut.”

3 - Kënaqësia

Të jetë i kënaqur robi me atë që i është caktuar nga fatkeqësitë plotësisht. Në këtë çështje dijetarët kanë debatuar se vallë: a është detyrim kënaqësia me të? Mendimi më i saktë është se kënaqësia në të është e preferuar, ngase kur njeriun e kaplon ndonjë fatkeqësi automatikisht nuk është i kënaqur me të, e si pasojë nga ajo çfarë i ka ndodhur ai duhet ta përmbajë veten nga zemërimi. Ndërsa kënaqësia është kur të të mos vijë aspak keq për atë që të ka kapluar, prandaj ajo që i vjen nga Allahu, ai është i kënaqur me të, pra ai është i kënaqur me caktimin e Allahut ndaj tij, qoftë ai i hidhur apo jo, për të është njësoj. Sikur ai dëshiron të thotë: Unë jam rob i Zotit tim, e Ai është Zoti im, unë jam i kënaqur me të mirën e Tij, e falënderoj Allahun, e po qe se më ndodh diçka tjetër përsëri unë jam robi i Tij, prej meje ai ka durim dhe falënderim. Apo ndoshta sprovën e sheh si shlyerje mëkatesh dhe shpërblim, në këtë kontekst përmendet rasti i Rabie Adevijes. Na përcillet se ajo është sprovuar në gishtin e saj, e nuk është ankuar aspak, e kur është pyetur, se pse vallë nuk ankohet, ajo është përgjigjur duke thënë: Ëmbëlsia e shpërblimit të saj më bën ta harroj hidhësinë e saj me durim ndaj saj.

 

 

4 – Falënderimi

Kur ta kaplojë ndonjë fatkeqësi apo sprovë e falënderon Allahun për atë që i ka ndodhur. Por shpesh kjo është e rëndë, sepse kur i ndodh njeriut ndonjë sprovë, natyra e njeriut nuk e pranon një fenomen të tillë aq lehtë. Mirëpo kur mediton e logjikon mund të ndodhë, që njeriu ta falënderojë Allahun për këtë fatkeqësi, duke menduar se ka pasur mundësi t’i ndodhë diçka më e madhe, prandaj ky e falënderon Allahun që nuk e ka sprovuar me diçka më të madhe, P.sh. dikush pëson aksident dhe thyen këmbën, kur shikon trupin e tij thotë: Falënderimi i takon Allahun, që nuk pësova ndonjë dëmtim më të madh, e të kisha mbetur me të meta etj. Pra çdoherë e mendon se sprova e tij mund të ishte edhe më e rëndë. Prandaj nga kjo sprovë ai sheh se ajo është sprovë dhe se pas pak kohësh do të shërohet prej saj. Ose prej saj i vjen vdekja (exheli) çfarë i ka caktuar Allahu Fuqiplotë, kështu që ky e falënderon Allahun dhe në çdo rast arrin shpërblimin e Allahut të Lartësuar. Prandaj njeriu në fatkeqësi mund t’i takojë njërit prej këtyre katër grupeve:

1 - Zemërimi për atë çfarë i ka ndodhur, pra nuk është i kënaqur me sprovën, madje është i hidhëruar, kjo është haram.

2 - Durimi në sprova, është detyrim.

3 - Kënaqësia në sprovë, është e pëlqyer.

4 - Falënderimi i Allahut gjatë sprovës, kjo është grada më e lartë për besimtarin.

Allahu e di më së miri, salavatet dhe selamet qofshin mbi profetin tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

 

Përktheu dhe përshtati: Nexhat Ceka

Revista Albislam Nr. 89

 

Albislam.com

 

 

Back